Nga Nuri Plaku
Zija bej Mullaj, është një nga figurat ushtarake më të rëndësishme të periudhës së Pavarësisë sonë kombëtare, aktiviteti i të cilit ka patur një shtrirje të gjerë në qarkun e Beratit. Ai shfaqet me organizimin e çetave komite, në forcat mbrojtëse të qeverisë së Ismail Qemalit, në luftën kundër rebelëve të Haxhi Qamilit, në organizimin e Kongresit të Lushnjes, luftën e Vlorës e deri te angazhimi në shoqërinë Bashkimi në vitin 1921.
Por, mbi të gjitha ai mbetet komandanti i përgjithshëm i forcave kryengritëse për Shqipërinë e Jugut, i zgjedhur në Fier në korrik të vitit 1912, fill mbas Kuvendit të Sinjës dhe çlirimit të këtij qyteti nga forcat osmane. Kjo pozitë është kurora e lavdisë së këtij patrioti, e cila mjerisht, në të gjitha biografitë e tij, të shkruara e botuara nga autorë të ndryshëm, nuk përmendet prej askujt.
Zija Neim Mullaj u lind në Berat më 3 shtator të vitit 1874. I ati mbante gradën e pashait dhe kishte prona bujqësore në fshatin Bubullimë të Lushnjes ku më vonë transferohet edhe me banim. Nga ky shkak, Zijain e hasim shpesh me mbiemrin Berati e Bubullima.
Pasi mbaroi shkollën e ulët në qytetin e lindjes, kreu arsimin e mesëm në Manastir dhe më pas, studimet e larta në Akademinë ushtarake në Stamboll. Në vitet studentore ka mar pjesë aktive në lëvizjen kombëtare që zhvillohej nga atdhetarët shqiptarë në kryeqytetin osman, kryesisht për hapjen e shkollave dhe lëvrimin e gjuhës shqipe. Mbas mbarimit të studimeve emërohet toger në sanxhakun e Beratit dhe angazhohet energjikisht në lëvizjen patriotike të këtij qyteti. Më pas, gjatë karierës ushtarake, ka marrë gradën kapiten e nën major.
Lëvizja patriotike dhe organizimi i kryengritjes antiosmane të vitit 1912 e gjen me detyrën e nënmajorit në repartin e redifëve të Mbyetit në Fier. Krahas organizimit dhe zgjerimit të çetave komite, në muajin mars të këtij viti, patriotët filluan prapagandën edhe me ushtarakët shqiptarë, për dezertimin e tyre nga radhët e ushtrisë osmane. Më 22 qershor nga korpusi i 6-të i ushtrisë osmane në Manastir, dezertuan 150 ushtarë shqiptarë me oficerin Tajar bej Tetova në krye duke marë me vete edhe mitralozë e municione. Në kazanë e Korçës, po këtë datë u arratisën 15 krerë me në krye Pandeli Calen. Fill mbas këtyre rasteve, dezertoi edhe Zija bej Mullai.
“Nën majori i redifëve, Zija Beu, i arratisur nga Fieri ka mbledhur nji çetë prej 80 vetësh dhe ndodhet në afërsi të lokalitetit në fjalë(Fierit), – shkruan Bilindski, konsulli austro-hungarez në Janinë, në raportin e tij, drejtuar ambasadorit austro – hungarez në Stamboll, Pallavicinit.
