Aristotel Mici
Në vogëlinë time të hershme, dy ditë më kanë lënë kujtime tronditëse, 31-marsi i vitit 1939, kur më vdiq im at, dhe 13 Nëntori -1943, dita e vrasjes së Këshilltareve të fshatit Shën-Pjetër. Ditën e vdekjes së babait isha afro katër vjeç dhe nuk po merrja vesh se ç’kish ndodhur… Ndjehesha si i habitur. Në shtëpi hynin dhe dilnin njerëz me sy të përlotur. Tek shikoja babanë të shtrirë, që nuk fliste, pa pritur fillova të qaja. Më kapi një gjendje trishtimi dhe ankthi, që zgjati deri te çasti i varrimit. Më kujtohet se atje, te varreza, prifti, papa Kristua, me të mbaruar litaninë, tha: “dheun e parë t’ia hedhë djali”. Atëherë, unë i mësuar nga Nëna, mora një copë plisi të zi dhe e hodha mbi qefinin e bardhë. Atëkohë, pas meje, të gjithë hodhën mbi arkivol dheun, që ndodhej përqark. Ashtu i ndodhur në krahët e Nënës, pushova ngashërimin dhe humba në gjumë. Pra, atë ditë, kur u kthyem në shtëpi prej varrimit, kuptova se i vdekuri nuk ngjallej më dhe nuk ngrihej nga varri. Nuk ka gjë më të trishtuar dhe më të dhimbshme për një çun të vogël 4-vjeçar, se sa kur kupton se ka mbetur pa baba. Dhe unë atë e kuptova atë ditë të 31 Marsit 1939.
***
Po katër vjet më vonë , më datën 13 të vjeshtës së tretë, në fëmijërinë time do të ndodhte një ngjarje tjetër tepër tronditëse, kur do të vriteshin gjithë këshilltarët e fshatit Shën-Pjeter: Todi Mici, Xoxi Rrapi, Miti Papa, Naum Kërri dhe Kiço Mici, tok me ta do të vritej edhe një djalosh 13 vjeç, Lili Stavre, korrieri i tyre.
Si fëmijw, mbaj mend, se herët në mëngjesin e asaj dite me shi të imët dhe të ftohtë u dukën banditë të armatosur, që hynin nëpër shtëpira dhe bënin kontrolle. U hap fjala se kishin kapur këshilltarët, i kishin lidhur me litar dhe i kishin shpurë matanë bregut të Lumit të Vjetër. Gratë e fisit seç flisnin kokë më kokë shumë të trembura. “Tok me këshilltarët, – tha njëra, duan të lidhin edhe gjithë burrat, që kanë zgjedhur ata, këshilltarët…”. “Çunat mbi dhjetë të mos duken nëpër rrugë,”- foli një tjetër,- se ja, Lili i Stavres, dymbëdhjetë vjeç, po e futën në radhë me të rritur. Një ndjenjë tmerri i kish pushtuar të gjithë. Ndër kohë, ne më të vegjlit, hanim trahananë e mëngjesit dhe dëgjonim të shushatur gjithçka thuhej. Vetëm Nëna e Madhe, si e thërrisnin të ëmën e Todit nuk fliste. Më kujtohet një çast, kur ajo ndali, shtrëngoi brezin e leshtë, vajti para ikonës, bëri kryq dhe nisi të lutej, duke iu falur Shën-Mërisë. Pastaj, ajo vuri duart kryq dhe iu drejtua grave:
“Pa më dëgjoni, moj nuse, ditë e mbrapsht na ka ardhur sot, po si do që të na ndodhë, mos e lëshoni veten dhe mbajeni fort njëra tjetrën. Nuk dua të ndjell për keq, por dua t’ju kujtoj se tridhjetë e kusur vjet më pare, beu vuri njerëz dhe më vranë burrin, Petron. Ashtu qe thënë. Unë lidha shaminë e zezë, po tërë fisi u bë një me mua dhe ja tek jemi sot e kësaj dite, tok bashkë.” Dhe, kur Nëna e Madhe nuk kish mbaruar fjalën, u dëgjua buçitja e zgjatur e një mitralozi dhe pastaj të shtëna pushkësh të tjera. Frika si një erë e keqe i pushtoi të tërë. Ankthi sikur iu ngushtoi grykën të gjithëve. Po Nëna e Madhe nuk u ligështua. Atë çast iu kujtua koha kur i prunë me qerre, burrin e saj të gjakosur, të vrarë, të vdekur e pa frymë, shumë vjet më pare. Kështu, tek shikonte grarinë, që vrapuan nga dritaret për të parë jashtë, ajo u tha atyre:
“Mos u trembni, jemi me të drejtën tonë, Zoti është me ne!”.
