Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Të vrarë në detyrë, por jo dëshmorë. Pse?
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Histori > Të vrarë në detyrë, por jo dëshmorë. Pse?
HistoriKronike

Të vrarë në detyrë, por jo dëshmorë. Pse?

Published: May 8, 2023
Shpërndaje

Hilë Lushaku

 

Më 29 mars të këtij viti u promovua libri dy volumesh “Të rënët”, i cili përmban jetëshkrimet e 422 të rënëve në detyrë, prej tyre 186 dëshmorë, të gjithë efektivë të strukturave të varësisë së Ministrisë së Brendshme. Sa shumë të rënë në detyrë apo për shkak të saj dhe sa pak dëshmorë! Përse ky raport i dhimbshëm dhe jo i drejtë!? Mungesë e legjislacionit apo padrejtësi burokratike!? Mbase mungesë ndershmërie, drejtësie dhe paaftësi ose mosnjohje e respektim i akteve ligjore. Mbase edhe lojëra të fëlliqta sipas orekseve politike për kredibilitet publik.

- Publicitet -

Nga viti 2000 deri në vitin 2018 ka ndryshuar katër herë ligji për dhënien e statusit të dëshmorit të atdheut. Në ligjin nr.8607, datë 27.04.2000 “Statusi i dëshmorit të atdheut”, pika 2, shkronja “e”, ka qenë e përcaktuar qartë se statusi i dëshmorit të atdheut u njihet “shtetasve shqiptarë që kanë rënë ose bien në krye të detyrës për mbrojtjen e integritetit territorial, për mbrojtjen e institucioneve shtetërore nga terrorizmi ose në luftë kundër bandave të armatosura dhe kundër krimit ndaj jetës së individit”.

Asnjë qeveri nuk mund të justifikohet apo të guxojë të sulmojë qeverinë tjetër për zbatimin e këtij ligji dhe nderimin e të rënëve, sepse ligjvënësi, në nenin 4, të ligjit sipërcituar, ka përcaktuar qartë: “Pranë Këshillit të Ministrave krijohet Komisioni Qendror i Statusit të Dëshmorit të Atdheut, i cili vendos për njohjen ose jo të Statusit të Dëshmorit të atdheut, në bazë të propozimit të bërë nga këshilli i qarkut apo prefekti”. Po sipas ligjvënësit, ky komision duhet të paktën të raportojë një herë në vit për punën e bërë, për më tepër meqenëse ka edhe një akt tjetër se anëtarët e këtij komisioni paguhen nga taksapaguesit për punën që bëjnë.

Nga hulumtimet për saktësimin shterues të numrit të dëshmorëve të institucioneve ligjzbatuese në varësi të MB, rezulton se janë shumë emra që kanë të plota praktikat për statusin e dëshmorit, të cilat janë dërguar në Komisionin Qëndror të Statusit të Dëshmorit të Atdheut, nga këshilla në qarqe, prefektë dhe titullarë të policisë, por mjerisht disa janë refuzuar, disa nuk janë shqyrtuar dhe disa flenë me përgjigjen “janë në proces”.

A kanë një listë të saktë institucionet përgjegjëse për numrin e të rënëve? Realisht Ministria e Brendshme nuk e ka një listë shterruese, madje edhe shifrën e dëshmorëve e ka 225, ndërsa në fakt janë 186. Referuar librit sipërcituar, nga janari 1990 e deri në dhjetor 2022, janë 422, prej tyre, në Tiranë janë regjistruar 98 të rënë në detyrë ose për shkak të detyrës, në Shkodër-45, në Durrës-23, në Tropojë-20, në Vlorë dhe Berat nga 19, në Fier-17, në Korçë-13, në Elbasan, Lezhë, Malësi e Madhe nga 11, në Dibër e Gjirokastër nga 10, në Krujë e Laç nga 9, në Lushnjë, Mirditë e Pukë nga 8, në Kukës-7, në Burrel, Cërrik, Librazhd, Tepelenë e Tropojë nga 6, në Sarandë 5, në Mallakastër e Pogradec nga 4, në Bulqizë, Devoll, Kavajë e Kuçovë nga 3 dhe rrethet e tjera nga 2 të vrarë.

