Erion Veliaj vijon përplasjen në distancë me Edi Ramën, këtë herë përmes një mesazhi drejtuar socialistëve të Tiranës, në një ditë kur kryeministri do të mbledhë Asamblenë e Partisë Socialiste në kryeqytet.
Nga qelia e burgut të Fierit, kryebashkiaku i pezulluar nuk kursen ironitë dhe thumbimet ndaj drejtimit të partisë, duke vënë në pikëpyetje mënyrën se si Rama po trajton strukturat socialiste.
Në mesazhin e tij, Veliaj shpreh pakënaqësinë për atë që e cilëson si një parti ku drejtuesi u hakërrehet socialistëve që e kanë mbështetur, ndërsa besnikëria ndaj liderit duket se ka marrë më shumë rëndësi sesa parimet politike.
Duke iu drejtuar socialistëve të Tiranës, ai rikthen në vëmendje organizimin e PS-së që prej vitit 2015, kur, sipas tij, ndërtuan një strukturë politike të mbështetur te puna, progresi dhe angazhimi qytetar. Veliaj pretendon se fitoret elektorale të asaj periudhe nuk erdhën nga bandat apo grupet kriminale, por nga puna dhe kontributi i militantëve socialistë.
“Prej vitit 2015 ndërtuam bashkë një organizatë që besonte te puna, progresi dhe qyteti. Fitoret tona nuk na i dhanë as bandat, as krimi dhe as të fortët. Ato i ndërtuam me djersën e socialistëve dhe qytetarinë e Tiranës.”, thekson Veliaj.
Por mesazhi i tij përmban edhe një sulm të drejtpërdrejtë ndaj njerëzve që, sipas tij, kanë zënë vendin e socialistëve të vjetër në strukturat drejtuese. Me ironi, ai i cilëson ata si “ministruca e drejtoruca”, të cilët, sipas tij, synojnë të kontrollojnë territore përmes privilegjeve dhe jo të fitojnë mbështetjen e qytetarëve.
Më tej, ai ironizon mënyrën e drejtimit të partisë, duke shkruar se mijëra vota dhe vite sakrificash po fshihen me një klithmë të liderit, ndërsa besnikëria e verbër ndaj tij po mbizotëron mbi besnikërinë ndaj parimeve.
“Ne ndërtuam një parti zemrash, jo një hordhi privilegjesh!”, shkruan Veliaj, në një tjetër mesazh që duket se synon të godasë mënyrën se si po funksionojnë sot strukturat e Partisë Socialiste në kryeqytet.
Pavarësisht se ndodhet pas hekurave, Veliaj thekson se nuk i ka humbur bindjet dhe as përgjegjësinë për organizimin që thotë se ka ndërtuar së bashku me socialistët e Tiranës. Në fund, ai u bën thirrje të mos lejojnë që, sipas tij, pushteti i pamerituar të zëvendësojë historinë dhe kontributin e tyre politik.
Mesazhi vjen në një moment kur Edi Rama pritet të zhvillojë takimin me Asamblenë e PS-së së Tiranës, duke e kthyer komunikimin e Veliajt nga burgu në një sfidë të hapur politike ndaj drejtimit të kryeministrit.
“Të dashur miq dhe socialistë të Tiranës!
Prej vitit 2015 ndërtuam bashkë një organizatë që besonte te puna, progresi dhe qyteti. Fitoret tona nuk na i dhanë as bandat, as krimi dhe as të fortët. Ato i ndërtuam me djersën e socialistëve dhe qytetarinë e Tiranës.
Po a jemi ende ajo parti?
Hidhni një sy nga shoku në krah. A është ende socialisti me të cilin ndamë betejat dhe fitoret, apo vendin e tij e kanë zënë ministruca e drejtoruca, që pushtojnë territore me privilegje, në vend që të pushtojnë zemrat e qytetarëve?
Më pikëllon të shoh një parti ku drejtuesi u hakërrehet socialistëve që e ngritën në krye, ku mijëra vota e vite sakrificash fshihen me një klithmë të tij dhe ku besnikëria e verbër ndaj tij vlen më shumë se besnikëria ndaj parimeve.
Ne ndërtuam një parti zemrash, jo një hordhi privilegjesh!
Unë sot vërtet i kam duart e lidhura, por jo kujtesën, bindjet dhe përgjegjësinë për atë që ndërtuam bashkë.
Tirana është qyteti i rinisë, kulturës dhe optimizmit. Tirana është zemra jonë e madhe.
Ruajeni qytetarinë dhe djersën socialiste. Mos lejoni që historia jonë të zëvendësohet nga pushteti i pamerituar.
Me mall, respekt, përulje dhe mirënjohje,
Miku dhe shoku juaj,
Socialisti me duar të lidhura
Erion Veliaj”, shkruan Veliaj.
j.l./ dita