Pas pak, jashtë kish rënë heshtje e plotë. Nuk dukeshin patrulla nëpër rrugë. Po ankthi i terrorit ndihej tek çdo njeri. Ndërkaq shiu qe pakësuar dhe të miturit filluan të lëviznin ndër oborre. Disa nga çunakët më të hedhur shkuan deri tek shokët e mëhallës të bregut të Lumit të Vjetër; me ta guxova të shkoja edhe unë. Barinjtë kishin sjellë lajmin se te fusha me blaca ferre qenë vrarë këshilltarët. Ky lajm atje po flitej me lebeti nga të gjithë.
Me të dëgjuar se ç’kish ndodhur, ne, që sapo mbërritëm në breg të lumit, u kthyem pas për të dhënë lajmin e kobshëm duke qarë. Atëherë Nëna e Madhe, si një stërgjyshe, hapi krahët dhe na pushtoi si zogj, duke na thënë: “Mos qani, tani ju u kemi të mëdhenj, ju kemi në vend të etërve tuaj, disa nga ata u vranë dhe të tjerët po përpiqen të shpëtojnë kokat gjallë. Po, tani, në këtë kohë lufte juve ju kemi si më të rritur, si burra. Dhe në luftë, o fëmijët e mi, fëmijët piqen e burrërohen para kohe. Po e dëgjuat gjyshen tuaj, një punë dua të më bëni ju tani tok me nënat tuaja.
– Është koha të gjeni qetë ngado të jenë , t’i sillni pranë oborreve dhe t’i mbrehni si pendë në zgjedhën e qerreve…. E kuptoni pse duhet kjo punë?…sepse me një herë duhet të shkoni të merrni të vrarët. Nuk ka kush të na i sjellë ata këtu në shtëpi. Nuk ka kohë për të pritur. Tani ngryset shpejt. Ndërkaq, Nëna ime, kur, pa se Nëna e Madhe kishte dalë dhe po ecte pa bastunin e saj, nxitoi për tek ajo, që t’ia jepte bastunin në dorë dhe ta mbante për krahu, që te mbahej dhe mos të rrëzohej, se frynte erë dhe traga qe bërë rrëshqitëse.
* * *
Ashtu, u bë, si porositi Nëna e Madhe. Edhe pse qe ditë me terror, gratë, me ndihmën e çunave mbrehën qetë në pesë qerre, vunë nga një rrogoz me kashtë të butë në shtratin e qerreve si edhe nga një stromë prej qilimi. Kur qerret qenë bërë gati, ne çunakët dhe nënat tona hipëm nëpër qerret dhe ashtu morëm rrugën drejt vendit, ku qenë shtrirë këshilltarët e vrarë. Zbritëm nga qerret, duke mbetur të shtangur nga pamjet e përgjakura, që na u shfaqwn para syve. Ishte një tragjedi e vërtetë në një tokë të lagur dhe me acar. Të pikëlluar dhe me dhimbje në shpirt, ne guxonim të preknim me duar tona fytyrat dhe gjymtyrët e këshilltarëve, që nuk lëviznin me shpresë se mos ndonjë do të ishte ende i gjallë. Të ndrojtur dhe me pikëllim preknim me radhë trupat e pajetë dhe të gjakosur të të gjithë këshilltarëve: Todi Micit (kryetari), Xha Naun Kerrit, Xox Rrapit, Miti Papës. Shumë prekëse ishin minutat, kur përpiqeshim sikur të zgjonim nga gjumi i përjetësisë korrierin e vogel Lili Stavre, i cili ishte gati moshatar me ne, rreth tre-katër vjet më i madh.
