Nga Xhevat Lloshi
Për librin e parë shqip të vitit 1555 është e natyrshme që ka një literaturë të gjerë. Botimi më 1968 me titullin “Meshari” i Gjon Buzukut në dy pjesë nga Eqrem Çabeu ishte jo vetëm një punë e jashtëzakonshme, por edhe një arritje madhore e gjuhësisë shqiptare. Kapërceheshin me këtë trajtimet që i ishin bërë deri atëherë këtij libri, i cili njihet si i pari në gjuhën shqipe, sepse siç e thoshte vetë E. Çabeu: “studimet e gjertanishme janë o tepër të shkurtëra, o jo mjaft të thelluara”. Gjatë më se gjysmë shekulli e kam pasur në duar atë dokument të shqipes së shkruar, që na e kishte bërë të mundur ta shfrytëzonim E. Çabeu, duke qenë përpara shumë pikëpyetjeve të mëtejshme që ishin shfaqur.
Përse deri më sot dihet se ka vetëm një kopje? Përse kanë humbur disa fletë dhe prandaj nuk mund të thuhej me siguri se ku ishte botuar, ngaqë mungojnë faqet e para? Nuk dihej as titulli dhe prandaj është quajtur përgjithësisht Meshari i Gjon Buzukut. Mungesa e këtyre të dhënave themelore ka sjellë hamendësime të ndryshme dhe interpretime e mendime jo të njëjta sipas autorëve që janë marrë me librin. Dhe kjo ishte e natyrshme. Në këtë hulli nga ana ime kisha botuar më 2005 një artikull me titullin ngacmues “A është përkthyes Buzuku”. Natyra e tekstit në tërësi nuk përputhet me një përkthim të zakonshëm. Në fund është një pasthënie, e cila jo vetëm nuk është përkthim, por është e modeluar nga vetë Buzuku dhe përbën njëkohësisht të parin tekst origjinal shqip. Edhe në libër, Buzuku flet dy herë në vetën e parë njëjës, duke përmendur emrin e vet. Ai kishte pasur një praktikë të gjatë shërbesash e përkthimesh për ato shërbesa dhe më në fund vendosi t’i përmblidhte në një libër. Nuk do të zgjatem me këtë argumentim, por do ta përgjithësoj: Buzuku ka ndërtuar një libër, për të cilin i është dashur të bëjë përkthime, siç e kërkonin rregullat kanonike të kohës.
Për të gjithë autorët e tjerë edhe më pas e deri më sot ky ka qenë një përkthim, të cilit nuk i njihej origjinali, në kundërshtim me faktin se vetë Buzuku e ka quajtur se po bënte një libër shqip, meqë nuk kishte të tjerë. I jam rikthyer kësaj teme të pashtershme me një punim të gjatë, të botuar në “Vështrime stilistike” më 2021. Jam shprehur se ndoshta hartuesi kishte shfrytëzuar disa tekste, madje në gjuhë të ndryshme, siç e kishte vënë re kalimthi edhe E. Çabeu, sepse nuk njiheshin ato tekste. Ky libër nuk ka qenë botuar për t’u lexuar, por për ta pasur në dorë prifti në punën e tij dhe Buzuku disa herë i drejtohet priftit se çfarë të bëjë. Puna e një famullitari në thelbin e saj është komunikim gjuhësor publik. Teksti ka një veçori mbresëlënëse: disa fjalë e sidomos disa shprehje jepen njëkohësisht latinisht e shqip dhe në këto rrethana ka lindur fjalia e tij e famshme, që përmban për herë të parë termin shqip: “Pater noster qi vjen me thashunë shqip: Ati ynë, qi je mbë qiellt”. Përfundimi im kryesor ka qenë: kjo vepër nuk ishte thjesht një përkthim, por një libër i hartuar nga Gjon Buzuku. Edhe në botimin e dytë të “Fjalorit enciklopedik shqiptar” më 2008 përsëritet mendimi i mëparshëm, të cilin e kam kundërshtuar, se Buzuku paska qenë veç “shqipëruesi i një libri kishtar”.
