Nga Joseph E. Stiglitz
Edhe një herë, presidenti Donald Trump po minon ligjin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar në përpjekje për të përvetësuar një pjesë më të madhe të vlerës së krijuar në ekonominë globale dhe në zinxhirët globalë të furnizimit, duke dëmtuar njëkohësisht ekonominë amerikane. Sa më gjatë që bizneset dhe qeveritë e vendeve të tjera të shmangin përballjen me të, aq më e madhe do të jetë fatkeqësia që na pret të gjithëve.
Ja ku filloi sërish. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po i rrit dhe po i ul tarifat doganore sipas qejfit, duke shkelur marrëveshje ndërkombëtare që i ka nënshkruar vetë dhe, me shumë gjasë, edhe ligjin federal. I vetmi ndryshim kësaj here është se ai ka një justifikim të ri për abuzimin me tarifat: ndalimin e punës së detyruar.
Natyrisht, administrata ka të drejtë kur thotë se po bëhet shumë pak për të luftuar punën e detyruar. Por shqetësimi që ajo shpreh është thjesht një justifikim. Duke qenë se tarifat e reja ndjekin pothuajse të njëjtin model me ato që Trump vendosi më parë mbi bazën e bilanceve tregtare, a duhet të besojmë se deficitet dypalëshe tregtare rastësisht përkojnë në mënyrë kaq të fortë me përdorimin e punës së detyruar?
Pasi Gjykata Supreme rrëzoi tarifat e mëparshme të Trump-it, administrata vendosi tarifa të përkohshme 150-ditore – të cilat gjykatat tashmë i kanë cilësuar të paligjshme, por që ende janë në proces apelimi edhe pse skaduan në fund të korrikut – dhe tani ka vendosur tarifa të reja pas një “hetimi” mbi dështimin e supozuar të vendeve të tjera për të parandaluar abuzimet me punën e detyruar.
Jo çuditërisht, Kinës – e dyshuar prej kohësh si burim i mallrave të prodhuara me punë të detyruar – në masë të madhe i është kursyer goditja. Me kontrollin që ushtron mbi mineralet e rralla dhe lëndët e para kritike, Kina mund ta detyrojë Trump-in të tërhiqet sa herë që dëshiron. Kur një vend tjetër ka si mjetet, ashtu edhe vullnetin për t’iu kundërpërgjigjur, Trump gjithmonë tërhiqet (TACO). Kësaj here, ai nuk u mundua fare të hynte në një përplasje me Kinën.
Për më tepër, nëse Trump do të ishte vërtet i shqetësuar për punën e detyruar, ai do ta trajtonte këtë problem edhe brenda SHBA-së. Në fund të fundit, Amerika ka qenë prej kohësh një qendër e punës së detyruar, për shkak të përjashtimit të parashikuar në Amendamentin e 13-të të Kushtetutës së SHBA-së: “As skllavëria dhe as robëria e pavullnetshme, përveçse si dënim për një krim për të cilin personi është dënuar sipas ligjit, nuk do të ekzistojnë në Shtetet e Bashkuara ose në ndonjë vend që i nënshtrohet juridiksionit të tyre.”
Kjo dispozitë u përdor në mënyrë famëkeqe në jugun e SHBA-së gjatë epokës së ligjeve Jim Crow për të justifikuar përdorimin e brigadave të të burgosurve të lidhur me zinxhirë (chain gangs), dhe vazhdon të keqpërdoret në një pjesë të madhe të vendit, ku më pak se një e katërta e shteteve e ndalojnë shprehimisht punën e detyruar.
Shtetet e Bashkuara kanë vetëm 5% të popullsisë së botës, por përbëjnë një të katërtën e të gjithë të burgosurve në nivel global. Sipas njërit prej studimeve më të plota mbi punën e detyruar në Amerikë (nga Michael Poyker), rreth 1.4 milionë të burgosur në SHBA ishin të punësuar në vitin 2005, ndërsa afërsisht 600 mijë prej tyre punonin në sektorin e prodhimit – ose 4.2% e gjithë fuqisë punëtore në industrinë prodhuese në atë kohë. (Ata që duan të kuptojnë më mirë sistemin amerikan të punës së detyruar në burgje duhet të shohin edhe dokumentarin “13th” të regjisores Ava DuVernay, të publikuar në vitin 2016.)
Kur Trump vendosi në mënyrë arbitrare tarifa doganore ndaj pjesës tjetër të botës vitin e kaluar, ai e përshkroi këtë masë si “reciproke”. Por, në këtë kontekst të ri, reciprociteti do të nënkuptonte vendosjen e tarifave të larta mbi produktet e prodhuara në shtetet amerikane që vazhdojnë të shfrytëzojnë punën e të burgosurve.
