I ndjeri Andrea Stefani botonte këtu në DITA në 21 janar 2016 një shkrim mbi 21 janarin ku fliste edhe për disa SMS mes tij dhe ish-ambasadorit amerikan Arvizu.
Po e risjellim për lexuesin në këtë përvjetor që sapo lamë pas të vrasjeve mizore të 21 janarit 2011, një tjetër krim i rëndë deri tani pa ndëshkim, ndërkohë që prova të reja kanë dalë në dritë.
Nga Andrea Stefani
Ndryshe nga fillimet e tranzicionit, kur i perceptoja diplomatët perëndimorë si misionarë të demokracisë dhe lirisë, përvoja e gjithçkaje që ka ndodhur në këto 25 vjet në Shqipëri ka shtuar, në mos skepticizmin, qëndrimin kritik ndaj tyre.
Sepse, jo rrallë, kam konstatuar se sugjerimet e tyre, më shumë se reagime parimore ndaj zhvillimeve reale, janë qëndrime të paraprogramuara, shablloneske ndaj të cilave ata manifestojnë një besnikëri jo elastike. Kam konstatuar shpesh diçka prej roboti, një këmbëngulje të paepshme (makinike do ta quaja), jo shpirtërore në qëndrimet e tyre që në krye të herës, e mendoja si një lloj arrogance të pranueshme prej mësuesi për NE, nxënësit që nuk merrnim erë nga demokracia.
Por më vonë kuptova se ajo qe, më së shumti, mungesë lirie për të vepruar ndryshe nga programi, nga strategjia apo udhëzimet e marra. Diplomati nuk është vetvetja por një bulon në makinën e diplomacisë. Prandaj, ka vite që ato që diplomatët thonë apo rekomandojnë, nuk janë më për mua një ushqim i rrallë që duhet përtypur me mirënjohje, por pikëpamje dhe sugjerime që duhet të kalojnë nëpër filtrin e mendimit kritik.
Kështu ndodhi edhe me ambasadorin amerikan Aleksandër Arvizu.
Kishim pak kohë që këmbenim mesazhe kur një mbrëmje, marr prej tij ftesën që ta ndiqja në TV në një interviste për gazetaren Sonila Meço. Kuptova se donte edhe një opinion për intervistën. Dhe ja dhashë. Isha mjaft kritik dhe u pa qartë, edhe nga qëndrimi i mëvonshëm (që nuk mora më mesazhe prej ambasadorit) se nuk e pëlqeu fare reagimin tim.
Por edhe mua nuk më pëlqeu fare një qëndrim aq refraktar madje jo miqësor ndaj kritikës, edhe pse diskrete, të një gazetari. Në fund të fundit, si gazetar, duhej të jepja opinionin tim që nuk do të thotë pëlqimin për çdo gjë që mund të thotë apo bëjë një ambasador, qoftë edhe ky i SHBA. Një privilegj që nuk e ka gëzuar në SHBA, në marrëdhënien me gazetarët, as Obama dhe asnjë President. Madje, ky është një nga shkaqet se përse SHBA mbeten, megjithë mangësitë, demokracia më e fuqishme në botë.
Me ç’duket, ambasadori mirëpriste vetëm pëlqimin. Por do kisha qenë i pasinqertë me të, me veten dhe vendin tim po t’ja jepja. Por mbi të gjitha, me ata që u vranë mizorisht në 21 janar. Me Ziverin, Aleksin, Farukun, Hekuranin.
Mbaj mend se në intervistën në fjalë, Arvizu i mëshoi më me theks përgjegjësisë së opozitës për organizmin e demonstratës madje, duke thënë se opozita duhet të kërkonte falje për një gjë të tillë. Prandaj, në mesazhin për të, nënvizova se të kërkosh që opozita të kërkojë falje, është të vendosësh një balancë aspak realiste mes krimit të vrasjes së 4 protestuesve dhe një demonstrate të dhunshme.
I bëja edhe pyetjen habitore: Basha një “star”?! Edhe një tjetër pyetje: Vërtet besoni se Berisha është një politikan me ideale demokratike?
Në përgjigje të mesazhit tim, Arvizu mohon të ketë vendosur shenjën e barazimit mes qeverisë dhe opozitës, dhe shton se gjërat mund të ndryshojnë për mirë vetëm nëse janë më të shumtë njerëzit që marrin përgjegjësi.
