Ymer Çiraku
Vitin e fundit të mësimit në fillore, unë e mbarova në shkollën “28 Nëntori”, në Gjirokastër. Deri atëhere, kisha ndjekur mësimet në qytetin e Përmetit. Nga dritaret e klasës, shihnim përballë aty pranë, të derdhej rrëmbyeshëm lumi Vjosa. Edhe tani në Gjirokastër, shihnim një lumë, Drinon. Veçse ai lumë, ndryshe prej Vjosës, gjarpëronte i qetë poshtë qytetit, tutje fushës së gjerë.
Shtëpia ku banoja ishte rrëzë kalasë, në krye të lagjes “Pazari i vjetër”. Kishte një pozicion të atillë, që e shihte një pjesë të mirë të qytetit, atje poshtë. Por çuditshëm, nuk mungonin dhe lagje të tjera, që të qëndronin sipër, sikur të vështronin nga retë. Vërtet një qytet fantazmagorik ky, që të magjepste me arkitekturën e veçantë, me labirintet e rrugëve të kalldrëmta, organizimin e brendshëm të banesave: me sterat e ujit (muslluqet), patet, musandrat, kthinat e shumta me funksione të caktuara, baxhat mbi çatitë me pllaka guri që ngjanin për fëmijët si sy qikllopi, ornamentet e llojllojshme florealë nëpër dhomat e gatimit dhe odatë e ndënjies e të pritjes. Ky mbetet në kujtesën time një peizazh i pashëmbullt qyteti, përshkruar e skalitur aq mjeshtërisht, nga biri i tij dhe gjeniu i letrave, Ismail Kadare, sidomos në romanin mjaft të njohur “Kronikë në gur”, botuar e ribotuar (krahas veprave të tjera), në mbi 40 gjuhë të botës.
Shkollën tetëvjeçare e nisa në godinën e gjimnazit “Asim Zeneli”. Kjo ishte një e papritur e bukur për ne nxënësit, pasi tashmë, kishim rastin që ta ndjenim veten disi më të rritur mes nxënësve të gjimnazit. Sigurisht, që është një “sëmundje” e njohur kjo tek të vegjëlit dhe adoleshentët – për të vrapuar drejt rritjes. Pastaj ndiheshim si të thuash edhe më të “mbrojtur” dhe më të begenisur, sepse këtu, dikush kishte në vitet e gjimnazit një fqinj, një kushëri, motrën apo vëllain, sigurisht më të rritur se ne.
Një mbresë, që nuk mund të harrohet kurrë, ishte ajo që përjetuam ditën e parë të nisjes në atë shkollë. Ziles së parë të fillimit të mësimit, më 1shtator, do t`i binte basho Thomai (Thoma Papapano). Do t`ia dorëzonte atij tërë respekt, vet drejtori i shkollës. Ky ishte një ceremonial i përvitshëm, që vazhdonte edhe me zilen e fundit për maturantët, kur ata sapo mbaronin mësimet në shkollën e mesme dhe do të nisnin ditët e provimeve, për të fituar dëftesën e pjekurisë. Pra, basho Thomai do t`i binte edhe ziles së fundit, për ata që ndaheshin përgjithmonë nga ajo shkollë dhe do të nisnin rrugët e reja të jetës nëpër auditore universitare, apo nëpër punë të ndryshme të jetës. Pikërisht ky do të ishte edhe ai çasti aq prekës, kur shihje vajzat maturante, që nën tingujt e ziles, ia nisnin të shpërthenin në lotë e përqafime ngashërryese mes tyre. Basho Thomai, në sytë tanë, me atë bastunin karakteristik gjithë nyje të skalitura në të, në një stil barok, me kapelen republike dhe vitet e shumta mbi supe, na ngjante se vinte drejt e nga epoka rilindase. Ai vërtet që vinte nga ato kohëra. Ishte i njohur për shumë angazhime të tij patriotike, duke nisur qysh nga shpallja e Pavarësisë e më pas, shpesh edhe në mjaft vështirësi e deri rreziqe për jetën.