Me frikë si fëmijë, po me këmbëngulje, ne shikonim nga afër çdo të vrarë, duke menduar se mos ndonjë ish ende gjallë, …po vetëm njeri nga këshilltarët kish shenja jete, merrte frymë, kish dridhje dhe thoshte “ujë”. Ai ishte xha Kiçua, i cili po duronte dhimbjet e nëntë plumbave dhe nuk po i jepej vdekjes. Atë, xha Kiçon, nxituam ta nisnin të parin drejt shtëpisë. Ndërsa këshilltarët e tjerë kishin dhënë shpirt e qenë zbehur, duke marrë ashtu hijen e lamtumirës së përmortshme të vdekjes. Kurse djaloshi 12-vjeçar, Lili Stavre, tek ndodhej i shtrirë pranë burrave, këshilltarëve të vrarë, dukej dhe më i vogël nga ç’ish. Trupi i tij prej vogëlushi të përgjakur rriste edhe më shumë dimensionin e terrorit dhe të dhunës në Myzeqenë e shtypur në fillim të Operacionit të dimrit 1943-44. Dhe, ashtu nën ankthin e terrorit dhe në një gjendje pikëllimi këshilltarët e vrarë u futën në shtëpitë e tyre. Ajo vrasje atë ditë nëntori ishte një masakër e tmerrshme, që si një hije e zezë u fut në çdo shtëpi.
Atë kohë, Nëna e madhe na u drejtua përsëri, mua dhe kushëririt, Ndonit, që të shkonim në kishë dhe të takonim priftin, ta kujtonim atë për varret, që duheshin bërë, që të caktonte vendet, ku do të hapeshin gropat. Ne u nisëm me një herë. Për pak minuta mbërritëm në oborrin e kishës së Shën-Pjetrit, ku e takuam papa Kriston tok me shërbyesin e kishës, Spiro Qisharin. Dhe u thamë atyre me një herë porosinë e Nënës së Madhe.
– Po,- tha Prifti, – pa vonesë, qysh tani do të fillojmë t’i caktojmë vendet. Dhe për t’i hapur varret na duhen ca çuna të fortë. Ne këtu do të jemi, dhe ju presim të vini..
Kur u kthyem nga kisha në shtëpi, u takuam me disa nga moshatarët tanë dhe u treguam se kish ardhur koha për të bërë gropat e varreve. Çdo djaloshi që i thamë pranoi. U bëmë një grup më shumë se dhjetw vetë, po thuaj se të gjithë nën dhjetë vjeç. Vetëm dy ishin më të rritur se sa dhjetë: Nasi Papa dhe Andon Kërri, të cilët nuk u tërhoqën, po qëndruan tok me grupin. Mbasi gjetëm nga një lopatë a bel, së bashku u niswm drejt kishës, ku po na priste xha Spiro Qishari, i cili na caktoi vendet, ku duhej të hapeshin gropat. Pa e zgjatur, sipas porosive të tij, ne filluam me nxitim të shponim tokën me bel e pastaj e hiqnim dheun e mihur me lopatë mënjanë. Erdhën atë kohë edhe ca gra e djemuri, që na u bashkuan dhe na ndihmuan për t’i hapur gropat më shpejt se ç’e mendonim.
Kur mbaruam punë, shërbëtori i kishës së Shën-Pjetrit, xha Spirua, na mblodhi tok dhe na tha me zë të ulët:
-Tashi, o çuna, Zoti ju bekoftë për mundimin, po do të më dëgjoni një fjalë, që të bëni kujdes për veten tuaj; më zuri veshi një llaf sot, sikur edhe nesër do t’u bëka një tjetër vrasje, prandaj ruajuni dhe mos bini në sy, sidomos kush është mbi 10 vjeç. Pastaj plumbi nuk të pyet…
Kur diell po perëndonte, ne me veglat ndër duar, po ktheheshim nga kisha e Shën-Pjetrit për në shtëpitë tona.
