Në pamjet e plagosjes së deputetit Kliti Hoti shihet se si inspektori i policisë Ersild Alliu, tërhiqet një moment nga krahët nga dy kolegë të tij për ta distancuar.
Të tre janë duke u larguar, ndërsa disa protestues u janë vënë pas. Mes tyre dhe deputeti demokrat Kliti Hoti. Pikërisht në këtë moment inspektori Alliu kthehet, duke ngritur pushkën e duke qëlluar. Në çast, deputeti Hoti shihet të bjerë në tokë mes britmave të dhimbjes. Në zonën e shpatullave dallohet vrima e plumbit të gomës. Në ndihmë të tij vullnetarë të kryqit të kuq që u gjendën aty.
Një prej gazetarëve të Euronews që raportonte nga terreni tha se në ato momente kishte qenë pranë vendit të ngjarjes dhe kishte parë gjithçka kishte ndodhur. Sipas tij, fillimisht kishte pasur një debat verbal mes efektivit në fjalë dhe anëtarit të Këshillit Kombëtar të PD-së Shyqyri Myrtollari, që shoqëronte deputetin Hoti.
Zyrtarët e PD-së kanë kërkuar llogari se pse policia po shoqëronte disa të rinj që protestonin pa asnjë akt dhune. Në përgjigje efektivi tentoi të qëllonte drejt zyrtarit të PD-së Myrtollari, por nuk u lejua nga dy kolegët e tij që e larguan duke e kapur nga krahët.
Duke u larguar, efektivi është kthyer dhe ka qëlluar në drejtim të deputetit të PD-së nga 20-25 metra distancë
Policia e ka pranuar se efektivi ka qëlluar deputetin dhe ka njoftuar se ai nuk kishte marrë urdhër për këtë veprim. Pra, tashmë nuk kemi të bëjmë thjesht me një pretendim të opozitës, por me një incident të konfirmuar edhe nga vetë institucionet.
Për zhvillimet e mëtejshme, burimi më i rëndësishëm do të jetë hetimi i AMP-së dhe Prokurorisë, veçanërisht verifikimi i pamjeve filmike dhe i rrethanave të përdorimit të armës.
o.peci / dita
