Nga Fatos Tarifa
Botuar në DITA
Pjesa I
Erosi, dashuria apo dëshira seksuale, përgjithësisht, i fshihet shkencës. Megjithatë, erosi, ose seksi, ka qenë e mbetet një subjekt i përhershëm jo vetëm i letërsisë, i arteve, i filozofisë, por edhe i psikologjisë, i sociologjisë, i biologjisë, i mjeksisë, i shumë shkencave të tjera dhe i interesimeve më të gjera të njerëzimit, në të gjitha epokat e historisë së tij.
Kjo ka ndodhur e ndodh për shkak se seksi ka qenë e mbetet një ndër forcat më motivuese e më misterioze në jetën e çdo individi dhe të çdo shoqërie, efekti i së cilës ka qenë e mbetet sa konstruktiv, aq edhe destruktiv. Sidoqoftë, thelbi dhe format e shfaqjes të seksualitetit human filluan të bëhen objekt i studimeve shkencore vetëm aty nga nga fundi i shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të.
Viena në sytë e Cvajgut
Studimi shkencor i seksualitetit mund të thuhet se zë fill në qarqet boheme të Vienës, si dhe në radhët e një grupi të vogël psikanalistësh të shquar austriakë, kryesisht Sigmund Freud dhe Otto Gross. Në nivel idesh, këta dy psikanalistë nuk dallonin shumë prej njëri-tjetrit. Si njëri dhe tjetri besonin se normat morale që rregullonin seksualitetin në atë kohë mbështesnin një sistem kulturor që krijonte shqetësime të mëdha—dhe kishte pasoja të rënda—si për individin, ashtu dhe për vetë shoqërinë. Të dy ata besonin se një sistem i tillë normash duhej ndryshuar.
Kur bëhet fjalë për moralitetin sundues në shoqëri dhe për qëndrimin ndaj seksualitetit, Austria e fundit të shekullit të 19-të dhe e fillimit të shekullit të 20-të nuk dallonte shumë nga shoqëritë e tjera europiane të kohës. Një pasqyrë realiste të moralit konservator e hipokrit të shtresave të pasura e të mesme të shoqërisë vieneze në atë periudhë e gjejmë në librin biografik Bota e së djeshmes (1943) të shkrimtarit të njohur austriak Stefan Cvajg.
Sipas tij, shoqëritë europiane të së shkuarës, në të cilat krishtërimi kishte luajtur një rol qendror duke pasur një pushtet absolut mbi shpirtrat dhe jetët e njerëzve, i dënonin impulset seksuale të individit si një “vepër e djallit”. Në fund të shekullit të 19-të, shkruante Cvajg, europianët në një masë të madhe e kishin braktisur djallin si një shpjegim për seksualitetin, por ende nuk kishin gjetur një mënyrë për t’i shpjeguar dhe as një gjuhë për t’i shprehur apo dënuar impulset seksuale. Për seksualitetin nuk flitej, ose flitej fshehurazi, edhe pse, pavarësisht frikës që shkaktonin sëmundjet veneriane, ai ekzistonte në një botë paralele, si prostitucioni.
Në këtë libër, Cvajgu denoncoi moralin seksual hipokrit të shoqërisë vieneze në fillim të shekullit të 20-të, në të cilën ai u rrit. Kritika e tij ndaj paragjykimeve, zakoneve e praktikave seksuale konservatore të kohës pasqyronte shpresat e brezit të tij për një reformim të thellë politik e shoqëror, që do të ndryshonte kulturën sunduese dhe do të mbante një tjetër qëndrim ndaj seksualitetit, mbështetur në arsyen dhe në gjykimin e shëndoshë. Ai besonte se rrëzimi i tabuve dhe lejimi i të rinjve për të pasur një jetë seksuale të natyrshme do të ishte një hap i madh përpara drejt lirisë.