Rrjedhimisht, i jam përmbajtur tezës, se Buzuku ishte përgatitësi, hartuesi i të parit libër shqip që njihet. Në Pasthënien e tij ai ka folur për një libër, jo për një përkthim. Për të hartuar atë libër, i është dashur të përkthejë shumë pjesë. Nuk mund të gjendet një libër në një gjuhë të huaj, i cili të përputhet nga ndërtimi me librin e Buzukut. Nuk ka një libër, që ta ketë shqipëruar ky autor.
Nuk ka një libër, por ka disa libra, duke u mbështetur te të cilët Buzuku ka ndërtuar veprën e vet. Pas një kohe të gjatë kërkimesh të vështira e të kushtueshme, kam mundësinë ta tregoj në mënyrë të përpiktë shkencore se si është ndëruar jo Meshari, por Libri i Buzukut.
Me forcën depëruese të vështrimit gjuhësor E. Çabeu e kishte përcaktuar, se Libri i Buzukut përbëhej prej dy pjesësh, porse vetëm pjesa e dytë është një meshar. Nga ana ime pesë vjet më parë munda të shtija në dorë një meshar kroatisht Misal po zakonu rimskoga dvora, botuar më 1483. Ai ishte përgatitur sipas modeli të Missale Romanum të botuar në Milano më 1414 dhe ishte me alfabetin glagolitik, të cilin nuk mund ta shfrytëzoj. Arrita të bëja një krahasim të pjesshëm, duke u mbështetur në punimet e sotme kroate, ku kishte pak copa të transkriptuara me alfabetin latin. Kisha arritur prej atij krahasimi të paraqisja një varg konstatimesh të argumentuara me fakte konkrete. Tashti më duhet t’i çoj më tej ato mendime dhe disa t’i ndryshoj, sepse më në fund e kam të plotë tekstin kroat të Mesharit të shek. XV me alfabetin latin dhe kjo hap një perspektivë studimore krejt të re. Madje ka edhe më shumë.
Pjesa e parë e Librit të Buzukut është një libër lutjesh, ose siç e quan Fan Noli “Lutjesore”. E. Çabeu nga një recension i studiuesit M. Reshetari, specialist në këtë fushë, kishte përmendur një botim të Akademisë së Shkencave të Kroacisë të vitit 1934, por vetë botimin nuk kishte pasur mundësinë ta njihte dhe për këtë shkak kishte gabime për emrin e autorit e titullin e veprës. Tashti edhe me këtë libër të dytë, të vitit 1934, kam arritur ta kem tekstin kroatisht të një dorëshkrimi të fundit të shek. XIV ose të fillimit të shek. XV me alfabetin latin Vatikanski hrvatski molitvenik, por edhe të një botimi tjetër, jo dorëshkrim, të fundit të shek. XV, të riprodhuar nga Dr. Ciro Giannelli, po ashtu me shkronja latine, domethënë mund t’i shfrytëzoj. Së fundi, pas gjurmimesh të ndërlikuara, kam edhe skanimin e një lutjesoreje latinisht, të botuar në vitin 1489, që hapet me këto fjalë Incipit ordo breuiarij [secundu]m [con]suetudine[m] romane curie. E vetmja kopje e librit ndodhet në Bibliotekën Kombëtare të Skocisë, 500 faqe me katër kolona secila.
Do të përpiqem më poshtë të shpalos sa më shkurt vështrimin rrjedhimisht krejt të ri që del për librin tonë të parë, duke pasur këto mundësi të reja për krahasim.
Kopja e vetme e Librit të Buzukut, që sot gjendet në Vatikan, nuk i ka 8 fletët e para; kështu mungon në fillim një fashikull, 16 faqe (I-VIII). Jam në gjendje të tregoj me besueshmëri të madhe se çfarë kanë pasur ato.
