Prof. dr. Bardhosh Gaçe
Botuar në DITA
Ali Asllani është pa dyshim ndër personalitetet më të shquara të poezisë shqiptare, sidomos në vitet pas periudhës së pavarësisë kombëtare e në kohët e vona. Ai hyri në letërsinë shqipe si një rilindës i vonë. Zëri i tij poetik u shfaq i plotë në jetën letrare shqiptare, në vitet ’20-’30, kur ende shkruanin Andon Z. Çajupi, Ndre Mjeda, Gjergj Fishta, Asdreni, Fan S. Noli, Mitrush Kuteli, kur kishin nisur fillesat e krijimtarisë së tyre: Ernest Koliqi, Et’hem Haxhiademi, Ramiz Harxhi, Lasgush Poradeci etj. Në këtë kuadër të përgjithshëm të jetës sonë letrare, poezia e Ali Asllanit shquhet për origjinalitetin dhe autencitetin e zërit të vet. Është një poet i veçantë një zë tjetër i bukur, që i bashkohet korit të përgjithshëm, poezisë së vërtetë të atëhershme shqiptare. Në atë klimë, në atë botë letrare dhe në atë kohë krijoi e jetoi ai.
Poezia shqiptare e viteve ’20-’30, përshkohet kryesisht nga motivi patriotik. Duke trashëguar këtë motiv prej Rilindjes Kombëtare, De Radës e Naim Frashërit, pastaj Fishtës, Asdrenit, Hilë Mosit e Çajupit, poezia shqiptare frymëzohet prej përpjekjeve të popullit tonë, për çlirim dhe progres demokratik. Është e vështirë të gjesh në atë kohë një poet që nuk e përpunoi motivin patriotik. Ajo që e dallon Ali Asllanin është se ai, motivin patriotik e ka të drejtpërdrejtë, domethënë, ai është zëri i atypëratyshëm i ngjarjeve kapitale të historisë së re shqiptare, ngjarje të cilat Ali Asllani (poeti) i përjetoi personalisht dhe thellë, gjë që tronditën ndërgjegjen e tij artistike.
Pas botimeve të para në shtypin e kohës, kur ishte nxënës në gjimnazin Zosimea të Janinës dhe student në Stamboll, në vitin 1914, gjejmë fillesat e tij poetike. Në vjershërimet e para të tij, gjejmë përjetimet djaloshare të fshatit shqiptar sidomos të fshatit Vajzë të Vlorës. Ndihet qysh aty lidhja e madhe e krijimtarisë së tij me këngën popullore të Labërisë, që gjithmonë do të përbëjë një nga karakteristikat themelore të poezisë së tij.
Në fillim të shekullit XX, pas fitores së Revolucionit Xhonturk, ngjarjet në Perandorinë Osmane, në Gadishullin Ballkanik e veçanërisht në Shqipëri precipitojnë. Nën ndikimin e Ismail Qemalit dhe të klubit shqiptar të Janinës, Ali Asllani u përfshi në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Sipas të dhënave të shtypit të atëhershëm, Ali Asllani ishte njëri ndër përkrahësit më të zjarrtë të Ismail Qemalit dhe nga të parët që u kërcënuan nga qeveritarët osmanë me arrestim dhe internim në Alep të Sirisë. Ai, pas arratisë në Korfuz, përfaqësoi klubin “Bashkimi” të Janinës në Kongresin e Dibrës 1909.
Pas shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, në vitet e Qeverisë së Vlorës, u bë bashkëpunëtori i Ismail Qemalit. Në këtë kohë, ashtu si Ismail Qemali, edhe Ali Asllani, si një intelektual poet ka kundërshtarët e vet. Kështu që, më 1914 ai arratiset në Itali dhe qëndroi atje disa kohë. Në mërgimin dhe arratinë në Itali shkruan tanimë, në hapësira të gjera poetike. Njihen 28 poezi të kësaj periudhe, një pjesë janë të botuara në shtypin e atëhershëm të Vlorës si “Shpresa Kombëtare”, “Mbrojtja Kombëtare” dhe disa ruhen në dorëshkrim.
- Përmbajtja themelore e krijimtarisë së asaj periudhe, ishte çlirimi dhe zhvillimi i Shqipërisë, d.m.th. fryma patriotike përcaktuese e kohës. Kjo përbën tiparin përcaktues themelor të krijimtarisë së Ali Asllanit, e cila në njëfarë kuptimi, përbën në përgjithësi palcën e poezisë së poetit të Vlorës. Asnjë poet tjetër nuk ka qenë kaq i përpirë dhe kaq i përkushtuar ndaj problemit të çlirimit të Shqipërisë, sa Ali Asllani. Dhe kjo vjen si nga lidhja e fuqishme shpirtërore që ka poeti me vendlindjen e tij, Vlorën edhe nga formimi i tij intelektual dhe poetik, që përthith burimin e madh të këngës popullore të trevës së Labërisë, me shpërthimet shpirtërore dhe artistike të saj. Në këtë drejtim, Ali Asllani përbën një kënd në trekëndëshin e At Fishtës; me përmbajtjen dhe frymën patriotike dhe koloritin e trevës së Shkodrës e të Malsisë së Veriut; të Lasgush Poradecit, me koloritin dhe me nuancat e këngëve popullore të Pogradecit dhe në përgjithësi të trevës Jug-Lindore të vendit.
Këtë përcaktim dhe zhvillim të ardhshëm të poezisë së vet, Ali Asllani e pati të ndërgjegjshëm qysh në fillimet e krijimtarisë së tij poetike. Ishte një periudhë, kur lëvizja çlirimtare shqiptare, pasqyrohej në mënyrë të drejtpërdrejtë, sidomos në poezinë e kohës. Në këto udhë shkuan edhe poetët më në zë si: Luigj Gurakuqi, Asdreni, Hilë Mosi, Andon Z. Çajupi, Gjergj Fishta e të tjerë. Në këtë plejadë, me karakteristikat, ngjyrimet dhe konotacionet e veta zhvillohet edhe poezia e Ali Asllanit. Ashtu si Gjergj Fishta dhe Lasgush Poradeci në trevat e veta dhe në fushën e përcaktuar poetike të tyre, ashtu edhe Ali Asllani ka lujtuar rol të rëndësishëm, jo vetëm në zhvillimet e përgjithshme të poezisë shqiptare të asaj kohe, por gjithashtu edhe në zhvillimet e krijimtarisë të poetëve më të rinj, të cilët më vonë do të kalonin nëpërmjet shkollës së Ali Asllanit, kështu, sikurse Petro Marko, Nexhat Hakiu, Andrea Varfi, etj. Kjo do të thotë që, kur studiohet zhvillimi i letërsisë shqiptare të periudhës së pavarësisë, në anatominë që i bëhet asaj, poezia e Ali Asllanit ka një vend të vetin të përcaktuar.