Kjo, sidoqoftë, nuk ishte një punë e lehtë, pasi monarkia nuk ishte e interesuar që ta relaksonte kontrollin e rreptë mbi rininë, potencialet e së cilës për të sjellë ndryshime progresive në shoqëri do të çonin në liberalizimin e saj dhe të marrëdhënieve seksuale. Cvajgu besonte se kultura borgjeze e kohës i frikësohej seksit, pasi shtresat sunduese të shoqërisë “e shihnin seksualitetin si një element anarkik dhe, prandaj, shqetësues” për to. “Të rinjtë që gjithnjë instinktivisht kërkojnë ndryshime të shpejta e rrënjësore”, shkruante ai, “duhej të mbaheshin nën kontroll, ose inaktivë për një kohë sa më të gjatë që të ishte e mundur.
Sipas Cvajgut, qeveria perandorake dhe klasa e mesme e profesionistëve që përfitonte financiarisht nga sundimi i saj i trembeshin faktit se liria për të përmbushur dëshirat seksuale do i shtynte të rinjtë të kërkonin ndryshime politike. Ai vinte në dukje se pikëpamja që sundonte në shtresat e mesme profesionale të borgjezisë (mjekët, avokatët, nëpunësit, profesorët) ishte se djemtë e tyre duhej t’i shmangeshin, kryesisht për sytë e publikut, marrëdhënieve seksuale deri në martesë. Ata që e shkelnin këtë rregull mund të vuanin pasoja për sjelljen e tyre dekadente—akuza për skandale seksuale dhe dëmtim të reputacionit të tyre deri në atë masë, sa të konsideroheshin të padenjë për martesë, pra për të qenë bashkëshortë dhe, si të tillë mund të mbeteshin beqarë.
Ky rregull, shkruante Cvajgu, shoqërohej nga një hipokrizi e madhe. Që djemtë e rinj nga këto shtresa të shoqërisë duhej të ruanin reputacionin e një sjelljeje të moralshme, kjo nuk do të thoshte se ata mbeteshin vërtet të virgjër deri në muajin e mjaltit, pra deri në moshën 27-28 vjeç, kur të kishin përfunduar studimet e larta dhe të kishin nisur një karrierë. Kishte shumë mënyra, shkruante ai, për t’i kënaqur dëshirat seksuale të djemve të rinj pa u vënë re, çka Cvajgu e cilësonte si një “kompromis” të borgjezisë me kulturën e saj. Prindërit nuk i pengonin djemtë të bënin seks sa kohë që reputacioni i tyre nuk cënohej. Disa prindër punësonin një “shërbëtore” që kishte për detyrë t’i “përmbushte seksualisht” djemtë e tyre. Të tjerë prindër nuk i pengonin djemtë të frekuentonin bare ose taverna në të cilat gra të lexuara e të veshura mirë angazhoheshin në biseda me ta para se t’i merrnin ata në dhoma private.
Kishte edhe prindër që patronizonin prostituta dhe një praktikë e tillë në kulturën vieneze u bë kaq e zakonshme, thotë Cvajgu, sa shteti filloi t’i kontrollonte prostitutat për sëmundje veneriane e t’i pajiste ato me libreza shëndetsore dhe leje punësimi për ushtrimin e “profesionit” të tyre. Cvajgu e quante mjaft ironik faktin që e njëjta shoqëri, kultura e së cilës e konsideronte imoral e të ndaluar seksin para martesës, kishte legalizuar, në një formë a në një tjetër, prostitucionin.
Frojdi, letërsia dhe psikanaliza
Ky rrëfim i Cvajgut ofron një kontekst historik realist të periudhës kur në Vienë lindi psikanaliza. Sigmund Frojdi u bë themeluesi i saj, e cila u krijua si një disiplinë empirike e aplikuar dhe si një kombinim i mjeksisë me letërsinë. E tillë, ka mbetur qysh nga krijimi i saj—një hibrid i natyrës me kulturën, i biologjisë me shoqërinë, i shkencave natyrore me disiplinat humane dhe me shkencat shoqërore. Shumë studjues kanë evidentuar pikërisht këtë aspekt të teorisë së Frojdit.
