Nga Sejdo Harka
Edhe pse për shkrimtarin Sterjo Spasse është shkruar shumë, përsëri mbetet diçka për të thënë. Kjo ndodh, sepse jeta dhe veprimtëria e tij ka qënë dhe mbetet memoria e artit dhe letërsisë shqipe. Sa herë që shqiptarët ndodhen para ‘’pse-ve’’enigmatike, thonë:’’Pse-në nuk e gjeti as Sterjo Spasse.’’ Të shkruash për S. Spassen, është si të gdhëndësh një statujë të gjallë, që përjetëson atë brez shkrimtarësh të cilët, me përpjekjet e tyre për të hedhur themelet e letërsisë sonë të re, u bënë promotorrë të zhvillimit të artit dhe kulturës dhe shqiptare. Ky brez, sa i apasionuar, aq dhe i stërmunduar, duke rendur përmes errësirës, varfërisë së tejskajshme, luftrave të përgjakshme dhe akujve rrëshqitës, ditën që penën e tyre ta tjetërsonin herë në qiri shpirtëror për të ndriçuar errësirën e kohës dhe herë në armë për të ‘’vrarë’’ skllavërinë sundimtarët e egër. Ky brez, duke ecur në rrugët e çelura nga Rilindasit, u mundua që artit dhe letërsisë sonë t’i jepnin shijen e baltës tonë dhe bukurinë e natyrës së rrallë shqiptare. Jeta dhe krijimtaria letrare e këtij brezi është historia e gjallë e luftës, artit dhe letërsisë shqipe, që lindi dhe u zhvillua midis dy sistemesh, sa të ndryshëme, aq dhe të njejtë. Edhe pse u bënë përpjekje për ta censuruar e penguar, në të vërtetë nuk mundën t’ia vrasin lirinë.
Një nga veprat më të plota që i përkushtohet jetës dhe veprimtarisë shumëplanëshe të Sterjo Spasses është ajo me titullin ‘’Im at, Sterjo’’, shkruar me pasion e dashuri nga djali i tij, akademiku prof.dr. Iliden Spasse. Ky libër, që ka dalë në qarkullim kohëte fundit, herë i ngjan një thrilleri artistik dhe herë një libri monografik, ku në qendër vihet jeta dhe veprimtaria letrare e pedagogjike e shkrimtarit dhe pedagogut Sterjo Spasse. Protagonizmi i tij shumëplanësh skalitet, herë përmes ditarit të S. Spasses, herë nëpërmjet gojës së miqëve e shokëve të tij shkrimtarë, kritikë e mësues dhe herë nëpërmjet kujtimeve të gjalla të autorit tw librit Iliden Spasse, i cili e ka ndjekur të atin tërë jetën, në çdo hap . Këtë libër e bëjnë tërheqës, jo vetëm arkiva e gjallë, por dhe gjuha e bukur. Në ktë libër, përveç materjaleve të gjalla dhe analizave të thella, gjejmë edhe përshkrime artistike e një fjalor të pasur me nuanca të thella figurative. Autori, për të treguar gëzimin e madh që solli në familjen e Spasses lindja e Sterjos, përdor pasazhe të tilla artistike : ”Ishte mëngjes i 14 gushtit të vitit 1912, kur Spassja i Niço Kristos mori sihariqin se, e shoqja e tij, Marë, kishte lindur djalë. Në atë çast, ai po psallte në kishën e vjetër, buzë liqenit. Spasse buzëqeshi. I kishte lindur fëmija i katërt. Sterjo do t’ia vëmë emrin, tha nuni Ilo. Të na bëhet këngëtar si Spassia! Dhe vërtet, Sterjo do të bëhej i rrallë. Ishte një djalë i bukur, me flokët krela-krela të dendura si si pyjet e Goricës, me sytë e kaltër si ujët e liqenit dhe me fytyrë të bardhë si qumështi. Sa më shumë rritej, aq më kureshtar bëhej. Për çdo gjë që shihte, pyeste të atin: Pse e lëron tokën kaq cekët? Pse Nivica mbeti përtej kufijëve tanë? Sterjua i vogël u dëshpërua thellë, kur mori vesh se nuk do të shkonte më në shkollën e tij të parë, në Nivicë, vetëm se fuqitë e mëdha e kishin lënë jashtë kufijve tanë. Prandaj, tashmë shkollën nisi ta vazhdojë në Goricën e Madhe, ku si mësues pati korçarin Pandeli Sina. Më pas