Po kështu, sipas të dhënave të nxjerra nga libri “Të rënët”, rezultojnë shifra të sakta të vendlindjes së të rënëve në detyrë apo për shkak të saj, të cilat meritojnë studim nga kriminologët, kriminalistët, psikologët, sociologët për përfundime të fushës së sigurisë dhe shkaqet e humbjes së jetëve. Të dhënat e mëposhtme nuk pasqyrojnë vetëm gjendjen e kriminalitetit të ashpër, por edhe pasionin e përfshirjen e të rënëve për fushën e sigurisë, nevojën e tyre për punësim e sigurimin e bukës së gojës, sikurse edhe një punësim shpërblimi për militantizëm politik e punësim nepotik e krahinor. Sipas numrit të shtetasve që humbën jetën, rezulton se më e përgjakur kanë qenë Shkodra që humbi 38 vetë, Tirana-37, Tropojë/Bajram Curri-32, Vlora-22, Dibra-21, Berati e Fieri-20, Puka-16, Korça-15, Mirdita-13, Burreli, Durrësi, Kukësi, Malësia e Madhe, Tepelena-12, Elbasani, Kruja, Skrapari-11, Librazhdi-9, Gjirokastra-8, Laçi-7, Devolli, Kavaja, Pogradeci-6, Lezha, Mallakastra-5, të tjerët nga 4 e më pak.

Shifrat e mëposhtme padyshim që kanë lidhje me krizat politike që ka kaluar vendi në 32 vite tranzicion. Nëse krahasojmë të dhënat ndër vite, bie në sy kurba e lartë e vitit 1997, gjatë të cilit janë vrarë 98 punonjës sigurie, e barabartë me 8.12 jetë të humbura në secilin muaj. Të dhënat sipas viteve të tjera: viti 1998-45, viti 1999-35, viti 2000-26, viti 1992-22, viti 1994-20, viti 1996-19, viti 1993-17, viti 1995-17, viti 1991-14, viti 2003-13, viti 1990-11, viti 2001-11, viti 2000-10, ndërsa vitet e tjera shënojnë shifrat nën 7 të vrarë, viti 2008 dhe 2014 nuk kanë asnjë punonjës sigurie të rënë në detyrë.

Sa shumë djem humbën jetën në lulen e rinisë. Në përllogaritjen e moshës kemi shifra trishtuese dhe shumë të dhimbshme për 79 të rënë në moshën 18-25 vjeç, 189 të rënë në moshën 26-35 vjeç, 101 të rënë në moshën 36-45 vjeç, 33 të tjerë të moshës 46-55 vjeç, 4 mbi 55 vjeç dhe 12 të tjerë pa saktësuar të dhënën. Në vijim të këtij vlerësimi, rezulton se 116 të rënë ende nuk kishin krijuar familje, 264 të tjerë ishin të martuar dhe bashkëshortet e tyre mbeten vejusha ndërsa fëmijët pa baba, një person ishte i fejuar, kurse për 36 të rënë nuk disponohen të dhëna për lidhjet familjaret.

Shumëkush mundet me të drejtë të pyesë përse u vranë 422 funksionarë të sigurisë publike. Në çfarë rrethanash ndodhi vrasja e tyre? Përgjigja më e thjeshtë do të ishte “duke kryer detyrën” ose “për shkak të detyrës”. Nëse do të vlerësoheshin me gjakftohtësi, drejtësi, ndershmërisht, procedurialisht e profesionalisht, pyetjet do të merrnin shumë përgjigje. Janë vrarë se në radhët e punonjësve janë pranuar persona që dekonspirojnë kolegët! Janë vrarë se shteti nuk u ka siguruar pajisje mbrojtëse të sigurta! Janë vrarë se nuk kanë aftësitë profesionale të duhura! Janë vrarë se eprorët nuk kanë vlerësuar saktë rrezikun në situatën ku janë dërguar efektivët për shërbim! Janë vrarë nga nxitimi, ngarkesat psikologjike, gabimet teknike e taktike! Janë vrarë me dashje nga kolegët! Janë vrarë aksidentalisht nga kolegu! Janë ekzekutuar nga bandat e kriminelët! Janë shtypur me makinë gjatë shërbimit në pikat e kontrollit! Janë vrarë në rrethana misterioze dhe janë shënuar “vetvrarë”. Le të flasim me shifra konkrete. Në 123 raste kemi vrasje në detyrë me armë zjarri, 92 raste janë humbje jete nga aksidentet me makinë (përplasje, shtypje, rrëzim mjeti nga nxitimi ose mangësitë teknike të automjeteve), 70 raste janë ekzekutime apo atentate për shkak të detyrës, 28 raste janë vrasje nga grupe kriminale, 27 raste janë vrasje aksidentale nga kolegu, 22 raste vetëvrasje në rrethana depresioni, 18 raste vetëvrasje aksidentale, 12 raste janë vrasje me dashje nga kolegu gjatë detyrës, 10 raste janë atak kardiak gjatë shërbimit, 20 rastet e tjera janë për rrethana mbytje, vrasje nga rrufeja, tërmeti, helmim, në misione shpëtimi, në stërvitje, në spital pas sëmundjes në shërbim në zona malore të bllokuara nga dëbora, në rrethana të paqarta, vrasje nga bashkëshortja, vrasje për shkak të detyrës etj.

