Protestat e nisura nga pedagogët duket se kanë nisur të japin rezultate, pasi Qeveria ka vendosur që të rishikojë pagat e tyre. Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave është konfirmuar edhe vendimi për rritjen e pagave për stafet akademike të strukturave publike të arsimit të lartë në vend. Ka qenë vetë ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi që në përfundim të mbledhjes ka bërë publike masën minimale dhe maksimale të rritjes së pagave për pedagogët. Konkretisht, pagat e pedagogëve do të të rriten deri në 15 për qind, rritje nga e cila 7 për qind do të mbulohet nga buxheti i shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të paguhet nga vetë universitetet në varësi të të ardhurave që ato realizojnë nga burimet e tyre.
”Sot në Këshillin e Ministrave morëm një vendim shumë të rëndësishëm që lidhet me pagat e pedagogëve në të gjitha universitetet publike në vend. Është një vendim për të cilin po punojmë prej disa kohësh në bashkëpunim të ngushtë me vetë universitetet. Që nga rektorët, por edhe stafet dhe gjithë komuniteti i pedagogëve. Kemi vendosur që pagat e pedagogëve të rriten deri në 15 për qind, ku 7 për qind do të mbulohet nga buxheti i shtetit, ndërkohë që pjesa tjetër do të paguhet nga universitetet në varësi të të ardhurave të tyre, me autonominë që gëzojnë me vendimmarrjen e tyre në senatet akademike dhe bordet e administrimit që mund të miratojnë edhe përtej këtij niveli minimal. Pra kemi kufirin maksimal me një rritje prej 15 për qind, si dhe kufirin minimal prej 7 për qind që do mbulohen nga buxheti i shtetit”, deklaroi ministrja Kushi.
Sipas saj, ky vendim i miratuar nga Qeveria, është një vendim i rëndësishëm që nxit edhe rritjen e vetë performancës nga ana e universiteteve. Kjo pasi duke rritur më shumë të ardhurat e tyre, natyrisht shtohet edhe më shumë mundësia për të rritur pagat e pedagogëve.
Ministrja Kushi ka theksuar më tej se mbështetja financiare për strukturat e arsimit të lartë, si dhe për stafet akademike nuk do të ndalet me këtë rritje, por do të vazhdojë edhe më tej në vitet e ardhshme. “Ne tashmë jemi duke diskutuar për buxhetin e vitit 2023 dhe mbështetja për universitetet do të jetë edhe më e madhe. Por duhet të kuptojmë edhe një specifikë, që shpesh ma bëjnë pyetje në lidhje me mësuesit, policët, punonjësit që u është rritur paga edhe më parë. Duhet të kuptojmë që pedagogët, komunitet të cilit kam nderin t’i përkas, të ardhurat i sigurojnë jo vetëm nga paga bazë, por kanë edhe shumë mundësi të tjera, ndryshe nga mësuesit apo policët që kanë vetëm pagat mujore. Jo vetëm nga buxheti por edhe nga programet e kërkimit shkencor të BE”, vuri në dukje ministrja Kushi.
Pedagogët të vendosur për vijimin e protestave
Protesta e pedagogëve ka vazhduar edhe gjatë ditës së djeshme. Për më shumë se një orë, pedagogët e strukturave publike të arsimit të lartë u mblodhën pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, duke kërkuar plotësimin e kushteve të tyre. Ndërkohë që rritjen e konfirmuar nga qeveria e kanë cilësuar si të pamjaftueshme, duke paralajmëruar kështu se nuk do të heqin dorë nga protestat. Ata kanë bërë me dije se tubimi i radhës do të zhvillohet në datën 17 tetor, ditë në të cilën është planifikuar edhe nisja e vitit të rri akademik 2022-2023. “Duke pritur kryeministrin të realizojë kërkesën e ofertës tonë, me krizën që supozon kryeministri, ne i kemi ulur kërkesat tona. Duke ju falënderuar, nëse nuk kemi një përgjigje dinjitoze, në datën 17, do të jemi serish në proteste. Të jemi të qartë Sindikata i ka përkrahur protestat edhe të studentëve. Mendojmë që ato ishin të drejta”, ka deklaruar gjatë ditës së djeshme kreu i Sindikatës se Pedagogeve, Aleksandër Koçavi. Më tej ai ka shtuar se: “E mirëpresim kryeministrin për rektoratin, por jo lëmoshë apo karamele. Me lëmoshë nuk gënjehemi. Bëhet fjalë për qëndrim esencial ndaj arsimit të lartë publik, që t’i përgjigjet ekonomisë së vendit dhe kërkimit shkencor. Pa kërkim shkencor, nuk ka zhvillim. Rritja 50 për qind për dy vite është e panegociueshme”
Mbështetja e qeverisë për strukturat e arsimit të lartë
Pas mbledhjes së qeverisë, ministrja Kushi ka shtuar se po punohet më tej për shtimin e mbështetjes për strukturat e arsimit të lartë. Sipas saj, mbështetja e qeverisë shqiptare për universitetet dhe pedagogët nuk është vetëm rritja e pagave, ka edhe shumë aspekte të tjera, duke filluar që nga mbështetja e kërkimit shkencor, e infrastrukturës së universiteteve për të cilat ne gjatë viteve të fundit e kemi e rritur ndjeshëm mbështetjen për universitetet.