Sterjo, me ndihmën e këtij mësuesi, regjistrohet për të vazhduar klasën e katërt në shkollën Plotore të Korçës. Elbasani dhe shkolla ‘’Normale, do t’i çelte për Sterjon një dritare të re, përtej së cilës ai do të shihte konturet e ëndërrave të tij më të bukura. Por, që ato të realizoheshin, kërkonin dije dhe luftë e përpjekje me të pamundurat. Kur djaloshi Sterjo troket i ndrojtur, për herë të parë, në portën e Normales së Elbasanit, parpara i doli një burrë i pamshëm me një pendë në dorë. Ishte drejtori i kësaj shkolle, Aleksandër Xhuvani, i cili pasi u ngrit nga tryeza , i përkëdheli krelat dhe pastaj me dorën në sup e përcolli dret derës së klasës, ku ai do të mësonte. Ndërsa Sterjo, duke tundur kokën belbëzonte me vete:’’Ja si qenka njeriu më i ditur i gjuhës shqiupe dhe drejtori i shkollës sime’’. S.Spasse, nuk do të harronte kurrë këto shënime që A. Xhuvani do të linte në revistën ‘’Normalisti’’, kur ai u largua nga kjo shlollë për të punuar në Ministrinë e Arsimit :’’Lus me gjithë zemër që ‘’Normalisti’’ të ketë jetë të gjatë dhe drita e tij e vogël të bëhet drita e një feneri të madh, që do të ndritë gjithë udhëtimin tuaj’’(37). Ky bekim do ta frymëzonte të gjithë atë brez normalistësh, të cilët në të ardhshmen do t’i vinin gjoksin luftës për liri dhe punës për dije, kulturë, arsim dhe krijimtari.
Një dritë e re do të lindëte në shpirin e Sterjo Spasses, ditën e 26 qershorit 1929, kur në gazetën ‘’Ora’’ të Tiranës ishte botuar shkrimi i tij i parë. Kjo dritë e gjallë shkrimesh që u ndez si një pishtar, një ditë të bukur qershori, do të shuhej bashkë me regëtimën e fundit të zemrës së tij të madhe. Sterjo, jo vetëm që kishte nisur të shkruante që në bankat e shkollës, por dallohej edhe për rezultate të larta në mësime. Më 2 korrik të vitit 1932 S.Spasse mori nga ‘’Normalja’’ diplomën:’’I aftë për t’u emëruar mësues në shkollat fillore të shtetit’’. Tepër i gëzuar, bashkë me normalistët e tjerë, Sterjo mori udhën përrreth Shqipërisë me në gojë vargjet:’’Edhe hana do ta dijë/ Edhe dielli do të ketë pa/ Se përqark kësaj rrutullie/ Si Shqipëria, vend nuk ka’’(46).
Sterjo Spasse e vlerësonte shumë figurën misionare të mësuesit . Për të, ai ka në dorë fatin e një shteti dhe është timoni i burrave të ardhshëm të një vendi’’. Që në shkrimet e tij të para Sterjo u bë një stigmatizues i ashpër i sistemit të kohës. Por, kur ai guxoi të fshikullojë majorin Umberto de Fuçio, në gazetën’’Ora’’, u arrestua nën kërcënimin e qytës së pushkës. Nga që kërcënohej nga borxhet që familjen e tij e kishin zhytur bejlerët dhe agallarët, lutej të gjente një punë për t’i larë ato sa më parë. I tronditur thellë pyeste veten: Pse të ndodhë kështu?! Kush e ka fajin?! Ishte koha kur njihet me Ali Kelmendin, i cili pasi mori vesh se ai shkruante, i tha: ‘’Nuk ka dramë më të madhe se ajo që u ka ndodhur goriciotëve. Brumin për një roman e ke gati. Vetëm shkruaj të vërtetën’’. Në protestën e goriciotëve kundër bejlerëve dhe agallarëve të Korçës morën pjesë edhe gratë e fëmijët, ndaj ajo elektrizoi gjithë Shqipërinë. Protestën e shtypën 200 xhandarë, ndaj goriciotët u detyruan të mernin arratinë jashtë vendit. Ishte koha kur djaloshin Sterjo e stërmundonin njw seri pyetjesh: Pse lind njeriu? Pse vdes? Pse martohet? Pse vuajnë kaq shumë njerëzit? Pse ka padrejtësi? Por, nga që nuk u jepte dot përgjigje , bëhej pensimist.
