Nga Bedri Islami
Është e habitshme me sa ngut kishte qenë dëshira e institucioneve të drejtësisë, sidomos SPAK dhe GjKKO,për të pasur një përplasje me shumicën qeverisëse. Mjaftoi vetëm një qëndrim kritik i shefit të qeverisë ndaj veprimeve të SPAK dhe institucioneve të tjera që, në turr e sipër, të gjitha institucionet e kësaj natyre të futeshin në garë për të shpallur qëndrimin e tyre kundërshtues, deri në intimid, çka po bëhet një lloj norme e pa shfaqur zyrtarisht në proçeset e zhvilluara.
Pas fjalës së Edi Ramës, që , ndoshta ishte më tolerues se duhet në gjithë proçesin e reformimit të sistemit të drejtësisë, menjëherë, dy institucione të rëndësishme, të drejtësisë së re, reaguan ashpër, duke quajtur gjithçka si ndërhyrje dhe presion ndaj drejtësisë.
Megjithëse në gjithë këto kohë, prej më shumë se 5 viteve, prokurorë dhe gjykatës të këtyre institucioneve, nga opozita e tanishme dhe drejtuesit e saj, janë mallkuar, linçuar , përgjuar, është shpifur ndaj tyre, janë ngritur akuza, e kanë quajtur organizatë kriminale; megjithëse shefin e tanishëm të SPAK e kanë quajtur kriminel dhe kanë bërë presion të pa zakontë në kohë ndaj tij dhe pararendësve të tij, asnjëherë këto institucione të reja nuk kanë reaguar.
Ata kanë futur, si i thonë në Drenicë, “ veshët në lesh”, e kanë përtypur gjithçka ka ndodhur dhe janë struktur, gjithnjë me frikën se mos nesër anjë ditë tjetër shefi i opozitës do të merret me to,dhe me familjet e tyre. Dhe , kur merret ai, merret me gjithë librin e shtëpisë.
Në 5 vite kjo drejtësi ka pasur vetëm një mbrojtje të brendshme, shumicën qeverisëse, që, edhe pse arrestimet po bëhen , ndoshta të parakohshme, që kur figura të njohura të saj janë ende nën hetim, nuk ka ngritur zërin, nuk ka mallkuar, nuk ka linçuar, por e ka ndarë fatin e shumicës nga individi i burgosur. Gjërat kanë shkuar deri në fundoren e këtij qëndrimi, në krijimin e një mendimi se, “ Rama i shet bashkëpunëtorët e tij”.
Pak pas protestës së mbështetësve të zotit Veliaj, dhe kushdo ka të drejtën të protestojë, veçanërisht kur arrestimi është i dyshimtë, në një kohë të pazakontë, pa gjyq dhe , sipas juristëve të njohur, i dyshimtë dhe i pa justifikuar, Gazend Bardhi ishte i pari që reagoi për “ rrezikun” që kaluan, nga masa e mbledhur, pjestarët e GJKKO dhe të SPAK, që paskan qëndruar disa orë të izoluar, megjithëse, gjysëm ore a një orë pas përfundimit të proçesit, ata shkuan secili në punët e tyre.Të nesërmen reaguan dy institucionet e cituara. Shkak, sipas tyre, ishte mungesa e forcave të Policisë së Shtetit. Megjithëse Bardhi nuk kishte qenë në mesin e protestuesve, ai e dinte mirëfilli se çfarë kishte ndodhur. Si duket linja , tashmë e njohur, Bani – Bardhi- Berisha funksionoi mrekullisht shpejt, vetëm se, ky i fundit, shtoi edhe njerëz me armë, ashtu si kishte fantazuar në natën e 21 janarit për çadra dhe stilolapsa pistoletë.
Pas Bardhit reagoi GJKKO dhe SPAK. Shkuan edhe më tej në kërkesat e tyre. Janë në të drejtën e profesionit të kërkojnë. Duke harruar me dashje se para dyerve të tyre kishte ndodhur shumë më rëndë se kaq. Jo vetëm në të shkuarën e largët, kur gardistët futeshin në sallën ku gjykohej Ndrea Prendi dhe bënin prokurorin dhe hetuesin, por edhe tani, kur paraqitet në gjykatë drejtuesi i opozitës, Berisha, apo kur metingashët e PL godisnin makinën e policisë në rastin Meta. Si duket, dy institucionet e reja kanë parë vetëm këto të fundit. Mirë që u zgjuan. Ndoshta shohin edhe të hënën metingashët e opozitës.
Pyetja është krejt normale : çfarë po ndodh me institucionet e reja të drejtësisë dhe a janë të vërteta përplasjet me shumicën qeverisëse, apo ka diçka tjetër mes tyre?
Si duket periudha e lulëzimit mbaroi. SPAK dhe GJKKO kanë përveshur mëngët për të qenë ballas me qeverinë dhe shumicën parlamentare.
Ka disa arsye .
Më praktikja është dosja e Erion Veliajt. Pikërisht ajo që u quajt lapsus, gjendja gjyqësopre e Erion Veliajt si i dënuar. Sipas SPAK kështu rezultoi nga çertifikata e Drejtorisë së Burgjeve. Gjithnjë sipas tyre kjo nuk është përdorur si rrethanë në kërkimin e arrestit të zotit Veliaj. Drejtoria e Bugjeve ka shënuar sot se asnjëherë nuk është cilësuar nga ana e tyre si i dënuar zoti Veliaj.
Është vërtet lapsur apo intimidim i qëllimtë? Vërtet qenia si i dënuar më parë nuk ndikon në vendimin e trupës gjqësore?
