Revista me autoritet “Hylli i Dritës”, më 1943, parathoshte mendimin profetik: “Prej Vlone shpëtoj dje Shkodra, prej Vlone ka me shpëtu edhe Mitrovica”
Kastriot Kotoni
Në vitin 2001 është mbajtur “Konferenca shkencore VLORA NË RRJEDHAT E KOHËS” me nismën e Universitetit Teknologjik “Ismail Qemal Vlora” organizuar nga Shoqata Kulturore “Ismail Qemal Vlora” dhe Bashkia e Vlorës. I gjithë ky aktivitet u përshkrua nga botimi i një libri nga Profesor. As. Badhosh Gaçe.
Ndër kumtesat e shumta që u mbajtën nga personalitetet e fushave të ndryshme shkencore, veçoj atë të Dr. Fatos Arapit me temë “Ka disa Vlora”. Kjo kumtesë është një profeci e një mendjeje të mençur e një djali të Vlorës, që ka zgjedhur t’i flasë asaj si një ekonomist i klasit të parë. Fatos Arapi kish mbaruar studimet e larta në Sofje të Bullgarisë për ekonomi. Ka punuar si gazetar dhe si pedagog i ekonomisë. Si shkrimtar e poet ka fituar disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare.
Sipas Arapit, ka disa Vlora dhe shqiptarët duhet t’i njohin ato. Në një kuadër të gjerë, atje ku historikisht vendoset Shqipëria, vetiu atje është edhe Vlora. Milan Shuflaj thotë se: “Historikisht Adriatiku është një miniaturë, ose së paku një vatër kulture e Mesdheut, sepse gjendet në mes të botëve të vjetra: Lindjes dhe Perëndimit”. Edhe Baldaci pohon se “fatkeqësia kryesore (e popullit shqiptar) ka qenë ajo, që ai të gjendej si në një urë ndërmjet Detit të Zi, Arkipelagut dhe Adriatikut, për herë mes tronditjeve të invazioneve dhe zhvendosjes të popujve e interesave…” Eqrem Çabej, gjithashtu, na thotë: “Shqipëria ka qenë më tepër e orientuar nga perëndimi se fqinjët e saj”. Ka edhe një Vlorë tjetër, Vlora pikë strategjike e zhvillimit ekonomik dhe pikë strategjike politiko-ushtarake. Më 1915, në librin e vet “Çështja e Adriatikut” Charles Vellay shkruante: “ E vendosur në mes të udhës midis Triestes e brigjeve të Afrikës, gjithashtu në mes udhës midis Gjibraltarit e Port-Saidit, Vlora, mund të zotërojë njëherësh udhët e Lindjes e të Perëndimit, të Veriut e të Jugut, ajo mund të lejojë apo të pengojë, sipas dëshirës së vet, komunikimin e Evropës Qendrore me Afrikën Veriore dhe të Orientit me Oksidentin. Vlora është një nga portet më të sigurt dhe më të mëdhenj të Mesdheut dhe mund t’i japë fuqi (Shtetit) që zotëron, përfitime të pallogaritshme.