Në shtator të vitit 1932, ai fillon punën mësues në fshatin Derviçan të Gjirokastrës, ku e mrekulluan bukuritë e natyrës, por e ligështoi varfëria e tejskajshme e njerëzveve. Në mjegullnajën e shumë pyetjeve, në darkën e 7 majit të vitit 1933, Sterjo do të nisë të shkruajë romanin e tij të parë të famshëm me titullin ‘’Nga jeta në jetë, Pse?!’’. Edhe pse ai në këtë kohë është martuar me Nikolinën e bukur, në ditarin e tij shkruan:’’Kam qënë kundra martesës. Me gjithë atë nusen time e dua’’. Ishte koha kur S.Spasse ndodhej nën kllapinë e filozofisë së Niçes dhe Shopenhaurit, të cilët i lexonte me kërshëri. Nga fundi i vitit 1934, S. Spasse nisi punën si mësues në Voskopojë, ku ai përfundoi romanin ‘’Pse?!’’ Publikimi i këtij romani në faqet e gazetës ‘’Korça’’,nga marsi deri në gusht të vitit 1935 do të sillte përshtjellime të reja për figurën e S.Spasses si romancier. Filozofia e tij pensimiste e nihiliste:’’ Bota e hiçit, prej hiçit, për hiçin, rrotullohet rreth hiçit’’, e trazoi shumë shpirtin e lexuesit, por dhe e nxiti atë të meditojë përballë enigmave të kohës. Kurrë, shkruajnë gazetat e kohës , shtypi s’kishta patur kaq shumë lexues. Shkrimtarë të mëdhenj të kohës, si A.Varfi, jo vetëm s’e kritikuan Spassen, por përkundrazi i dhanë kurajo me fjalët :’’Vazhdo, mos u step!’’ Në këtë roman, shkruan shtypi i kohës, Sterjo, vërtet përshkruan me ngjyra mallëngjyese jetën e një djaloshi pensimist, por ai flet shumë. Shumë lexues çuditeshin se si nga mendja e një një djaloshi 22-vjezar mund të dilte një turbullirë e tillë shpirtërore. Të tjerë i shkruanin autorit: ’’Ju shtërngojmë dorën për guximin e madh dhe talentin me të cilin krijuat një vepër të tillë filozofike që na kënaq’’. Ndërsa një i ri normalist i drejtohet me fjalët: ’’Ju kërkoja jasht meje dhe u gjeta në veten time. Jehona e këtij romani kapërxeu edhe kufijtë tanë. Për të shkroi dhe albanologu i madh N.Jokli. Ndërsa një vajzë korçare shkruante:’’Nga pena juaj e hollë presim vepra të reja, që të lartësojnë femrën shqiptare’’.(77)
Më pas Sterjo trasferohet në Korçë. Më 11 shtator të vitit 1935 ai shkruan:’’Po vij të banoj në Korçë, jo më si shërbetor i përbuzur, por po si mësues në shkollën plotore nr2. Ishte koha kur ai nisi të lexonte shkrimtarë të mëdhenj si Tolstoi, Dostojevski, Gorki, Cvajku, Hygoi etj. Krijoi Biblotekën Pedagogjike të Korçës, fletën e punës ditore dhe orën e hapur mësimore. Zhvilloi më tej kritikën letrare me karakter didaktik. Me mendimet e tij pedagogjike nisi të hedhë hapat e para për një shkollë të re, që i shprehu qartë në shkrimin’’Drejt realitetit të ri arsimor’’. Përcaktoi plagët e gjuhës shqipe dhe rrugët për shërimin e tyre. S. Spasse, siç theksonte na ato kohëra dhe N.Jokli, përmes gjuës së Ezopit, shtron për zgjidhje edhe disa probleme shoqërore e politike. Përmes pamfletesh sarkastike ai stigmatizonte regjimin e kohës.
Pas përfundimit të romanit ‘’Pse?!’’, Sterjo nisi të shkruajë romanin’’Mësonjësja ideale’’. Kur e pyetën, pse në qendër të kërtij romani vendos një mësuese dhe jo një mësues, ai përgjigjet se, jeta shoqërore shqiptare, sidomos ajo e fshatit kurrsesi nuk mund të përmirësohet pa filluar nga familja, themeli i së cilës është nëna dhe motra.