Frojdi ishte një “shkencëtar me një temperament artistik”. Në vitin 1940, kritiku letrar amerikan Lionel Trilling vinte në dukje “cilësitë poetike” në teorinë e Frojdit, origjinën e së cilës ai e shihte në “realizmin tragjik klasik”. Në esenë e tij të njohur “Frojdi dhe letërsia”, ky autor pohonte se psikanaliza mund të konsiderohet si “kulmi i lëvizjes romantike të shekullit të 19-të në letërsi”, preokupimet dhe tiparet kryesore të së cilës ishin përkushtimi ndaj hulumtimit të vetvetes, si dhe njohja e së pandërgjegjshmes në mendjen e njeriut dhe e anëve të fshehta të sjelljes njerëzore. Trilling pohonte se, me teorinë e tij, Frojdi solli një “element racionalist antiromantik” në atë lëvizje kulturore, duke e parë qëllimin e psikanalizës në “kontrollin e impulseve të individit”.
Edhe pse Frojdi pohonte se “psikanalisti rrallë merret me kërkime estetike”, ai vetë u mor shume më to, duke na lënë madje vepra shumë interesante, si studimi i tij psikanalitik për Da Vincin, bazuar në piktuarat e tij, një ese për Mikelanxhelon, si dhe një tjetër për Dostojevskin. “Pasioni i tij për artin ishte po kaq i fuqishëm sa edhe preokupimi i tij për seksin, aq sa mund të thuhet se arti dhe seksi për të ishin e njëjta gjë”, vë në dukje Salley Vickers. Kur më 1926, në festimin e 70-vjetorit të tij, Frojdi u vlerësua si “zbuluesi i së pandërgjegjshmes”, ai vetë e korrigjoi folësin duke mos e pranuar atë meritë. “Poetët dhe filozofët e kanë zbuluar të pandërgjegjshmes para meje”, tha ai, “ajo çfarë unë zbulova është metoda për studimin e së pandërgjegjshmes”.
Frojdi ishte një mjeshtër i fjalës, një stilist i shkëlqyer dhe mjaft i vëmendshëm ndaj rrethanave dhe faktorëve shoqërorë e kulturorë që përcaktojnë personalitetin dhe sjelljen e individit. Vepra e tij është, në fakt, jo vetëm një traktat akademik në psikologji, por edhe një vepër letrare në kuptimin real të fjalës. Kjo mund të jetë arsyeja që teoria e tij psikanalitike ka pasur një ndikim të madh në letërsi dhe në teorinë e estetikës, një ndikim ndoshta po aq të madh sa edhe ndikimi i vetë letërsisë në teorinë e tij.
Kjo marrëdhënie e ndërsjellë mes teorisë psikanalitike të Frojdit dhe letërsisë i ka dhënë veprës së tij mjaft gravitas, duke i bërë shumë prej ideve të tij—edhe nëse sot ato e kanë humbur rëndësinë e tyre—të duken si një rizbulim i të vërtetave të përjetshme të njerëzimit. Merrni, fjala vjen, Edipin e Sofokliut, apo Mbretin Lir dhe Hamletin e Shekspirit dhe do të shihni se si Frojdi i mori idetë dhe psikologjitë e këtyre teksteve klasikë dhe i shndërroi ato në “shkencë”, ose u dha atyre një “licensë” shkencore për të vazhduar së ushtruari influencën e tyre në letërsinë dhe në kulturën e shekullit të 20-të e ato bashkëkohore.
Teoria e Frojdit mbi kompleksin e Edipit, fjala vjen, të cilën ai e përpunoi mes viteve 1899-1910, u huazua nga D. H. Lawrence në romanin e tij Bij dhe dashnorë (Sons and Lovers), ndërsa Harold Bloom e shfryëzoi kompleksin e Edipit për të eksploruar rivalitetet poetike në librin e tij Ankthi i ndikimit (The Anxiety of Influence). Po kështu, teoritë e Frojdit mbi traumën dhe kënaqësinë zënë një vend qendror në romanin Znj. Dalloway të shkrimtares së njohur Virginia Woolf.
