Vdekja e 79-vjeçares Zhulejta Ruvina, e gjetur në apartamentin e saj në Pogradec tre ditë pasi kishte ndërruar jetë, është një kronikë e rëndë e përsëritur. Por veç kësaj, ajo është pika ku kryqëzohen disa procese të pashmangshme që po riformësojnë shoqërinë shqiptare, si shpopullimi i qendrave të vogla, plakja e përshpejtuar e popullsisë, shkëputja fizike e brezave për shkak të emigrimit, mungesa e infrastrukturës për kujdesin shoqëror.
Rasti në fjalë ka një detaj thelbësor që e bën akoma më domethënës. E ndjera nuk ishte e braktisur në kuptimin klasik të fjalës. Fëmijët jetonin në SHBA, kujdeseshin në distancë dhe ajo madje kishte kaluar periudha pranë tyre, para se të kthehej në vendlindje. Ky fakt e zhvendos problemin nga “mungesa e dashurisë familjare” te pamundësia strukturore e jetës në distancë. Dashuria dhe mbështetja financiare nga jashtë nuk e zëvendësojnë dot praninë e përditshme, vëzhgimin rutinor, reagimin e shpejtë kur ndodh e papritura.
Për dekada të tëra, emigrimi shqiptar është lexuar kryesisht përmes remitancave, rritjes së konsumit, zbrazjes së tregut të punës, etj. Më rrallë është analizuar si një ndryshim i heshtur i strukturës familjare, ku brezi i tretë mbetet pas në banesa gjithnjë e më të izoluara.
Dikur, familja e zgjeruar ose lagjja funksiononin si një amortizator i natyrshëm për të moshuarit. Sot, kur fëmijët ndodhen mijëra kilometra larg, çdo episod i shëndetit ose i jetës së përditshme bëhet i rrezikshëm.
Rikthimi i të moshuarve në vendlindje, për qetësi, kujtime, pronë ose ritëm më të njohur, përballet me një realitet më të brishtë se sa duket në telefon.
Në qytete si Pogradeci, ku numri i të moshuarve që jetojnë vetëm llogaritet në rreth 800 persona, pa llogaritur njësitë administrative, në një qark me mbi 60 mijë pensionistë, vetmia fshihet lehtë pas dyerve të mbyllura. Mungesa e një personi vihet re vetëm kur kalojnë ditë.
Në raportimet mbi ngjarjen në Pogradec, institucionet lokale thonë se shërbimi social se nuk ka kapacitete për shërbim në banesë. Ky pranim tregon se politika sociale e moshës së tretë ka mbetur prapa ritmit të realitetit demografik. Citohet institucioni lokal të thotë se zgjidhja “do të ishte një qendër rezidenciale”. Kjo tingëllon më shumë si dëshirë e shprehur për të kaluar radhën me mediat, sesa një politikë e financuar dhe e zbatueshme.
Por edhe vetë ideja e qendrave rezidenciale kërkon një qasje më realiste dhe të nuancuar. Jo të gjithë pranojnë institucionet Shumë të moshuar nuk duan të largohen nga shtëpia, nga lagjja apo nga pavarësia e tyre e pakët, aq më tepër kur nuk kanë probleme të rënda shëndetësore që e bëjnë jetën në banesë të pamundur.
Shërbimi në banesë është hallka e parë. Për të moshuarit që jetojnë vetëm, nevoja imediate nuk është domosdoshmërisht azili. Monitorimi i rregullt, vizitat e punonjësve socialë ose infermierëve, butoni i emergjencës, mbështetja në përditshmëri janë politika të njohura për shtetet sociale.
A kemi politikanë, deputetë, administratorë pushteti në qendër apo qarqe që kanë vullnetin dhe mjetet për ti zgjidhur këto probleme realisht jo për shou e për podkaste? Deri tani kemi parë “aksione”, por zgjidhje afatgjata, jo. Duhet ditur që nuk është vetëm cështje humanitare. Mosveprimi në vetvete krijon kosto, nëse shteti dhe bashkitë investojnë pak ose aspak në parandalim dhe kujdes komunitar.
Shqipëria po plaket shpejt dhe po zbrazet njëkohësisht. Raste si i Zhuljeta Ruvinës janë paralajmërime të qarta se vetmia e të moshuarve nuk është një çështje rastësore. Duhen politika të qëndrueshme të kujdesit të afërt, mekanizma mbështetës për familjet me emigrantë. Pa investime reale në shërbimet sociale vendore, raste të tilla do të vazhdojnë të përsëriten.
DITA