Pushtimin fashist të 7 prillit, S.Spasse e priti me trishtim të thellë, sepse ai vrau ajkën e djalërisë dhe dogji e shkrumboi trojet tona. Ato ditë, çdo pëllëmbë e vendit ishte tjetërsuar në një varr, dhe çdo bulëz uji binte erë gjaku. Në qershor të vitit 1939, Sterjo emërohet sekretar i mnistrit të arsimit Ernest Koliqi, por natyra e tij nuk nuk e ndjente veten mirë në detyra të tilla. Ndaj, pas tri javësh gjeti rastin dhe shkoi në Peruxha të Italisë për të mësuar gjuhën italjane. Në këtë kohë Njerëzit kishin humbur buzëqeshjen, sepse vuanin ethet e Luftës Italo- Greke . Vëllanë e tij të vogël e patën rekrutuar ushtar me armë në dorë. Sterjo, i tronditur thellë i shkruan atij këto fjalë:’’Me shpirt e zemër jam aty pranë teje duke iu lutur Zotit për ty, që të të ruajë nga çdo rrezik. Besim, shpresë dhe kurajo!’’ Komunikimet tepër emocionnale me të vëllain, më von, do t’i përdorte për shkrimin e novelës ‘’Nga dritarja e një ushtari’’, në brendinë e së cilës glorifikohet ankthi i luftës dhe shpresa për lirinë. Në vitin 1940, S. Spasse, me kërkesën e Ernest Koliqit emërohet punonjës i revistës pedagogjike ’’Shkolla shqipe’’. Në atë kohë ai i hyn punës edhe si përkthyes letrar. Merr pjesë në Kuvendin Albanologjik të vitit 1940, ku ai jep mendime me vlerë për krijimin e gjuhës letrare kombëtare, në themel të së cilës, sipas tij, duhet të vihej thesari i gjuhës dhe i krijimtarisë gojore popullore. Në kohëra të vështira luftrash ai u njoh edhe me luftëtarët e lirisë : Q. Stafa, V.Kushi, V. Shanto etj, të cilët e vlerësonin shumë. Gjatë Luftës, Sterjon e shqetëson shumë edhe gjendja e mjerë e arsimit. Prandaj në shumë rrethe zhvillonte koferenca pedagogjike me mësuesit për t’i motivuar dhe kualifikuar ata më tej. Djegia e Gllomboçit të tij nga pushtuesit ia shtoi më tej urrejtjen kundër tyre. Një ditë edhe sterio Spasse mori rrugën e Luftës partuzane në mal. Ja ç’i shkruan shokut të tij, Nexhat Hakiut, nga fronti i saj: ’’Po të shkruaj nga malet ku fryn erë lirie dhe paqeje. Këtu të gjithë janë heronj. Sa poshtë paskam qëndruar unë dhe sa lartë fluturojnë këta luftëtarë’’.(130). Çlirimin e Shqipërisë e priti me entusiazëm e shpresë të madhe. Ndaj, ato ditë shkruante: ’’Kam duartrokitur dhe jam krenar për këtë vetmohim të popullit tim dhe djalërisë shqiptare’’.
Në fillim të vitit 1944 Sterjo nxori në qarkullim romanin’’Kasollja e xha Tomit’’. Në atë kohë lexuesit e konsideronin atë ‘’balsam të shpirtit’’, ndërsa studjuesit e vlerësonin si përkthyesin më të mirë . Në shtëpinë e Spasses në rrugën ‘’Fortuzi’’ vinte një grup shokësh. Ata ishin: M. Kuteli, V. Kokona, N. Hakiu, të cilëve, bashkë me S. Spassen u lindi ideja të krijonin ‘’Revistën letrare’’, të cilën e konsideronin një armë të fortë për mbrojtjen e shqiptarisë. Ata besonin se drita e kulluar e fjalës, një ditë do ta ndriste kështjellën e errët. Në maj të vitit 1944 doli në qarkullim romani ’’Afërdita’’, i cili bëri jehonë të madhe. Më 25 nëntor të vitit 1944 Spasse merr pjesë në Kongresin Antifashist të Arsimtarëve, që i zhvilloi punimet në Korçë, ku ai zgjidhet anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Arsimtarëve Antifashistë të Shqipërisë.