Gjimnazi për ne, ishte një tempull i vërtetë dijeje, mjaft imponues. Këtë mbresë e krijonte qyshse ai ansambël kalldrëmesh e ndërtesash, kur nisje t`i afroheshe shkollës. Tek kaloje shtëpinë e Nakajve, rrethuar gjithë trëndafila e lulebore, që ne na dukej si shtëpi përrallash, pastaj kur lije në krah të majtë shkollën fillore “Drita” me shumë histori, menjëherë të shfaqej përballë ndërtesa hijerëndë e gjimnazit. Ne si nxënës e kishim mësuar se ishin derdhur edhe kontributet e shumë qytetarëve për ta ngritur atë shkollë të bukur gjithë mermer, e quajtur fillimisht “Lice”, e cila, do të kishte qartazi orientim perëndimor në programe dhe në staf mësuesish.
Edhe në vitet gjimnaziste të brezit tim (1967-1971), brenda vështirësive dhe sfidave tashmë të njohura të kohës, këtu ishte një plejadë mësuesish të talentuar, mes të cilëve, disa prej tyre, kishin mbaruar studimet në Stamboll, Moskë, Varshavë dhe universitete të tjera të njohura. Përshembull mësuesi i kimisë Vaso Bilushi, vinte nga një karrierë e suksesshme kërkimore universitare dhe në sytë tanë, ai ishte një dijetar i vërtetë, që na nxiste fort pasionin dhe besimin për t`u përfshirë në të fshehtat e shkencës. Ai do të ishte edhe nxitësi dhe themeluesi (drejtuesi) i Universitetit “Eqrem Çabej”. Po kështu do të kishim dhe mësues të tjerë të përkushtuar si: Tajar Kokalari, Luiz Çene, Banush Mezini, Petro Isufi (i sapo kthyer nga Stambolli si mësues i frengjishtes, ku kishte lindur, jetuar e punuar për shumë vite atje), Luan Hoxha, Adem Mezini, Sedat Kale, Kosta Makariadhi, Hulusi Kokalari etj. Kabinetet mësimore të shkollës, si ai i kimisë, fizikës, botanikës, gjeografisë, ishin model për nga mjetet e pasura mësimore në to, ku dijet mësimore, zbatoheshin e vrojtoheshin edhe në praktikë. Për meritë të mësuesve tanë, ato ishin të një niveli të atillë, që vështirë se mund t`i hasësh sot edhe nëpër disa universitete të vendit, që në fakt, si dhe të tjerë, gjykoj se janë shtuar aq shumë, përtej realiteteve (nevojave) tona.
Në klasën ku isha, mezi prisnim që të vinte ai çasti në orën e astronomisë, kur do të bëhej vrojtimi në hapësirat qiellore me teleskop. Ato organizoheshin zakonisht në muajin maj, në një nga ditët në mbrëmje, kur ishte qielli pa re, pikërisht në majë të Kërcullës. Teleskopi ishte një tub i gjatë metalik, që nxënësit e ngarkonin me radhë dhe e ngrinin nëpër lartësitë e kodrës, si të qe grykë topi. Këtë “pelegrinazh” të mrekullueshëm mësimor, e drejtonte mësues Luizi, natyrë e heshtur, me fjalë të pakta, por të ngulura si gozhdë për ne nxënësit e tij. Ai, në fantazinë tonë ishte një dijetar i pazakontë i zbulimit të mistereve të hapësirave të pafund qiellore. Por klasa jonë, nuk e pati atë fat, për të realizuar këtë vëzhgim mrekullues nëpër shtigjet qiellore. Shpejt, u hap lajmi tek ne, se teleskopi kishte patur defekt dhe nuk kishte qënë e mundur që të riparohej dot, në kushtet e atëhershme. Mund të kishte qënë prodhim kinez, rus, apo mbase dhe i sjellë qysh në kohën e monarkisë, kushedi nga cili vend.