Me t’u futur në oborr, më zunë sytë një kalë me samar lidhur me kapistër. E mora me mend se dikush kish ardhur për ngushëllim. Shkova brenda shtëpisë dhe pashë se ishte xha Koli, vëllai madh i xha Kiços. Nëna e Madhe, e ema e xha Todit, po fliste me zë të ulët me të pranë trupit të shtrirë, pa jetë të të birit, xha Todit të vrarë. Rreth tij, në mes të shtëpisë, disa gra qanin me ngashërim po pa bërë kuje. Vetëm Nëna e Madhe nuk qante, thoshnin se asaj i qenë tharë lotët. Psherëtinte për gjëmën e madhe dhe fliste me xha Kolin, i cili po i thoshte:
– O Nëno, unë mendoj ta marr Kiçon e plagosur në Pojan, ku kam shtëpinë time,- i tha ai asaj.
– Po ai është rëndë, o bir, mos i ndodh gjë rrugës…
– E keqja të gjen edhe në shtëpi, o Nënë, po unë dua ta shpëtoj nga rreziku i madh… Dhe tani më dëgjo si qëndron puna: Në Pojan është një doktor italian rob lufte, ca i thyer në moshë, po që për çudi, gjermanët atë e trajtojnë pak ndryshe, nuk e nisin me të tjerët për të hapur kanale dhe llogore, madje e kanë lejuar të bëjë edhe vizita doktori në fshat. Unë gjeta rastin dhe çova “llaf” atje te komanda edhe më dërguan lajm se doktori do të na e shikojë vëllain e plagosur, po të gjendej në shtëpinë time, në Pojan.
…Mëngjesi i ditës tjetër na gjeti duke fjetur. Nuk u ngritëm dot shpejt dhe dukeshim të trembur dhe të lodhur. Kur u çuam, shtëpia na ngjante bosh. Nënat kishin mbrehur qetë në qerre dhe kishin shpurë të vrarët tek kisha për varrim. Dëgjuam se Papa Kristua i kishte kënduar shkurt liturgjitë. Kurse kishari për çdo njeri, që varrosej, i kish rënë kambanës vetëm një herë, për çdo varrim, si për lamtumirë.
Me t’u kthyer nga kisha, nënat nxituan të na bënin trahananë që të hanim mëngjesin. Nga bisedat e grave dëgjuam se xha Kiçon e kishin shpurë me qerre gjatë natës në Pojan. Qerren e rregulluan mirë për udhëtim; e kishin veshur me rrogoza dhe e kishin sajuar si një dhomë pak të ngrohtë, me qëllim që xha Kiçua të ndjehej më i mbrojtur nga e ftohta; qerren e ngiste xha Llazi si pendar i regjur me qerre. Para dhe anës qerres shkonin një herësh me kuaj xha Koli, xha Tasi, dhe xha Lekua. Udhën natën e kishin ndriçuar fare pak me një fener vajguri, të futur në një shportë për maskim.
Atje, tek shtëpia e xha Kolit në Pojan, tok me njerëzit e shtëpisë, po prisnin të plagosurin edhe fqinjët, miq kosovarë: Latifi, Arifi, dhe Zymeri. Ata kishin ardhur me armët e tyre, në shenjë besimi dhe sigurie. Xha Koli kish pasur ndrojtje se mos vinte ndonjë bandit dhe shtinte me armë, për të vrarë xha Kiçon e plagosur rëndë. Po ata e kishin siguruar xha Kolin që ta sillte të vëllanë e plagosur në shtëpi, pa u trembur se nuk do t’i ndodhte gjë.
– “Kur të vritemi ne të tre dhe ti katër, atëherë do të qëllojnë ata mbi trupin e “vëllaut tand të plagosun,” – i thënë ata.
