Nga Edona Llukaçaj
“Kur Zoti do ta gëzojë varfanjakun, bën që t’i humbasë gomari dhe e ndihmon ta gjejë prapë” është se si e shpjegon, me doza të larta ironie, mençuria popullore e disa viseve përpjekjen jetësore të pafrytshme të të dobëtit.
Anullimi i minutës së fundit nga kryeministri i ndryshimit të planifikuar në përllogaritjen e konsumit të energjisë elektrike për familjarët, duket se ndjek të njëjtën trajektore shpërqendruese.
Deklaratat e njëpasnjëshme se, duke filluar nga tetori, konsumi mbi 800këh në muaj do tarifohej me çmimin e tregut, pra me rreth katërfish të çmimit aktual, i bëri shqiptarët e thjeshtë të drithëroheshin që në mes të verës.
Të trembur nga pamundësia, filluan të studionin seriozisht masat e kursimit të propozuara nga qeveritarët, që, pak a shumë, konsistonin në kufizim katërcipëror në gatim, ngrohje, pastrim e gjithçka tjetër. Por, pasi edhe ekspertët e superpaguar të ERE, që, me sa duket, e vlerësuan si të përballueshme dhe të drejtë, e miratuan fashën në fjalë dhe pasi më largpamësit mes nesh ndryshuan llampat dhe hekurosën këmishat e dimrit, vendimi papritmas ndryshoi.
Rreth 12 orë para se tetori të hynte, kryeministri Rama, i plotfuqishëm si është, shpalli se fasha nuk do të fillonte të zbatohej këtë muaj, duke u shprehur se Fierza po mbushej nga reshjet e bollshme ndërsa shqiptarët ishin ndërgjegjësuar. Ndonëse shtyrja është lehtësuese për shumicën dërrmuese të familjeve shqiptare, të kërrusura nga rritja e çmimeve në përgjithësi, ajo që shqetëson është tjetër gjë.
Është se gjithçka, e duhura dhe e gabuara, e pranueshmja ose degraduesja, e dëshirueshmja a jo, pushteti dhe mbipushteti janë në dorën e një njeriu të vetëm.
Kryesisht falë opozitës të shpërbërë e të pandikim, në një tjetër epokë nga ajo që e propogandonte duket se në Shqipëri u lind (a rilind) “mbinjeriu” jo i virtytit por i pushtetit.
Ky “mbinjeri” ka fuqi ekstreme dhe të shtrirë që të vendosë, pezullojë, revokojë e, po deshi, të rivendosë sërish, si ia ka ëndja momentale. Ndërsa ata që e rrethojnë, anëtarë qeverie të heshtur nga mirënjohja a ekspertë të bindur nga mbingopja, gjenerojnë argumenta a justifikime për lëvizjet e tij, jo rrallë arbitrare.
E kur problemet janë aq të shumta e të shumëllojshme sa edhe qytetarëve apatikë e të lodhur fillon i bën përshtypje, thjesht “zhduket gomari”. Pra, që të mos mendohej e flitej për zhvillime të paqarta dhe potencialisht të papëlqyera nga opinioni publik, ata hutuan për muaj të tërë me faturën kërcënuese.
Çfarë të fikin e çfarë të lënë ndezur për të mos kaluar 800 këh ishte më emergjente të zgjidhej se të vritej mendja se pse u hoq me ceremoni kryepolici i pëlqyer përtej oqeanit, bazuar në cilin nen do i jepet shtetësia shqiptare bangladeshasve, apo çfarë po na kanoset sa na detyron të marrim drone superinteligjentë “Bayraktar” nga Turqia.
Prandaj nga ngazëllimi se në tetor do ndezim edhe dritat edhe televizorin njëkohësisht, pa na u dridhur dora, mund të mos ia vejmë veshin ca vogëlsirave të “mbinjeriut”.
Në fund të fundit, “gomarin” edhe këtë herë e gjetëm. E më vonë, sheh Zoti.