- Lutjesorja shqip që është ruajtur fizikisht, fillon te fleta IX (në faqen 13 te E. Çabeu) dhe menjëherë përputhet me tekstin e dorëshkrimit kroat deri në faqen XXb, në mesin e kolonës së dytë (faqe 59 në transkribimin e E. Çabeut), që i përgjigjet tekstit kroat deri te 103 b (në faqen 51 të botimit më 1934). Janë 24 faqe vijimisht, të cilat përputhen me tekstin kroatisht në copat e marra nga Bibla, prandaj kam të drëjtë të shprehem, që edhe 16 faqet përpara tyre kanë qenë me ndërtim të njëjtë.
Rrjedhimisht, faqja e parë dhe ajo pas saj, verso, kanë pasur titullin ashtu si dhe te kroatishtja e latinishtja. Faqet deri te 16 që mungojnë te Buzuku kanë pasur: 17 psalme dhe 3 lekcione. Psalmet përkatëse kanë qenë në këtë renditje: 94:2-11; 8:2-10; 18:2-15; 23:1-10; 44:2-18; 45:2-12; 86:1-7; 95:1-13; 96:1-12; 97:1-9; 92:1-5; 99:2-5; 62:2-12; 31:57-88; 148:1-14; 149:1-9; 150:1-6.
Me të drejtë dikush mund të bëjë vërejtjen, se kjo është një hipotezë e arsyeshme, por jo doemos e vërtetë. Për ta shmangur këtë dyshim, kam bërë krahasimin edhe me lutjesoren e parë kroate të shtypur, domethënë pothuaj një shekull pas dorëshkrimit, dhe më del e njëjta tablo. Molitvenik-ut të shtypur i mungojnë vetëm dy fletët e para, katër faqe, dhe vijon krejt njësoj për ato 16 faqet që i mungojnë Buzukut, me atë përmbajtje, që sapo e rendita më sipër. Vazhdimi është po i njëjtë aty ku nisin fletët e Buzukut deri te fundi i listës së lutjeve për shenjtorët.
Pas atyre 24 faqeve, të cilat korrespondojnë pa ndërprerje me kroatishten, më tej Buzuku ka 12 faqe të tjera (XXI-XXVI) që nuk përputhen dhe Lutjesorja ndërpritet pa përfunduar, aty ku ndërmjet dy pjesëve të librit mungojnë 6 faqe, tri fletë: XXVII, XXVIII, XXIX. Po ashtu pjesa e tekstit kroat pa ngjashmëri vazhdon deri te faqja 170, ku njësoj ndërpritet pa përfunduar; gjithsej afërsisht 12, po aq sa te Buzuku. Shumë interesant është krahasimi i Psalmit 119, të cilin me pak ndyshime në të dy rastet e ka të përkthyer dy herë dorëshkrimi kroat dhe po ashtu e ka të përkthyer dy herë edhe Buzuku.
Nuk do ta rëndoj paraqitjen edhe me një krahasim tjetër, me një Psaltir kroatisht nga Dubrovniku, i cili mendohet se i përket gjysmës së parë të shek. XVI, domethënë përpara Buzukut. Edhe me atë tekstet e përzgjedhura përputhen te Buzuku deri në fdaqen XIVb, sepse teksti kroat mbyllet në faqen 101 me “Finis” në faqen 101 të ribotimit më 1934.
Si shpjegohet, që një libër shqip i vitit 1555 përputhet në një pjesë të madhe me një dorëshkrim kroat një shekull e gjysmë përpara tij dhe me një botim kroat më se gjysmë shekulli më përpara? Shpjegimi është i thjeshtë: që të dy ndërtimin dhe pjesët e përkthyera i kanë pasur nga i njëjti libër standard latinisht.