Në të shumtën e rasteve në poezitë patriotike të Ali Asllanit, shprehet optimizmi i poetit për fatet e atdheut, me një vizion real poetik. Ndër poezitë më të realizuara me këtë temë, që ai shkroi në vitet 1916-1922 janë: “Gjoni” (1916), “Dëshpërim dhe shpresë” (1918), “Buza ime kur do qeshë” (1918), “Do na bënet Shqipëria” (1919), “Unë dhe bota” (1919), “Sazani” (1919), “Ismail Qemali” (1919), “Vlora-Vlora” (1919), “Rreth epopesë së Vlorës” (1919), “Mirë se ardhët” (1920), “Këngë 1921”, “Për dëshmorët” (1922) etj. Krahas optimizmit, në këtë krijimtari të tij shfaqet edhe dëshpërimi edhe zemërimi i poetit, por ai këtu kurrsesi nuk bie në pesimizëm. Shqetësimi poetik i tij është ai për fatet e atdheut të vet.
Poezia e Ali Asllanit, qysh në fillimet e veta, ka përmbajtur në vetvete tiparin patriotik shqiptar, koloritin shumë të theksuar popullor dhe origjinal, por në të njëjtën kohë, ajo ishte një poezi që shkonte drejt zhvillimeve të përcaktuara kulturore të Shqipërisë dhe të poezisë shqiptare të asaj kohe. Ndërsa Fishta krijonte poezinë e madhe patriotike, epike shqiptare, të mbrujtur me kulturën evropiane, ndërsa Lasgushi krijonte poezinë e tij lirike “më moderne shqiptare”, siç përcakton Prof. Eqrem Çabej, poezia e Ali Asllanit përcaktonte më së miri takimet dhe ndarjet e kulturës lindore e perëndimore të jetës dhe të botës shqiptare të atëhershme. Poezia e tij vjen e ushqyer me kulturën e orientit (poezia persiane), dhe merr kontakte me poezinë e oksidentit, sidomos atë franceze.
Poeti i vërtetë Ali Asllani vjen në fushën e letrave shqipe, në fund të viteve ’30. Në këtë kohë, emri i tij bëhet më i shpeshtë në faqet e shtypit të kohës, sidomos në gazetat e revistat: “Përpjekja shqiptare”, “Kombi”, “Illyria”, “Shkëndija”, “Bota e Re”, “Shqipëria e Re”, “Kosova”, “Tomorri”, “Miku i popullit”.
Duhet të vëmë në dukje se në ciklin e tij poetik brilant të Luftës së Vlorës, Ali Asllani sjell një shkallëzim të ri të motivit patriotik. I përpirë i tëri në fatet e Shqipërisë, tanimë, jo në raport me një perandori siç ishte ajo otomane, por në marrëdhënie të reja me shtetet fqinje që na rrethojnë e sidomos me imperializmin italian. Është një epokë tjetër e zhvillimit historik të Shqipërisë, e cila vjen dhe fiton të drejtën e vet edhe në poezi. Edhe poetë të tjerë të kohës, shkruajnë në këto kohë për këto çështje, kështu kemi At Fishtën, Bernadin Palajn, Sejfulla Malëshovën etj. Poezia e Ali Asllanit, cikli kushtuar Luftës së Vlorës 1920, përbëjnë shprehjen më autentike të aspiratave të popullit tonë për liri dhe zhvillim evropian. Vargu: “Ja do hiqeni si miq/ ja na prisni si armiq…” përcakton tërë pozicionin e kombit shqiptar në këtë dilemë tjetër historike të tij. Ky drejtim i ri i historisë shqiptare, përbën një nga frymëzimet e përhershme të poezisë së Ali Asllanit gjer në fund të jetës së tij. Për këto arsye, ai do t’i kthehet Vlorës, “Jeruzalemit të Shqipërisë”, jo aq si vlonjat tanimë, sesa si një poet i kombit të vet shqiptar.
Ndër vjershat e poetit Ali Asllani, të botuara në shtypin e kohës mund të shënojmë: “Mirë se erdhët”, “Marshi i Vlorës”, “Mbrojtja Kombëtare”, Vlorë, 28 tetor 1920. “Vjersha për shkollarë”, revista “Minerva”, nr. 1, 1932; “Hanko Halla” në “Kosova”, nr. 1,2,3, maj 1932, Kostancë të Rumanisë. “Në Atdheun e Shqiponjës”, gazeta “Besa” nr. 1273, viti 1935. “Vajza shqiptare”, revista “Kombi”, nr. 1/1937. “Gjoni”, revista “Kombi”, nr. 2/1938. “Çupa shqiptare”, revista “Bota e Re”, I-II, nr. 6/1940. “Te pragu i pleqërisë”, revista “Shkëndija”, nr. 24-25/1942. “Ah ky vend, ky vend, ky vend”, revista “Shkëndija”, nr.3/1942. “Ah ky vend, ky vend, ky vend”, revista “Bashkimi Kombit”, nr. 106/1942. “Dasma e madhe”, gazeta “Bashkimi i Kombit”, nr.190/1942.
Poezia e Ali Asllanit “Vlora-Vlora”, kompozuar prej Thoma Nashit dhe ekzekutuar prej bandës muzikore “Vatra”, u bë ndër këngët më popullore, jo vetëm në çaste të vështira kushtrimi e lufte, por edhe në festa e gëzime. Në njëfarë kuptimi kjo poezi ka qenë dhe mbetet një himn i përpjekjeve shqiptare për lirinë e vendit, ashtu si kënga e patriotit e poetit tjetër të Korçës, Mihal Grameno: “Eja mblidhuni këtu, këtu”. Thirrja” “O do bëhet Vlora jonë, /o do bëhet shkrumb e hi…”, u bë simbol i një kuptimi të thellë të nëndheshëm, të ulërimave të brendshme të tokës shqiptare. Me këtë këngë janë edukuar dhe vazhdojnë të edukohen edhe sot e kësaj dite, gjenerata të tëra shqiptare. Në këtë poezi Ali Asllani ka dhënë disa nga karakteristikat luftarake dhe liridashëse të vlonjatit, por edhe të shqiptarit në përgjithësi: “s’duron burri zgjedhë kurrë”, “rreth flamurit di e vdes”, “domosdo do rroj i lirë…” etj. Në përfytyrimin poetik të poetit, ngrihet ndërgjegjja kombëtare, përforcohet besimi në fuqitë e kombi, në të ardhmen e tij: “A do bëhet Shqipëri,/ a do bëhet gur e hi?!…
Tetërrokshi luftarak, me ritme marshi, derdh shpirtin e poetit të frymëzuar dhe krenar për popullin e tij, për qytetin heroik të lindjes. Lufta e Vlorës zhvillohej vetëm tetë vjet pas Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, kështu që, edhe vjersha “Vlora-Vlora” është pjellë e ngjarjeve të mëdha të 1912-tës, kur fitohej Pavarësia e Shqipërisë dhe niste krijimi i shtetit shqiptar. Vlora u bë simbol i kësaj lufte, simbol i shpëtimit të Atdheut. Gati gjithë poetët shqiptarë i kanë dedikuar vjersha e poezi Luftës së Vlorës të vitit 1920. Dhe një nga burimet e këtij frymëzimi, ka qenë poezia e Ali Asllanit. Në këtë kuptim, Ali Asllani, në tërë ciklin e tij poetik kushtuar Luftës së Vlorës mbeti si poeti i kësaj lufte epope.
