Rreth 700 studentë do të pranohen për herë të parë gjatë këtij viti për të ndjekur studimet në programet e ciklit të dytë “Master” në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, pjesë e Universitetit të Tiranës. Sipas vendimit të marrë nga Senati Akademik i këtij institucioni të arsimit të lartë publik, për vitin e ri akademik 2022-2023 për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja janë miratuar 695 kuota të reja pranimi, prej të cilave vetëm 40 do të jenë për programin e vetëm të studimit “Master profesional”, ndërsa pjesa e tjetër janë kuota të aprovuara për programet e nivelit të dytë shkencor, kryesisht për degët e formimit të mësuesve të rinj të disa prej profileve të gjuhëve të huaja. Gara për pranimet e reja në ciklin e dytë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja do të zhvillohet në nëntë programe të ndryshme studimi, ku në vijim të shkrimit do të gjeni të plotë kuotat e pranimeve për secilën prej këtyre degëve.
Në këto programe kanë të drejtë që të konkurrojnë të gjithë kandidatët që kanë përfunduar programin e ciklit të parë të studimeve në gjuhën përkatëse, për të cilën do të thellojnë studimet në mësuesi, në një universitet të akredituar brenda apo jashtë vendit dhe të njohur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit. Krahas këtij kushti, studentët aplikues duhet të përmbushin edhe kërkesën e notës mesatare të maturës të përcaktuar sipas vendimit përkatës të miratuar nga Këshilli i Ministrave. Kriter ky që do të zbatohet vetëm për degët, të cilat japin akses në programet e ciklit të dytë “Master” në fushën e mësuesisë. Përzgjedhja e fituesve sipas numrit të kuotave të miratuara për secilën degë do të bëhet sipas kriterit të notës mesatare.
Për të konkurruar në programin “Master i Shkencave në Gjuhë dhe Komunikim Ndërkulturor dhe Turistik”, kandidatët duhet të kenë përfunduar programin e ciklit të parë të studimeve në një universitet të akredituar brenda apo jashtë vendit dhe të njohur nga dikasteri i Arsimit, si dhe të plotësojnë kushtet e parashikuara në ligjin për arsimin e lartë mbi njohjen e gjuhës së huaj. Edhe për këtë degë seleksionimi i fituesve do të bëhet nëpërmjet notës mesatare.
Po ashtu, edhe për të aplikuar për programin “Master i shkencave në Përkthim teknik-letrar dhe interpretim”, kandidatët duhet që të kenë përfunduar programin e ciklit të parë të studimeve në një universitet të akredituar brenda apo jashtë vendit dhe të njohur nga MAS, teksa duhet të përmbushin edhe kushtin e njohjes së gjuhës së huaj.
Gara për pranimet e reja në ciklin e dytë për nivelin profesional do të zhvillohet vetëm në një degë. Për të konkurruar për programin “Master profesional në Përkthim me profil përkthyes” kandidatët duhet të kenë përfunduar programin e ciklit të parë të studimeve në një universitet të akredituar brenda apo jashtë vendit dhe të njohur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, si dhe të plotësojnën kushtet e parashikuara mbi njohjen e gjuhës së huaj. Autoritetet sqarojnë se për këtë program, kandidatët i nënshtrohen provimeve seleksionuese me shkrim dhe me gojë.
Vijimi i aplikimeve
Autoritetet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja bëjnë me dije se pranimi i aplikimeve për studimet e ciklit të dytë do të vijojë deri në datën 18 tetor. Çdo student që ka kryer programet e ciklit të parë “Bachelor” dhe dëshiron të vijojë studimet e nivelit të dytë në programet “Master profesional”dhe “Master shkencor” tek gjuhët e huaja, duhet që brenda këtij afati të përcaktuar të dorëzojë dosjen e konkurimit të përcaktuar, të cilën e gjeni të plotë në vijim të shkrimit. “Të gjithë aplikantët e interesuar duhet të paraqesin dokumentet e kërkuara pranë sekretarisë mësimore të ciklit të dytë personalisht, ose nëpërmjet personit të autorizuar prej tyre.
Referuar afateve të përcaktuara, shpallja e listave të fituesve për secilin program do të bëhet në datën 3 nëntor, ku më pas fituesit përfundimtar do të mund të vijojnë me procedurat e regjistrimit sipas afateve të përcaktuara.