Në situatën e krijuar, qellimi i patriotëve ishte bashkërendimi i lëvizjes së tyre me patriotët e veriut, në mbështetje të memorandumit të Greçes. Ata mendonin se, Kryengritja e Shqipërisë së Jugut kishte shumë rëndësi për fatet e vendit, pasi ajo unifikonte lëvizjen për pavarësi në të gjithë trojet kombëtare. Në këto momente të rëndësishme politiko – historike, kryengritësit e Shqipërisë së Jugut u mblodhën më 10 deri më 23 korrik 1912 në fshatin Sinjë të Beratit, në një kuvend të rëndësishëm për fatet e vendit. Aty morën pjesë rreth 400 burra që drejtoheshin nga 48 komandantë çetash dhe udhëheqës politik të lëvizjes. Lista me 48 emra e publikuar në gjuhët turqisht dhe frëngjisht, kryesohet nga Zija bej Mullai. Më pas vijnë emrat e patriotëve të njohur si; Gani bej Korça, Kahreman bej Vrioni, Mahmud bej Zaloshnja, Izet bej Zavalani, Pandeli Cale, Mustafa Kapinova, Jaup Korça, Iliaz bej Vrioni, Hysni Toska, Bektash Cakrani etj. Madje edhe përfaqësuesi austro – hungarez në Vlorë, Bostil, në raportin e tij dërguar ministrit të punëve të jashme të perandorisë, Berchtold, citon si firmëtar të parë pikërisht Zija bej Mullanë. “Memorandumi i miratuar më datë 23 korrik 1912, në Sinjë pran Beratit, – shkruan ai, – mban 48 nënshkrime të bejlerëve të ndryshëm e të bujarëve të Beratit e të Korçës, si për shembull: të zëvendës majorit Zija Beu i dezertuar nga redifët e Fierit, të kryetarit të Bashkisë të Beratit Iliaz bej Vrionit… etj.”
Nga kjo renditje, lihet të kuptohet se Zijai ka qenë edhe në krye të komisionit të zhvillimit të punimeve të këtij kuvendi. Duke filluar nga Kuvendi i Sinjës, vëmë re se emri tij, fillon të veçohet si më i rëndësishmi e më kryesori midis kryengritësve.
Kuvendi hartoi një memorandum prej 12 pikash në frymën e atij të Greçes, nëpërmjet të cilit udhëheqësit patriotë paralajmëronin Stambollin se do të vazhdonin të qëndronin në male në qoftë se nuk plotësoheshin kërkesat e tyre. Pas kuvendit, kryengritësit lanë kodrat e Sinjës dhe shkuan në Risili pranë Vlorës. Që aty, po atë ditë dërguan në qytet një delegacion prej 6 vetash nën drejtimin e Izet bej Zavalanit e Bektash bej Cakranit, të cilët i dërguan telegrafisht Vezirit të Madh në Stamboll 12 kërkesat e Memorandumit dhe nga një kopje ua dhanë të gjithë përfaqësuesve të huaj në qytet. Nga Risilia kryengritësit zbritën në Cakran, pastaj ju drejtuan Fierit. Marrja e Fierit ishte shumë e rëndësishme për lëvizjen patriotike pasi ky qytet ishte pika kyçe e kryqëzimit të rrugëve tokësore dhe detare. Pikërisht këtu, forcat kryengritëse ngritën bazën e tyre dhe filluan punën për organizimin e kryengritjes së përgjithshme. Sipas shënimeve të Lef Nosit, në Fier, kryengritësit formuan Komitetin e Kryengritjes se Jugës, i cili do të merrej me organizimin e Kryengritjes së armatosur për gjithë Shqipërinë e Jugut. Komiteti kryesohej nga një pleqësi e zgjedhur e përbërë nga Izet Zavalani, Bektash Cakrani, Pandeli Cale dhe Jusuf Zijai. Komandant i përgjithshëm i forcave kryengritëse u zgjodh Zija bej Mullai dhe zëvendëskomandant Islam Vrioni.
“Atje vunë kryetar të çetës Zija bej Mullanë!” – Shkruan Lef Nosi.
Në këtë periudhë, forcat kryengritëse ishin në kulmin e aktivitetit të tyre patriotik. Pas organizimit të strukturave drejtuese, ato marrshuan për të marrë Beratin. Tashmë në krye të tyre ishte komandanti i përgjithshëm Zija bej Mullai.
Sipas një dokumenti arkivor, forcat kryengritëse të Shqipërisë së Jugut, hyn në Berat më 20 gusht 1912. “Më 7 gush (sipas kalendarit turk, sh. im) erdhën këtu komitat shqiptar gjer në 2000 vetë – thuhet në dokument, – Të parët nga këta ishin: Zija beu(Mullai), Pandeli Cale, Ismail efendiu(Klosi),Hysni Toska, Nisat bej(Vrioni), Jashar bej (Malasi), Shefki bej Kapinova, Ferit Lumani dhe më të çquar ndër këta, Kahreman bej Vrioni, Qemal bej Vrioni, Islam bej (Vrioni) Seit bej (Vrioni) dhe shumë të tjerë panumërta.”