Në ciklin e poezive të Luftës së Vlorës, Ali Asllani është poeti atdhetar, që i del për zot vendit të vet, që ka përballë armikun dhe ndeshet me të në fushën e betejës: “Vlora e sotme Spartë e vjetër / Shqipëri e s’ka më tjetër…”. Shqipëria është atdheu i vetëm i dashur për të cilin shqiptarët me një thirrje therorizohen. Vlora është qyteti simbol, i cili ka rrokur armët dhe lufton për flamurin e saj sepse: “Me hir a me pahir, / domosdo do rroj i lirë…” Në këtë cikël poetik, tema patriotike frymëzon si një rrahje flamurin, si një gjëmim kushtrimi, për të mbledhur shqiptarët e për të shpëtuar atdheun e kombin. Aty shkrihen të gjithë shqiptarët, pa dallim krahine, feje e shtrese shoqërore. Kjo është një poezi e lindur nga një frymëzim i zjarrtë dhe i dëlirtë patriotik, poezi me ritme kumbuese luftarake, me ritme marshi, që hedhin luftëtarët në llogoret e luftës kundër armikut. Cikli i poezive kushtuar Luftës së Vlorës, në të vërtetë, është një këngë, një himn që i thuret kësaj epopeje të lavdishme të vendit tonë, që siç ka thënë Mitrush Kuteli, përfaqëson një nga kulmet e historisë shqiptare: “Epopeja skënderbejane, Lidhja e Prizrenit dhe Lufta e Vlorës…”.
Duhet thënë se, qysh në këtë cikël poetik, vjen një tipar tjetër i poezisë së Ali Asllanit, i përftuar ky sidomos nga vargu tetërrokësh i valles labe, një ritëm kumbues dhe tepër luftarak, një shpërthim i fjalës dhe i figurës poetike, e cila e kërkon vetveten deri në rrënjët e rrufeve. Për këtë vlerë të poezisë së vet, Ali Asllani ka qenë poet i ndërgjegjshëm. Edhe pse i ka përdorur shpesh këto figura, edhe pse i ka konsumuar disa herë, ai nuk hoqi dorë prej tyre. Dhe kjo përcaktohet edhe nga fatet gati të njëjta ciklike, tragjike, që përjetoi populli shqiptar edhe në kohët më të vona, për çlirimin dhe bashkimin kombëtar.
Interes të veçantë në krijimtarinë e Ali Asllanit paraqesin edhe poezitë patriotike që poeti i shkroi pas Luftës së Vlorës, ku gdhendja e fjalës poetike u latua më tej, vargu u përpunua më me mjeshtëri, detajet poetike marrin një ngarkesë poetike e konfiguracion më të bukur. Të tilla janë vjershat: “Ah ky vend”, “Okupatorëve”, “Flamuri Kombëtar”, “Perlat Rexhepi” e shumë të tjera. Ndjenja të fuqishme përgjithësime e mendime të thella artistike ravijëzon në botën poetike sidomos poezia “Ah ky vend…”, e cila ka dhe një figuracion të ndezur.
Tema patriotike njeh dy kulme në poezinë e Ali Asllanit, ciklin e Luftës së Vlorës dhe poemën “Hakërrim”, të botuar në vitin 1942. Megjithëse pas njëzet vjetëve, janë po ato kohëra, po ai okupator, tanimë më i egër, fashizmi, po ata shërbëtorë okupatorësh dhe po ajo “Shqipëri e shqiptarëve”. Që në vargun e parë të poemës “Hakërrim”, poeti jep gjendjen dinamike të Shqipërisë: “Që nga Korça gjer te Shkodra mbretëron një errësirë”… Por, ndërsa në ciklin e Luftës së Vlorës më 1920 sundon dufi dhe sulmi ndaj armikut, lufta e përgjakshme e mbarë popullit dhe pastaj entuziazmi dhe heroizma e luftëtarëve shqiptarë, në “Hakërrim”, poeti u vërsulet shërbëtorëve të fashizmit, “çakejve” që presin errësirën për të pasur “gostitë e veta”: “Hani pini dhe rrëmbeni, mbushni xhepa, mbushni arka,/ të pa brekë ju gjeti dreka, milioner ju zuri darka…”. Ky teh i stigmatizmit të shërbëtorëve të fashizmit, të njerëzve pa atdhe, pa dinjitet, që marrin nëpër këmbë shoqërinë shqiptare, është gdhendur me mjeshtërì nga poeti. Futja tashmë në poezinë e Ali Asllanit në përmasa të mëdha, e këtij personazhi negativ të botës shqiptare, i jep dimensione të tjera të reja, jo vetëm poezisë së Ali Asllanit, por gjithë poezisë shqiptare. Është një nga poemat më të fuqishme të shkruara në vitet e Luftës së Dytë Botërore, kundër asaj turme njerëzish, të cilët në kohërat më të vështira të kombit të vet, mblidhnin aksione, monopole, ktheheshin në ekselenca dhe shkëlqesa, mbanin nëpër kraharorët e tyre dekoratat “Grand cordon”, duke shkelur kështu mbi popullin dhe kombin e varfër. Dhe përmbi të gjitha këto, ata kërkonin të quheshin përherë luftëtarë dhe patriotë.
Mbas këtij përshkrimi, të këtij personazhi për fat të keq kronik të historisë shqiptare, poeti kthehet nga populli i tij, nga atdheu i veremosur, nga pështyma e përgjakur e tij: “Dhe kolltuku ku ke hipur duke hequr nderin zvarr,/ është trekëndëshi që përdita varet kombi në litar…”. Parë thellësisht në poemën “Hakërrim”, tema patriotike e poetit shkëputet prej atyre idealizmave të papërlyeshme, idealizmave romantike të ciklit të Luftës së Vlorës 1920. Poema “Hakërrim”, më shumë sesa me entuziazmin dhe me dufe fitoreje ndaj armikut, gatuhet me problemet e jetës së shoqërisë shqiptare e të njeriut shqiptar, me probleme të qenies ekzistenciale të njeriut, të vendosura këto, në kuadrin dhe brenda kornizave të shoqërisë shqiptare të asaj kohe.
