Ramazan Kica
Në vitin 1992 një grup pune i Maqedonisë (i përbërë nga disa specialistë) bëri gërmime arkeologjike në kompleksin e qytetit antik të Stobit. Grupi i punës drejtohej nga arkeologia Gordana Spasovska Dimitrioska (1941 – 2011).
Ndër të tjera aty në Gradsko, rreth 3 km., në veri të Stobit të lashtë që shtrihej pikërisht aty ku Erigoni i lashtë (sot lumi Crna) derdhej në Aks, grupi i punës zbuloi një varr me mbishkrime. Materialin e përfundimit të grupit të punës, për këtë varr e publikoi Dimitrioska në vitin 1995 në “MACEDONIAN ARCHAEOLOGICAL ASSOCIATION” (më poshtë: “Димитриоска”).
Ky varr u quajt “Varri i shkruesit” (i cili teknikisht u emërtua “varri 698”).
Varri ishte i ndërtuar me “pllaka guri të thjeshta në formë cisti (3) dhe gurë varri të ngjitur me llaç gëlqereje; si dhe i mbyllur hermetikisht”.(Димитриоска; f. 123)
Në këtë varr (varri 698) përveç sendeve personale, gjërave zbukuruese, monedhave etj., u gjetën dhe mjete shkrimi, enë materiali shkrues, si dhe një “libër” i përbërë nga “13 pllaka prej druri” (Димитриоска; f. 123), fatkeqësisht i dëmtuar dhe i pa lexueshëm.
“Pas analizës së materialit osteologjik u konstatua se në varr janë varrosur 3 të vdekur – një grua dhe dy burra”, (Димитриоска; f. 125). U arsyetua që “në varr duhet të jetë varrosur një familje, me sa duket nënë, baba dhe bir në periudhën nga fundi i shekullit III deri në mesin e shekullit të IV pas Krishtit”. (Димитриоска; f. 135).
Në ndërtimin e varrit, përveç materialeve gurore dhe llaçit prej gëlqereje, përmendim “një stelë” dhe “dy gurë varri”.
Stela (pra flasim në këndvështrim të përgjithshëm, pllaka e sipërme e varrit) është e ndarë horizontalisht në tri fusha, ku në njërën prej saj ka një mbishkrim në greqishten antike, në tre rreshta, pjesërisht i dëmtuar. Këtë shkrim ia ka dedikuar gruaja (e varrosur po aty) burrit të saj të dashur (gjithashtu dhe ai i varrosur po aty). Me ç’duket të ndjerët e varrosur në këtë varr janë vënë aty në kohë të ndryshme (sipas kohës së vdekjes); ku fillimisht ka vdekur djali, pastaj i ati dhe në fund e ëma.
Në mbishkrimin e gurit (pasi u kuratua dhe u transkriptua) shkruhet: … ]MENH ЕРМН [Г]ΛУКУТАТΩ AN[ΛPI MN]EIAC XAPIN, (Димитриоска; f. 129), të cilin e lexoi prof. N. Proeva (Димитриоска; f. 129), ku thuhet: “Сопругата (името оштетено) му подига споменик на својот сакан сопруг” (Gruaja [emri i dëmtuar] i ngre një monument burrit të saj të dashur). (Димитриоска; f. 129).
Në dy pllakat prej guri (të cilat konsiderohen si një e ndarë për mesi) në anën e brendshme ka një mbishkrim në greqishten antike, të realizuar në dy rreshta, që pasi u uratua mori formën:
“ΦΛ[ABIΩ] AΛBANΩ TΩ T[E]KNΩ A MIΛIANOΣ AΛBANO[Σ] MNHM[H]Σ NAE”, që në maqedonisht u përkthye:
“На своето дете Флавиј Албанос, Емилијан Албанос за спомен”. (Димитриоска; f. 131).
Në fakt kjo fjali (në maqedonisht) paraqet mjaft vështirësi, sepse nuk është fjali e saktë dhe e rregullt.
Mësuesi i gjuhës shqipe Hasan Shahinaj, që e njeh gjuhën maqedonase jo më pak se shqipen, përktheu:
«Në shqip, fjalia fillon: “Djalit të dashur Flavi Albano” …»
Pra, shkrimi i dedikohet të birit që quhet Flavi Albani. Në vazhdim përmendet dhe Emiljan Albani, ku është dhe një fjalë me kuptimin “kujtim”.
Për ne është shumë i rëndësishëm fakti që, të paktën dy nga të ndjerët e varrosur në varrin e shkruesit në Stobi janë Albanë; Albanë të fundit të shekullit III dhe fillimit të shekullit IV të erës sonë.
Nuk duhet vënë në dyshim fakti që mbiemri Albani që kishin dy të ndjerët e varrosur aty (në mundësinë më të madhe babë e bir) tregon që ato ishin me prejardhje nga qyteti Alban; pra i përkisnin fisit të Albanëve (me qendër në qytetin Alban, sot Qytet Valikardhë).
Gjithashtu shtojmë që ekzistenca në Stobi e banorëve nga qyteti Alban mbështet lëvizjen e njerëzve drejt Vardarit, në rrugën Alban (Valikardhë) – hyrja e grykës Radikës – Kllenoec – Kërçovë – Prilep (fusha e Pelagonisë) – lugina e Vardarit.
Është mjaft domethënës fakti mbi shkruesin e zbuluar në një varr në Stobi dhe nga e vërteta që “ai është njeri i puplave (pendës), i arsimuar dhe i përkiste klasës më të lartë të komunës Stob”. (Димитриоска; f. 129). Pra Emiliano Albani (dhe familja e tij) nuk ishte thjeshtë një individ popull; ai ishte bir i arsimuar i Qytetit Alban në Valikardhë që i përkiste klasës më të lartë të komunës së Stobit.
Më e veçanta, dhe mjaft keqardhëse për ne sot, është fakti i tmerrshëm që zbuloi në të ndjerët e varrosur në Stobi grupi i arkeologëve maqedonas:
“Një gjë që mbetet mjaft enigmatike janë frakturat e kockave të duarve të djathta, humerusit dhe radmusit, të vëzhguara në të dy skeletet mashkullore. Kompletet e shtrëngimit përcaktojnë profesionin e tyre dhe frakturat ngritën pyetjen se si janë thyer duart e djathta; aksidentalisht apo qëllimisht? Duke marrë parasysh ngjarjet politike dhe fetare në rrjedhën e shekullit III dhe IV të erës sonë, nuk duhet të habitemi nëse këta shkrimtarë janë dënuar për ndonjë arsye pikërisht në këtë mënyrë. Gjithsesi, për ne do të mbetet mister”. (Димитриоска; f. 135).
Fiset barbare (gotët) në atë kohë kishin filluar rrënimet, plaçkitjet, djegiet, vrasjet etj., në territoret dhe qytetet e Perandorisë Romake, ku bënin pjesë dhe territoret e katragjyshërve tanë (sot, Shqipëri, Maqedoni e Veriut etj). Natyrisht që të arsimuarit ishin epiqendra e sulmit të tyre. Me ç’duket dy shkrimtarët e varrit të shkruesit në Stobi u dënuan me vdekje torturuese duke ju thyer kocat e krahut të djathtë; pikërisht atë me të cilin shkruanin. Natyrisht që varrimi i tyre është bërë në ditët në vazhdim nga popullsia që i donte dhe respektonte, ose në një kohë të dytë.