Krejt natyrshëm më lindi kërkesa, që të gjendej parateksti. Mirëpo do ta vë në dukje, se fati i librit shqip ka qenë i njëjtë me fatin e ksomblave në gjuhë të tjera. Domethënë, edhe botime liturgjike të kësaj natyre në gjuhë të tjera po ashtu janë hequr nga qarkullimi, por nuk kanë qenë libra të ndaluar, dhe për pasojë kanë shpëtuar rastësisht kopje të rralla të tyre sidomos në disa biblioteka të Europës. Me një gjurmim këmbëngulës arrita të gjeja një libër të tillë në Skoci, që e citova më lart. E. Çabeu kishte mundur të mbështetej te një botim latinisht, por ishte i vitit 1598, për pasojë, nuk vlente mirë për krahasim, sepse përfaqësonte botimin e ndryshuar pas daljes së veprës së Buzukut.
Hulumtimi kështu bëhet tejet tërheqës, sepse për shembull, mund të krahasoj listën e shenjtorëve të Buzukut (f. XVIII-XIX) me listat përkatëse të një dorëshkrimi kroat, të një botimi kroat dhe të një libri latinisht pothuaj të njëkohshëm me këtë të dytin. Nuk do ta paraqes këtu këtë krahasim, sepse do të shkonte shumë gjatë. Diçka tjetër e çuditshme më ka tërhequr vëmendjen. Lutjesorja në faqen e fundit ka lutje lidhur me vënien e unazës. Pikërisht këtu dy paragrafë: 5 dhe 8 në faqen XXVIb janë të njëjtë me paragrafët e fundit të Mesharit kroat: nga fundi i faqes 219b (453) dhe fillimi i faqes 219c (454). Kjo do të thotë se faqe nga Meshari kroat janë përfshirë në Lutjesoren e Buzukut. Del e nevojshme të bëhet një hulumtim i mëtejshëm, i ndërlikuar, por mjaft interesant.
- Meshari. Fillon te Buzuku me faqen XXX. Krahasimi me Mesharin kroatisht tregon se tekstit shqip i mungon vetëm faqja e parë, domethënë fleta XXIX, ku ka qenë titulli, i cili i përkthyer nga kroatishtja do të ishte “Të zanët fill të Mesharit sipas ligjit të Kuries Romake”. Ndërsa Buzuku vijimin e kroatit do ta kishte latinisht “Domenica primam et secunda. In Adventu”, ashtu siç del në krye të faqes vijuese, që e kemi. Vjen kroatisht një Hymno, Oratio dhe shkon deri te një “Lavdi” në kolonën e dytë.
Rrjedhiisht, nga tri fletët që mungojnë ndërmjet dy pjesëve, njëra (XXIX) është e Mesharit, ndërsa dy të mëparshmet (XXVII, XXVIII) i përkasin Lutjesores, e cila përfundimisht më del se ka paaur 16+24+12+4, domethënë 56 faqe ose XXVIII fletë.
Pas fletës së parë që mungon të Mesharit shqip, më tej edhe shqip dhe kroatisht fillojnë duke u përputhur plotësisht nga ndërtimi të dy tekstet nga faqja 85 (XXX) e shqipes deri te faqja 93 (XXXIIb), sepse pastaj mungojnë te Buzuku katër fletët XXXIII-XXXVI (deri te f. 97 e botimit nga E. Çabeu). Meqë përputhja vijon më tej nga faqja 97, kur teksti i Buzukut rifillon te f. XXXVII, atëherë sërish kam të drejtë të kosntatoj me siguri, se në ato 8 faqe që mungojnë ka qenë kjo përmbajtje: Luka 3:1-6; Korintasve I 4:1-5; Romakëve 1:1-5; Mateu 1:18-21; Titit 2:12-14; Luka 2:1-14; Titit 2:11-14; Luka 2:15-20; Hebrenjve 1:1-12; Gjoni 1:1-14; Veprat 6:8-10, 7:54-80; Mateu 23:34-39; Urtia (?); Gjoni 21:19-24; Zbulesa 7:4-9; Mateu 2:13-18, Hebrenjve 5:1-10; Galatasve 4:1-7; Luka 2:35-40; Luka 2:21; Mateu 2:11-23; Isaia 40:1-6; Mateu 2:1-12.