“Unë publikisht kam thënë se qeveria, për shkak se është në pushtet, mban përgjegjësinë kryesore dhe duhet të japë shembullin për këtë. Po vërtet beson se PS nuk ka fare përgjegjësi për atë që ndodhi në 21 janar? Qe një konfrontim dhe kishte dy palë. Në çdo rast, mesazhi themelor që doja të përçoja është se mbetet e papranueshme për krahët politikë të kërcënojnë ose të pengojnë në çdo mënyrë punën e kryeprokurorit dhe të vepruarit kështu, do të ketë pasoja në termat e marrëdhënieve me SHBA”.
Dhe e mbyllte: Shpresoj kjo ndihmon!
Në fakt nuk më ndihmoi aspak. Nuk pata marrë asnjë përgjigje lidhur me pyejtjet për Bashën si “yll” dhe Berishën si “demokrat’. Ndërkohë nuk arrija të kuptoja sesi mund t’i bënim politikanët shqiptarë të merrnin përgjegjësi mbi vete ndërsa po shpallnim “star” një ministër të brendshëm që nuk mori as përgjegjësinë politike për vrasjen e 4 protestuesve nga ushtarët nën urdhrat e tij?
Ja shkrova këto ambasador Arvizut në një mesazh pasues, duke e ilustruar edhe me shembullin e, Jorge Coelho, ministrit portugez të punëve publike që dha dorëheqjen pas shembjes së një ure ku u vranë disa qytetarë. Por nuk mora përgjigje. As më mesazhe.
Ambasadori Arvizu ka folur edhe për nevojën e një hetimi gjithëpërfshirës për 21 janarin. Në këtë pikë kemi qenë në të njëjtën gjatësi vale. Edhe pas largimit të tij, në media është kërkuar në mënyrë konstante që kjo të ndodhë. Madje kemi kritikuar qeverinë Rama për plogështi në bërjen e pjesës së saj të detyrave përsa i përket 21 janarit. Kemi shkruar se është vrasje e drejtësisë që masakra të mbetet pa fajtorë. Dikush është fajtori. Dhe flasim për nivelin më të lartë politik. Nuk flasim për drejtuesit, aq më pak për ushtarët e Gardës që urdhërohen të qëllojnë apo të mos qëllojnë.
Kemi kritikuar edhe Berishën për gënjeshtrat që lëshoi për puç apo grusht shteti të armatosur me thika me helm e çadra pistoletë. Por kemi shtuar se nëse nuk janë gënjeshtra e mashtrime, pse Berisha nuk dërgon këto prova të puçit në prokurori? Pse nuk e bën këtë punë kur dihet që vetëm realiteti i një puçi do ta nxirrte atë të pafajshëm për vrasjet?! A mund të besohet që ky politikan, që e bën edhe “priftin me barrë” kur ja do puna, të tolerojë Ramën, “këtë të keqe të madhe që duhet larguar një orë e më parë me revolucion”, duke patur në dorë fakte për inkriminimin e tij në një puç? Përse shërben revolucioni kur ke provat e inkriminimit në puç?
Por vetë fakti që Berisha shpiku puçin, është prova logjike se demonstrata e opozitës në vetvete, sado e dhunshme, nuk qe një shkak i mjaftë, për të justifikuar vrasjet. Edhe pse i parapriu vrasjeve, dhuna e protestuesve nuk qe shkaku i tyre.
Sikundër deklaroi qartë lidhur me 21 janarin Sarkozi, në demokraci është i pa tolerueshëm përdorimi i fishekëve luftarakë kundër protestuesve! Prandaj kërkesa e ambasadorit Arvizu që opozita të kërkonte falje ishte, në mendimin tim, e njëanshme, e pabalancuar.
Ambiguiteti në qëndrimin e ndaj 21 janarit shfaq pasoja edhe në ditët e sotme. Tashmë po shohim një revansh të berishizmit që, pas një heshtjeje, po i rikthehet akuzave të puçit. Para pak ditësh, Arben Imami deklaroi se 21 janari qe një grusht shteti madje, bandash dhe celulash antiamerikane. Por antiamerikan është çdo akt antidemokratik. Dhe a mund të quhet akt demokratik vrasja e qytetarëve të pafajshëm?
Nëse jo, atëherë celula antiamerikane ka qenë në kokën e qeverisë, te politikanë si Imami dhe Berisha që ishin të parët që, për të justifikuar vrasjet formuluan akuzën e rreme, një taktikë hitleriane kjo, të puçit. E megjithatë nëse nuk është kështu, pyetja për ta këmbëngul: Përse bëni krim ndaj drejtësisë duke mos dërguar provat e puçit në prokurori? Por sigurisht nuk do të këtë përgjigje. Sepse nuk ka prova të tilla.
*****
©Copyright Gazeta DITA
Ky artikull është ekskluziv i Gazetës DITA, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar DITA dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.