Psikanaliza dhe struktura e personalitetit
Psikanaliza u krijua si një teori mbi personalitetin dhe, më gjerësisht, si një teori mbi funksionimin psikologjik të individit, që fokusohet veçanërisht në proceset mendore të pandërgjegjshme. Por ajo shërbeu qysh në fillim edhe si një metodë për studimin e funksioneve psikologjike dhe për trajtimin e një spektri të gjerë gjendjesh psikopatologjike, përfshirë edhe neurozat simptomatike (gjendjet depresive dhe ankthin, çrregullimet obsesive, frenimet seksuale dhe format perverse të seksualitetit (paraphilia), si dhe çrregullimet e personalitetit.
Para se të vijoj me analizën e pikëpamjeve të Frojdit mbi seksualitetin, më duhet të shpjegoj—thjesht e me pak fjalë—thelbin e teorisë së tij mbi strukturës e personalitetit, të moralit e të emocioneve, siç e gjejmë të shtjelluar gjerësisht në veprën e tij Ego dhe Id, botuar në vitin 1923.
Por edhe këtu, është me interes të vëmë në dukje më parë se Frojdi dallonte tre lloje instiktesh bazë te njeriu: instinktet seksualë (libido); instinktet agresivë (destruktivë), përfshirë urrejtjen, egërsinë dhe sadizmin dhe instiktet vetëmbrojtës. Ai identifikoi, gjithashtu, tre burime kryesore vuajtjesh për njeriun: trupi ynë, bota jashtë nesh dhe marrëdhëniet tona me të tjerë, nga të cilat na duhet të mbrohemi.
Sipas Frojdit, personaliteti, ose aparati psikik i çdo individi, përbëhet nga tre elementë shumë të ndryshëm, por që bashkëveprojnë mes tyre: (i) Id (instiktet primordialë, të lindur te çdonjëri nga ne, sidomos instinkti seksual); (ii) Superego (ose ndërgjegjja, që formohet e udhëhiqet nga parime morale) dhe (iii) Ego (ose forca ndërmjetsuese mes instinkteve dhe kërkesave të shoqërisë që i shtypin ato dhe që përcaktohet nga realiteti). Çdo fëmijë, pra, lind me instikte që kanë të bëjnë me nevojat e tij më themelore (për ushqim, siguri, vëmendje, seks), të cilat, në mënyrë krejt të natyrshme—dhe gjatë gjithë jetës—ai priret që t’i përmbushë për të ndjerë kënaqësi.
Sipas Frojdit, nëse çdo fëmijë dhe çdo individ i rritur do të ndiqte instinktet e lindura dhe pasionet e tij të natyrshme për të marrë kënaqësi, pa u penguar nga asgjë, bashkëjetesa e njerëzve në shoqëri do të ishte e pamundur. Që kjo të mos ndodhë, prindërit, familja dhe shoqëria, me moralin dhe institucionet e saj, bëhen pengesë për këto instinkte përmes asaj që Frojdi e quan Superego.
Superego zhvillohet si një komponent moral i personalitetit dhe përfaqëson normat dhe vlerat e shoqërisë, ose të një grupi shoqëror të caktuar, me të cilat ne të gjithë, si individë, socializohemi dhe identifikohemi. Ajo provokon te ne ndjenjat e fajit ose të turpit sa herë që i thyejmë apo tentojmë t’i shkelim rregullat shoqërore ose, në të kundërt, ndjenjat e krenarisë e të vetkënaqësisë kur i ndjekim këto rregulla e norma dhe i zbatojmë ato.