Mësuesi i letërsisë, Dragush Çabej, kishte aftësinë, që qartë dhe bukur, të na transmetonte njohuri të gjera mbi autorë e vepra letrare, por kishte vëmendje të posaçme për të edukuar tek ne edhe një kulturë gjuhësore sa më të sigurtë, si dhe kujdesin për punë sistematike në përgatitjet tona mësimore. Dhe të gjitha këto, ai i përcillte me një përkushtim dhe mirësi shembullore. Kujtoj se si mësues i letërsisë, ai e kishte për kujdesje edhe bibliotekën e shkollës. Për ta ndihmuar, pata privilegjin edhe unë që të jepja ndihmesën time, duke shpërndarë libra e duke u kujdesur për t`i sistemuar ato nëpër rafte e për t`i riparuar sipas rastit nga dëmtimet. Ishte një bibliotekë mjaft e pasur, sidomos me letërsi botërore të përkthyer në shqip, apo dhe origjinale. Atje gjeja rastin të zhytesha në lexime pasditeve, kur ajo vijonte që të funksiononte për nxënësit e interesuar, pas orëve të mësimit. Por unë, ashtu si dhe ca lexues të tjerë të “thekur” të shkollës, kisha dhe një “derën time të hapur” për të blerë botimet më të fundit, kryesisht ato letrare, që na i ruante librari i paharruar Alizot Emiri. Duket se ai komunikonte me mësuesit tanë për të njohur lexuesit më të zellshëm shkollarë dhe mbante mënjanë për ta librat letrarë me interes, të cilët, për shkak të botimeve të centralizuara të kohës dhe brenda vetëm një enti botues, kishin një tirazh botimi të caktuar, shpesh të kufizuar, në raport me kërkesat e lexuesve. Për mua, Zotja, sikundër e thërrisnin të tërë, mbetet ai rojtari besnik i “Shën Librit”. Një lloj detyre e pa kërkuar kjo prej instancave zyrtare, por që ai, e bënte plot zell për të ndihmuar ca shkollarë, të cilët, s`kishin kurrgjë për të patur ai ndonjë interes ndaj tyre, veçse kishin dashurinë për letërsinë dhe pengun për ta kujtuar sot e kësaj dite, gjithë respekt e mirënjohje atë njeri fisnik, bir i qytetarisë gjirokastrite.
Pranë mësues Dragushit, në shëtitje dhe në aktivitete kulturore të qytetit, shihej shpesh dhe mësuesi i anglishtes Hajri Shehu dhe kritiku i njohur Trim Gjata, që jepte mësim në shkollën e mbrëmjes. Mësuesi i anglishtes, që kishte studiuar edhe për orientalistikë në Rusi, ishte transferuar nga Peshkopia dhe punoi plot përkushtim, fillimisht tek shkolla “Koto Hoxhi” e më pas, për disa vite, në gjimnazin “Asim Zeneli”, deri sa më vonë do të niste punën në Akademinë e Shkencave në Tiranë, ku bëhet i njohur për shumë vite si një nga gjuhëtarët e spikatur, sidomos në fushë të leksikologjisë. Viteve të fundit, ai ka botuar dhe librin “Për Gjirokastrën dhe nxënësit e Gjirokastrës”, ku përcillen mbresa e kujtime të pashlyeshme për nxënësit e tij dhe qytetin, që e priti si birin e vet, plot respekt e dashuri.
Mësuesin D. Çabej do ta kishim dhe drejtues të konkursit të letërsisë, ku skuadra e shkollës sonë do të zinte vendin e parë mes shkollave të mesme të rrethit dhe nisëm përgatitjet që të merrnim pjesë në konkursin kombëtar, të organizuar nga Radio Tirana, që sapo ishte ndërtuar në ato vite dhe kishte mjaft hijeshi së jashtmi dhe në ambientet e brendshme mjaft moderne për kohën. Konkursi në nivel kombëtar mes shkollave të mesme të Tiranës, Durrësit, Korçës, Shkodrës, Vlorës etj, zhvillohet dhe rregjistrohet për transmetim në studion qendrore të RTSH-së, pikërisht atje, ku bënte provat dhe regjistrimet e veta edhe orkestra e njohur sinfonike e këtij institucioni. Në skuadrën e gjimnazit tonë, kujtoj që ishte dhe Mirjana Çiço, Marjana Todi, Lefteri Kutra dhe dikush tjetër, që nuk e sjell dot ndërmend. Konkursin e drejtonte një juri, me kryetar shkrimtarin dhe studiuesin Gjergj Zheji. Mes një konkursi të ndezur maratonë, që zgjati pothuaj një javë, skuadra jonë arriti të fitojë çmimin e parë dhe kjo, doemos që na dha jo pak kënaqësi dhe emocione. Prej nesh, kishte dhe ndonjë që e shihte për herë të parë Tiranën. Në konkurs, unë njoha dhe shokë, që në vitet studentore e më pas, do të bëheshin nga miqtë e mi dhe me kontribute të njohura në letërsi e në media si i ndjeri Arben Xoxa (biri i Jakov Xoxës), Petraq Risto, Bashkim Hoxha, Engjëll Ndocaj, Petrit Hajdini, i ndjeri Ilia Dede, etj.