Duke bërë këtë analizë, Ali Asllanit, nuk i mbetet gjë tjetër veçse të ketë kredo të tij, besim të tij, drejtësinë historike, me të gjitha peripecitë që kaloi kombi shqiptar, vuajtjet, sakrificat, poshtërimet, më në fund ai nxjerr konkluzionin se, sido që të bëhet, populli do të fitojë: “Po një ditë që nisë e vrerët do mbarojë me bubullimë,/ ky i sotmi, zëri errët nesër bëhet vetëtimë…”. Kështu poeti, në të vërtetë, kthehet në origjinën e vet, andej nga është nisur, nga luftërat çlirimtare të Shqipërisë të shek. XX. Kthehet sërish në betejat e para, po tani më i rritur, më i pjekur, me një varg që mbart frymëmarrje më të gjerë, me një përvojë më të madhe poetike. Nëpër poemën “Hakërrim” derdhet lehtësisht një arsenal i tërë figurash poetike, të cilat përmbajnë në vetvete hapësira të gjera të jetës shqiptare, kuptime të reja, të thella, të lindura nga një shoqëri në vlime të shpejta dhe tragjike.
Poeti i sjell të gjitha këto, i lë trashëgim brezave që vijnë porosinë se, sido që të ndodhë, njeriu e ka një atdhe, dhe duhet të luftojë për këtë atdhe. Vetëm atëherë njeriu është vërtet njeri i lirë dhe meriton të jetojë. Por, në të njëjtën kohë, poema “Hakërrim” i lë brezave të Shqipërisë edhe shpirtin e dëshpëruar dhe të fyer të një poeti të madh si Ali Asllani.
- Në vitin 1929, Ali Asllani botoi poemën e tij “Hanko Halla”, fillimisht në shtypin e kohës në Sofje të Bullgarisë. Në atë kohë ai ishte ambasador atje. Pjesën e dytë të kësaj poeme e përpunoi kur u ndodh ambasador i vendit tonë në Athinë. Kjo poemë e përforcoi përfundimisht vendin poetik të tij në këtë periudhë në letërsinë shqipe. Është afërsisht koha, kur edhe Gjergj Fishta shkruante poemën satirike “Gomari i Babatasit”, kur Andon Zako Çajupi botonte ciklin e tij satirik, të cilat në njëfarë kuptimi i paraprinë letërsisë me theks humoristik të viteve ’30, me autorët Nonda Bulka, Kristaq Cepa etj.
“Hanko Halla” e Ali Asllanit është një poemë e ndarë në katër pjesë dhe në çdo pjesë poeti trajton një moment të caktuar historik të shoqërisë shqiptare të atëhershme. Personazhi kryesor është Hanko Halla, d.m.th., motra e babait, e cila sipas traditës përfaqëson personin e gruas më të dashur në një shtëpi. Hanko Halla është gruaja e parë, rrënja e trungut familjar. Nëpërmjet këtij personazhi poeti zbërthen pikërisht atë epokë, të kaluarën që tashmë është në perëndimin e vet, por që ka akoma dinjitetin e dritareve të botës së dikurshme. Dhe përkundrejt saj, nusja e shtëpisë, e cila vjen si një simbolikë e botës së re të qytetëruar.
Nga gjithë elementët përshkrues të Hanko Hallës; nga gjuha, mendimet, veprimet e saj, ajo shfaqet si një grua e rangut të lartë. Ashtu e mban veten ajo, dhe në të vërtetë tërë psikologjia dhe mendimi i saj rrezatohet aty. Po kjo, është bota ku jetohet, apo ka jetuar Hanko Halla, ndërsa në të vërtetë, poeti qysh në pjesën e parë e ul atë në kushtet e një gruaje psikologjikisht të popullit, me të drejtë do ta përcaktonim, të një labeje të vërtetë: “Bukë të thatë në sofër,/bukë dhe asgjë tjatër,/ po agai sa malet edhe zjarr në vatër…”. Është një nga pjesët qendrore të ndërgjegjes femërore dhe shoqërore dinjitare të Hanko Hallës. Mbasi ka përcaktuar këtë natyrë të psikologjisë së gruas labe, poeti nis me mendimet e jetës, sot do të thoshnim, me problemet ekzistenciale, d.m.th., me hallet dhe mendimet që kanë brezat njerëzorë në zëvendësimin e njëri-tjetrit: “Fjala e të rinjve çelet më përrallë,/ brezi ynë po dihet, zëmë e qajmë hallë…”. Është ky brez që fillon e qan hallet, d.m.th., që bën një rishikim të gjithë asaj, që ka përjetuar, të gjithë asaj që përjeton njeriu si i tillë dhe që, më në fund, lë mbas vetes një mall të dhimbshëm: “Brezi ynë po dihet, zëmë e qajmë halle”.
Pikërisht në këto vargje, Ali Asllani edhe pse synon dhe drejtohet drejt rangjeve të larta shoqërore, prapë i kthehet rrugëve të jetës së njeriut të thjeshtë, të fshatarit të thjeshtë, që s’ka miell në thes dhe për të cilin bota është e pabesë. Në të vërtetë, Hanko Halla shkëlqimet e veta i ka në fjalë, në thënie, në “mburrka”, kurse ekonomikisht, në të vërtetë, ajo ka rënë nga dynjallëku. Ajo që i ka mbetur dhe nuk bën lëshime është fisi, origjina e pastër, e dëlirë prej së cilës ajo rrjedh. Këtu ajo mbahet fort dhe këtu nuk lejon përzierje: Fët e fët e mora një kongjill nga zjarri, Nxora dhe nga xhepi një gjerdan prej ari, Na i thashë, trazoi, nuk trazohen kurrë. njëri për në gushë, tjetri për në furrë…
Pastërtia e fisit, pastërtia e gjakut dhe e familjes janë ato që i japin Hanko Hallës ndjenjën dhe qëndrimin e dinjitetit të dikurshëm të saj, prej të cilit ajo nuk dëshiron të shkëputet. Pas kësaj, poeti shkon në përshkrimin e historisë shqiptare. Është pikërisht kjo ndjenjë e psikologji, që e çon njeriun në të kaluarën e vet, e bën të rikujtojë kohët dhe njerëzit më të shquar të vendit: Ku është Labëria, Labëri e parë, vendi jataganit, vendi pallës larë, ku është Fejzo Xhafua, dif i vëndit tënë, Rrapua i Hekalit burr’ i ler’ në hënë!