Në vazhdim Buzuku rifillon në faqen XXXVII (f. 97) me Isainë dhe vazhdon në përputhje me kroatishten prej faqes 18a e vijim. E kam kontrolluar për këtë nga kjo faqe deri te XLVb, domethënë për 18 faqe dhe nuk ka asnjë ndryshim të përbërjes së të dy teksteve. Dëshmia më e këndshme e përkimeve gjendet në faqen XLII të Buzukut. Ka treguar nga ungjilli i Mateut kreun V:43-48. Pastaj duhej të kishte treguar se fillon kreu VI:1-4. Mirëpo teksti ka vijuar pa treguar se i vjen radha sërish ungjillit të Mateut, se është kaluar në kreun 6 dhe madje nuk ka as kryeradhë. Pikërtisht kështu është edhe në tekstin kroatisht: kalohet pa e treguar Mateun, pa e treguar se tashti është kreu tjetër, i gjashti, dhe madje pa kryeradhë. Fakt më kokëfortë se ky nuk ka nevojë të kërkohet.
Meshari kroat është ribotuar më 1494 dhe gjithashtu më 1528 në Venedik. Ka më shumë gjasa që Buzuku të ketë pasur në duar pikërisht këtë botim të fundit, sepse është e vështirë të përfytyrohet që të kishte botimin e parë.
Pasi është sqaruar se si ka qenë tërësia e Librit të Buzukut, shtrohen disa pyetje tejet të rëndësishme. Të më lejohet që të marr rolin e një detektivi, të Sherlok Holmsit. Ka ndodhur një krim: kanë grisur fletët e librit të parë shqip. Kush e ka bërë këtë? Kur e ka bërë? Përse e ka bërë?
Hapi i parë për ta nisur hetimin është të gjendet çfarë natyre kanë fletët e grisura, përse mungojnë pikërisht ato. Janë grisur pikërisht ato, sepse përmbajnë të dhënat dokumentuese se çfarë ka qenë ky libër. Konkretisht, është grisur fleta e parë identifikuese e Lutjesores e pastaj disa të tjera, si dhe fletët e brendshme, në të cilat me përfundimin e lutjeve identifikohej edhe Meshari nga faqja e parë. Kur e zbuloi librin Gjon Nikollë Kazazi më 1743, kopjoi me dorë dy faqe, që ia dërgoi Gjergj Guxetës (Guzzetta), themelues dhe drejtues i Seminarit arbëresh të Palermos. Ka kopjuar faqen e fundit të pjesës së lutjeve dhe faqen e fundit të gjithë veprës. Dy faqe të fundit, sepse nuk ishin dy faqet e para që t’i kopjonte. Domethënë libri i kishte të grisura ato faqe më përpara se viti 1743. Mendohet se libri kishte qenë në duart e ndonjë prifti shqiptar në fillim dhe pastaj ka kaluar në duar të tjera. Domethënë ai i pari është autori i krimit. Po përse do ta kishte bërë këtë?
Historia tregon se më 1517 Martin Luteri ngjiti pikat e tij në një derë të kishës dhe me këtë fillon ai që quhet Reformacioni, ose skizma e protestantizmit. Kisha Katolike e pa se ishte e nevojshme të kundërvepronte në mënyrë institucionale gjithëpërfshirëse. Për këtë arsye u mblodh më 1545-47 Koncili i parë i Trentit dhe Koncili i dytë u mbajt më 1551-52, domethënë Kundërreformacioni kishte nisur dhjetë vjet para se Buzuku të nisej në shtypshkronjë me dorëshkrimin e vet. Koncilit të tretë i erdhi radha më 1563. Është e qartë si drita e diellit, që Buzuku e ka nxjerrë nga shtypi veprën e vet pasi kishin nisur koncilet dhe para se të përfundonin, domethënë nuk ka asnjë arsye që fati i kësaj vepre të ketë qenë i lidhur me vendimet e tyre. Ky fat është përcaktuar nga një ngjarje tjetër.