Këto lajme i kish sjellë, herët në mëngjes, djali i madh i xha Kolit, Vllasi, i cili, sapo tha ato fjalë, sa për dijeni të fisit, u largua drejtë shtëpisë së tij në Pojan.
***
Gratë e moshuara, të nesërmen , siç më kujtohet, bën dhe zakonin e të tretave; u mblodhën në shtëpinë e Nënës së Madhe, atje tek oda e miqve, ku me një herë ndezën qemzën e ikonës, e cila qëndronte mbi sipërfaqen e vajit të mirë brenda një filxhani.
Ndërsa graria ishin duke pirë ujë me bardhak nga një shtëmbë, hapet dera e odës dhe u duk të vinte brenda xha Koli, i vëllai i xha Kiços, që sa kish mbërrijtur nga Pojani me këpucë të përbaltura dhe rroba shajaku.
Xha Koli filloi të tregonte:
-Ja, prandaj erdha, t’ju takoja e t’ju rrëfej për të. Siç e dini, rregulluam një qerre me qe të fuqishëm dhe e morëm Kiçon natën me hënë; kishim edhe një fener me vajguri sa për një çik më shumë ndriçim. Xha Llazi ngiste qerren dhe ne të tjerët kaluar me kuaj e shoqëronim para e mbrapa. Me të mbrrijtur në shtëpi, çuni im i madh, Vllasi, më tha se doktori italian po e priste të plagosurin te shtëpia e Stasa Mandros, e cila e ka shtëpinë me gurë dhe me dy kate. Një dhomë përdhese e ka si odë, ku pret miq. Për të mos rënë sy, i vumë në kokë Kiços një qylaf (plis) kosovari, edhe unë vesha një të atillë, po ashtu edhe Llazi. Me këtë mënyrë , gjysmë të maskuar, tok me miqtë fqinj kosovarë, me Latifin, Zymerin dhe Arifin morëm rrugën drejt e te shtëpia e Stasa Mandros, që na u bë motër e shkuar motrës.
Doktori italian e vizitoi me shumë kujdes Kiçon, i fshiu gjakun e plagëve me alkool dhe i bëri lyerjen e plagëve me ilaçet që kish dhe na porositi që çdo mbrëmje t’ia shpjemë të sëmurin e plagosur pas perëndimit të diellit. Kurse, në vizitën e dytë, më sqaroi se njeriu i plagosur, pra Kiçua i ynë, duhet shpurë pa tjetër tek një doktor kirurg, sepse i kanë mbetur në trup plumba ose cifla plumbi. Dhe një doktor i tillë ndodhet në Vlorë.
“Uaaa!, – shprehën habinë e tyre graria, po si i bëhet kësaj pune kaq të vështirë? enehh
-Me shpresë të Zotit, do t’ia dalim…
***
Më në fund, duke menduar se i kisha radhitur kujtimet dhe impresionet e mia lidhur me vrasjen e këshilltarëve të datës 13 Nëntor 1943, para se ta quaja rrëfimin të përfunduar, mendova t’ia nisja dikujt nga të afërmit e fisit, për ta shikuar, për të bërë ndonjë vwrejtje, për të hequr, ose për të shtuar ndonjë detaj lidhur me atë masakër rrëqethëse. Dhe vendosa t’ia dërgoja Thoma Micit, djalit të Kol Micit. Në të vërtetë xha Koli ka vdekur, por Thomai, duke jetuar një kohë të gjatë pranë tij, mund të dinte ndonjë gjë më tepër e mund të më sugjeronte ndonjë ngjarje.