Çmimi i parë në këtë konkurs kombëtar do të na bënte me krahë mes shoqeve dhe shokëve tanë, kur ne do të ktheheshim në shkollë. Aq më tepër, që konkursi ishte ndjekur edhe nga banorët në qytetin tonë, se atëhere, radioja vazhdonte që të ishte një mjet i fuqishëm e pothuaj i pakonkurueshëm informacioni mediatik. Mes shokëve tanë, ndjenim gëzimin e tyre të sinqertë. Suksesi ynë dukej se ishte edhe i tyre. Sepse fundja, ne ishim pjesë e atij mjedisi tepër konkurues në përgatitje mësimore, ku qenë jo të pakët nxënësit mjaft të zotë në përgatitje sistematike dhe në rezultate të larta. Ajo fitore, ishte pra, vazhdim i stafetës së traditës së aktiviteteve të njohura në këtë gjimnaz, siç ishin ato të rrethit letrar të shkollës, të grupit teatror, ansamblit artistik etj. Mjafton të kujtohet rrethi letrar i viteve `50-të, ku merrnin pjesë poetë e letrarë të rinj aso kohe, si Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Agim Shehu, Gaqo Veshi, Bekim Harxhi etj. që Prof. Vehbi Bala, i cili e drejtonte atë rreth letrar (kur sapo ishte kthyer prej studimeve letrare në Bukuresht), do ta quante atë plot vlerësim të dinjitetshëm një “Akademi letrare”.
Këtë rreth letrar të gjimnazit tonë, do ta drejtonte më pas për shumë vite, vet ish nxënësi i kësaj shkolle, tashmë poeti i afirmuar dhe mësuesi i letërsisë, Agim Shehu. Për aq sa kam marrë pjesë në ato takime, kujtoj me respekt dhe emocione, bisedat e ngrohta që ai zhvillonte me letrarët e rinj. Me zërin paksa të ulët, por që i dilte së thelli me kantilenë, ai kishte aftësinë që t`i kthente fjalët në një “festë” të metaforave të befta e gurgulluese, duke u dhënë atyre takimeve, një klas të lartë kuvendimi letrar, që në fantazinë tonë, sikur këmbeheshin gjithë adhurim me sallonet e poezive nëpër botë, që ne i kishim njohur me etje përmes leximeve. Pjesëmarrës të atij rrethi letrar, ishin një radhë letrarësh, që do të bëheshin të njohur viteve më pas me botime librash e në shtypin letrar të kohës si: Foto Malo, Petro Çerkezi, Vllasova Musta, Thanas Dino, Valentina Mosko, Katjusha Pogaçe, Petrit Llano, Mirjana Çiço, Rajmond Taho etj.
Krahas këtij rrethi të njohur letrar, ruaj mbresa të mrekullueshme edhe për grupin e teatrit. Vetëm në disa vjet, kujtoj se janë luajtur në skenë, disa drama të njohura të kohës, madje me regji nga regjizor profesionistë si Milto Hido, Dhimo Dhimo e Lutfi Zykaj. Me një dramë të Fadil Krajës, që i kushtohej heroinës së kohës Shkurte Pal Vata, kemi organizuar dhe turne në skenat e disa qyteteve si në Patos, Lushnjë, Divjakë, Përmet. Ishte një skenë mjaft prekëse çasti i vdekjes së heroinës, luajtur me shumë vërtetësi nga nxënëset e talentuara Arminda Sharra dhe Eli Prifti, që e dublonin këtë personazh. Ne shihnim se si në sallë krijoheshin emocione, deri edhe me përlotje e kjo, na jepte shumë siguri dhe krenari si interpretues të rinj që ishim. Mes nesh, sigurisht nxënës të viteve të ndryshme, interpretonte edhe mësuesi Rahmi Harxhi. Luante rolin e doktorit në këtë dramë dhe prania e mësuesit, na jepte ne nxënësve të tij, modelin e një edukatori të dashur dhe mendjehapur. Zotëronte sigurisht autoritetin dinjitoz të mësuesit, por ai autoritet, vinte dhe ngjizej tek ne nxënsit e tij, veçse real dhe jo formal e pedant.