Më 1568, sipas dekretit të Koncilit të fundit të Trentit, papa Piu V miratoi botimin e lutjesores së re: Breviarium secundum usum Romanae Curiae, më pas u përgatit më 1570 dhe varianti i ri i mesharit. Të gjitha botimet e mëparshme hiqeshin nga qarkullimi, për pasojë edhe libri i Buzukut.
Gjithashtu nuk ka asnjë arsye, që të mëtohet se libri i Buzukut ka qenë i ndaluar. Inkuizicioni zbatohej kundrejt librave të lidhur me protestantizmin, ndaj shkrimeve heretike dhe për trajtime të paautorizuara të Biblës. Nuk kishte asnjë shkarje të tillë që të ndalohej libri i Buzukut. Dihet, se më 1559 gjatë papës Pali IV u botua për herë të parë Index Librorum Prohibitorum, më pas u rishikua më 1564 nga papa Piu IV. Në asnjë rast nuk ka pasur në Treguesin e librave të ndaluar ndonjë botim shqip.
Një prift shqiptar pas vitit 1570 i ka grisur fletët e para me të cilat identifikohej Libri i Buzukut, që duhej hequr nga qarkullimi pas botimit të variantit të ri latinisht si model i detyrueshëm për gjithë përkthimet në gjuhë të tjera. Por nuk pati një Buzuk tjetër për të bërë variantin e ri shqip. Pa këto fletë të grisura libri konkret që ka mbetur nuk mund të identifikohej si vepër për ta hedhur tej. Duke i grisur ato dy fletë paraqitëse, kjo ksombël mund të vijonte të përdorej. Ai prift shqiptar ka grisur dy fletë dhe ka mundësuar që libri të vazhdonte të përdorej dhe e kanë përdorur ai e shumë të tjerë, derisa përfundoi i vjetruar, i grisur, por i përdorur për shekuj edhe pas vendimit për t’i hequr nga qarkullimi ato vepra edhe në gjuhë të tjera. A do të quhet se ai ka bërë një krim? Ai prift ka grisur faqet e identifikimit dhe na ka shpëtuar të vetmen kopje që njohim të Librit të Buzukut!
Ky libër nuk është dëmtuar nga përdorimi i gjatë, nuk ka gjurmë të tilla. Ai është grisur qëllimisht në vende të caktuara në krye të herës, kurse pastaj e kanë vazhduar grisjen priftërinj të tjerë, pa i vrarë ndërgjegjja, sepse ishte hapur rruga, pra kanë vazhduar ta grisnin edhe më. Edhe pas fundit të Mesharit janë disa faqe, që E. Çabeu i ka quajtur shkimëza, të cilat duket fare qartë, se janë grisur dhunshëm me dorë, aspak nga përdorimi. Shkurt, grisja e librit ka nisur pas vitit 1570 dhe përfundoi deri para vitit 1740.
Pikat e përbashkëta dhe dallimet e tekstit shqip me tekstet e librave përkatës në gjuhë të huaja janë të shumta dhe nuk është e mundur të paraqiten në një shkrim ose kumtesë. Për këtë është e nevojshme të përgatis një libër të plotë. Do të mjaftohem këtu vetëm me një shembull domethënës për ta konkretizuar. E. Çabeu e kishte vënë re te Buzuku emrin e Shën Vlashit, i cili “Posaçërisht në Dalmaci na shpie.”7 Mirëpo emri i Shën Vlashit nuk është në listën e shenjtorëve te dorëshkrimi kroat i shek. XIV-XV me titullin Hrvatski Molitvenik, i ribotuar më 1934, por është te libri tjetër po aty i ribotuar, që i përket Lutjesores tjetër kroate të shek. XV, e cila mbahet si Lutjesorja e parë kroate e shtypur. Atëherë a e ka pasur në duar Buzuku këtë libër? Gjendja ndërlikohet, sepse krahasimi tregon që Buzuku piqet gjerësisht me variantin e parë dorëshkrim në ndonjë botim të tij të mëvonshëm dhe në tërësi teksti i tij i lutjeve përpthet më pak me variantin e shtypur të shek. XV. Mundësia atëherë është që Buzuku ka pasur një rishtypje të mëvonshme të Lutjesores së parë dhe aty ndoshta ishin bërë pastaj ndryshime e shtesa, duke përfshirë emrin e Shën Vlashit.
