Pensionet shtetërore, të krijuara fillimisht për të mbrojtur të moshuarit nga varfëria, po ndryshojnë shpërndarjen e të ardhurave dhe pasurisë në ekonomitë e zhvilluara. Ndërsa pensionistët kanë përmirësuar ndjeshëm standardin e jetesës, të rinjtë po përballen me paga që rriten ngadalë, kosto të larta strehimi dhe një barrë gjithnjë e më të madhe për financimin e pensioneve.
Për dekada me radhë, dalja në pension shoqërohej me një rënie të fortë të të ardhurave dhe me rrezik të lartë varfërie. Në mesin e shekullit të kaluar, rreth gjysma e të moshuarve në shumë vende të zhvilluara jetonin në varfëri, ndërsa kursimet dhe pronësia e banesave ishin relativisht të kufizuara. Krijimi dhe zgjerimi i pensioneve shtetërore ndryshoi rrënjësisht këtë realitet. Sistemet publike garantuan të ardhura për të moshuarit dhe ulën ndjeshëm varfërinë në pleqëri.
Por pas disa dekadash, marrëdhënia ekonomike ndërmjet brezave ka ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme. Në shumë ekonomi me të ardhura të larta, pensionistët kanë sot normat më të ulëta të varfërisë, ndërsa të rinjtë përballen me vështirësi gjithnjë e më të mëdha financiare. Ky ndryshim po ngre pikëpyetje për mënyrën se si shpërndahen burimet publike dhe për qëndrueshmërinë e një sistemi ku brezat më të rinj financojnë përfitimet e një popullsie pensionistësh që po rritet vazhdimisht.
Një nga treguesit më domethënës të ndryshimit të ekuilibrave ekonomikë është konsumi familjar. Deri në vitet 1990, familjet e të rinjve dhe të personave në moshë të mesme kishin përgjithësisht standardet më të larta të jetesës, ndërsa pensionistët renditeshin në nivelet më të ulëta. Sot, në shumë vende të zhvilluara, familjet mbi 60 vjeç konsumojnë mesatarisht më shumë mallra, shërbime dhe strehim sesa familjet në moshë pune.
Një faktor i rëndësishëm është pronësia e banesave. Një pjesë e madhe e pensionistëve zotërojnë shtëpitë ku jetojnë dhe përballen me kosto më të ulëta strehimi. Në të kundërt, të rinjtë shpenzojnë një pjesë të konsiderueshme të të ardhurave për qira ose kredi për banesa.
Kjo diferencë ndikon drejtpërdrejt në të ardhurat që familjeve u mbeten për konsum dhe kursime. Në disa ekonomi, të ardhurat e pensionistëve, pasi zbriten kostot e strehimit, tashmë tejkalojnë ato të popullsisë në moshë pune.
Përmbysja e pozitës ekonomike ndërmjet brezave lidhet edhe me mënyrën e financimit të pensioneve. Në shumicën e vendeve të zhvilluara, pensionet publike financohen kryesisht nga taksat dhe kontributet që paguajnë punonjësit aktualë. Kjo do të thotë se të ardhurat e pensionistëve varen në një masë të konsiderueshme nga aktiviteti ekonomik i brezave që janë ende në tregun e punës.
Por plakja e popullsisë po e vështirëson këtë mekanizëm. Rritja e jetëgjatësisë po shton numrin e përfituesve dhe vitet gjatë të cilave ata marrin pension. Ndërkohë, ulja e lindshmërisë po kufizon numrin e kontribuuesve të ardhshëm.
Për të ruajtur përfitimet ekzistuese, qeveritë po përballen me nevojën për të rritur taksat dhe kontributet, për të kufizuar shpenzime të tjera publike ose për të shtuar borxhin.
Në disa ekonomi evropiane, pensionet tashmë përbëjnë rreth një të katërtën e shpenzimeve qeveritare. Kjo peshë buxhetore kufizon hapësirën për financimin e arsimit, infrastrukturës dhe investimeve që mund të përmirësojnë produktivitetin dhe perspektivën ekonomike të brezave të rinj.
