Speleologët në Bosnjë-Hercegovinë kanë regjistruar 36 ekzemplarë të proteut shpellor (Proteus anguinus) brenda shpellës Golubinka, në zonën e karstit dinarik mes Međugorjes dhe Ljubuškit, ndërsa vlerësimi i përgjithshëm për popullsinë lokale e kalon shifrën e 130 individëve.
Për studiuesit e faunës nëntokësore, ky zbulim është më shumë se një kuriozitet natyror. Proteu — amfibi i zbehtë i ujërave të errëta karstike që ruan tiparet e larvës gjatë gjithë jetës — mbijeton vetëm aty ku rrjedha e ujit është qëndrueshme dhe shumë e pastër. Sistemi i çarjeve dhe kanaleve gëlqerore në karst e bën ujin nëntokësor të cenueshëm ndaj shkarkimeve, mbetjeve dhe ndryshimeve hidrologjike, prandaj prania e një bërthame kaq të madhe individësh flet është befasuese.
Edhe pse raporti vjen nga Hercegovina, vlera e tij për rajonin mbetet e drejtpërdrejtë: karsti dinarik shtrihet përgjatë bregdetit dhe brendësisë së Ballkanit perëndimor, ku ujërat nëntokësorë dhe shpellat mbeten ndër hapësirat më pak të eksploruara dhe të ekspozuara ndaj presionit njerëzor.
Proteët janë amfibë ujorë nëntokësorë (të afërt me salamandrat, të rendit Urodela) që jetojnë të mbyllur në ujërat e errëta të shpellave dhe kanaleve gëlqerore — nga Italia veriperëndimore dhe Sllovenia deri në Kroaci, Bosnjë-Hercegovinë e Mal të Zi.
Ata nuk janë peshq, por amfibë të përshtatur ekstremisht për jetën në errësirë të plotë dhe mbijetojnë me dekada në mjedise ku ushqimi mungon për periudha të gjata.
Kanë formë të hollë, si gjarpër i vogël ose ngjalë e zbehtë, me lëkurë rozë të lehtë ose të bardhë (pa pigmente mbrojtëse nga dielli, sepse në shpellë nuk ka dritë).
Pas kokës mbajnë tufa të jashtme gushash me ngjyrë të kuqe ose rozë (nga gjaku i oksigjenuar). Ky është një tipar i rrallë i njohur si neoteni: proteu ruan formën dhe tiparet larvare edhe kur rritet dhe riprodhohet.
Nuk shohin me sy si kafshët sipërfaqësore; sytë e pazhvilluar janë të fshehur nën lëkurë. Në vend të shikimit, orientohen me receptorë kimikë dhe mekanikë (ndiejnë lëvizjet e vogla të ujit dhe grimcat në errësirë).

Pse quhen “peshk-njeri” dhe pse kanë rëndësi?
Emri popullor në disa gjuhë ballkanike (čovječija ribica) lindi sepse ngjyra e zbehtë e lëkurës u ngjante banorëve të zonave karstike, ndërsa forma e trupit në ujë dukej si peshk i vogël.
Janë ndër amfibët më jetëgjatë; shumë individë jetojnë disa dekada (shpesh 50–70 vjet, e madje edhe më tepër në kushte të qeta). Ushqehen me organizma të vegjël ujorë të shpellave, si krustace të imëta, kërmij uji dhe larva insektesh. E pazakontë është se mund të qëndrojnë për muaj ose vite pa ngrënë duke ulur shpenzimin e energjisë dhe madje duke zvogëluar gradualisht masën trupore.
Ujërat nëntokësore në karst lëvizin shpejt përmes çarjeve gëlqerore pa pasur filtrimin e gjatë të tokave të trasha. Prandaj, prania e protejve tregon një sistem ujor të mbrojtur nga ndotja kimike, mbetjet dhe ndryshimet e rënda të rrjedhës.
d.xhima / dita