Ka dhe një Vlorë, më të afërt dhe të prekshme në politikën rajonale e ballkanike. Vlorën që e përjetojmë përditë, por fatkeqësisht jo gjithnjë jemi të ndërgjegjshëm për të. Më tej vazhdon Fatos Arapi: “Më 1920, ministri i Jashtëm Italian K.Sforca deklaronte: “Pikëmbështetja e politikës tonë, tashmë, duhet të jetë zotërimi i Vlorës… Ne kurrë nuk të bëjmë një politikë efikase shqiptare e ballkanike, nëse nuk do të ngulemi në bregdetin tjetër… Kjo bazë detare përbën interesin tonë kryesor në Adriatik”. Edhe kryeministri i atëhershëm Xh.Xholiti, pohonte: “Vlora është pikë strategjike që po të pushtohet nga një fuqi jo mike e Italisë, mund të bëhet një rrezik i madh për vendin tonë”. Ka mbi 2000 vjet, pra, gjeostrategjia e këtij bregu të Mesdheut, ndikon fuqishëm mbi ngjarjet (jo vetëm politike) të gjithë rajonit. As konflikti në Kroaci, as ai në Bosnjë, nuk i shtyu ngjarjet në buzë të një lufte gjithëballkanike apo gjithevropiane, si Lufta e Kosovës apo ngjarjet e tanishme në Maqedoni. Sa më tepër zjarri i luftës u afrohet brigjeve të Mesdheut, aq më i pakontrollueshëm bëhet ai. Nuk ekziston problem shqiptar në Ballkan, nuk ekziston problem i Shqipërisë së madhe apo i Shqipërisë së vogël, politika evropiane e di mirë që sot integrimet e vërteta evropiane, pakti i vërtetë i stabilitetit, ka pengesë pikërisht mendësitë dhe konceptet e vjetra me të cilat punojnë kancelaritë e disa shteteve përreth nesh. Paqja ka armik këtu formimin dhe edukatën antioksidentale të këtyre politikanëve, të cilët, përtej retorikës pseudobashkëkohore, mbeten përsëri produkte të pandryshuara të përcaktimit të tyre oriental, sidomos prorus.
Ndër të tjera thekson Fatos Arapi: “Ka një Vlorë tjetër. Më 6 maj 1920, gazeta “Drita” e Gjirokastrës shkruante: “Vlora është e tona dhe duhet të jetë. Se ndofta ajo e bëri Shqipërinë, po ndofta dhe ajo mund ta prishi…. Rreziku vjen nga Vlora dhe jeta e Shqipërisë varet atje. Nuk ka në shesh çështje të Toskërisë, Gjirokastrës e të Shkodrës. Fati i këtyre viseve është i lidhur me Vlorën. Po ashtu, revista me autoritet “Hylli i Dritës”, më 1943, parathoshte mendimin profetik: “Prej Vlone shpëtoj dje Shkodra, prej Vlone ka me shpëtu edhe Mitrovica”.
Nuk mund të lejohet që politika shqiptare të heshtë dhe ta zbehë karakterin mesdhetar të vendit tonë. Ta konceptosh Shqipërinë vetëm si vend ballkanik, pra si Maqedonia, Bullgaria, apo Serbia, do të thotë që, me ndërgjegje ose jo, t’i kthesh dhunshëm zhvillimet brenda divizës: “Ballkani për ballkanasit” që u dëshmua fatale për fatet e popullit tonë gjatë gjithë shekullit të 20-të. Shqipëria është një vend sa ballkanik, aq edhe mesdhetar, si Greqia, si Turqia. Jemi të vendosur në dy dete kryesore të Mesdheut: Jon e Adriatik. Dhe për fatin tonë të mirë, kemi në dorë kyçin e tyre, Vlorën. Vlora nuk mund të bëhet as greke, as italiane, as serbe. Po të ishte se mund të bëhej, do të ishte bërë në mijëra vjet. Pa një Vlorë të zhvilluar, Shqipëria nuk do të jetë kurrë e qetë dhe stabël dhe, pa një Shqipëri stabël nuk ka as Ballkan të qetë. Dëshiroj të vë përpara syve tuaj këtë fakt tronditës: Shqipëria zyrtare ka sot 470 km bregdet. Por tregoni një fshat të mirëfilltë modern peshkatarësh. Vetëm një … S’ka asnjë. Po për çfarë turizmi flitet, pa bregdetin e zhvilluar në ekonominë shumë degëshe të tij? Përkundrazi, edhe Janina dhe gjithë jugu i Ballkanit, Leçja dhe gjithë “Çizmja” italike, do të përfitojnë shumë kur Vlora më në fund të zhvillohet normalisht. Nga vetë pozita e saj gjeostrategjike, Vlora është përcaktuar të zhvillohet si një port i madh mesdhetar, qendër e rëndësishme ekonomike e kulturore, ku takohen jugu e veriu, perëndimi e lindja. Sa më e shpejt të nisë ky ndërtim i domosdoshëm i kryeqendrës sonë të Jugut, aq më dobisjellës do të jetë për të gjithë, për popullin tonë e gjithë popujt fqinjë.
