Javën që lamë pas u mbajt në Paris, në teatrin Concorde, një samit i parë botëror kundër oligarkisë ndërkombëtare, ku morën pjesë ekonomistë (ndër ta edhe fituesi i çmimit Nobel, Joseph Stiglitz), studiues, sindikalistë dhe politikanë, në një klimë besimi të ripërtërirë, pas votimeve në SHBA dhe me lëvizjet në sheshe që kërkojnë drejtësi.
U publikua një manifest që tregon një rrugë për t’u ndjekur. Pjesëmarrësit nënvizuan nevojën për një model të ri zhvillimi, i cili nuk është as ai i Kinës dhe as ai i SHBA-së, i bazuar në rishpërndarjen e drejtë të përfitimeve.
Referenca është «taksa Zucman». Një taksë minimale prej dy për qind mbi pasuritë mbi 100 milionë euro do të mblidhte 67 miliardë në vit, vetëm në Evropë.
Pasuria ekstreme dhe shpërthimi i saj përbëjnë rrethanën kryesore shoqëror të epokës sonë, siç pohon ekonomisti Gabriel Zucman, ndër nismëtarët e kësaj nisme.
Në vitin 1987 ishin 0,0001% e më të pasurve, të cilët zotëronin një pasuri të barabartë me 3% të PBB-së botërore. Sot, i njëjti fraksion i popullsisë botërore (që përfaqëson rreth tremijë familje), zotëron një pasuri të barabartë me 17% të PBB-së botërore. Kjo është e barabartë me të ardhurat vjetore të më shumë se 500 milionë familjeve.
Objektivi është të ndërtohet kundër kësaj pakice oligarkike një koalicion ndërkombëtar demokratik.
Pasuria ekstreme është gjithmonë një pushtet ekstrem, që përfshin pushtetin për të ndikuar ideologjinë dominuese duke kontrolluar mediat; pushtetin për të vendosur mbi drejtimin që do marrin ndërmarrjet e mëdha shumëkombëshe që po zhvillojnë teknologjinë e Inteligjencës Artificiale; pushtetin për të ndikuar politikat publike dhe proceset zgjedhore.
Baza për këtë aleancë ndërkombëtare demokratike duhet të jetë drejtësia fiskale. “Taksa Zucman” parashikon gjithashtu një pagesë të vetme (una tantum) prej 25% për të shlyer të kaluarën dhe vrimën e madhe fiskale të akumuluar tashmë. Edhe Joe Biden e përmendi këtë masë në fjalimin e tij të lamtumirës.
Kërcënimi ekzistencial kundër demokracisë lidhet edhe me informacionin, i cili nuk është një mall si të tjerët – thotë manifesti i hartuar, i cili propozon një të drejtë revokimi ndaj aksionerëve që do të thotë t’u jepet gazetarëve / punonjësve / organeve mbikëqyrëse një mekanizëm vetoje ose revokimi, kur aksionerët përpiqen të imponojnë apo të ndryshojnë çfarë shkruhet dhe raportohet. Kjo është një normë e Këshillit Kombëtar të Rezistencës në Francë në fund të Luftës së Dytë Botërore, e pazbatuar kurrë më pas.
Ky rrjet ndërkombëtar duhet të ketë mundësi të investojë në terrenin e teknologjive të reja, të cilat kontrastojnë pushtetin oligarkik dhe mbipushtetin e shumëkombësheve. Zhvillimi i AI-së duhet t’u besohet fondacioneve ndërkombëtare jofitimprurëse, për t’u dhënë qytetarëve kontroll mbi evolimin, i cili tashmë përfshin jetën e të gjithëve, me tepricën e kërkesës për energji, ujë, toka dhe kapitale. Në ndërmarrje, punonjësit duhet të kenë pushtete vendimmarrëse, tani të rezervuara për një pakicë aksionerësh dhe drejtuesish.
Çfarë ka në proces në dobi të këtij organizimi
Rezultati negativ i referendumit në Kaliforni për taksimin prej 5% ndaj miliarderëve sinjalizon vështirësi. Por OECD (organizata që mbledh vendet më të pasura të botës) së bashku me G20 (të dyja bashkë bëhen më shumë se 140 vende) e kanë diskutuar për vite me radhë një taksim minimal ndërkombëtar prej 15% të fitimeve të shumëkombësheve të cilat kanë një xhiro më të madhe se 750 milionë euro. Edhe tani është opsion në diskutim. Por administrata Trump ka njoftuar se do bojkotojë zbatimin. Ashtu siç ka bërë me rregulloren evropiane të Digital Service Act dhe Digital Market Act.
Në OKB ndërkohë, po diskutohet një projekt-traktat shumëpalësh për bashkëpunim fiskal, sipas modelit të konventës për ndryshimet klimatike të Rios të vitit 1992. Negociatat rifillojnë në Nairobi në fund të muajit dhe një miratim mund të ndodhë në vitin 2027 ose 2028 (vetëm SHBA dhe Argjentina votuan kundër hapjes së negociatave në vitin 2024, evropianët abstenuan, ndërsa 125 vende e miratuan nismën).
Cilat janë pengesat për një organizim të tillë
E gjithë nisma përplaset si fillim në murin e parajsave fiskale, të cilat vazhdojnë të lulëzojnë në botë (aty janë fshehur të paktën 3.500 miliardë, sipas Oxfam-it). Këto parajsa po funksionojnë pavarësisht probleme që sjellin jo vetëm në Singapor apo në ishujt Kajman, por edhe në BE. Megjithëse asnjë vend i bllokut nuk figuron në listën e juridiksioneve fiskale jobashkëpunuese me drejtësinë, Holanda, Luksemburgu, Qiproja, Malta, Irlanda, Hungaria dhe Bullgaria përmenden shpesh nga OJQ-të monitoruese se favorizojnë paratë e korrupsionit dhe burime të tjerë të errët në sistemin e tyre bankar.
Mur pengues është sigurisht fuqia e madhe financiare e shumëkombësheve. Amazon ka një vlerësim në bursë të barabartë me PBB-në e Francës (rreth tremijë miliardë), SpaceX është vetëm pak më poshtë se PBB e Italisë. Anthropic është në kuotën 1.500 miliardë dhe parashikon investime prej 900 miliardë në infrastrukturën informatike.
Pavarësisht bllokimeve që has çdo përpjekje për rregullim dhe drejtësi fiskale, po bëhet gjithnjë e më e qartë se një oligarki planetare, një pakicë absolute, dominon botën dhe përcakton jetën e të gjithëve, kudo, veçanërisht në mënyrën si ndahen burimet e përbashkëta. Ky realitet po bëhet i dukshëm. Çështja nuk është më nëse ekziston kjo pabarazi ekstreme, por nëse shoqëritë demokratike, do të gjejnë forcën për t’i vënë kufij përpara se ky megapushtet të bëhet i pakthyeshëm.