Të njëjtën datë konfirmon edhe konsulli austro – hungarez Lejhanec, i cili ndodhej gjatë kësaj vere në Berat. “Unë pash hyrjen e kryengritësve në qytet më 20 gusht, sikundër shumica e banorëve të Beratit, – shkruan ai.”
Të nesërmen, më 21 gusht, sipas dokumentit, kryengritësit filluan nga veprimet politike, dëbuan bimbashin dhe ysbashin dhe hapën burgun ku vuanin dënimin 200 persona. Ndërsa në dt.22 gusht në Milet bahçe u organizua një miting i madh ku merrnin pjesë shumë njerëz. Aty u mbajtën dy fjalime kryesore, njëri prej mytesarifit dhe tjetri prej Zija bej Mullait. “Më 9 gusht në Milet bahçe u mbajt fjalimi prej mytesarifit e prej Zija beut, – citohet në dokument.- Këta njoftuan premtimet e qeverisë për punën e 12 artikujve shqiptarë… Dhe u shkrehën armë të panumërta.”
Edhe nga ky dokument del qartë pozita e rëndësishme e Zija bej Mullait në kryengritjen antiosmane të vitit 1912.
Me shpalljen e pavarësisë, Zija bej Mullai, ashtu si dhe shumë ushtarak të tjerë të karrierës, u bë pjesë e forcave të armatosura të qeverisë së Vlorës. Më pas, emrin e tij e gjejmë në radhët e ushtarakëve të qeverisë së princ Vidit, i angazhuar si komandant forcash në luftë kundër rebelëve të Haxhi Qamilit, në mbrojtje të Myzeqesë e të Lushnjes. “Vlonjatët dhe banorët e Mallakastrës së Sipërme, – shkruan në kujtimet e tij Syrja Vlora, – sipas përgatitjeve të nënmajorit Kol Agasit dhe Zija Bej Mullait, qendruan në ball.”
Ndërsa në vitin 1920, angazhimi i tij shfaqet në dy ngjarjet kulmore të këtij viti; si anëtar i komisionit nismëtar të Kongresit të Lushnjes dhe luftëtar në Luftën e Vlorës. Nji vit më vonë, Zija bej Mullai shfaqet si delegatë në Kongresin e Bashkimit të Shoqërive, mbajtur nga 25 prilli deri në 3 maj 1921 në qytetin e Vlorës ku mernin pjesë 47 delegatë dhe mbi 110 dëgjues. Në këtë kongres, Zijai përfaqësonte Lushnjen së bashku me kryetarin e përlimtares së këtij qyteti Llazar Bozo dhe Hysen Qerimi.
Për herë të fundit, Zija bej Mullai shfaqet në përbërje të stafit mësimor të shkollës bujqësore në Lushnje në vitin 1922, si ekonomist ushqimi. Duket se sëmundja dhe pamundësia fizike e ka bër të shkëputet nga kariera e gjatë ushtarake. Po këtë vit, më 5 nëntor 1922, ai ndahet para kohe nga jeta, në moshën 48 vjeçare.
Në vitin 1937, në kuadër të festimeve të 25 vjetorit të vetëqeverimit, komisioni i Prefekturës së Beratit, dt 12 gusht 1937, e nderoi figurën e tij duke pagëzuar shkollën mashkullore të Lushnjes me emrin “Shkolla Zija Mullaj.” Në vitin 1995 është dekoruar me medaljen:“Për veprimtari të shquar në organizimin dhe mbrojtjen e punimeve të Kongresit Kombëtar të Lushnjes,” ndërsa Bashkia Berat, në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë sonë kombëtare e nderoi me titullin “Nderi i qytetit.”
Kanë kaluar dhjetëra vjet dhe emri i Zija bej Mullait mbetet ende i gjallë e i freskët në memorien historike të kësaj treve. Dhe i tillë do të mbetet në të ardhmen, aktivist i zjarrtë, luftëtar e mbi të gjitha komandant i përgjithshëm i forcave kryengritëse të Shqipërisë së Jugut, i zgjedhur në Fier në korrik të vitit 1912, pozitë që përbën edhe kurorën e lavdisë së tij patriotike.
Faleminderit autorit per shkrimin.
Respekt patrioteve qe shkrine pasurine per Shqiperine,
Ndeshkim e vdekje hajduteve te politikes qe vjedhin pasurine kombetare per xhepat e tyre.