Në përfytyrimin tim ky monument i shqipes së shkruar është si një kështjellë, së cilës i janë rrëzuar dy kulla të hyrjeve dhe mure. Me ndihmën e teknologjisë së sotme elektronike arkeologët janë në gjendje të rindërtojnë si imazh pjesët e rrëzuara të kështjellave dhe t’i paraqesin në kompjuter ato si kanë qenë përpara se të rrënoheshin. Tashti me pjesët e rivendosura, mund të rindërtohet një pamje tërësore e kësaj kështjelle të shqipes së shkruar.
Besoj se këtej e tutje nuk duhet folur për Mesharin e Buzukut, por për Librin e Gjon Buzukut.
Si vijim mund të paraqes disa konstatime mohuese.
Së pari, bien poshtë të gjitha rrekjet e pohimet e pambështetura, se puna e Buzukut ka ndonjë lidhje me Reformacionin ose Kundër-Reformacionin, ndërsa madje me këtë shpjegojnë edhe heqjen nga qarkullimi të librit. Të dy veprat kroate të shek. XIV-XV, me të cilat vërehen përputhje të padyshimta të tekstit të Buzukut, kanë tituj të cilët i vendosin ato plotësisht brenda kornizës katolike dhe nuk ka asnjë hije të shmangies prej saj: Vatikanski Hrvatski Molitvenik dhe Misal po zakonu Rimskoga Dvora. Madje dikush ka shkuar aq larg, sa ka hamendësuar një lidhje këtu edhe me Erazmin e Roterdamit. Nga ana tjetër, më 1958 Namik Resuli kishte botuar librin e Buzukut me transliterim dhe një aparat kritik. Ky libër është ribotuar më 2022 në Prishtinë dhe në kopertinën e pasme janë dhënë fjalët e R. Elsisë, se “Falë censurës së Inkuizicionit, vetëm një kopje e librit ka mbijetuar në shekuj”. Ky është një pohim pa asnjë mbështetje historike dhe dëshmon se autori nuk e njihte këtë fushë.
Nuk ka nevojë të përmendet Bosnja në lidhje me librin e Buzukut,1me përjashtim të rastit të ndonjë shkronje të alfabetit bosnjak, madje Buzuku (apo shtypshkronja?) ka përdorur edhe shkronja të tjera për po atë tingull, domethënë nuk i është përmbajtur plotësisht alfabetit bosnjak. Kam bindjen, se nuk lidhet Buzuku me këtë orientim, sepse Kisha Bosnjake u shafq si përfaqësuese fetare në shek. XIII me misionet françeskane, por nuk mund të prodhonte libra shërbese që nga shek. XV, kur u pushtua Bosnja prej osmanëve. Do të ketë pasur lutjesore në fund të Mesjetës; flitet pë një variant cirilik para pushtimit dhe një meshar rreth vitit 1404 në variantin glagolitik, por është tejet e vështirë që mund t’i kishte në duar Buzuku.
