Pëllumb Meta, 50-vjeçari që u vra dhe u gropos nga fëmijët e tij u dërgua këtë të shtunë në banesën e fundit.
Në ceremoninë e varrimit ka marrë pjesë vetëm vajza e madhe e familjes, e martuar në Krujë, ndërsa 2 vëllezërit e saj dhe motra ndodhen pas hekurave, të akuzuar për vrasjen e planifikuar të të atit.
Pjesë e ceremonisë mortore nuk ishte as ish-bashkëshortja e të ndjerit, e cila është marrë në mbrojtje nga policia e Durrësit.
Kjo e fundit i trembej ndonjë konflikti të mundshëm mes vëllezërve të Pëllumbit dhe kunatës së tyre, prandaj e ka shoqëruar deri në familjen e babait të saj në Laç.
Në një deklaratë për mediat, drejtori i policisë së qarkut Durrës, Skënder Hitaj tha se Pëllumb Meta u qëllua më datë 10 shkurt nga djali i madh i familjes me 4 plumba nga një pistoletë model 54.
Ai i tha grupit hetimor se e kishte planifikuar vrasjen bashkë me motrën Hygerta Meta 19 vjeç, ndërsa vëllai tjetër 22-vjeçar ndihmoi në fshehjen e kufomës.
“Në mëngjes bëmë planin për ta vrarë, pasdite babai ishte shtrirë në divan dhe po pushonte. I thashë çohu dhe kur u çua në këmbë unë e qëllova 4 herë me pistoletë.
Në dhomë me mua ishte dhe motra. Pasi e vramë, e zhveshëm dhe e mbështollëm me plasmas. E transportuam te kasollja dhe aty e varrosëm.
Më vonë larguam dhe makinën e tij. Shkuam me dy makina në sektorin Rinia. Unë me makinën e babait, kurse vëllai me një makinë tjetër që ja morëm një shokut tonë. E lamë makinën e babait atje dhe u kthyem me makinën e shokut.
Planin e hartuam së bashku me motrën. Ai ishte bërë i padurueshëm në familje, sepse për gjithçka duhej të vendoste ai. Ishte e pamundur që ta kundërshtoje. Kupa u mbush kur vendosi të fejonte motrën me një person që nuk e kishim idenë se kush ishte”, tha djali i madh, i cili ishte dhe personi që e qëlloi me 4 plumba.
Gruaja e Pëllumb Metës deklaroi për Euronews se bashkëshorti i ndjerë ishte shumë agresiv dhe i kishte kërcënuar me jetë si fëmijët dhe atë vetë.
Ajo tha se dhuna fizike dhe psikologjike shkaktoi ngjarjen e tmerrshme ku fëmijët organizuan plan të vrisnin babain e tyre.
“Së pari dua t’ju them që jam shumë e rënduar nga pikëpamja psikologjike. Ka ndodhur një gjë shumë shumë e tmerrshme, është diçka që ka ardhur si pasojë e një dhune qoftë fizike dhe psikologjike. Ka qenë njeri shumë agresiv, kërcënime për jetën si mua dhe fëmijëve të mi. Unë dija vetëm që dhuna në familjen time ka qenë e pranishme vahzdimisht si për mua dhe për fëmijët e mi”, tha ajo.
Bashkëshortja e 50-vjeçarit tha se nuk ishte në dijeni të ngjarjes dhe në momentin kur ndodhi vrasje ndodhej në arë duke mbjellur jonxhë.
Ajo tha se kur u kthye nuk u shqetësua nga mungesa e bashkëshortit, pasi ai punonte roje dhe mungonte natën në banesë.
“Unë do të them atë që unë di. Unë kam qenë në shtëpi pasi punoj me bujqësi. Ditën e shtunë jam marrë me mbjelljen e jonxhës në periudhën që ndodhi ngjarja. Në drekë kam dalë nga shtëpia. Kur jam kthyer fëmijët nuk më kanë treguar. Jam në gjendje shumë të rënduar. Unë nuk u shqetësova atë ditë pasi im shoq punonte roje dhe herë vinte në orar, herë jo. Bënte lëvizje vazhdimisht, nuk kishte një orar specific, mund të mos vinte dhe dy ditë rresht, mund të vinte në mëngjes, ose në 12 të drekës, pasi natën ishte në punë”, tha ajo.
Gruaja tha se duke qenë se ishte i dhunshëm dhe i armatosur, ata të gjithë kishin frikë për jetën.