Nga shifra 186 dëshmorë, ndërmjet 422 të rënëve, ka emra që i gjen rastet e shpalljes dëshmorë në të gjitha rrethanat e mësipërme. Nisur nga kjo theksoj se janë shumë të tjerë që plotësojnë të gjitha kriteret ligjore për fitimin e statusit të dëshmorit, por për arsye të ndryshme, kryesisht subjektive emrat janë lënë në harresë.

Ligji nr.109/2018 “Për Statusin e dëshmorit të atdheut”, i shfuqizoi të gjitha aktet e mëparshme dhe në përmbajtje është më i hollësishëm, por ende deri më tani nuk ka reflektuar askush për të ndrequr padrejtësitë e kryeqeveritarëve nga viti 1990, apo për t’u dhënë drejtësinë e munguar  atyre që kanë derdhur gjakun. Ligji aktual, në nenin 5, “Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut”, i ka të përcaktuara qartë dhe saktë rastet, ndërsa autoritetet apo institucionet përgjegjëse e kanë të plotë e të gatshme listën e personave për vlerësim, pasqyruar në librin dyvolumesh “Të rënët”. Më konkretisht, për punonjësit e MB, kriteret janë përcaktohet në shkronjat:

  1. i) shtetasit shqiptarë që bien në mbrojtje të integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë, të institucioneve shtetërore nga terrorizmi ose në luftën kundër bandave të armatosura dhe krimit ndaj jetës së individit;
  2. j) shtetasit shqiptarë, të cilët vriten nga elementë kriminalë për shkak të detyrës shtetërore që kanë kryer, në luftë kundër krimit dhe përpjekjeve për vendosjen e rendit dhe të qetësisë publike;
  3. l) shtetasit shqiptarë që humbin jetën në krye të detyrës, për mbrojtjen e pasurisë publike ose nga rreziqet e fatkeqësitë natyrore;
  4. ll) shtetasit shqiptarë të vrarë gjatë tubimeve paqësore dhe pa armë për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe ata që kanë humbur jetën në krye të detyrës në mbrojtje të procesit zgjedhor, pas datës 8 dhjetor 1990;
  5. m) shtetasit shqiptarë, të cilët kanë humbur jetën ose që e humbin jetën në përpjekje për të ndihmuar popullsinë në raste fatkeqësish natyrore, në përpjekje për mbrojtjen e pronës publike ose për shpëtimin dhe mbrojtjen e jetës së individit nga krimi.

Është koha që komisioni përkatës të dijë të vlerësojë çmimin e gjakut të derdhur nga policët e gardistët, të gjakut të kuq jetësor që i shtohet altarit të lavdisë kombëtare dhe Flamurit Kombëtar. Zotërinjë komisionerë, të gjithë të rënët kishin gjak të kuq shqiptari, të gjithë ishin djem nënash dhe u mëkuan prej tyre me qumësht të bardhë. Të gjithë kryen sakrificën sublime në emër të misionit të sigurisë publike. Zemrat e të gjitha nënave, provuan dhimbje të njëllojtë, dhimbje nëne për shkuljen nga shpirti të krijesave të ngjizura në mitrën e tyre dhe pjesë e mishit dhe gjakut të tyre. Të gjitha bashkëshortet humbën kryefamiljarin, shumë mbeten vejusha dhe iu përkushtuan mirërritjes së trashëgimtarëve, ndonëse me vuajtje e përkushtim. Sa fëmijë nuk e shqiptuan fjalën baba, ndërsa ata janë mbuluar e shkrirë nën dheun e zi! Ata u sakrifikuan që ju komisionerë, këshilltarë, qeveritarë, deputetë, të gjithë ju të gjallë indiferentë të punoni në kushte jete normale, të gëzoni e festoni me familje, të punoni e të jetoni të qetë, madje të bëni edhe biznese. Në fakt ata meritojnë vëmendjen dhe respektin e të gjithëve, mbi të gjitha të shtetit që i shërbyen, të eprorëve të tyre, të kolegëve, të organeve të drejtësisë, jo vetëm të familjarëve. Zëri i tyre ju thërret të gjithëve, të mbani gjallë amanetet e tyre, t’i nderoni e kujtoni dhe t’i përjetësoni. Libri “Të rënët”, do i mbajë gjallë, u jep përjetësinë, por nderimin e kanë përgjegjësi institucionet e shtetit, komisioni përkatës. Por ku është komisioni? Kur do të mblidhet, kush do e nxitë dhe çfarë produkti do të nxjerrë?