Pas çlirimit Sterjo kthehet në Tiranë. Fjalët mbizotëruese të kohës ishin, fitore, fitore. Ai fillon punën në Shkollën Pedagogjike të Tiranës. Shkon në Kongresin Ballkanik, në Beograd për të manifestuar për luftën e përbashkët të ballkanësve kundër bishës naziste. Në vitin 1945 u krijua organizata e shkrimtarëve të Shqipërisë, ku ai u bë anëtar i përhershëm. Më pas do të marë pjesë në Kongresin e Shkrimtarëve Bullgarë, ku ai do të flasë edhe për rolin e Sofjes për zhvillimin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Janari i vitit 1946 Sterjon e gjeti familjarisht në Tiranë. Në këtë kohë ai trasferohet në Ministrinë e Arsimit, ku bashkë me figura të njohura të arsimit e kulturës si A. Xhuvani, Dh. Shuteriqi, S. Luarasi dhe M. Domi, ndërtuan platformën e reformimit të shkollës shqiptare. Ishte viti 1947, kur fatkeqësisht shokët e tij të ngushtë si Petro Marko, Andrea Varfi dhe Mustafa Greblleshi vuanin burgjeve. Sterjo largohet nga Ministria, për të shkuar në shkollën’’Kosova’’. Në mbledhjet e Lidhjes së Shkrimtarëve, emri i tij kish nisur të lakohej keq. Ministri i drejtësisë së asaj kohe i pati thënë se emri i tij ndodhej në listën e zezë. Ky lajm i keq i kishte ngrirë buzëqeshjen. Bashkëshortes i pati thënë se, po t’i ndodhte gjë, të merte fëmijët dhe të shkonte në fshat. Aq shumë kishte nisur të sulmohej, sa që u gjet një arësye banale për ta pushuar nga puna. Por e drejta e tij e riktheu përsëri në punë si mësues. Vetëm pas Kongresit të Parë të P.K.Sh S. Spasse, O. Paskali, N. Bulka dhe P. Marko ishin hequr nga lista e zezë. Ishte koha kur ishin dënuar K.Xoxe dhe P. Kristo. Në këtë kohë ai rikthehet përsëri në shkollën pedagogjike’’’17 Nëntori’’të Tiranës. Pas 6 muajësh rikthehet në Ministrinë e Arsimit, ku ai bashkë me shoët e tij synonte të krijonte një shkollë të re e cila, sipas tij, do të bëhej realitet, kur të përmirësohej gjendja shoqërore e familjes shqiptare. Njëkohësisht ai punonte për krijimin e një gjuhe letrare për të gjithë. Në vitin 1953 ai botoi romanin ‘’Ata nuk ishin vetëm’’, me të cilin fitoi Çimin e Republikës të Shkallës së Dytë. Mresa të mëdha la në kujtesën e Sterjos vajtja në B.Sovjetik, ku u njoh me historinë dhe veprat e shkrimtarëve të mëdhenj si Gorki, Çehovi e veçanrisht Tolstoi, të cilin e simpatizonte shumë, sepse kishte braktisur klasën e tij për të jetuar me shpirin e fshatarëve të varfër. Krijimtaria e S.Spases, në këtë kohë sa vinte e vlerësohej më mirë.
Romani ‘’Për jetën e re’’(1955), u nderua me Çmimin e Parë. Veprat e tij nisën të flisnin në disa gjuhë të huaja. S.Spasse ishte dhe një studjues i thellë i letërsisë së Rilindjes Kombëtare. Në vitin 1958, Sterjo shkon në Stokholm për të marë pjesë në Kongresin e Çarmatimit e të bashkëpunimit ndërkombëtar për t’i thënë jo përsëritjes së’’ Hieroshimës’’. Por s’kaloi shumë kohë kur shpirti i S.Spasses nisi të trazohej përsëri. Në vitin 1961 ai u vu përsëri në shenjestër të kritikave të ashpra të kritizerëve për novelën’’Simfoni e pambaruar’’ dhe romanin ‘’Buzë liqenit’’. Këto kritika i hodhi poshtë me forcë Nonda Bulka, i cili mes të tjerash theksoi se nuk është e drejtë të sulmohet një nga prozatorët tanë më të mirë, të cilët janë përkthyer në 15 gjuhë të botës. Edhe në Pleniumin e Shkrimtarëve të vitit 1966 Sterjo vihet në shenjestër të kritizerëve, por këtë herë për zbutjen e kritikës ndaj shtrembërimeve e shfaqjeve të huaja në art e letërsi. Kundërpërgjigjia e vetme e Sterjos kundër këtyre zërave të errët ishte: ’’Letërsia nuk ecën përpara me britma e të shara’’. Preh e këtyre kritikave të errëta u bënë : Dh. Xhuvani i cili ,për romanin ‘’Tyneli’’, u dërgua në Elbasan, V. Skënderi në Veri, F. Arapi në Vlorë etj. Vështirësi të mëdh ndjeu shkrimtari S.Spasse, kur shkruante romanin ‘’Ne jemi shumë’’. Gjatë procesit shkrimit të këtij romani, tregon ai, ndjente mospërputhjen mes fantazisë së tij të lirë për fshatin e kohës dhe regresin e plotë të tij. Viti 1973 është koha kur ‘’shpata moniste e Demokleut’’, nisi të bjerë më fuqishëm mbi kokat e pafajshme të shumë shkrimtarëve dhe artistëve të vendit . ‘’Shpata e parë’’ ra mbi kokën e Minusha Jeros për dramën ‘’Njollat e murrme’’ .
