Nga Bedri Islami
Botuar në DITA
Ndoshta është një nga paradokset më të ndjeshëm të kësaj fushate zgjedhore: forca politike opozitare, që e cilëson veten si të djathtë dhe që, për shumë kohë kishte në flamurin e saj sovranitetin politik, qoftë edhe fuqitë e mëdha anglo – saksone, që sanksionuan liderin e tyre, tani, ka në flamurin e saj edhe një idol që është i kundërt me gjithçka që është proklamuar : Fredi Belerin, njëri ndër figurat më kontroversë të mjedisit politik në Shqipëri, i cili, edhe pse është deputet i Parlamentit Evropian, në fakt përfaqëson linjën më të ashpër greke pro vorioepiriote të qarqeve ekstremiste shoviniste greke.
Beleri është një ndër emrat e njohur të lobimit grek ekstrem në shtetin shqiptar. Pak tjetër si ai, me përjashtim të ndonjë ekstremisti tjetër që sulmoi me armë shtetin shqiptar, ka qenë kaq shumë i programuar për të qenë paraqitja reale e asaj që synojnë rrethet ekstremiste greke, me të cilët u bashkua, në të ashtuquajturën linjë politike ekstreme, “ Agimi i Artë”, që ,në fakt, nëse do të realizonte synimet e saj do të ishte “ nata e zezë” për shtetin shqiptar.
Beleri, edhe nga lideri i tanishëm i opozitës, që aso kohe ishte presidenti i këtij vendi, është akuzuar, ndjekur dhe ndëshkuar politikisht si njeriu i punëve të errëta, emri i të cilit është i lidhur edhe me një nga masakrat e njohura ndaj shtetit shqiptar, që kishte pasojë vrasjen e dy ushtarakëve. Është i lidhur me misionin e një pjese të kishës ortodokse greke në synimet e saj për helenizimin e jugut, kthimin dhe konvertimin me dhunë të shqiptarëve në një besim që nuk i takonin, i lidhur me atë klasë politike që, në vite të ndryshme, si mjete presioni përdorte operacionet “ Fshesa” ndaj emigrantëve shqiptarë, i lidhur me lobin ekstrem grek në perëndim, përmes një figure të njohur si Nikolas Geixh.
Të gjitha të zezat janë hedhur mbi të , pra, mbi Belerin, nga shefi i tanishëm i opozitës, deri në ditën kur forca e tij politike, më saktë , ai vetë, përcaktoi si kandidat për kryetar bashkie të Himarës pikërisht kundërshtarin e tij të dikurshëm, që në vete ishte i pa rëndësishëm, por , nga forcat politike greke që e mbështetën, befas u bë i rëndësishëm.
Burgosja dhe gjykimi, e , më pas dënimi i Belerit ishte një gur shahu që opozita e përdori që në çastin e parë, po ehe rruga që e çoi drejt parlamentit evropian atë, si njëri ndër përfaqësuesit e partisë në pushtet.
Flirti i Berishës me Belerin ishte i pa kuptueshëm edhe për shumë përfaqësues të kësaj force politike, që, në një mënyrë ose në një tjetër, e lanë atë në heshtje, nuk kundërshtuan, por edhe nuk fërkuan duart nga gëzimi se, përmes tij, mund të fitonin një bashki të lakmua, si është Himara. Për to, dhe këto jo të pakët, ishte më e rëndësishme pamja dhe sjellja me dinjitet e shtetit shqiptar, se sa një krahinë, që në thelbin e saj dhe në shumicën dërmuese ishte shqiptare.
Helenizimi i Himarës ka qenë ëndrra e vjetër e çdo pushtetari në Athinë dhe e çdo renegati në Himarë. Nga kj nuk përjashtohet as qeveria e tanishme e Athinës, dhe as ëndrra e Fredi Belerit. Në krahasim me çfarë ka përfaqësuar në vitet e shumta kjo figurë politike, si një lloj ujkonje, ajo që paraqet Dule, duket si një ulërimë qengji.
E pra, ky njeri, kjo figurë politike, e përçudnuar në vite nga vetë opozita e tanishme dhe e dënuar nga gjykata, është bërë flamuri me të cilin synohet të rimëkëmbet autoriteti i saj në jugun e Shqipërisë, e, sidomos në një qark, ku vërtet ka minoritarë, ka probleme me pronat apo me halle të tjera, por që, në shumicën e saj dërmuese, kanë pasur prioritet vendlindjen, gjithë atë pjesë të hapësirës që ka lidhje me atdheun e tyre, me viset dhe njerëzit, dhe të cilët, më shumë se të tjerët, kanë vuajtur nga inkursionet e vërshimet e ushtrisë, policisë apo forca të errëta ekstreme apo zyrtare greke.