As sot dhe as për pesë shekuj më parë nuk e vlen të flitet për serbokroatishten; ka qenë puna vetëm për kroatishten. Nuk qëndron mendimi se: “ka raste ku teksti i Buzukut puqet vetëm me modelin grek-sllav e me Kristoforidhin, ndërsa Grigori shkon me tekstin latin, dukuri e çuditshme, ku shkrimtari katolik i veriut ndjek modelin bizantin, ai ortodoks i jugut vete pas tekstit të ritit romak.” Tashmë e kam shpjeguar më 2012, se teksti i Meksit-Gjirokastritit nuk ka pasur asnjë lidhje me ndonjë popullsi vise-vise katolike në Ishujt Jonianë, por ka qenë nismë e Shoqërisë Biblike Britanike dhe është çuar deri në fund, duke përcaktuar prej britanikëve edhe alfabetin e botimit të vitit 1827. Përkthimet e Kristoforidhit gjithashtu janë botuar brenda veprimtarisë së Shoqërisë Biblike, madje edhe në këtë rast ishin protestantët që përcaktuan alfabetin për të dy variantet, gegërisht e toskërisht. Ka pasur një problem lidhur me Psalmet, por nuk mund të shtjellohet gjatë këtu; e kam bërë këtë më 2015 me rastin e botimit të Psalmeve.
Dh. Shuteriqi në librin e vitit 2005 “Tekstet shqipe” ka shkruar ndër të tjera: “Vinë pastaj pjesët e përkthyera, të cilat përbëjnë masën e veprës, po ku mund të ketë edhe gjëra origjinale të Buzukut e të ndonjë tjetri, gjë që nuk ka për t’u vërtetuar asnjëherë plotësisht.” Mirëpo hulumtimi me metodë shkemcore mund të vërtetojë gjëra që kujtohet se janë pa shpresë.
Thoma Qendroja ka botuar më 2013 një punim të rëndësishëm “Fjalor i shqipes së Gjon Buzukut”. Është një mjet shumë i dobishëm për të gjurmuar leksikun e librit të parë shqip. Ndërkaq, ai jep mundësinë të shtrohet kjo pyetje: cilat kanë qenë fjalët, që në atë kohë ose nuk i kishte shqipja, ose nuk i njihte Buzuku? Po e konkretizoj me një shembull. Del se folja “filloj” dhe emri “fillim” ende nuk ishin ndërtuar në atë kohë; nga gjurmimet kam parë se kanë hyrë në përdorim të zakonshëm vetëm pas mesit të shek. XIX. Mirëpo nocioni përkatës ka qenë i nevojshëm në ligjërim. Te Buzuku ai është paraqitur kështu: “të zanët”, por edhe “të zanët nfill”. Pikërisht prej togut zë (n) fill ka ardhur folja e sotme “filloj”, folje delokutive, ashtu si vendoj nga vë në vend (vnoj në të folmen e Dibrës). Për këtë arsye në fjalorin e Buzukut duhet nxjerrë togu përkatës te emri fill dhe të mos quhet ndajfolje më vete “nfill”, nuk ka një fjalë të tillë.
Është botuar në Wikipedia një njoftim, sipas të cilit Gjon Buzuku paska përfunduar studimet e dokroranturës në Universitetin e Padovës më 1567. Ky është një falsifikim. Për të drejtën kanonike më 6 prill 1576 dhe për të drejtën civile më 10 prill 1577 në Padovë është lauruar Giovani Busichio, i cili ishte një Italian nga Friuli. Ky fakt është regjistruar në dokumentet e Gjimnazit Patavini, siç quhej atëherë, për vitet 1486-1605, pramdaj nuk ka asgjë të tillë lidhur me Gjon Buzukun.
Studiuesja e njohur italiane, Lucia Nadin, duke bërë krahasime me shtypshkrimet e asaj periudhe, kishte arritur në përfundimin, se Libri i Buzukut kishte dalë në Venedik nga shtypshkronja e Bernardino (de) Vitalit. Hulumtimi i mëtejshëm tregon se kjo nuk qëndron, sepse Bernardinoja pushoi së botuari libra rreth vitit 1539. Ndërsa bie ajo hipotezë, nuk ka vend për të na lëshuar zemra; ndoshta e ka blerë dikush tjetër shtypshkronjën. Del që është e nvojshme të vijohen kërkimet për këtë temë të rëndësishme të kulturës shqiptare. Kërkimi vazhdon.