Ja nisa shkrimin Thomait me postë elektronike dhe ai në mënyrë korrekte m’u përgjigj me “E-mail” menjëherë. Më shkruante se i pëlqente rrëfimi dhe përshkrimi real i asaj dite me terror dhe frikë. Po në të njëjtën kohë më sugjeronte se do të ish mirë të shtoja edhe detaje të tjera rreth figurës qwndrestare të xha Kiços së plagosur, sidomos ai udhëtimi “odhise”…. nga Pojani në Fier dhe nga Fieri nw Vlorë. Ai më theksoi se sipas tij, duhej “të mos harrojmë kalimin e urës së e Mifolit, që kish truproje nga të dyja anët”. “Për kalimin e kësaj pengese,- më shkruante Thomai,- im at, Koli,- më thoshte se rol të rëndësishëm luajti miku ynë i vjetër Pilo Korraqja, i cili fliste në gjuhëra të huaja. Me ndihmën e tij e kaluam Vjosën dhe morëm rrugën drejt Vlorës. Kurse për futjen e xha Kiços në klinikën e kirurgut në Vlorë na erdhi si dhuratë nga qielli mirësia, që tregoi për ne i ndrituri Tol Arapi, person i njohur në Vlorë, që me shpirt human, nuk la shteg pa shkelur derisa xha Kiçon e pranuan dhe e futën në spital, dhe e shpëtuan nga plagët e plumbave.
“Tjetër fakt, që e bën edhe më interesant rrëfimin, – më sugjeronte Thomai- do të jetë vendosja e fotografisë origjinale e doktorit Italian, rob lufte, dhe e ndihmësit të tij. Kjo foto e vjetër e vitit 1943, e rrit vlerën dokumentare për të gjithë shkrimin.
– Kjo do të ishte si një surprizë për ilustrimin e rrëfimit,- iu përgjigja, – po ku mund ta gjesh?
– E kam unë,- më tha Thomai i xha Kolit, – na i ka lënë babai si relike, pak kohë para se të ndahej nga jeta. Kjo ndodhi një ditë vjeshte, kur kishim për vizitë xha Kiçon. Qe një moment, kur babai po tregonte për punën delikate të doktorit Italian, si të thuash në “hundën e gjermanëve”, …po nja dy nipave fare të rinj, po u dukej ngjarja si ndodhi e pabesueshme. Atëherë babai shoi cigaren e duhanit, kërkoi çelësin e baules së nënës, e çeli atë, dhe kapi një çantë të vjetër dalë boje; e hapi duke nxjerrë nga ajo çantë fotografinë origjinale të mjekut dhe ndihmësit tw tij…. Pastaj me ato fotografi në duar babai na u drejtua të gjithëve:
– Kam rreth dyzet vjet që i ruaj në fund të baules këto fotografi, qysh nga ajo kohë, kur kurohej xha Kiçua, po jua nxora sot që të na besoni ne pleqve, kur flasim për ngjarjet e Luftës.
Ja kjo është fotografia e Doktorit Ambrogio Frigeri, dhe , infermierit Scolaro, si e quante ai. Po ua lë si kujtim, t’i mbani me kujdes, ose t’ia dorëzoni ndonjë muzeumi. Me këto fjalë të Thomait, djalit të xha Kolit, po i mbyll kujtimet e mia rreth datës së 13 Nëntorit, ditës së përgjakshme, kur ndodhi vrasja e Këshilltarëve në fshatin Shën-Pjetër, që qe një masakër, e cila synonte terror në Myzeqe, duke shënuar fillimin e Operacionit të dimrit 1943-44.
Shënim
Këto kujtime të fëmijërisë time të hershme i kisha shkruar në një fletore shumë kohë më parë dhe i mbaja si materiale për t’ua rrëfyer fëmijëve dhe të afërmve atë ngjarjen e tmerrshme të vrasjes së këshilltarëve më 13 Nëntor 1943, që krijoi frikë dhe terror në Shën-Pjetër. Po kur pata rastin të vizitoja në shtatorin e vitit 2021 Muzeumin Historik të Fierit, pashë se në një dhomë të këtij institucioni qe ekspozuar një pikturë me portretet e atyre këshilltarëve të vrarë, atë çast vendosa që t’i rishkruaja në kompjutër shënimet e fletores, duke shtuar edhe kujtimet e njerëzve të fisit, dhe t’ia dorëzoja Muzeumit si dëshmi dhe në shenjë kujtimi dhe nderimi për gjakun e derdhur.