“Vajzat s’kanë guxuar të dalin njëherë në derë vetëm. As në dyqan, asgjëkundi, njësoj si unë të shtypura. S’bëhet fjalë të flisnin me komshinjtë, gjithmonë kur ecnin kokën përtokë. Shkonin vetëm në shkollë dhe në shtëpi. Tani me një njeri që të dhunon dhe të kërcënon për jetën, padyshim që do kishin frikë dhe fëmijët. Ai kishte armë, pasi punonte roje, frikën ia kishim që të gjithë ndaj arriti kjo punë deri këtu. Një njeri që është agresiv, i dhunshëm, autoritar dhe i armatosur, është normale që ia ked he frikën”, tha ajo.
Gruaja tregoi se babai gjithmonë merrte vendime dhe nuk pranonte kurrë të komunikonte me fëmijët, por për çdo gjë iu thoshe do t’ju vras do ju djeg me benzinë.
“Nuk kam bërë asnjëherë denoncim se kisha frikë nga ai njëri. Na ka mbajtur gjithmonë të shtypur, nga frika nuk shkonin as fëmijët që ta denonconin. Mua më kërcënonte dhe nëse ndonjë nga fëmijët më dilte në krah u thoshte do ju vras dhe do ju djeg të gjithëve, shkonte direkt në dhunë. Me mua e kishte të përditshme. Nuk e di sa herë i kam larë muret e shtëpisë me gjakun e kokës time”, tregoi ajo.
Ishte zhdukja e Pëllumb Metës e denoncuar më 13 shkurt nga djali i madh dhe autori Hyseni, 24 vjeç, që vuri në lëvizje policinë e Durrësit.
Hetimet disa-ditore e ngushtuan rrethin e dyshimeve brenda familjes, pasi viktima nuk rezultonte të kishte konflikte jashtë saj.
j.l./ dita

Më vjen keq për vajzën e martuar të viktimës, ajo po kalon një gjendje traumatike dhe ka nevojë për asistencë psikologjike. Kjo situatë për të eshtë shumë e vështirë dhe ajo ka nevojë për të afërmit e saj. Ju lutem të afërmve t’i gjenden pranë!
Nuk besoj se ka qene nje vrasje e planifikuar dhe paramenduar nga te tre femijet. Mendoj se ka qene vrasje e bere vetem nga djali 25 vjecar pasi do kete pasur nje debat te ashper pak para vrasjes midis babait dhe djalit, mbase babai edhe mund ta kete ofenduar apo gjuajtur ndonje shpulle, dhe djali ne gjaknxehtesi e siper, ka marre armen dhe ka gjuajtur te atin. I ati mund te mos e kete menduar fare qe kjo te ndodhte. Mos qe i dehur e i droguar djali?? Pasi vrasja ka ndodhur, pjesetaret e familjes kane planifikuar se si do vepronin me tej, pasi kjo gje ju ndodhi. Nena e tyre dhe bashkeshortja e viktimes, u perpoq te “nxinte” personalitetin e viktimes ne interviste, si dhunues dhe shume autoritar edhe me te gjate gjithe jetes bashkeshortore, por kjo eshte e paprovuar. Ajo eshte bashkefajtore sa edhe femijet per fshehje te krimit. Deshmite e saj nuk mund te merren si te mireqena pasi nga intervista duket se ishin vetem per te lehtesuar pozitat e femijeve te arrestuar.
Ja sa pasoja sjell ky krim:
– Humbjen e prindit, babait qe ishte shtylla e shtepise dhe qe bente dy pune per te mbajtur familjen e vet: Punonte ne lavazh gjate dites dhe roje nate gjate nates.
– Humbjen e te ardhurave ne vazhdim qe presupozohet qe viktima-baba do te fitonte duke punuar ne punet qe bente.
– Humbjen e shkolles te vajzes dhe perspektives te saj, pasi babai po te mos i donte avenirin goces se vet nuk do ta conte ne shkolle e ti paguante shpenzimet, por do ta kishte futur ne ndonje pune cfaredo.
– Burgosjen e djalit vrases dhe bashkepuntoreve per aq vite sa do denohen.
– Njollen e zeze qe iu vu kesaj familjeje dhe femijeve, qe do jete e veshtire t’iu hiqet per tere jeten edhe pas daljes nga burgu pasi askush nuk deshiron te lidhet e te martohet me nje vajze apo djale vrases te babait te vet.
Etj., etj..
Sidoqofte nuk vritet babai, nuk dihet kush donte te lirohej me perpara nga ai.
Djali 25 vjec edhe mund te largohej nga familja, gruaja gjithashtu.
Perseris sidoqofte veprim prej idiotesh.