Gjithë kjo e kaluar e bukur dhe e lavdishme e brezave të shkuar të Shqipërisë vjen tani dhe materializohet e ringjallet sërish në përfytyrimin e kësaj gruaje labe, Hanko Hallës së Ali Asllanit. Është gruaja që te burri heton dhe kërkon bukurinë morale të tij, atë shpirtërore, trimërinë përpara kundërshtarëve dhe armiqve të vendit, burrin e lirë, të cilin ajo e dashuron dhe me të cilin ajo kërkon të ndajë fatet e veta në jetë. Kjo grua, ngrihet si simbol i gruas shqiptare e lidhur fort me tokën e vetë, me zakonet, traditat e vendit. Dhe pastaj lëviz me mosbesim drejt së ardhmes, e cila në personifikimin e nuses, vjen për Hanko Hallën disi e çliruar dhe e shthurur. Është një moment psikologjik shumë i rëndësishëm i takimit dhe i ndarjes së brezave, më mirë duhet thënë, i ndarjes së brezit të vjetër, i cili përherë sheh me drithërime brezin që vjen dhe, që u ekspozohet të papriturave sidomos në kuptimin moral.
Përpara këtyre të papriturave, Hanko Halla zgjedh atë çfarë ka më njerëzore, më të bukur dhe më të ndershme brezi i kaluar dhe nëpërmjet romuzeve, shakave e qesëndive u lë kështu porosi të tjera të brezit që po ikën për brezin që vjen. Mjeshtër i psikologjisë njerëzore, Ali Asllani vë jo vetëm nusen në shtizë të qortimit të Hankos, por gjithashtu edhe Hankon vetë, bile më tepër se këdo tjetër, pra brezin e vjetër e zbërthen me të mirat dhe të këqijat e veta, e qorton duke i hapur rrugë brezit të ri: “Mbylle, më thanë djemtë, tepër plakë njeriu,/ bëhet mëndje vogël, m’u si çilimiu…”. Takohen pra, fëmijëria me pleqërinë e një brezi, mbyllet qarku i brezit që po ikën dhe hapet koha tjetër e re dhe më e ditur.
“Hanko Halla” e Ali Asllanit është një sintezë artistike e poezisë së Ali Asllanit. Ajo megjithëse mbart mbi vete po ato konotacione që ka në përgjithësi poezia e tij; frymën popullore, dashurinë ndaj vendit, dashurinë për njeriun e dashur (burrin), përsëri poeti këtu i ka dhënë më shumë frymëmarrje e krahë poezisë së vet. Ka rrokur me një frymë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen. Këtu influencat që vinë nga poezia e Lindjes janë shkërmoqur së tepërmi, në sipërfaqe del koncepti popullor, psikologjia popullore e vendit në tërë konceptin e poezisë. Fjalët turqishte, tani mbajnë në vetvete një peshë disi përqeshëse, buzagaze, tamam ashtu siç e përdor populli vetë.
Në këtë poemë vargu poetik është nga më të punuarit, sidomos në pjesën e parë të saj, me ritme e kadenca popullore, të cilat u përvetësuan dhe u përpunuan kaq tepër prej Ali Asllanit, saqë, përbëjnë karakteristikën themelore të poezisë së tij. Ky varg është tepër i përpunuar, i ndërtuar në ritme organizuese, të cilat të marra prej poezisë popullore, sidomos prej valleve, bëjnë që të kumbojë fjala poetike e zgjedhur. Poema “Hanko Halla” pati një jehonë shumë të madhe në jetën poetike të Shqipërisë së atëhershme, përveç të tjerave edhe për këto cilësi artistike të saj; për harmoninë e vargut, për zgjedhjen e fjalës dhe kthjelltësinë e mendimit poetik. Duke pasur parasysh konceptin përgjithësues të shoqërisë shqiptare të atëhershme, poema “Hanko Halla” mbetet një nga monumentet më të realizuara dhe më të bukura në letërsinë shqipe të periudhës së Pavarësisë.
- Dashuria është temë qendrore në poezinë e Ali Asllanit. Ashtu si edhe Lasgush Poradeci dhe Ali Asllani i këndon të dashurës së zemrës së tij. Në këtë drejtim ata janë dy lirikë që i sollën pasuri të çmuar poezisë shqiptare. E dashura e Ali Asllanit është një “Vajzë shqiptare”, një “Arbëreshe”, “Zonjë vendi” dhe kjo përcakton edhe vetë përmbajtjen e dashurisë së tij. Pastaj, këtë dashuri labe, poeti e spërkat edhe e praron me qëndrime dhe ngjyrime të shkallës “së lartë” të aristokracisë së vendit. Vajza e tij është hënë, diell, flori, qelibar, por edhe “xhinde” e dalë prej jetës së vargjeve popullore. Në ndërgjegjen poetike të Ali Asllanit, femra ngrihet pikërisht në ato përjetime, që ka jetuar ai vetë. Sa ishte i ri, ai ishte një djalë fshati, një fshatar lab dhe mban me vete përfytyrimin e gjallë dhe të ndezur të femrës labe, të gruas besnike, por në të njëjtën kohë, edhe të një dashnoreje të ndezur.
Më vonë, këtë përjetim ia ushqejnë sidomos këngët popullore, në të cilat ai e ndjek “zonjën e zemrës së tij”, çap pas çapi, ashtu si do të ndjekë thëllëzën, pëllumbin, sorkadhen, guguftunë. Janë këto epitetet që përshkruajnë këtë dashuri. Por, gjithashtu, kur poeti del në jetë, hyn nëpër administratat shtetërore, ka një tjetër pozitë shoqërore, intelektuale dhe filozofike, atëherë ai, këtë grua shqiptare nis edhe e këndon si një femër më të emancipuar, më të kulturuar. Është një tjetër dashuri, e cila në vetvete sjell dëshminë e një emancipimi të ri të femrës sonë. Në këto çaste, femra e Ali Asllanit edhe pse mban nëpër trupin e vet tërë ato hire labe, është në të njëjtën kohë një femër, e cila hyn tashmë në një shoqëri tjetër të botës shqiptare.