Duhet naivitet i madh të besosh deri në fund. Përse? SPAK, prej një viti, si nuk ka ndoddhur veç rallë herë, e ndoshta nuk ka ndodhur as në hetimin e bandave të rrezikshme, në çështjen Veliaj e të tjerë, me objekt kryesisht dhe veçanërisht Kryetarin e Bashkisë së kryeqytetit, kanë vënë në lëvizje dhjetra e dhjetra njerëz.
Hetues, përgjues, ndikues, media, që i kanë furnizuar sipas dëshirës, kanë pyetur e hetuar dhjetra vetë, kanë në duar qindra faqe dokumentë të rëndësishëm apo të seleksionuar, kanë bërë Vetingun e pasurisë së tij, kanë kontrolluar çdo cep të shtëpisë së tij dhe të afërmve të tij, kanë ndjekur të gjitha komunikimet në platformat sociale, blerjet online, lodrat e fëmijës së tyre, dhe, në gjendjen gjyqësore të tij bëjnë këtë “ lapsur”. Vështirë e besueshme. Por, le të besojmë se nga mllefi i shfaqur , edhe në një proçes gjyqësor, mund të jetë kështu.
Vetingu i pasurisë së zotit Veliaj të kujton vendimin e gjyqësorit për të mos hetuar burimet e pasurisë së zotit Berisha dhe Meta.
Edhe kjo nuk justifikon gjithçka.
Ka disa kohë që mes shumicës parlamentare dhe strukturave të posaçme të drejtësisë së re bëhet një përplasje aisbergiane. Pra, më shumë e mbuluar, se sa e dukshme.
Çështja është mandati i kufizuar i tyre. Vetëm 9 vite. Shefi i SPAK kërkoi , edhe në parlamwnt, që të jepet e drejta e prokurorëve, gjyqtarëve dhe të BKH për kandidimin edhe në një mandat tjetër, për 9 vite të tjera.
Në një diskutim që është bërë në njërin nga institucionet e rëndësishme që monitorojnë Shqipërinë, mes të tjerave dhe reformimin e drejtësisë së re, kam shfaqur bindjen se ky është një mendim i drejtë, pasi askush nuk duhet të privohet nga e drejta e rikandidimit në një post të lartë, pasi, në mos tjetër, e bën atë më të vendosur në detyrën e tij, duke e ditur se do të jetë në një vend të qëndrueshëm, dhe droja që mund të ketë për të ardhmen mund të jetë e kotë.
Nuk jam nisur nga mendimi se pagat e larta dhe mbështetjet e tjera janë të rëndësishme në këtë mision. Kam besuar se misioni i tyre është i rëndësishëm dhe duhet mbështetur.
Isha kundër mendimit të shfaqur në takim se, qëndrimi i gjatë në një detyrë të rëndësishme në sistemin e drejtësisë, sidomos në një vend si Shqipëria, ku ende grëmi i egër ka mbuluar shumë fusha, mund të krijojë autokracinë gjyqësore, e , më tej oligarkinë e sistemit të drejtësisë, vetëbesimin e një pjese të këtij sistemi për pagabueshmërinë e tyre, dhe, mbi të gjitha, arbitraritetin.
Qëndrimi i shumicës qeverisëse , për të rishikuar disa ngecje apo përmirsime në sistem, më janë dukur si ndërhyrje për të ngritur pengesa dhe ushtruar presion mbi këtë sistem.
Si duket paskam qenë i gabuar dhe mendimi i gjyqtarëve me përvojë evropianë, mbi mundësinë e krijimit të oligarkisë gjyqësore, kishte qenë i drejtë.
Nëse sot SPAK gëzon mbi 80 për qind të mbështetjes së popullsisë kjo ndodh pasi ka mbështetjen e shumicës qeveritare. Ndryshe nuk do të ndodhte kështu.
Nëse sot , sipas ligjeve kushtetuese, mandati i tyre zgjat vetëm 9 vite, kjo , si duket, qenka e domosdoshme.
SPAK dhe GJKKO nganjëherë të kujton Gjykatën Speciale të Kosovës, e cila, megjithëse është tashmë ligj kushtetues i Kosovës, nuk i bindet as parlamentit të tij, as qeverisë, nuk pyet për askënd dhe , sado që ë shkelë të drejtat dhe paanshmërinë, nuk do t’ia dijë për asgjë.
SPAK dhe GJKKO, janë pjesë e Kushtetutës, dhe ndërsa janë të pavarur, si është vetë sistemi i drejtësisë, nuk do të thotë se është jashtë vemendjes së parlamentit dhe kontrollit të tij.
Nëse sot , në Shqipëri, të hetuar, pa gjykuar , dhe në paraburgm janë mbi 62 për qind e të ndaluarëve, kjo nuk është normë evropiane dhe as dëshmi ripërtëritje e sistemit.
E kuptoj që është e vështirë të ketë reformim të plotë të sistemit të drejtësisë, kur jo tëgjitha gjërat janë shembur.
Sundimi i politikës mbi drejtësinë e re, po e quajmë kështu, është ende i ndjeshëm, e , në disa raste vendosës.
Rasti Veliaj është njëri prej tyre. Sado të mohohet nga prokurorët e çështjes, sado që gjyqtari Bani të mohojë të shkuarën e tij, lidhjet vazhdojnë.
Në mos tjetër kjo tregohet çdo javë në sallën e parlamentit, ku drejtues të opozitës kanë bnë duar dosje të mbyllura, që janë të ndaluara të publikohen. Nuk është e vështirë të dihet se kush është zot i atyre dosjeve, kush spekullon me to dhe nxin sistemin e drejtësisë.