Beleri, nëse nuk do të kishte ndodhur arrestimi i tij i beftë, nuk do të bëhej kurrë, qoftë edhe simbolikisht , kryetari i zgjedhur dhe i pa filluar, i Bashkisë së Himarës. Arrestimi i tij, ashtu si ndodhi dhe si u shfaq, ngriti një histeri politike të ekstremizmit grek dhe “ të nacionalistëve” shqiptarë, që u shndërrua në dhjetëra autobusë me mërgimtarë që, deri në atë çast as nuk e kishin menduar të vinin për të votuar, dhe, ndaj të cilëve presioni ishte më i lartë se zakonisht.
Thirrja në ndihmë e Belerit në një grumbullim njerëzish në Athinë , nga vetë shefi i opozitës, si shenjë që po të mbështet qeveria aktuale, është naivitet politik, që mund të sjellë buzëqeshje në paradhomat e politikës greke, por kurrë qëndrimin serioz të tyre. Qëndrimi në krah të Belerit i shefit të opozitës, duke pritur “ buzëqeshjen” e tij, në fakt është qëndrimi nënshtrues ndaj agresivitetit të politikës greke në qarqe të caktuara politike në Shqipëri, por nder nuk është për askënd.
Dule, kandidati tjetër i minoritetit grek në Shqipëri, i futur tashmë në listën e mbyllur të qarkut të Vlorës, në fakt, është në të drejtën e tij të thërrasë në ndihmë Belerin, ta ketë idol, pasi ata janë ndërruar shpesh herë në rolet e tyre. Kanë ardhur nga i njëjti burim dhe do të vazhdojnë të thithin të njëjtën sisë të politikës ekstreme greke. Të kesh dyzime për këtë nuk është thjeshtë naivitet politik por edhe dyzim i vetë qenies tënde njerëzore e politike.
Nuk e di se si, me figurën e Belerit përpara, kandidati Dule do të kërkojë votat e atyre shqiptarëve çamë të dëbuar nga vendet e tyre dhe të pa lejuar të kthehen. Nuk e di se si , përmes Belerit e Dules, mund të ndikohet në qeverinë greke për të hequr gjendjen e luftës mes dy shteteve, kur ata, të dy, herë njëri, herë tjetri e më shumë të dy bashkë, janë përpjekur të ndezin urët e reja të ndasisë.
A mund të jetë deputeti evropian , Beleri figura përfaqësuese e opozitës në qarqet e jugut të këtij vendi, kur, asgjë e tij, e përtej kësaj, çdo gjë e tij, ka qenë kundër prosperimit të bashkë jetesës mes dy vendeve, kur ai vetë është akuzuar nga media fqinje si pjesë e grupeve para ushtarake të forcave regresive greke; kur vetë shefi i opozitës e kishte lëçitur me të drejtë, kur vetë ai, si figurë politike është tejet i përkohshëm, më tepër se gjithçka tjetër, produkt i burgosjes së tij në një çast të gabuar.
Natyrisht, opozita i zgjedh vetë rrugët dhe figurat e saj për të qenë në pushtet, apo të iu afruar atij. Mirëpo gjykimi i këtij rasti shkon përtej saj. Është në ato rastet që mund të gjykohet nga secili, sepse nuk ka të bëjë thjeshtë me një emër, një deputet, por me atë që ka qenë e mbetet përfaqësues i njësive më të errëta të skutave të politikës ultra nacionaliste greke.
Të synosh të vish në pushtet me flamurin e Belerit, apo edhe më qesharake, të zonjës plakë Dorës Pack, është një nga utopitë e zgjedhjeve të minutës së fundit, dhe, për më tepër, me rrjedha të dëmshme për vetë mendësinë e politikës në Shqipëri.
Mund të jenë shumë synime përse shefi i opozitës e bën këtë. Nuk besoj se është në këtë mes ndikimi i Vangjel Dules , pasi Berisha, përmes kujtesës së tij, nuk mund të harrojë kaq shpejt se kush është ky njeri he çfarë kanë qenë e mbeten synimet e tij.
Nuk besoj, po ashtu se, opozita kërkon një zë mbështetës në Parlamentin Evropian, në këtë rast kundër shumicës së tanishme qeverisëse, pasi ka në ato mjedise figura më të rëndësishme të së djathtës, që mund të dëgjohen më shumë e të besohen përtej çdo performance të Belerit.
Shpallja “ non grata”, familjarisht, e shefit të opozitës, bojkoti i heshtur apo i hapur ndaj tij në qarqet e larta politike , edhe përtej Evropës, si duket, e kanë detyruar atë të synojë të çelë një portë të njohur, por, edhe ai vetë e di se është porta e gabuar.