Tarifat e reja ndaj Bashkimit Evropian janë veçanërisht të vështira për t’u justifikuar, sepse një ligj i BE-së i vitit 2024 (Direktiva për Kujdesin e Duhur të Qëndrueshmërisë Korporative (Corporate Sustainability Due Diligence Directive) tashmë ka ndaluar importin e mallrave të prodhuara me punë të detyruar, përfshirë edhe ato të prodhuara nga nënkontraktorët. Në një tjetër shembull të pastër hipokrizie, sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, kishte deklaruar më parë se ky ligj i BE-së u impononte kompanive amerikane “barra negative të panevojshme” dhe se, për këtë arsye, SHBA-ja ishte e gatshme të shqyrtonte “të gjitha mjetet e mundshme tregtare”.
BE-ja duhet ta denoncojë këtë hipokrizi dhe të mos dorëzohet. Ajo duhet të vendosë tarifa reciproke ndaj mallrave të prodhuara në shtetet amerikane që përdorin më gjerësisht punën e të burgosurve. Lista e produkteve dhe kompanive që, sipas raportimeve, përdorin punën e të burgosurve diku në zinxhirin e tyre të furnizimit është e gjatë dhe përfshin kompani të mëdha amerikane si Burger King, Cargill dhe Walmart. Nëse veprimet e Trump e nxisin BE-në të hetojë përdorimin e punës së detyruar në SHBA, kjo do të ishte në dobi të vetë punëtorëve amerikanë. (Fatkeqësisht, pothuajse askush në BE nuk ka folur për këtë çështje; e vetmja gjë që është dëgjuar ka qenë një psherëtimë lehtësimi që Evropa nuk u godit më rëndë.)
Hipokrizia nuk mbaron këtu. Për të justifikuar tarifat e reja ndaj Kanadasë, Trump iu referua një dispozite të Aktit famëkeq të Tarifave Smoot-Hawley të vitit 1930, i cili i lejon SHBA-së të kundërpërgjigjet ndaj tarifave diskriminuese. Por nuk duhet harruar se i gjithë sistemi i Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) bazohet mbi parimin e mosdiskriminimit – një parim që politikat tarifore të Trump-it e kanë shkelur haptazi. Në këtë rast, Kanadaja vendosi tarifa ndaj mallrave amerikane si kundërpërgjigje ndaj tarifave diskriminuese të Trump-it.
Edhe një herë, Trump po minon të drejtën ndërkombëtare në përpjekje për të përvetësuar një pjesë më të madhe të vlerës së krijuar në zinxhirët globalë të furnizimit, duke dëmtuar njëkohësisht ekonominë amerikane. Nuk duhet harruar se tarifat janë thjesht një taksë shtrembëruese, kostoja e së cilës bie mbi konsumatorët amerikanë dhe mbi konkurrueshmërinë e ekonomisë së SHBA-së.
Luftërat tarifore të Trumpit nuk kanë sjellë rikthimin e prodhimit industrial në SHBA. Përkundrazi, numri i vendeve të punës në sektorin e prodhimit është ulur me 75 mijë që nga fillimi i mandatit të tij të dytë, pasi kishte shënuar rritje gjatë presidencës së Joe Biden. Në terma nominalë, deficiti tregtar i SHBA-së në mallra është rritur gjatë mandatit të dytë të Trump, duke arritur nivelin rekord prej 1.24 trilionë dollarësh. Kjo nuk përbën ndonjë surprizë për ekonomistët. Deficitet shumëpalëshe tregtare varen më pak nga tarifat sesa nga variabla kryesorë makroekonomikë, si kursimet kombëtare të brendshme – një tregues që është dobësuar nga deficitet fiskale rekord të administratës Trump.
Trump arrin t’ia dalë me këtë sjellje intimiduese sepse tepër shumë njerëz, brenda dhe jashtë SHBA-së, janë dorëzuar përballë tij. Shumica e bizneseve dhe qeverive rivale kanë arritur në përfundimin se është më mirë të pajtohen me të sesa t’i bëjnë ballë. Por Trump është si çdo udhëheqës tjetër autoritar: ai ka nevojë që të tjerët ta kenë frikë. Sa më gjatë që bota t’ia japë atë që i nevojitet, aq më e madhe do të jetë fatkeqësia që na pret të gjithëve.
Nga Project Syndicate: Trump’s New Tariffs Are an Opportunity to Fight Back