Qeveria aktuale, sipas ligjit në fjalë, e “shpërnguli” nga Kryeministria komisionin, institucionin ligjor të statusit të dëshmorit dhe “gradoi” ministrin e Mbrojtjes për nderimin e dëshmorëve, ndërsa Ministria e Brendshme përfaqësohet në atë komision vetëm me një zëvëndësminsitër. Ndërkohë nuk ka ndryshime në funksionimin e procedurave për të kërkuar statusin e dëshmorit dhe as në mekanizmat e shqyrtimit të saj, ndonëse ligjvënësi ka futur nga një “ose”, “apo”, duke e shpërndarë përgjegjësinë. Personat e lidhur me shtetasin që ka humbur jetën duan të mësojnë saktë procedurën që duhet të ndjekin, t’i drejtohen këshillit të qarkut, këshillit bashkiak, prefektit, apo të presin “mirësinë” e ministrit të linjës (në rastin konkret të ministrit të Brendshëm), i cili në rastet e të rënëve, sipas shkronjave “i”, “j” e “l”, të nenit 5, të ligjit nr.109/2018, mund t’i propozojë drejtpërsëdrejti Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i atdheut” shpalljen e të ndjerit “Dëshmor i atdheut”, sipas listës, të cilën ka mundësi ta sigurojë jo vetëm nga libri, por edhe strukturat e varësisë e prefektët, sidomos për ata persona që janë shqyrtuar nga prefektët. Duke qenë se periudha aktuale është fushatë zgjedhore dhe këshillat tashmë kanë angazhime më të rëndësishme, dhe janë “të ngrirë”, ministri i linjës, nëse do të ketë mirësinë të japë donjë shenjë interesimi apo inkurajimi për nderimin e të rënëve, e ka të gjithë mundësinë ligjore ta kryejë. Nëse askush nga institucionet aktuale në detyrë nuk do të angazhohet të nderojë të rënët, kjo është përgjegjësi e tyre. Gjithsesi, apeloj të respektohet e nderohet gjaku i të rënëve.

Komisionerë, këshilltarë bashkiakë dhe ju këshilltarë të qarqeve, prefektë, por edhe ju zotërinjë që merrni vota, ju qeveritarë e ju kuvendarë që trokisni derë më derë dhe përfaqësoni zërin e sovranit, jini të lutur të reflektoni për sa theksova më lart. Në listë janë disa kufitarë që kanë humbur jetën në rrethana të dyshimta. Gjaku i tyre është i njëjtë sikurse gjaku i 18-vjeçarit Arsen Gjini, që u vra nga komanda greko-shqptare. Edhe kufitarët e tjerë, janë me gjak shqiptari dhe janë vrarë nga dora e krimit. Në vijim, ka edhe dyshime për vrasje për motive politike, të cilat janë cilësuar si vrasje nga pakujdesia, sidomos në periudhat që përkojnë me fushata zgjedhore. Më poshtë ju prezantoj raste pandershmërie e paligjshmërie në vlerësimin e të rënëve të MB, duke i krahasuar me raste analoge, të cilëve meritueshëm u është dhënë statusi i dëshmorit, ndaj komisioni i përcaktuar nga ligjvënësi do të bënte mirë të lexonte fillimisht librin e më pas të arsyetonte e gjykonte dhe të jepte drejtësi për personat e mëposhtëm që duhej të ishin shpallur dëshmorë të atdheut, konkretisht:

  1. Arben Mark Legisi, nga Mirdita, dekoruar me dekret nr.7429, datë 20.11.1990, nga Presidiumi i Kuvendit Popullor me urdhrin “Për vepra trimërie”, së bashku me nënoficerin Ilir Gjyrdedi (Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut”, me vendimin nr.11, datë 04.07.2003, shpall dhe i njeh Ilir Ali Gjyrdedi statusin “Dëshmor i Atdheut”). Përse jo mirditori Arben Legisi që u vra nga i njëjti autor, në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë?
  2. Gëzim Xhemal Muça, nga Tirana, polic i forcave speciale, humbur jetën aksidentalisht së bashku me kolegun e tij Luan Ismail Haxhija (këtë të fundit Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmori i Atdheut”, me vendim nr.12, datë 04.07.2003 e ka shpallur “Dëshmor i Atdheut” dhe familjes i ka dhënë simbolin “Familje e Dëshmorit të Atdheut”).
  3. Gramoz Muhamet Zeneli, nga Lezha, u vra më datën 11.12.1990, në postën kufitare Çiflik, Sarandë, nga gjashtë shkelës kufiri, të cilët u qëlluan më pas nga njësiti kufitar dhe mbetën të vrarë katër prej tyre (Janë gjallë kuadrot e atij reparti dhe dëshmojnë rrethana krejt ndryshe nga sa përshkroi atëherë hetuesia e asaj kohe, duke theksuar se kufitari u vra pabesisht, me 9 plumba, para thirrjes për ndalje nga njësiti kufitar).
  4. Arjan Hasan Bregu, nga Skrapari, humbi jetën në aksident me makinën e shërbimit, të cilën e drejtonte shoferi, në krye të detyrës, ndërsa patrullonte në territor, më datë 5 maj 1990
  5. Mirjan Dino Hoxha, nga Tepelena, efektiv i ndërhyrjes së shpejtë në Tiranë, humbi jetën më datë 21.04.1991, për mbrojtjen e rendit e sigurisë publike dhe të objektit të ambasadës polake në Tiranë.
  6. Armelin Isa Zeka, nga Malësia e Madhe, efektiv i ndërhyrjes së shpejtë në Mamurras, reparti nr.713, Drojë, humbi jetën më 6 dhjetor 1991 duke mbrojtur bankën e shtetit, filiali Laç (Për trimërinë dhe vendosmërinë e treguar, ish-Presidenti i Republikës, i ka dhënë Ermetin/Armelin Isa Zekës dekoratën e lartë të trimërisë, duke e shpallur njëherazi “Dëshmor i Atdheut”). Përse nuk i jepet statusi i dëshmorit të atdheut?
  7. Hajrulla Kadri Uku, nga Tirana, efektiv i policisë në Kamzë, aksidentuar për vdekje në krye të detyrës në patrullë shërbimi, më datë 8.12.1991, në kthesën e Valiasit, ndryshe nga standardet e tjera, i ndjeri Uku është pa status dëshmori.
  8. Shkëlqim Muhamet Kuçi, nga Durrësi, vrarë nga grup kriminal më 01.04.1992. Ky grup kryente grabitje në akset rrugore Tiranë- Durrës, Tiranë-Mamurras dhe Tiranë-Ndroq. Shkëlqimi është shpallur dëshmor i atdheut nga autoriteti vendor, Durrës, sikurse ishte ligji i kohës, ndërsa Komisioni Qendror i Statusit të Dëshmorit të Atdheut nuk e ka miratuar.
  9. Aleksandër Iljaz Alushi, nga Skrapari, më 22.04.1992, në vijim të zbatimit të urdhërit të eprorëve për shoqërimin e dy personave, duke udhëtuar me një automjet, bien në greminë, mbasi makina pësoi difekt teknik.
  10. Ndrek Pjetër Çuni, nga Shkodra, efektiv i postës së policisë, roje në hidrocentralin e Komanit, më 09.06.1992 humbi jetën në krye të detyrës, mbasi rrëshqiti dhe u mbyt në liqen, prej nga nuk u nxorr kurrë.
  11. Pandeli Vasil Guxo, nga Fieri, humbi jetën më 25.07.1992, në rrethana aksidentale, të provuar nga ekspertiza për shkak të difektit teknik të automjetit të shërbimit të policisë.
  12. Shkëlzen Pjetër Vukaj, nga Tropoja, humbi jetën aksidentalisht më 21.11.1992, në qytetin e Shkodrës, në moshën 26 vjeç, inspektor i policisë kriminale, me gradën toger, duke shkuar në shërbim për punë operative.
  13. Durim Seladin Xhani, nga Librazhdi, fillrojtës, më datën 05.12.1992, në një mot shumë të vështirë gjen vdekjen në krye të detyrës si rezultat i rënies në tension të lartë, gjatë kontrollit dhe riparimit të linjës telefonike.
  14. Ardian Spiro Mino, nga Fieri, gardist, humbi jetën në aksident automobilistik, duke shoqëruar Presidentin e Republikës më datën 25 mars 1993, në afërsi të vendit të quajtur “Qafë-Lalar”, në rrugën automobilistike Patos-Ballsh, (Arben Zhuzhi, në grupin e presidentit të mëvonshëm, në rrethana të njëjta, me të drejtë, është shpallur dëshmorë).