Kujtoj me buzëqeshje dhe me një farë pendese, edhe një situatë të krijuar me mësuesin e paharruar, Petro Isufi. Në një nga dramat e vëna në skenë, unë luaja rolin e një inxhinjeri (drama “Çështja e inxhinjer Saimirit” e Fadil Paçrami), personazh i konceptuar në vepër me natyrë intelektuali. Në një nga tablotë e zhvilluara në dhomën e tij komode, kërkohej nga regjizori, që, duke qënë në kushte shtëpie, personazhi të ishte i vëshur me “robe de chamber”. Ky model veshjeje, sigurisht që ishte i rrallë aso kohe, luks i madh në familjet tona. Çka do të thoshte se ishte e vështirë që ta siguronim. U kujtova se duhej të kishte një të tillë, mësuesi ynë i frengjishtes. Pra, “z. Petro” – sikundër ishte privilegj i veçantë të thërritej vetëm ai, ardhur para pak vitesh nga Stambolli. Aq më tepër, që ishte dhe frankofil. Gjeta rastin dhe ia drejtova kërkesën time. Me shumë mirësjellje, ai nuk hezitoi dhe ma dorëzoi para se drama të luhej në skenën e qytetit. Sigurisht, që kur e kujtoj sot, e kuptoj tejkalimin tim, në këtë prekje privatësie të mësuesit tim të paharruar. Por ishte mosha fare e re, që kishte shkujdesjen pa fre.
Nga këto aktivitete teatrore të gjimnazit do të dilnin më pas dhe aktorë të shquar të ardhshëm të skenave të teatrit e të kinematografisë, mes të cilëvë mund të dallohen: Agim Qirjaqi, Nikolla Llambro, Eduard Makri, Fane Bita, Pilo Andoni e ndonjë tjetër.
Ne ishim brezi i parë, që na përfshiu sistemi arsimor 8 – vjeçar. Sigurisht, që nuk na vinte mirë. Donim të ishim në gjimnaz, në vitin e parë, për t`u ndjerë kështu më të rritur (!) Pastaj në gjimnaz, ishte rasti që të ishim dhe pjesëmarrës nëpër aksione, që aso kohe sapo kishin nisur, sidomos me pjesëmarrje në ndërtimin e hekurudhës. Kujtoj se ne, një grup nxënësish të ngarkuar nga shokët, iu drejtuam komitetit të rinisë së rrethit, që të na përfshinin në aksionet kombëtare. Por na u kthye përgjigje se ishte e pamundur. Ëndërra jonë rinore, u realizua vetëm në vitin e ardhshëm, kur u bëmë gjimnazistë dhe muajve të verës, shkuam në aksion vullnetar në Jonufër të Vlorës, për hapjen e tarracave për ullinj dhe agrume.
Vitet e tjera, patëm rastin që të vemi në ndërtimin e hekurudhës në Murrash, pastaj në Bushtricë të Librazhdit. Ne morëm pjesë në nisjen e tunelit të Murrashit dhe një vit më vonë, në betonimin e këmbëve të urës së madhe të Bushtricës. Veç të tjerash, ato aksione na jepnin ne të rinjve ndjenjën e lirisë, larg tutelës prindërore. Pastaj ato aksione, krijonin mundësi për njohje më të gjerë me njeri tjetrin, por edhe me të rinj të tjerë nga vende të ndryshme të Shqipërisë. Në Murrash, kam njohur për herë të parë Visar Zhitin, Fatbardh Rustemin, Flamur Shabanin, që ishin gjimnazistë të Lushnjës, të cilët më pas, u bënë emra të njohur në letërsi. Me Fatbardhin dhe Flamurin do të ishim edhe studentë të të njëjtit kurs të fakultetit Histori-Filologji, në Tiranë. Kurse Visari do të niste studimet e larta në Shkodër. Ata flisnin plot admirim edhe për poetin Faslli Haliti, që më pas do të bëhej edhe i njohuri im i çmuar.
