Dr. Dorian Koçi
(Shënime për librin Shekulli i Parë i autorit Sejmen Gjokoli)
Përjetimi i ngjarjeve historike në momentin kur ato ndodhin lë mbresa,të cilat në ritmi i shpejtë i jetës pas disa kohësh humbasin nga vëmendja.
Jeta vazhdon, të tjera ngjarje ndodhin dhe mbresat i lënë radhën njëra-tjetërs duke krijuar një palimplest emocionesh. Ato janë gjithmonë aty, të fiksuara në celuloid, në radhë shkrimesh e mbresash por nevojitet një dorë mjeshtërore dhe një vullnet i fortë ti mbledhë dhe ti botojë në trajtën e një libri për t’i fiksuar përherë në memorien kombëtare dhe për ti lënë brezit të ardhshëm një dokument të mirë ku mund të referohen dhe frymëzohen.
Libri që kemi në duar i titulluar simbolikisht “Shekulli i Parë”, i autorit Sejmen Gjokoli është pikërisht një libër i tillë që na sjell të freskët sesi u festua në Vlorë, në kryeqytetin e shqiptarisë, 100 vjetori i pavarësisë.
Sejmen Gjokoli është një aktivist i shquar kulturor, studiues i folklorit, organizues i shkëlqyer i Festivali Aulona Fest , festival i kthyer tashmë në traditë për Vlorën dhe gjithë jugun e Shqipërisë, studiues i trashëgimisë kulturore që risjell perlat e vjetra të traditës labe në skenë dhe polemist i flaktë për çështjet e identitetit, kulturës dhe kombit.
Libri “Shekulli i Parë” përcjell pikërisht këto vlera që mbart edhe personaliteti i Sejmen Gjokolit si studiues por duke na dhënë një anatomi të zgjeruar të ditëve që risollën në vëmëndjen tonë ngjarjen më të madhe të kombit.
Libri hapet me fjalën e hapjes së 100 vjetorit, të 24 Janarit 2012, të Kryetarit të bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika , i cili në një vit të vështirë për adminstratën shtetërore që ishte tronditur shumë pas ngjarjeve të dhimbshme të 21 janarit 2011, bëri të mundur të oganizonte në mënyrë dinjitoze dhe mbarëkombëtare festimet për 100 vjetorin e pavarësisë së atdheut. Më andej si një mozaik ngjyrash shpalosen aktivitetet ku autori ka qenë jo vetëm vëzhgues por organizator i mirrëfilltë, çka u jep këtyre shkrimeve rëndësinë e pasjes së një burimi autentik mbi ngjarjen, personazhet, si dhe aktivitetet kulturore. Autori ka portretizuar studiuesin Bedri Zyberaj nga Kosova që njohjen e parë me flamurin kombëtar e për rrjedhojë dhe me Vlorën virtualisht e ka pasur për 28 Nëntorin e vitit 1968, kur i ati, Bajram Zyberaj flamurin kombëtar e ngriti në një nga dritaret e shtëpisë. Bedriu ishte vetëm pesë vjeç, por prej atëherë i mbeti në mend zhurma që bëri në fshat tentativa e disaherëshme e udbashëve për ta hequr, por edhe vendosmëria e të atit për të mos e lëvizur nga vendi, për të qenë edhe më i vendosur ta mbante gjithnjë të valëvitur.
Hapja e librit me portretin e Bedri Zyberajt, ish luftëtarit të UÇK-sënuk është e rastit por është shprehës i angazhimit tëplotë të autorit dhe patriotizmit të tij për Kosovën dhe çështjen shqiptare në rajon se duke portretizuar se çfarë simbolizonte flamuri kombëtar në trojet etnike të shqiptarëve në ballkan, hedh dritë se çfarë efekti ka pasur flamuri në shekullin e parë të pavarësisë.
Sejmen Gjokoli si autor nuk synon në librin e tij tëportretizojë figurat e shquara kulturore të shqiptarëve, por kërkon që librin e tij ta kthejë në një tribunë tëpasqyrimit të aktivitetit të çdo shqiptari të thjeshtë apo veprimtari kulturor në diasporë. Kështu për shembull në libër gjejmë një portret të Stela Skënderaj, emigrantes që erdhi nga Stamolli e që qepi fustanin kuq e zi të moderimit të aktiviteteve apo kurportretizon kalorësit e lirisë, kavalerinë e 100 vjetorit , Kalorësit nga Mitrovica, promotorë të manifestimit të madh në Vlorë. Stela Skënderaj si një Marigo moderne kërkon të përjetojë sërish emocionet e ngjarjes sëmadhe, ndërsa kavaleria e Mitrovicës është kavaleria e famshme e shpurës së Isa Boletinit që rendi për tëmarrë pjesë në shpalljen e pavarësisë në Vlorë.