  15. Mitat Petref Çifliku, nga Berati, humbi jetën më 28.11.1993, në krye të detyrës, mbasi u qëllua me armë zjarri nga persona të armatosur, ndërsa po kontrollonte shërbimet dhe në përpjekje për të shpëtuar u përplas me makinë dhe ndërroi jetë menjëherë.
  16. Nasibi Çelnik Dulellari, polic në Korçë, humbi jetën në shërbimin e postbllokut më datë 19.12.1993, si rezultat i veprimeve të dhunshme të një drejtuesi mjeti i cili e mori zvarrë 75 metra. Presidenti i Republikës me dekretin nr.751, datë 12.01.1994 i ka dhënë të ndjerit “Medaljen për Ruajtjen e Rendit Shoqëror”, me motivacionin “Për dhënien e jetës në forcimin e rendit dhe të qetësisë publike” (pas vdekjes). Polic shembullor. Përse nuk i jepet statusi?
  17. Ndue Zef Kaza, nga Mirdita, humbi jetën më datë 07.01.1994, në krye të detyrës, është dekoruar nga Presidenti i Republikës me dekoratën “Për vepra trimërie”, me motivacionin “Për trimëri e vendosmëri të treguar në kryerjen e detyrës”.
  18. Shaqir Dilaver Dedej, nga Tirana, shofer në degën e objekteve, Garda e Republikës, më 30.01.1994, duke qenë me shërbim në Peshkopi, u vra nga kolegët e tij, për motive të pasqaruara.
  19. Isa Murat Tahiri, shef i sektorit të policisë rrugore në Malësi e Madhe, vritet nga një vartës në krye të detyrës, më 17.05.1994. Presidenti i Republikës, me dekretin nr.1353, datë 24.01.1996, i ka akorduar “Medaljen e trimërisë”, me motivacionin “Për kontributin e çmuar që ka dhënë në proceset demokratike, për punën e palodhur e me ndershmëri për të cilën dha dhe jetën, duke u vrarë në krye të detyrës”, si dhe e ka shpallur “Dëshmor i Atdheut”. A ka qenë i pabazuar në ligj dhe në prova dekreti i presidentit?
  20. Ndue Mark Pjetri (Haxhia), nga Puka, u vra më 17.06.1994, ndërsa ndërhyri për të shpëtuar një grua me gjithë fëmijët nga dhuna e kryefamiljarit. Autori është dënuar me burgim të përjetshëm, ndërsa polici nuk është as në listën e të rënëve.
  21. Edmond Seit Blliku, nga Lushnja, humbi jetën në krye të detyrës më datë 29.07.1994, duke u vrarë me armë zjarri nga një vartës problematik. Komanda eprore plotësoi të gjithë dokumentacionin ligjor për shpalljen dëshmor të tij dhe lidhjen e pensionit për prindërit, por premtimi u harrua, mbeti në letër.
  22. Mentor Qamil Kola, punonjës policie në Bulqizë, humbi jetën në aksident me makinë në krye të detyrës, datë 18.07.1996, ora 03.00, në rrugën automobilistike Bulqizë-Burrel, në vendin e quajtur Qafë-Buall, 3 km në afërsi të Krastës.
  23. Gëzim Sulejman Neziri dhe Besim Sulejman Neziri, nga Kruja, vëllezër, u vranë barbarisht më 12.08.1996, nga persona të njohur për aktivitet kriminal të organizuar, duke qenë në krye të detyrës. Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut”, me vendim nr.416, datë 11.07.2011, nuk e ka shpallur Gëzimin “Dëshmor i Atdheut”. Ky vendim rezulton absurd, përkundër disa vendimeve të tjera të këtij institucioni, për gjakun e derdhur nga këta dy policë të ndershëm në shërbim të ligjit.
  24. Shkëlqim Ymer Poçi, nga Librazhdi, humbi jetën më 27.09.1996, në krye të detyrës, mbasi u aksidentua mjeti me të cilin lëvizte për arsye shërbimi.
  25. Xhelal Muharrem Memoçi, nga Kruja, u vetvra aksidentalisht më 21.10.1996, si shkak i shkrepjes së pavullnetshme të pistoletës, duke qenë në krye të detyrës, në kontrollin e shërbimeve në postat e policisë.
  26. Gëzim Pjetër Beroshi, nga Tropoja, u vra në Shkodër, më 13 mars 1997, nga bandat që sulmuan objektet. I ndjeri jo vetëm që nuk është dëshmor, por nuk rezulton as i vrarë në krye të detyrës.
  27. Krenar Enver Gjoni, nga Korça, polic në drejtorinë e Tiranës, u vra më datë 13.03.1997, pas lënies së shërbimit të turnit të parë, në ambasadën amerikane, u qëllua për vdekje nga persona të paidentifikuar, terroristë. (Kolegu i tij, Rufan Hakrama, me të drejtë, me vendim nr.12, datë 04.07.2003, është shpallur “Dëshmor i Atdheut”).