“Konkretisht ne e kemi rritur buxhetin për kërkimin shkencor nëpërmjet AKKSHI vetëm në këtë vit ne e kemi dyfishuar me 79 milionë lekë buxhetin për kërkimin shkencor që bëjnë vetë pedagogët, e cila është pagesë përtej pagës bazë që fola pak më parë. Po kështu kemi 250 milionë lekë për sa i përket infrastrukturës së kërkimit shkencor. Gjithashtu risi ishte dhe buxheti prej 400 milionë lekësh për ndërkombëtarizimin e universiteteve, ku natyrisht një pjesë ishte infrastrukturë, laboratorë të kërkimit shkencor për të mbështetur programet e përbashkëta apo të dyfishta, por edhe një pjesë ishte për të mbuluar kostot, pagat e pedagogëve shkëmbimet dhe plot procese të tjera që duhet për të mbuluar programet e përbashkëta apo të dyfishta”, deklaroi më tej ministrja Kushi.
Kategoritë e personelit akademik në strukturat e arsimit të lartë
- Personeli i institucioneve të arsimit të lartë përbëhet nga personeli akademik, personeli ndihmësakademik dhe personeli administrativ. Personeli i institucioneve të arsimit të lartë mund të jetë i punësuar me kontratë, me kohëzgjatje të pacaktuar ose të caktuar, si edhe me angazhim me kohë të plotë ose me kohë të pjesshme
- Personeli akademik në institucionet e arsimit të lartë kryen veprimtari të mësimdhënies, të kërkimit shkencor, shërbime për mbështetje dhe zhvillim të institucionit të arsimit të lartë, këshillim për studentët si dhe veprimtari të tjera.
- Personeli akademik mund të jetë me orientim mësimor ose kërkimor-shkencor. Personeli akademik në institucionet e arsimit të lartë, sipas rolit dhe veprimtarisë që kryen, kategorizohet në: Profesorë; Lektorë; Asistent-lektorë.
- Në kategorinë “Profesorë” përfshihen anëtarët e personelit akademik, titullarë të lëndëve ose moduleve dhe udhëheqës të veprimtarisë kërkimore-shkencore. Anëtarët e personelit akademik të kësaj kategorie mbajnë titujt akademikë “Profesor” ose “Profesor i asociuar”. Kjo kategori punësohet me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar.
- Në kategorinë “Lektorë” përfshihen anëtarët e personelit akademik, që zhvillojnë veprimtari mësimore dhe kërkimore-shkencore. Në këtë kategori përfshihen anëtarët e personelit akademik që mbajnë gradën shkencore “Doktor”, kanë së paku tre vite eksperiencë në mësimdhënie para ose pas fitimit të kësaj grade dhe përmbushin kriteret e përcaktuara në statutin e institucionit të arsimit të lartë. Kjo kategori punësohet me kontratë me kohëzgjatje të pacaktuar.
- Në kategorinë “Asistent-lektorë” përfshihen anëtarët e personelit akademik që zhvillojnë veprimtari mësimore-kërkimore. Asistent-lektorët duhet të kenë së paku diplomën “Master i shkencave” dhe të përmbushin kriteret e përcaktuara në statutin e institucionit të arsimit të lartë. Asistent-lektori punësohet me kontratë me kohëzgjatje të caktuar.
- Personeli akademik, që angazhohet në mësimdhënie, duhet të ketë së paku kualifikim të ciklit pasardhës. Në kolegjet profesionale të larta, personeli akademik duhet të ketë fituar së paku diplomën “Master profesional”.
- Raportet ndërmjet veprimtarive të ndryshme për personelin akademik përcaktohen nga institucioni i arsimit të lartë. Ngarkesa e plotë mësimore për personelin akademik në institucionet publike të arsimit të lartë përcaktohet nga institucioni, në përputhje me udhëzimin përkatës të ministrit përgjegjës për arsimin. Në institucionet jopublike ngarkesa minimale përcaktohet nga vetë institucioni.