Në ligjin e arsimit të lartë përcaktohet se pogramet e studimit të ciklit të dytë në “Master i shkencave” i pajisin të diplomuarit që zotërojnë diplomën universitare “Bachelor”, me njohuri të thelluara shkencore teorike dhe praktike në drejtimin përkatës. Këto programe studimi mund të realizohen me 120 kredite me kohëzgjatje normale jo më pak se dy vite akademike. Këtu përfshihen 30-40 kredite për një projekt kërkimor, nën udhëheqje të kualifikuar, i cili përfundon me diplomë (mikrotezë). Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master i shkencave” në fushën e arsimimit të kryer. Programet e studimit të nivelit shkencor mund të realizohen edhe si programe të integruara të studimit të ciklit të dytë, me 300 kredite dhe me kohëzgjatje normale prej pesë vitesh akademike, të cilat ofrohen kryesisht në drejtësi, si dhe në fusha të tjera të përcaktuara nga aktet nënligjore në zbatim të ligjit të arsimit të lartë. Studimet në këto programe përmbyllen me punim diplome dhe studentët pajisen me diplomë të integruar në fushën e arsimimit të kryer.
Ndërsa programet e studimit “Master profesional” u ofrojnë të diplomuarve me një diplomë të ciklit të parë njohuri me karakter praktik profesional në drejtimin përkatës. Ndërkohë që këto studime realizohen me 60 ose 120 kredite dhe kohëzgjatja normale e tyre është një vit ose dy vite akademike. Studentët në këto programe, mbështetur edhe në kriteret e vendosura në rregulloren e fakultetit për notën mesatare, mund të diplomohen me provim të përgjithshëm përfundimtar ose punim diplome. Në përfundim të programit të studimit të ciklit të dytë, lëshohet diplomë universitare “Master Profesional” në fushën e arsimimit të kryer.
KUOTAT E PRANIMEVE NË PROGRAMET MASTER SHKENCOR
- Në programin Gjuhë dhe komunikim ndërkulturor dhe turistik 150 kuota
- Në programin Përkthim Teknik letrar dhe Interpretim 165 kuota
- Në degën Mësuesi në gjuhën angleze\arsimi i mesëm i lartë 130 kuota
- Në degën Mësuesi në gjuhën italiane\arsimi i mesëm i lartë 75 kuota
- Në degën Mësuesi në gjuhën frënge\arsimi i mesëm i lartë 40 kuota
- Në degën Mësuesi në gjuhën gjermane\arsimi i mesëm i lartë 50 kuota
- Master i shkencave në Mësuesi për gjuhën Greke 25 kuota
- Master i shkencave në Mësuesi për gjuhën Turke 20 kuota
KUOTAT E PRANIMEVE NË PROGRAMIN MASTER PROFESIONAL
- Master profesional në Përkthim, me profil përkthyes 40 kuota
Dosja e konkurrimit që duhet të dorëzoni deri në 18 tetor, duhet të përfshijë:
- Diplomë, ose fotokopje të saj të njësuar me origjinalin, të ciklit të parë të studimeve të përfunduar në Republikën e Shqipërisë. Diplomës së ciklit të parë të studimeve të përfunduar jashtë vendit, të shoqëruar me fotokopje të diplomës të njësuar me origjinalin, ose, në mungesë të saj, të një dokumenti tjetër zyrtar mbi bazën e të cilit është kryer njësimi në Republikën e Shqipërisë, të lëshuar në vendin ku ka kryer studimet, që i lejon regjistrimin dhe vazhdimin e studimeve universitare në vendin përkatës.
- Diplomën e Maturës Shtetërore së bashku me certifikatën e notave ose fotokopje të tyre të njësuar me origjinalin, e konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP). Kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme përpara hyrjes në fuqi të vendimit nr. 876, datë 3.11.2010, të Këshillit të Ministrave, “Për disa ndryshime në vendimin nr. 78, datë 8.2.2006 të Këshillit të Ministrave “Për krijimin e Maturës Shtetërore dhe pranimet në shkollat e larta publike”, i ndryshuar”, paraqesin Dëftesën e Pjekurisë (origjinal ose fotokopje të saj, të njësuar me origjinalin, të konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP). Në qoftë se kandidatët nuk posedojnë dëftesë pjekurie të shkollës së mesme, duhet të paraqesin dublikatë të dëftesës së pjekurisë, të lëshuar nga drejtoria e shkollës së mesme ku ka përfunduar shkollën dhe të konfirmuar nga institucioni përkatës arsimor vendor, përgjegjës për arsimin parauniversitar (DRAP/ZVAP), ose dokumentin e lëshuar nga Arkivi i Shtetit së bashku me listën e notave;
- Formularin e aplikimit, sipas formatit të përcaktuar.
- Fotokopjen e dokumentit të identifikimit (kartë identiteti, letërnjoftim ose pasaportë).
- 2 fotografi personale.
Dokumentacion shtesë vetëm për shtetasit e huaj:
- Dëshmi e njohjes së gjuhës shqipe, fituar në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë të Universitetit të Tiranës (për rastet kur regjistrohet në një program studimi që zhvillohet në gjuhën shqipe).
- Curriculum Vitae.
- Deklaratën sipas formatit të përcaktuar.