Edhe pse në lirikën dashurore të poetit është e pranishme fryma e këngëve popullore të dashurisë, ai u ndikua edhe nga poezia erotike e autorëve të huaj. Mjaft vargje na kujtojnë poezinë e Lukrecit e të tjerat “Rubairat” e Omar Khajamit. Ndonëse këtë flladitje e kemi parë në vargjet e Naimit, të Lasgushit dhe të Nolit, tek Ali Asllani vargjet më brilante mbeten ato që i këndojnë një dashurie konkrete, të përjetuara prej tij në ambientin që e rrethon. Për xha Aliun, dashuria vjen si një dallgë spontane e zjarrtë. E dashura e tij është një “guguftu”, “trëndafili i mbirë në hënë”, “dallëndyshe”, e zeshkët “si pjeshkëz”, me sytë “gjysmë fjetur”, me vetulla “çapraz”, etj. Në konceptin poetik të poetit, jeta është një kopsht i lulëzuar, ndërsa dashuria një mall i pashuar.
Lirika e dashurisë përbën pjesën më të madhe të poezisë së Ali Asllanit: “Mbrëmje vallëzimi”, “Zonja Lu”, “Vidi-vidi pëllumbeshë”, “Dasma shqiptare”, “Dëshira e Labit”, “Gu-gu, guguftu”, etj. Bukuria e femrës shqiptare do të ngrihej prej poetit në hapësirat sublime të shpirtit dhe kështu ai bëhet një bohem, i cili e shikon jetën jo vetëm nga anët e ndritshme të saj; për të pothuajse nuk ekzistojnë brengat, hallet e mjerimet. Shpesh të duket sikur poeti jeton në një kohë dhe në një botë tjetër nga ajo që gjejmë te poezia e Migjenit dhe e poetëve të tjerë. Siç duket, poetit nuk ia ka shumë ënda të shkëputet nga bota romantike e letërsisë sonë, aq më shumë nga reflekset e pasura të lirikës popullore. Ai e dashuron jetën pa brenga e halle, ashtu si në poezinë “Mbrëmje vallëzimi”, ku rrëfen jetën mondane, ku botës së shfrenuar ia merr mendjen salltaneti i zonjave dhe zonjushave.
Temperamenti prej bohemi i poetit shfaqet në shumë poezi, të cilat përshkohen nga fryma khajamiane si: “Vishet mëni, zhvishet vasha”, “Çupëz, moj çupëz”, “Plaç o zemër që s’u plake”, “Them ta them”, “Më lejon ta puth njëherë” etj., në të cilat poeti u dorëzohet vetëm dashurisë, verës dhe vargut të tij. Dashuria për një “guguftu”, iu bë një dhimbje në shpirt, aq sa i mbeti plagë e përjetshme. Kështu, pastaj zemra e poetit Ali Asllani, nuk mund të durojë dot pa dashurinë, prandaj ajo nuk plaket kurrë. Edhe kur shkroi vargje për pleqërinë, ai e pa atë kurdoherë në raport me dashurinë. Parapëlqimi i poetit mbeti përgjithnjë, t’i spërkat lirikat dashurore me refleks filozofik.
Tema e dashurisë e kënduar prej Ali Asllanit reflekton më mirë se cilado temë, për thyerjen dhe kalimin nga mentalitetet e vjetra të përftuara historikisht nga orienti, te bota e re evropiane, që po vjen në vendin tonë. Këtu, spikat një fenomen disi kontradiktor, por në të vërtetë shumë koherent, si intelektual, si qytetar, si shqiptar, Ali Asllani shkon drejt Perëndimit, ka përqafuar dhe është mbrujtur me kulturën perëndimore, njihet me poetët më të mëdhenj, me poezinë e madhe lirike të atyre vendeve. Por, duke qenë poet i femrës së vendit të tij, i traditave të mëdha të vendosura thellë në ndërgjegjen e njeriut shqiptar, Ali Asllani e spërkat femrën e tij me kolorit të theksuar oriental. Dhe kjo shënon pikërisht atë shteg kalimi, që bënte bota shqiptare atëherë.
Poezia e dashurisë së Ali Asllanit, përmban në vetvete shijen tashmë të një teme tepër moderne dhe emancipuese të botës shqiptare, por edhe të një nostalgjie e të një malli për botën e shkuar, që është malli i vërtetë i dashurisë: …Ku ormisi zemrën zoti, aty kam një guguftu, që e koj me pika loti…
Në dashurinë e vet, Ali Asllani mbetet përherë burri lab me pasione të fuqishme, i gjallë, i gatshëm ta rrëmbejë dhe ta shkëpusë dashurinë e vet edhe prej perëndive. Ai nuk mund të jetojë pa këtë dashuri, e kërkon, e gjen dhe e zotëron atë. Mbasi e ka zotëruar, ai i thërret asaj “madhëri e artë”, “ka të tilla shtate si të zotërisë sate?”. Poeti i përgëzohet me gjithë zemër asaj: “Rrofsh e qofsh sa malet, zotrote ku linde?”. Kështu poeti e ngre përfytyrimin e gruas në pastërtinë e jetës reale, tokësore, që bëjnë në të vërtetë shqiptarët.
- Një nga karakteristikat në poezinë e Ali Asllanit është këngëtimi i tij me mbizotërimin e humorit, që shpeshherë kthehet edhe në humor e sarkazëm therëse. Kryesisht kjo ndodh në poezitë me motive sociale e shoqërore. Në vargjet e këtyre poezive qeshen e përqeshen me humor të lehtë e thumbues probleme e fenomene të jetës shoqërore të kohës si: uzurpimi pa merita i pushtetit (“Puna bëhej me hatër”), anarkia e krijuar në pushtet (“Dynjallëk or tungjatjeta”), ato që pasqyrojnë konfliktet me botën e vjetër (“Qeveria është e pashës”, “Flet dada Selvia”, “Hanko Halla, Hanko Halla”, “U betova një ditë rëndë”), ku poeti na jep përfytyrime mbi realitetin e asaj bote.
Më tepër se kudo, në poemën “Hakërrim” shfaqet dufi dhe dëshpërimi i poetit kundër politikanëve antipopullorë, shpërthen me një breshëri akuzash, përbuzjesh, që kalojnë në humor e sarkazëm. Në të vërtetë poeti e ka këtë tharm edhe në vjersha e poezi të tjera, kujtojmë këtu poezinë “Ali pashë Tepelena”: “Ky zabit, ky dreqo lab,/ pa kalem e pa qitap”, apo në poezinë “Ja, programi im është ky”. Këtu, në këtë poezi, Ali Asllani që i di fare mirë “Çelësat e qeverisjes së vendit” nuk kursen as veten, e bën veten “bashkëfajtor” për të goditur më hithët keqpërdoruesit e pushtetit politik: “Do përpiqem për një hua,/ dy të tretat janë për ty/ dhe kusuri është për mua…”. Pastaj poeti shkon më tutje, bëhet më sarkastik, i papërmbajtur: “Shqipëria është një lopë,/ rrofshim ne që dimë ta mjelëm…” Ky është më tepër dufi popullor, gjykimi dhe stigmatizimi që njeriu i thjeshtë i bën qeveritarit të korruptuar.