Një tjetër ndryshim lidhet me mënyrën se si shpërndahen përfitimet e rritjes ekonomike. Gjatë dekadave të fundit, shumë ekonomi të zhvilluara kanë regjistruar rritje të dobët të pagave dhe të prodhimit për frymë. Megjithatë, shpenzimet për pensionet kanë vijuar të zgjerohen, të ndikuara nga numri më i madh i përfituesve dhe mekanizmat e indeksimit.
Në disa vende, një pjesë e konsiderueshme e rritjes së prodhimit të brendshëm bruto për frymë që nga kriza financiare e vitit 2008 është përthithur nga zgjerimi i shpenzimeve për pensionet. Kjo prirje ka krijuar një hendek ndërmjet përmirësimit të të ardhurave të pensionistëve dhe ecurisë së të ardhurave të punonjësve.
Ndërsa pensionet kanë ruajtur ose rritur fuqinë blerëse nëpërmjet mekanizmave të mbrojtjes nga inflacioni, pagat reale të shumë punonjësve kanë shënuar rritje të kufizuar. Për pasojë, pensionet po funksionojnë gjithnjë e më shumë si një mekanizëm transferimi të ardhurash jo vetëm nga të rinjtë drejt të moshuarve, por në disa raste edhe nga familjet me më pak burime financiare drejt familjeve më të pasura.
Rritja e shpenzimeve për pensionet po krijon një tjetër dilemë për politikat ekonomike: balancën ndërmjet konsumit aktual dhe investimeve afatgjata. Kur qeveritë përdorin një pjesë gjithnjë e më të madhe të buxhetit për pagesa pensioni, ato kanë më pak hapësirë për të financuar projekte që mbështesin rritjen ekonomike në të ardhmen.
Kjo nuk nënkupton se shpenzimet për pensionet janë ekonomikisht të panevojshme. Ato mbështesin konsumin, ulin varfërinë dhe sigurojnë stabilitet financiar për miliona të moshuar. Megjithatë, zgjerimi i tyre përtej kapacitetit financues të ekonomisë mund të krijojë një konflikt ndërmjet nevojës për mbrojtje sociale dhe investimeve që rrisin të ardhurat e brezave të ardhshëm. Në këtë kontekst, po merr rëndësi edhe mënyra se si shpërndahen përfitimet brenda vetë popullsisë pensioniste.
Sistemet universale mund të ofrojnë mbështetje të konsiderueshme edhe për persona që zotërojnë pasuri dhe kanë burime të tjera të ardhurash, ndërkohë që financimi i tyre mbështetet te kontributet e punonjësve me nivele shumë të ndryshme pagash.
Përballë presioneve demografike dhe fiskale, debati mbi reformimin e pensioneve po përqendrohet te ndryshimi i mënyrës së financimit dhe shpërndarjes së përfitimeve. Ndër alternativat kryesore janë lidhja e moshës së pensionit me jetëgjatësinë, përshtatja e indeksimit me mundësitë ekonomike, zgjerimi i skemave të kursimit dhe investimit, si dhe përqendrimi i mbështetjes shtetërore te pensionistët që kanë më shumë nevojë.
Qasja synon që pensioni publik të garantojë mbrojtje nga varfëria, ndërsa kursimet dhe skemat e tjera të pensionit të sigurojnë një pjesë më të madhe të të ardhurave shtesë në pleqëri. Megjithatë, kalimi drejt këtyre modeleve kërkon reforma graduale, pasi ndryshimet ndikojnë drejtpërdrejt te të drejtat e përfituesve dhe detyrimet e kontribuuesve.
Në kushtet kur popullsia po plaket dhe numri i punonjësve po rritet më ngadalë, çështja kryesore nuk është më vetëm garantimi i pensioneve, por edhe përcaktimi i një shpërndarjeje të qëndrueshme të kostove ndërmjet brezave. Sfida për ekonomitë e zhvilluara është të ruajnë arritjet në uljen e varfërisë së të moshuarve, pa dobësuar mundësitë ekonomike dhe standardin e ardhshëm të jetesës së brezave që financojnë sistemin.
Marrë nga “Financial Times“