Ndërsa më pas kjo ‘’shpatë’’ do të bënte kërdinë mbi organizatorët e Festifalit të 11-të të këngës, mbi disa shkrimtarëe artistë, intelektualë e drejtues të rëndësishëm të partisë dhe pushtetit të kohës e deri tek ministri i arsimit dhe kulturës Thoma Deljana, i cili u dërgua çoban në Dhëmblan të Tepelenës. Në vitin 1974 S. Spase boton romanin’’Zgjimi’’, me të cilin ai nis ciklin e romaneve për Rilindjen Kombëtare Shqipëtare. Për këtë roman të Sterjos folën me superlativa, veçanrisht Dritëro Agolli e Llazar Siliqi. Një revistë letrare kosovare e quante S. Spassen, figurë të ndritur të letërsisë shqipe. Në vitin 1975, kur doli në qarkullim romani i dytë i këtij cikli, me titullin kuptimplotë’’Pishtarë’’, Vehbi Skënderi, edhe vetë Sterjon e quajti pishtar. Ndërsa Presidjumi i Kuvendit e nderoi me ‘’Flamurin e Kuq të Klasit të Parë’’. Ndërsa në vitin 1977, nisi përsëri avazi i baltosjes së emrit dhe veprës së S.Spasses. Kritizerët, pas dy vitesh, e akuzuan romanin ‘’Pishtarë’’, si një libër që shtrmbëronte realitetin, por shpejt ky libër do të konsiderohej si vepra letrare më e suksesshme e kohës. Seria e veprave të tij më të mira, në 8 vëllime, të shkruara për 50 vite me radhë, do të gjejnë dritën e botimit në vitin 1980. Në këtë seri, për shkaqe ideologjike, nuk u përfshinë romani Pse?!’’ dhe’’ Ja vdekje, ja liri’’. Në 70-vjetorin e lindjes së tij , përveç të tjerash, kolegët e tij thanë, se S. Spasse, me veprën e tij na mëson se si duhet ta njohim dhe pasqyrojmë të vërtetën. Dhimitër Shuteriqi nënvizon se vepra e tij ka lënë gjurmë në artin dhe kulturën shqiptare. Kurse shkrimtari Nasi Lera e quan Sterjo Spassen themelues të letërsisë dhe të romanit shqiptar. Kritika letrare e quante atë ‘’memorja jonë letrare’’. Ai doli në pension në vitin 1985, por vazhdoi të shkruajë deri në momentet e fundit të jetës. Kur shëndeti i tij po rëndohej, atë e dërgojnë për ta kuruar në Hungari. Sapo u rikthye në Atdhe do të shkruante fjalët e fundit:’’Balta më e ëmbvël se mjalta m’u duk balta e shtëpisë sime në rrugën ‘’Him Kolli nr 12’’, aty ku zemra e tij regëtiu për herë të fundit, më 12 shtator të vitit 1989, për të mos vdekur kurrë. Por, kjo legjendë e arsimit, kulturës dhe artit e letërsisë shqipe do ta fitonte përjetësinë, vetëm kur me emri i tij do të zbukuronte sfondin e një shkolle apo të një institucioni të artit dhe të kulturës shqiptare, për të cilat zemra e tij rrahu tërë jetën.