Policia e Shtetit ka përdorur disa teknika të reja dhe që nuk ishin parë në të kaluarën gjatë protestës kombëtare të 28 nëntorit. Pas incidenteve të shumta, përdorimit në masë të gazit lotsjellës, por edhe hedhjes së shumë molotovëve nga protestuesit, forcat e rendit kanë befasuar turmën.
Edhe dronët që zakonisht përdoren për monitorimin e situatës dhe identifikimin e protestuesve problematikë, u vendosën në funksion të shpërndarjes së turmës. Një prej dronëve, i cili qëndronte mbi Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ishte shndërruar në “armë” për hedhjen e gazit lot-sjellës nga ajri.
Kjo risi e policisë ka befasuar jo pak protestuesit. Ndërkohë që përdorimi në masë i gazit dhe ujit, ka bërë që turma të shpërndahen edhe pjesa më e madhe e protestuesve të largohej, fillimisht drejt Sheshit “Skënderbej”, por më pas edhe në rrugët e kryeqytetit.
Një tjetër element që nuk kishte ndodhur më parë ishte edhe nxjerrja në rrugë e qenve anti-eksplozivë. Forcat e ndërhyrjes së shpejtë, të cilat qëndronin pas autoboteve të ujit në Bulevard, morën me vete edhe kafshët speciale, të cilat shërbejnë për operacione specifike, e që zakonisht nuk kanë lidhje me protestat.