Unë i përkas brezit, që lindi afër një dekadë pas mbarimit të luftës së dytë botërore. Pra, ne nuk e njohëm luftën, por njohëm vitet e vështira të furnizimeve bazike ushqimore me triska, pastaj në vitet `60 e më pas, u përballëm me sfidat e shumta, që u krijuan nga vetizolimi absurd në komunikimet me botën. Por edhe ne si nxënës të asaj kohe, dinim sa të ishte e mundur, që të kërkonim e të gjenim gëzimet tona, sado modeste të duken sot. Aksionet brenda qytetit dhe nëpër kantiere ndërtimi nëpër Shqipëri, mbrëmjet e hërëpashershme, që i emërtonim si tematiko-dëfrimi, eskursionet në Mashkullorën e Çerçiz Topullit, në Malin e Gjerë dhe në kalanë e shën Triadhës rrëzë Lunxhërisë…, ishin për ne çaste të shumëpritura.
Në orët që kishim pushim, e mbanim vrapin tek një dyqan në krah të shkollës, ku ishte shitës një emigrant i moshuar, i kthyer me sa kujtoj nga Argjentina. Ishte gjithë mirësi dhe tregonte me një farë nostalgjie se kishte punuar atje në një fabrikë çekollatash. Në fantazinë tonë, ai përfytyrohej si njeriu më me fat në shijimin e lloj-lloj çokollatash, që për ne, ishin pothuaj “lule mos më prek”. Pastaj vrapin mund ta ndalnim dhe më tutje, tek dyqani i xha Mediut, që kishte për shitje dhe një lloj fruti fort të rrallë e aq i pëlqyer nga ne, që e quanin “çiçibune”. E kishim dëgjuar se i zoti i dyqanit, ishte i biri i një kërkuesi aq këmbëngulës për të zbuluar “perpetum mobile”, njeriu që do të bënte bujë të madhe në qytet e më tej, në vitet e para luftës. Pak më tutje, zinte vend një embëltore fort e dashur për ne, e pastër dhe me embëlsira nga më të shijshmet. Por kuptohet se ne, për aq sa na mbante xhepi i shkollarit, zakonisht u drejtoheshim atyre, që ishin më të lira dhe voluminoze, për të përballuar furinë e “motorrit” të pandalur të energjive tona.
Në vitet e klasës sonë, kishim shoqe e shokë nga qyteti, por edhe nga zonat përreth, si nga Lunxhëria, Zagoria, fshatrat e Labërisë përmbi Kardhiq. Kishte edhe nga Dropulli i Poshëtm dhe ai i Sipërm. Këta ishin minoritarë grekë. Mes nesh, kishte një vëllazëri, që më duket se nuk arrijnë dot fjalët që ta shprehin. Kujtoj Athina Manon, Eleni Bozhorin, Eleni Papazisin, Thoma Maluqin, Andon Kalcën, Thanas Naçin, Thanas Suxhon etj. Komunikoj me Qirjako Ikonomidhin, që aktualisht jeton në Athinë dhe admiroj punën e tij të çmuar e plot pasion për përkthimin e shumë autorëve të shquar nga letërsia greke në shqip dhe anasjelltazi. Njeri prej tyre, ishte edhe i paharruari inxh.Kosta Malo, paksa i heshtur, natyrë e përmbajtur, por plot mirësi për të tjerët. Ai e lidhi jetën me nje shoqen tonë të dashur të klasës, mjeken e përkushtuar Figali Stavro.
Shumë vite kanë kaluar e do të shkojnë, por koka do të na mbetet pas nga ai Gjimnaz, që na mëkoi dhe na bekoi me dije për jetën. Dhe nga ai Qytet, që mbetet për ne një Univers i papërsëritshëm vlerash të larta Shpirtërore e Qytetarie.