Nga Artan Duka
Botuar në DITA
Edi Rama mund dhe duhet të kritikohet për plot gjëra me qeverisjen e tij por takimi i tij me bashkëatdhetarët në Athinë ishte komplet tjetër gjë. Foli si kryeministri i Shqipërisë e ngriti probleme që prekin të gjithë.
Çdo përfolje e nxitur nga mllefi e urrejtja partiake prej “kampit” berishian apo shpotitë, romuzet e cinizmi i “tentës” bashiote që ngazëllehet me hijen e mëngjezit, përkuar për “rastësi” edhe me tërsëllimet, llomotitjet e përçartjet greke, e bëjnë akoma më kuptimplotë atë.
U hap udha!
Ky takim hodhi “topin” në Athinë andej dhe ndau “shapin nga sheqeri” këtej duke vënë plot “pika mbi i”. Me këtë takim “shejtani” doli nga shishja. Reciprociteti me fqinjët më në fund u artikulua publikisht prej politikës dhe shtetit shqiptar.
Të pathënat e dikurshme që zinin vënd vetëm në analizat e gazetarëve apo bisedat qytetare, u prezantuan si “vijë e kuqe” nga politika e qeverisja e vëndit. Dhe kjo ishte dhe nuk ishte lajm sepse kjo ditë erdhi natyrshëm tashmë që Shqipëria ka atë profil që ka në botë dhe vlerësohet e dëgjohet me vëmëndje prej saj dhe këtu, Rama e PS kanë atë meritë që kanë.
Me këtë takim, kaloi “miu nën mustaqe” dhe u vra “frika” duke krijuar preçedentin për të tjera e tjerë më pas dhe kjo duhet të mirëpritet nga politika, opozita po e po, sepse tashmë kushdo e ka të mundur një ndërmarrje të tillë.
Dozë realiteti ndaj hipnozës nacionaliste
Askush nuk mund të parashikojë reagimin në Greqi. Në perspektivë, ky takim do të shihet si pikë kthese në marrëdhëniet dypalëshe që këto tre dekada kanë prekur e llocur fundin dhe tani vetëm mund të përmirësohen.
Por, me shumë gjasa, sidomos edhe për arsye zgjedhore, për momentin politika greke do të bëjë garë kush të valvisë më lart flamurin nacionalist. Retorika nacionaliste do të shpeshtohet dhe gjasat janë që të rrezatojë edhe poshtë tek qytetari, duke mos përjashtuar edhe tensione atje.
Por, gjërat duhen thënë dhe sikurse “provokacija” e Ramës dikur në Beograd dëshmoi, kur rritet “steka”, e “paimagjinueshja” e djeshme bëhet e zakonshme e ditës. Ligji Luftës, Çamëria, prania qindra mijra vjeçare kuq e zi në shtetin modern grek etj, tashmë nuk janë më biseda mes nesh këtej por ftesë për debat të hapur me fqinjin jugor.
Mbase politika e mjedisi grek mund të trazohen disi për momentin por herët e vonë, Greqia do të mësohet me realitetin e ri. Nacionalizmi ekstrem atje vërtet mund të shfaqet me gjithë larminë e ngjyrave të tij por, sa më shpejt t’a testojë koha atë, aq më shpejt do të zvenitet ai.
Ndërkohë, shoqëria greke, ajo civile, intelektualët mëndjehapur e iluminist, rinia greke aq e ndjeshme ndaj padrejtësive pa dallim etj, do të gjejnë tek e verteta sheshit shansin për të dalë nga hipnoza e qorrsokaku nacionalist iluziv e shterpë shekullor, gëzuar dinjitetin e të parit të tjetrit në sy dhe përqafuar vëllazërisht shqiptarët këtej e matanë kufirit simbolik me Shqipërinë për një të nesërme ku të fituar janë të gjithë.
Zëri i diasporës në Kuvënd
Ky takim nuk ishte një farsë elektorale sepse aty u valvitën vetëm flamuj kuq e zi dhe u fol për të gjithë në emër të të gjithëve. Ai takim ishte gjithshka përveçse shprehje e “nacionalizmit si streha e fundit e maskarenjve” sepse Rama e PS, përtej kritikave me hak, mbeten zgjedhja e vetme dhe e dukshme për më tej dhe nuk ka asnjë arsye të fitojnë pikë me nacionaliza të shtirur sikurse e përflet pala e padukshme përballë.