Kjo tendencë e çon poetin drejt poemës “Hakërrim”, ku në mënyrë më të përqendruar ai portretizon politikanët e vendit, të cilët bëhen të pandalshëm në paturpësinë e tyre. Këto janë të vërteta të mëdha, për fatin e keq të vendit tonë, të përsëritura vazhdimisht në jetën shqiptare. Tanimë, poeti e ka bërë detyrën e vet, ai i ka treguar popullit të keqen, i ka bërë gjyqin më të pamëshirshëm korrupsionit të qeveritarëve. Ironia goditëse, sarkazma e hidhët e lindur prej dëshpërimit të thellë të zemrës e bën poemën “Hakërrim” një nga arritjet e shquara të poezisë shqiptare dhe poetin e saj, një nga personalitetet më të ndershme të kësaj lufte. Këtu nuk është vetëm poeti, por edhe qytetari që thotë gjithë guxim: “Ju do thoni si të doni…/ por e drejta dërmon hekur…”.
Përherë në buzët e poetit të Vlorës ka një buzëqeshje. Ai është i ndërgjegjshëm se rron në prag të një bote që po perëndon dhe në prag të asaj tjetrës që po vjen. Nastradinët e dikurshëm, efendinjtë, sarafët, qejflinjtë e rakisë, agallarët e vjetër, Hanko Hallat etj., përbëjnë botën që e rrethon, me të mirat dhe të këqijat e saj, me virtytet dhe veset, por mbi të gjitha, me atë që tashmë janë një botë në ikje. Këtë gjë Ali Asllani e pret me stoicizëm, me një drejtpeshim të brendshëm shpirtëror. Njeriu – thotë ai, – një herë ka lindur dhe një herë vdes.
Ironia ndodhet gati kudo në poezinë e poetit, sidomos atje, ku ai prek temat e jetës, pra temat “ekzistenciale”. Humori i Ali Asllanit ka më tepër ngjyrime të botës lindore, është pikërisht vënia përballë kulturës oksidentale, që e bën “të kripur” verbin poetik të poetit. Humori preferon përmbajtjen lirike të poezisë së tij. Në të njëjtën kohë ai është edhe produkt i mendimeve të poetit mbi botën. Humori i poetit është organik, i rreptë e luftarak në motivin patriotik, i brishtë në dashuri dhe thumbues e fshikullues në motivin shoqëror.
- Si edhe poetë të tjerë shqiptarë, Ali Asllani është tërësisht i rrëmbyer prej ngjarjeve politike, luftërave dhe ndryshimeve që kalon Shqipëria. Aq më tepër pastaj që ai është edhe pjesëmarrës aktiv në lëvizjen kombëtare. Kjo ka përcaktuar një karakteristikë të dukshme të poezisë së tij. Ajo është përgjithësisht një poezi liriko-epike, ku talenti tepër i ndjeshëm i Ali Asllanit përpunohet dhe na jep një poet luftarak. Kjo duket sidomos po të studiojmë peizazhin, elementet e peizazhit në poezinë e tij. Poezi të peizazhit përgjithësisht nuk ka, ose me të drejtë, peizazhi i tij është një peizazh luftarak: Komb i varfër, komb i gjorë, si një zok i pafole, një pëllumb i bardhë borë, ngeli keq në një rrëke… Që nga Korça gjer te Shkodra, fat’ i vendit errësirë, nëpër fusha, nëpër kodra, fryn e shfryn një egërsirë…
Këto vargje janë një shembull bindës se sa i përdor Ali Asllani elementet e natyrës në poezinë e vet. Hëna, dielli, mali, fusha, vala, zalli, kroi, dreri, qielli, rrufeja, pylli e pëllumbi etj., janë përherë të pranishëm në poezinë e tij. Dhe këto detaje dëshmojnë edhe vendin edhe natyrën e vendit. Por të gjitha këto janë në përdorim dhe në funksion të poezisë me temë atdhetare, për të ravijëzuar e portretizuar sa më mirë historinë, të kaluarën krenare të shqiptarëve: Ku është Labëria, Labëri e parë, Vend i jataganit, vendi i pallës larë? Ku është zonja e vëndit dorë e llërë çelnik, qaf’e çap sorkadhe hedhur me deftik? Qafë e çap sorkadhe, me deftikë vërtitur, dhe me thelp lajthie rritur e gostitur?…
Peizazhi i Labërisë është derdhur i tëri në këto vargje, poezia merr ngjyrime të theksuara nga vendi ku lindi poeti. Dhe kjo tregon se Ali Asllani, edhe ose i rrëmbyer nga luftërat dhe bëmat e kombit, ai në thellësi është një talent tepër i ndjeshëm, i përpunuar së thelli edhe prej peizazhit që e rrethon. Dhe për fatin tonë, poeti ka shkruar edhe poezi të pastër peizazhi, siç është poema “Katër stina, katër çapa…”, ku plotëson kuadrin e poezisë së tij, përfaqëson pjesën tjetër të botës së Ali Asllanit, atë të peizazhit dhe meditacionit: Vjeshtë… Nëpër hije s’ka më shije, lot’i par’ dhe më i thjeshtë, është fletë e gjor’ që bie! Nëpër dega, nëpër gjethe, dor’e erës po trokit: me rënqethje si në ethe, fillon pema pëshpërit!
Në atë kohë kur Asdreni, Lasgushi e të tjerë poetë shqiptarë i këndonin peizazhit shqiptar, zhvillonin poezinë e natyrës sonë, edhe Ali Asllani krijoi këngën e tij, përherë me një ndjeshmëri të rrallë, elegante: “Lot’ i parë dhe më i thjeshtë,/ është fletë e gjorë që bie…”, “Katër stina, katër çapa” është një poemë lirike e ëmbël, e përzier me trishtim, sepse në jetë, në natyrë, gjithçka ikën, na le, shkon…: Dallandyshja ime, haj! Do më lerë e do më shuaj, kudo shkeli këmb’ e saj, loti im do jetë i huaj!
Dhimbje, trishtim, por edhe një qetësi shpirti reflektojnë një shpërthim dhe ringjallje të natyrës dhe të shpirtit. Kështu, në poezinë e peizazhit Ali Asllani i qëndron besnik vetvetes, është po ai, njeriu që në fund të fundit e do dhe e lavdëron jetën: “Zbriti drer’ i madh nga shtrati,/ po andej nga zbret rrufeja…” Vargje vërtet brilante, të cilat na detyrojnë të përfytyrojmë “Malin e Vetëtimave”, ku “Dreri i madh” ka shtratin e vet.