Superego shërben, pra, si një forcë kundërshtuese ndaj prirjeve instinkteve të individit për kënaqësi por, nëse ajo, gjithashtu, nuk kontrollohet, individi ndihet i shtypur dhe e ka të pamundur ta jetojë jetën e vet. Për të evituar këtë shtypje shërben elementi i tretë i personalitetit, Ego, që kryen funksionin e një force balancuese mes instinkteve të lindura dhe kërkesave e normave morale frenuese të shoqërisë. Sipas tij, tek ata individë që janë emocionalisht të shëndetshëm, Ego ka si funksion—dhe arrin—që t’i balancojë kërkesat kontradiktore mes Id-së dhe Superegos, pra mes instinkteve të individit dhe ligjeve, rregullave, normave e zakoneve të shoqërisë.
Vita sexualis dhe neurozat
Në esenë e tij të njohur “Seksualiteti në etiologjinë e neurozave”, botuar në vitin 1898, Frojdi trajtoi për herë të parë gjerësisht çështjen e antagonizmit mes qytetërimit dhe jetës instinktive. Ai dalloi tri faza në historinë e seksualitetit përgjatë qytetërimeve të ndryshëm: (i) fazën kur instinktet seksuale shpreheshin lirisht; (ii) fazën kur instinktet seksuale ndrydheshin dhe kur seksi kryhej vetëm për qëllim riprodhues; dhe (iii) fazën kur riprodhimi u reduktua dhe u legjitimua vetëm kur ai realizohej në marrëdhënie monogame.
Duke e konsideruar libidon si forcën qendrore në jetën e individit, ose si “parimin e funksionimit të energjisë” së tij, Frojdi erdhi në përfundimin se, përmes ndrydhjes dhe shtypjes së jetës seksuale me anë të moralitetit seksual “të qytetëruar” që sundon në shoqërinë moderne, kultura ose qytetërimi ka luajtur dhe luan një rol shkatërrues në jetën e individit e të mbarë shoqërisë. Në këtë vepër, ai formuloi tezën e famshme se “shkaqet më imediate e më të rëndësishme të çdo sëmundjeje neurotike gjenden në faktorë që kanë të bëjnë me jetën seksuale”.
Embrionet e teorisë së Frojdit mbi seksualitetin i gjejmë në një artikull mbi histerinë që ai shkroi në vitin 1888 për një enciklopedi mjeksore. Në atë kohë histeria shihej si një çrregullim neurologjik dhe ai kish filluar të merrej me pacientë histerikë. Në fakt, histeria ishte subjekti i parë që Frojdi nisi të eksploronte me metodën psikanalitike që e bëri atë të famshëm. Edhe pse ai besonte se roli i faktorëve seksualë në shpjegimin e histerisë ishte disi i ekzagjeruar, Frojdi erdhi në përfundimin se “si në të gjitha neurozat, rrethanat që lidhen funksionalisht me jetën seksuale luajnë një rol të madh në etiologjinë e histerisë për shkak të rëndësisë së madhe psikike të këtij funksioni veçanërisht në gjininë femërore”.
Frojdi besonte se “në një vita sexualis normale asnjë neurozë nuk është e mundur”. Prej këtej ai erdhi në përfundimin se “çdo trajtim psikoanalitik është një përpjekje për çlirimin e dashurisë së shtypur”. Dhe, meqënëse neurozat e shkaktuara nga ndrydhja e seksualitetit janë kaq masive, Frojdi e quante “tërë njerëzimin pacientin e vet”.
Teza e Frojdit jo vetëm ishte shokuese për establishmentin mjeksor, akademik e politik të asaj kohe, por shënonte edhe një paradigmë të re në shkencat sociale dhe në ato që quhen life sciences. Wilhelm Reich, një ndër pasuesit më të shquar të Frojdit, për të cilin shkruaj gjerësisht në vijim, shprehej se gjëja më e rëndësishme që ka ndodhur ndonjëherë në psikiatri ishte zbulimi i faktit se thelbi i neurozave është somantik dhe ka të bëjë me gjendjen statike të libidos. Sipas tij, “përmes teorisë së libidos, për të parën herë në historinë e shkencës psikologjia u lidh me shkencën natyrore”.
(vijon nesër)