Takimi dëshmoi se PS e Rama nuk kanë asnjë arsye apo ndrojë zgjedhore të jenë pengesë ndaj votës së diasporës sepse e fituara e madhe do të ishte po ajo nisur nga popullariteti që kryeministri aktual dëshmoi me këtë takim. Kjo “ngrirje” në politikë me PS fituese të bërë bozë, vërtet nuk është inkurajuese për demokracinë por ja që është fakt e po provohet e stërprovohet vazhdimisht.
Dhe nëse kështu, pyetja shtrohet cila është realisht arsyeja që vota e diasporës mbetet retorikë! Masiviteti i takimit dëshmoi se diaspora shqiptare jeton me realitetin në Shqipëri dhe mirëpret të ketë zë në Kuvënd. Ndonëse vota lidhet me taksën dhe në parim kush jeton andej nuk ka punë të diktojë kush qeveris këtej, deputeti i diasporës, sesa diktues koalicionesh apo barazpeshave të pushtetit, është zëdhënësi i pritshmërive, problemeve, qëndrimeve të diasporës ndaj qeverisjeve në shtetin amë.
Si e tillë, diaspora meriton vëmendje e respekt e nëse gjykojmë nga ajo sallë, e fundit që duhet të akuzojë Ramën e PS për mohimin e votës së diasporës, i bie të jetë ai takëm në opozitë që jo vetëm nuk mbështeti mitingun kuq e zi por nxit kundra-miting dhe “belerizmin” arkaik!
Ky takim ekspozoi keqas e rrëzoi plot maska ndër ata që e kanë bërë rrugë t’i bien nga “mullixhiu” sepse lojrat politike e nxitjet kundër ngjarjeve kuq e zi janë të papranueshme e nuk mund të justifikohen me emrat e ditës. Sot qëlloi Rama, dje ishte Berisha (liberalizimi i vizave, hyrja në NATO), nesër tjetëkush.
Diaspora meriton përfaqësim si për numrin e stërmadh të saj ashtu edhe kontributin në ekonomi.
Në kohën e Inteligjencës Artificiale, internetit pakufi, dixhitalizimit etj, kjo është e mundur të bëhet në kohë rekord. Ajo çfarë mbetet të vendoset është se kush duhet të votojë (rastet kur nuk kanë më shtetësi shqiptare, brezi i tretë e më tej, numri i vëndeve e shpërndarja sipas vëndeve nisur nga masa e emigracionit etj).
“Menuja” e re në tryezë
Një mesazh i mirëpritur i Ramës në Athinë, nuk sheshon e i vë kapak problemeve të brëndëshme që lidhen me qeverisjen e tij por çdo gjë në kohën e vëndin e vet. Ajo ishte ditë kuq e zi dhe Rama duhet përgëzuar që na përfaqësoi denjësisht.
Ajo që pritet tashmë është që tryeza me Greqinë të mos lërë mënjanë asgjë. Nga Çamëria, ligji i luftës, të drejtat e arvanitasve, emigrantëve të viteve 90, vëndet përkujtimore të genocidit ndaj popullisë çame etj sfida që bëjnë bashkë fillin historik kuqezi të këputur kaq gjatë në Greqi. Bota arbëreshe, arvanitase dhe ajo shqiptare i falen të njëjtit flamur e histori dhe forcimi kuq e zi në rajon është garanci për vetë paqen e harmoninë afatgjatë atje.
Ky takim nuk ishte karshillëk ndaj Greqisë për të treguar se teprimi e bërja bozë me “belerizmat” greke këtej janë pako gjë krahasuar me atë që politika shqiptare mund të realizojë andej, qoftë Athinë, viset arvanitase apo Çamëri. Ky takim ishte ftesë e sfidë për të parë të shkuarën në sy dhe lënë pas pakthim atë në dobi të së ardhmes mes “binjakëve” historik që politika i ndau me kufinj, gjuhë, flamuj e himne ndonse janë bashkë në një shtëpi mijra vjet.
Mesazhi i këtij takimi meriton vëmëndje e respekt sepse nuk tenton të krijojë kulte barazpeshe në rajon por zhbërje kultesh mes popujve që nuk bëjnë dallim. Jo vetëm sepse ndanë bukën e ujin mijra vjet mes veti por edhe se kuq e zi është andej i paanë si deti!
Gjërat e mira duan kohë dhe takimi kuq e zi shtypi “butonin” e numërimit mbrapsht.
—-
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016