  28. Andreat Ibrahim Selmani, polic në Fier, ekzektuar nga grabitës të automjeteve më datë 19.04.1997, duke qenë me shërbim në rrugën Fier-Gjirokastër. (Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut”, me vendim nr.406, datë 25.04.2011, ka shpallur “Dëshmor i Atdheut”, policin e Shkodrës, Gëzim Musa Bushaj, i cili ka humbur jetën në rrethana të njëjta).
  29. Fatmir Gjeto Sinaj, ekzektuar midis qytetit të Shkodrës, në datën 25.04.1997, në krye të detyrës. Këshilli i qarkut Shkodër i është drejtuar me kërkesë Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, për shpalljen “Dëshmor i Atdheut” të Fatmir Sinaj, ndërsa Komisioni, pasi ka shqyrtuar dosjen nr.228, me dokumentacionin përkatës, ka marrë vendimin nr.266, datë 25.02.2009 dhe nuk i jep statusin e “Dëshmorit të Atdheut”?
  30. Nderim Muharrem Muja, “Drejtor i Përgjithshëm” i Emergjencave Civile dhe “Drejtor i Përgjithshëm” i MNZ-së, ekzekutuar në krye të detyrës në Shkodër, më datë 14 qershor 1997, në qytetin e tij të lindjes nga forca të errëta dhe destruktive, mbetet në harresë.
  31. Prel Ndoc Ndreshaj, nga Dukagjini i Shkodrës, polic në Delvinë, ekzekutuar në krye të detyrës nga grupe kriminale më datë 17 qershor 1997.
  32. Brahim Shaban Rustemaj, nga Tropoja, polic i repartit FNSH nr.711, caktuar për sigurimin e jetës së kryetarit të PBK, z.Abaz Ermenji, vritet në pritë në afërsi të urës së Milotit nga grupe kriminale, duke shkuar me shërbim në Tropojë, për garantimin e aktiviteti zgjedhor, në datë 22.06.1997
  33. Ferdai Hajredin Veshi, vrarë më datë 01.07.1997, nga grup kriminal në Kuçovë, në të njëjtën orë, vend e rrethanë, së bashku me Bardhyl Shefqet Kumria, i cili është shpallur dëshmorë i atdheut.
  34. Esat Baram Xhixha, nga Kruja, nga Fushë Krujë, vrarë në detyrë nga persona të armatosur më 1997, por është harruar nga institucionet që ishin të angazhuara e të merakosura me zgjedhjet e 29 qershorit 1997.
  35. Ardian Brahim Sulaj, nga Fieri, aksidentuar për vdekje më 10.09.1997, në krye të detyrës gjatë kontrollit të aksit rrugor Gjirokastër-Tepelenë, pasojë e gjendjes së mjeruar të rrugëve.
  36. Gjergj Ali Pjetërgjoka, nga Tropoja, vritet më datë 23 shtator 1998, nga bandat e grabitësve të veshur me uniformë policie, ndërsa ishte duke shkuar me shërbim nga Tropoja në Shkodër, fakt i provuar nga prokuroria e Shkodrës dhe eprori i tij.
  37. Fatmir Haxhi Voka, polic i ndërhyrjes së shpejtë, në Tiranë u vra duke mbrojtur katër vajza nga persona të armatosur, në Selitë, Tiranë, më datë 7 nëntor 1997, duke manifestuar akt trimërie, humanizmi e fisnikërie.
  38. Artan Xhemal Gjyzeli, shef i rendit në Peqin, ekzekutuar në Durrës. Këshilli i qarkut Durrës, më datë 17.03.2013, i ka dhënë titullin “Dëshmor i Atdheut”, ndërsa Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut”, nuk i jep statusin e dëshmorit. (vendimin nr.730, datë 19.05.2017 ka vendosur mos shpalljen dëshmor).
  39. Bujar Fatmir Kastrati, agjent i policisë kriminale, polic shembullor, ekzekutuar në krye të detyrës, më datë 28 dhjetor 1997, në Durrës, nga grup kriminal dhe çuditërisht nuk rezulton as në listën e të rënëve në detyrë.
  40. Edmond Skënder Ferko, nga Fieri, ekzekutuar më 24.01.1998 në rrethana misterioze, duke u kthyer në shtëpi pas kryerjes së shërbimit, madje vrarë barbarisht, këputur koka dhe trupi hedhur në shinat e trenit.
  41. Daut Çaush Çela, nga Tepelena, aksidentuar për vdekje më 19.02.1998, nga një autoveturë, ndërsa ishte në krye të detyrës duke ruajtur automjetin e kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë. Çuditërisht nuk rezulton as në listën e të vrarëve.
  42. Artur Skënder Dida, nga Tepelena, vrarë nga bandat e grabitësve, në Memaliaj, më 28.08.1998, duke shkuar në detyrë (në rrethana të tilla janë disa të shpallur dëshmorë)