Por nëse në 28 nëntor të vitit 1912, Isa Boletini dhe trimat e tij nuk mundën të marrin pjesë në ngjarjen e madhe, tashmë Isa Boletini i derdhur në bronz, ngrihet hijshëm për 28 nëntor 2012 në një nga sheshet e Vlorës.
Ai gjendet aty që në datën 24 nëntor, si vepër e skulptorit të shquar Bujar Elmazi, pasi Bashkia e Vlorës si organizuese e 100 vejtorit të festimit të Pavarësisë, i kish marrë masat ta gjente të ngritur në bronz në Vlorë, fatosin e lirisë së shqiptarëve, Isa Boletinin. Autori si mbajtës skrupuloz i analeve tëhistorisë shkruan se në konkursin e organizuar nga bashkia e qytetit për realizimin e disa monumenteve në kuadër të100 Vjetorit të Pavarësisë, skulptori vlonjat, Bujar Elmazi u paraqit me dy bocete, të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit. Të dy figura dhe emra të ngjizur madhërisht me aktin e madh të mëvetësisë dhe ngritjen Flamurit Kombëtar. Nga komisioni i posaçëm i vlerësimit u vendos që Bujar Elmazit, skulptorit të njohur të qytetit, t’i besohej gdhendja në monument e figurës së Isa Boletinit, burrit që 100 vite më parë, në krye të kavalerisë me kosovarë do mbërrinte në qytetin e Flamurit duke iu vënë në krahë Ismail Qemalit, plakut të urtë e të mençur të Pavarësisë.
Komunikimi iu bë në një takim të posaçëm, në zyrën e kryetarit të Bashkisë, Shpëtim Gjika, i cili edhe i uroi fillimin e punës. Ndërkohë që mësojmë në libër se po përmes konkursit u përfitua edhe shtatorja e Ismail Qemalit, burrit të madh të Pavarësisë të cilën për të parën herënë këto përmasa e solli skulptori i talentuar çam, vlonjati Zeqir Alizoti.
Në këtë mënyrë libri shërben jo vetëm Libri shërben jo vetëm si konfirmim i shumë prej ngjarjeve më të rëndësishme që shënuan 100 vjetorin por edhe si ilustrues i dëshirës së mirë administrative dhe kulturore të komunitetit të qytetit të Vlorës për të përjetësuar këtë ngjarje të madhe.
Artikulli për Kavalerinë e Mitrovicës sjell në vëmëndje të publikut jo vetëm udhëtimin e sprapsëm të Isa Boletinit por edhe mundësinë që ture të reja turistike mes shqiptarëve mund të promovohen për ti shërbyer jo vetëm brezit të ri por edhe për të përforcuar vetdijen kombëtare.
Autori ka meritën që sjell në libër gjithëShqipërinë. Në tekst gjenden artikuj për këngëtarët e shquar popullorë Arif Vladin e Dibrës, Shkurte Fejzëne “Xhamadanit me vija”, grupet polifonike që morën pjesë, gjeografinë shpirtërore dhe kombëtare si tek artikulli për Kërçovën dhe Deçanin, Procesioni strugan, si procesion i 1912, këngë për personalitete si Kënga për dom Nikoll Kaçorrin, artikulli për Rexhep Qosen, rilindasin gjallë, dhe koncertet madhështore që janëmbajur gjatë kësaj kohe.
Atmosfera e përjetuar e 100 vjetorit të festimeve të pavarësisë do të ishte e mangët pa dëshmitë dokumentare të protoganistëve dhe atyre që kontribuan në organizimin e festës më të madhe të shqiptarisë në Vlorë, ndaj ky libër është një gur kilometrik i rëndësishëm për memorjen tonë kombëtare dhe kulturore.
Libri është shkruar me një gjuhë të pasur dhe një stil tërafinuar letrar çka e bën atë tërheqës për lexuesit dhe publikun. Memoria kombëtare ka përfituar një thesar kulturor ku brezat e rinj mund ti referohen por edhe historianët që do të rindërtojnë ngjarjet e historisë së festimeve të 100 vjetorit do të kenë mundësinë për të shkruar analet historike.
Shekulli i Pare fillon me Shpetim Gjiken kunati ose baxhanak me Sejmenin libershkrojtes…Dhe, ky z.Koci u ben qoken e rradhes…
Nje lloj si Shaban Murati qe nuk e ze gjumi ngase Hyne Partizanet ne qytete…U Cliruan qytetet… apo, Dolen Gjermanet nga Qytetet.
Te kater keto emra qe permenden ketu jane vertet, qyshkuri, burra serioze; po megjithate na tregojne gjithashtu se vuajne edhe nga dalledisja kolektive… Nuk ka mbetur asnje rob zoti – as edhe per fare te pakten….”Amanet mushkat”.