- Ali Asllani u afirmua si poet brilant edhe për faktin që, poezia e tij kishte prirjen e një organizimi akustik, një tingëllim të ëmbël muzikor. Thesari poetik përmbledh figura artistike ndër më të bukurat, si krahasimin, metaforën, simbolin, apostrofin, aliteracionin. Ai kishte një prirje të dukshme ndaj ekspresivitetit të tingujve, duke dhënë gjendje dinamike shpirtërore, për të krijuar asosacione dhe përfytyrime të gjalla. Gjuha e poezisë është ajo e toskërishtes letrare, me tërë koloritin e labërishtes, e pasur dhe e pastër nga ana leksikore, me një shije të hollë. Shpesh, barbarizmat që përdor në vargjet me humor dhe satirë janë vënë në funksion të tipizimit të personazheve, për të dhënë ambientin, por edhe për të individualizuar, ashtu siç bënte dhe Naim Frashëri e rilindësit e tjerë. Trajtat lokale hasen aty-këtu si: bënej për bëhej, gëzonen për gëzohen, të cilat janë në shërbim të rimës. Në gjuhën e tij takojmë shpesh lokucionet, frazat dhe proverbat, të cilat bëjnë që poeti të gërshetojë edhe më mirë mendimin epik e dramatik me atë lirik.
Poeti nuk i përdor figurat artistike si stolisje, por edhe për të dhënë një ngarkesë emocionale të përcaktuara nga ana konvecionale. Ndërsa thamë që poezia e tij ka pika takimi e mbështetje në poezinë popullore, në ndërtimin e vargut në strofa shfaqet fryma e re që ai u ka dhënë atyre. Të ndërtuarit e poezisë së tij në strofa katërshe, pesëshe, gjashtëshe e shtatëshe, pasohet edhe nga përdorimi i vargut në monokolonë, ashtu siç ndodh edhe në këngën popullore. Në arkitekturën e poezisë së tij, në ndërtimin e strofave katërshe zënë vend të dukshëm skenat e rimave: AB, AB, AB; AB, BB dhe AA, BB. Në disa poezi si tek ato me titull “Këngë” dhe “Vlora-Vlora” poeti përdor edhe refrenin.
Poezia e tij u zhvillua dhe u pasurua me vargje e strofa, që kanë qenë të njohura në atë të Rilindjes Kombëtare. Vargu i përdorur më shpesh prej tij, tetërrokshi i poezisë popullore, shpesh dyzohet me gjashtëmbëdhjetë rrokshin naimian. Por vargu që i dha shkëlqim poezisë së Ali Asllanit është dymbëdhjetërrokshi.
Përcaktimin më të qartë të krijimtarisë poetike të Ali Asllanit dhe vendin që zë ajo në poezinë shqipe bashkëkohore e ka bërë Prof. Rexhep Qosja në studimin e vet: “Antologji e lirikës shqipe” ku thotë: “Në lidhje të drejtpërdrejtë me poezinë e Nolit mund të vihet poezia e Ali Asllanit, i cili, po ashtu si Asdreni, Noli e Lasgushi ka pasur fatin e keq mos të jetë i çmuar as sa duhet e as drejt prej kritikës letrare. Edhe Ali Asllani është lirik për nga natyra e vokacionit dhe, megjithëse një numër i vjershave të tij janë tregime të shkurtra satirike në vargje, ai mbetet njëri prej poetëve që shkruan disa nga vjershat më të bukura të dashurisë në letërsinë shqipe… Vjershat më të mira të Ali Asllanit janë si farë pjesëzash të vogla muzikore, pikërisht për shkak të ekspresivitetit të tyre të veçantë eufonik. Shëmbëllyeshëm Nolit, edhe ai përsërit me mjeshtëri tingujt e ndryshëm më ekspresivë, krijon asonanca dhe aliteracione të mrekullueshme, që në ndonjë rast janë më të shquara se ato të Nolit. Vargjet e tij gjithsesi, shquhen me ngjyra, me impresione të qarta, të nxitura prej fenomeneve dhe objekteve të natyrës, me nuanca vizuale… Për kah mundësitë e qartësimit në përfytyrimet e veta Ali Asllani, pa dyshim, është krijues i rrallë i poezisë shqipe. Ritmi karakteristik i vargjeve të tij, sado që duket i njëllojtë, është posaçërisht dinamik, i intensifikon përfytyrimet, e gjallëron atmosferën e vjershës, thuajse e objektivizon imagjinatën. Poet i një imagjinate të shquar vizuale në poezinë shqipe ai ishte, njëkohësisht edhe poet i lëvizjeve më dinamike të vargut të ndërtuar sipas skemave të vargut popullor…”.
Qysh nga krijimet e para, ato të vitit 1914 e gjer në prag të vdekjes së tij në vitin 1966, poeti nuk reshti së thururi vargje për më shumë se gjysmë shekulli. Në tërë krijimtarinë e vet, ai mbeti një poet me origjinalitet të theksuar. Ndonëse përthithi nga poezia popullore, kurrë nuk ra në imitime. Ai e pasuroi lirikën tonë patriotike, politiko-satirike, sociale dhe sidomos lirikën erotike, duke u bërë njëri ndër poetët më në zë të kohës. Edhe pse nuk u ngrit dot në nivelin e Jeronim De Radës, Naim Frashërit, Asdrenit, Çajupit e Mjedës e ndonjë tjetri, ai ka një personalitet poetik kompleks, e mbi të gjitha, ai pushtoi zemrat e çdo shqiptari.
Ju lultw ajo MWNDIE komanduar atw PENW-Tw madhian mes tw mwdhenjve, krijues Poet, Ali Asllanin- sjellw. I pwrjetshwm Kujtimi veprws Tij-me vwcantinw brilante shoqwruar,mbi TABANIN POPULLOR qwndruar sa…tw RNWW e kohws PASQYRUAR. .
Ju priftw mira-BINJAKE-PENW e kohws-Ju me VIJIMWSI- themelin-ATDHTAR! Bukur nw muajin *TRE NWNDORWV-Shqiptarw*-SJELLE…kwtw SHWMWLLTYRW tw tillw.
Ju priftw emira Pr.Dr.Bardhosh Gace. Lavdi*TRE NWNDORWVW-SHQIPTRW*-(1444-1912-1944) .
Nga tej oqani= 86 vjecari-Guri Naimit D..
O pasuesi idiot veteran pordhaman Dhiqiter Fenda, ne do te shkruash me “ë” mos perdor “w” or rrote, “w” nuk eshte “ë” o hajvan.