  43. Arben Nurçe Bushi, ekzekutuar për shkak të detyrës nga persona të armatosura më 12 shtator 1998, në Memaliaj, ndërsa po mori sinjalin e mobilizimit në FNSH.
  44. Nikolin Dod Tusha, nga Mirdita, vritet aksidentalisht më 31.10.1998, nga kolegu i tij, duke qenë në përbërje të patrullës gjatë ndërhyrjes për sigurimin e qetësisë në një lokal në qytetin e Rrëshenit (në rrethana të tilla, kolegu8 i tij në Tepelenë, Ilir Kalemi, rezulton i8 shpallur dëshmorë).
  45. Ilir Sinan Beshiri, polic rrugor, me shërbim në Kamzë, e përplasi për vdekje një makine pa targa, më 30 janar 1999.
  46. Petrika Pali Demika, polic në Korçë, ka qenë me shërbim me kolegun e tij Gjergji Palloj, plagosur të dy për vdekje nga i njëjti autor, më datë 29.09.1999, vdekur në data të ndryshme. (Me vendim nr.343, datë 27.10.2010 Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut” i ka dhënë kolegut të tij, Gjergji Palloj titullin dëshmor, ndërsa Petrika rezulton i harruar).
  47. Kudret Muhamed Taka, goditur nga rrufeja, më 25 gusht 2001, në rrugën nacionale Tiranë-Dajt, afër fshatit Priskë, në krye të detyrës, në ndjekje të disa elementëve që kishin tentuar të kryenin grabitje ndaj disa shtetasve të huaj në zonën e Dajtit.
  48. Gjon Bardhok Ndrejaj, inspektor i policisë rrugore në Krujë, aksidentuar për vdekje nga një automjet, ndërsa kryente detyrën në goditjen e kundërvajtjeve në vjedhjen e lëndëve drusore. Autori është dënuar, ndërsa Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut”, me vendimin nr.98, datë 21.12.2007, nuk i ka dhënë statusin “Dëshmor i Atdheut”.
  49. Xhovalin Preng Ndreu, polic dhe shofer i shefit të komisariatit, u ekzekutua më 6 gusht 2003, së bashku me nënkolonelin Gani Malushi, ky i fundit me meritë gëzon statusin e dëshmorit të atdheut, ndërsa Xhovalinit i është refuzuar kjo e drejtë e ligjshme.
  50. Zambak Elez Curraj, polic rrugor në Malësi e Madhe, aksidentuar për vdekje në krye të detyrës. Ka të gjithë dokumentacionin e rregullt për të fitur statusin e dëshmorit, por nuk kuptohet se çfarë pengon dhënien e kësaj të drejte.
  51. Kastriot Hasan Aliaj u aksidentua barbarisht më 11.02.2010, në rrugën Tiranë-Durrës, në vendin e quajtur Koxhas, gjatë kryerjes së detyrës, nga një makinë që lëvizte me shpejtësi të madhe. Prokuroria e rrethit gjyqësor Durrës, me aktin nr.3233 prot, datë 03.03.2010, vërteton se i ndjeri Kastriot, me detyrë “trupë shërbimi trafiku e linja” është aksidentuar nga një makinë që lëvizte me shpejtësi të madhe, ndërsa Komisioni Qendror i Statusit “Dëshmor i Atdheut”, çuditërisht, me vendim nr.654, datë 08.04.2013, nuk e ka shpallur “Dëshmor i Atdheut”.
  52. Ervin Robert Haxhiu, humbi jetën tragjikisht në krye të detyrës, më datë 25.09.2016, nga një aksident në “bulevardin blu”, në Kamëz, si pasojë e goditjes nga një automjet që lëvizte me shpejtësi 150 km/orë. (Hysni Mehmet Kobilja, humbur jetën në rrethana të njëjta, me vendim nr.19, datë 22.12.2003 të Komisionit Qendror të Statusit “Dëshmor i Atdheut”, ka fituar statusin e dëshmorit).

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • 17 qershor 2026
  • VIDEO: Kur protesta flet me gjuhën e dashurisë
  • PURCHASE OF TWO VEHICLES FOR FIRE MANAGEMENT, ENFORSA-SUPPLY-3
  • I riu i thirrjes për marshim drejt Rinasit: Na kritikuan me të drejtë, por na ka ardhur në majë të hundës
  • Ibrahimaj në Indonezi, qeveria kërkon emigrantë nëpër botë për të zëvendësuar shqiptarët e ikur

Komentet e Fundit

  1. Niki on FOTO VIDEO: Nuk ka dorëzim, as përçarje, sheshi i protestës sërish plot në ditën e 17-të, ironizohet edhe Marta Kos
  2. Realisti on Operacioni i madh antidrogë, reagon kreu i SPAK
  3. demo on Me “bukë me vete”? PO!
  4. bajg shurreliane on FOTO VIDEO: Nuk ka dorëzim, as përçarje, sheshi i protestës sërish plot në ditën e 17-të, ironizohet edhe Marta Kos
  5. demo on Pankartat më pikante nga protesta e nëntë e qytetarëve (FOTO)

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?