Nga Hiqmete Daja
Botuar në DITA
Durrësi, qyteti i lashtë mijëravjeçar, hapi dyert e Pallatit të Kulturës Aleksandër Moisiu për shkrimtarë e dashamirë të letërsisë, të ftuar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit, ku kryetari i saj shkrimtari Agron Çalliku do të bënte promovimin e romanit të tij “E Penduara”.
Këtë takim e nderonte me pjesëmarrjen e tij diplomati i shquar, ambasadori, poeti e autori i shumë shkrimeve letrare e estetike, si edhe i një biblioteke me libra të shkruara me kompetencë e një nivel të lartë mbi diplomacinë, si dhe çështje të ndryshme që shqetësojnë diplomacinë shqiptare, Z. Shaban Murati, “Nderi Qytetit të Durrësit”. Ai u nderua me titullin “Nderi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit” dhe iu dha Karta e anëtarit Nr.1 të Lidhjes.
“E Penduara” e shkrimtarit Agron Çalliku është një roman bashkëkohor, që shpalos ngjarje dhe episode, që ndodhin rëndom në ditët tona, ku shoqëria ndonëse në demokraci është herë-herë e molepsur me probleme, që krijojnë kaos në jetën e njerëzve. Ky roman për mendimin tim mund të ishte biografia e autorit, por edhe e shumë njerëzve, që nuk kanë mbështetje, por i besojnë verbërisht drejtësisë së munguar dhe të padrejtë. Është ironi të thuash drejtësi e padrejtë, sepse kushdo në çaste të vështira të jetës mendon se do të zgjidhë diçka, që i është mohuar apo është mashtruar, duke iu drejtuar drejtësisë. Sa keq, kur njeriu zhgënjehet dhe në një formë të tillë, që nuk e merr veten për gjithë jetën. Dhe ndodh që episode lënduese, që kanë depërtuar në shpirtin e tij e shoqërojnë si fantazma, që duan t’i marrin frymën dhe personalitetin, kur e ndjen veten për fat të keq një hiç, i pafuqishëm para një drejtësie të mohuar.
Ky roman trajton ngjarje të ditëve tona, kur njerëzit para një ndryshimi thelbësor të sistemit nga ai diktatorial në një sistem demokratik, ndodhen para të papriturave që ndikojnë dhe hera-herës transformojnë jetët dhe karakteret e tyre. Romani fillon me një ngjarje makabër. Një vajzë e re, e dlirë, mbushur me ëndrra për t’u arsimuar dhe për të qenë dikush në jetë, ndërsa shkonte për të larë rrobat në lumin e fshatit përdhunohet nga dikush i maskuar, duke i përmendur nënën e saj, dikur një grua, që zor se harrohej për bëmat, që kishte bërë në kohën e diktaturës. Drama e kësaj vajze të re aso kohe, por edhe sot, është një dramë, që e kanë kaluar shumë vajza për fatin e keq edhe nga familjarë të tyre, që kanë abuzuar me to, i kanë trafikuar, i kanë dhunuar e kjo e keqe në forma e trajta të ndryshme është ende një fenomen social i vëshirë për t’u zgjidhur për të mos thënë me mungesë vullneti për t’u zgjidhur, jo vetëm nga shoqëria e molepsur, si edhe qeverisja me korrupsion dhe me njerzillëk të shprishur.
Kjo vajzë e re me ëndërra të këputura në mes bëhet heroina e romanit të Agron Çallikut, sepse për fatin e keq mbeturinat e diktaturës, të moralit të mpleksur me të keqen, që në këtë rast përfaqësohen nga nëna e saj, influencojnë dukshëm tek ajo duke hequr çdo gjë të bukur që mund të kishte një vajzë e re, që donte të shkollohej, që donte të ishte dikush, duke e martuar me një njeri, të cilin ajo nuk e njihte, por për fat kishte qëlluar shumë i mire. Një njeri që e dashuroi të shoqen, krijoi me të familje, por njeriu i shprishur fillon të nxisë, të rrebelojë të bijën dhe ajo pa asnjë të drejtë të ngrejë krye dhe të nxjerrë kthetrat, duke bërë që kjo familje të degjenerojë, të korruptojë, me paratë e vjedhura të kryefamiljarit policinë e gjykatat per të xhvatur prej tij gjithçka e në rradhë të parë, duke i marrë nderin e më pas fëmijët e pasurinë. Dirigjentja ishte aq e zonja sa dominoi familjen dhe e ktheu në një strofull ujqërish të babëzitur, që vidhnin me ligje e gjyqe të blera, duke shkatërruar atë, babanë, që i mbajti në gji, që i mbrojti, i rriti e i shkolloi.
Këto nënat tona të dashura e të mençura durrsake do të thonin, kur të dëgjonin këtë histori: “O Zot erdhi dita e qametit, i erdhi fundi botës!”. Por personazhi ynë, Arna, nuk është e kënaqur me kaq. Lukunia dhe ambicia, që i kanë gllabëruar trupin e shpirtin katran, bën që jo vetëm të mos ndalet, por të thurë intriga të padëgjuara. Ajo jo vetëm demonstron demonin, që i ka bllokuar trupin e shpirtin, por don të shkojë deri në ekstrem, duke e bërë njeriun me të cilin lindi fëmijët, atë që bëri të paditurin për vajzërinë e rreme e abortin e saj, atë që e bëri zonjë shtëpie dhe nënë, pre të policisë, pre të gjykatave me fallsitete, intriga e veprime, që vetëm një mendje djallëzore mund të krijonte.
Në këtë roman i bëhet një analizë e thellë funksionimit të organeve të policisë, ndërsa Ago, protagonisti i këtij romani, burri e babai i dhunuar psikologjikisht e moralisht, në pafajësinë e vet përpiqet të jetë deri në fund një qytetar i rregullt. Ndeshemi me punonjës të policisë që ndëshkojnë, që fyejnë, që janë të paguar e të dërrmojnë me fjalë e dhunë pa iu dridhur qerpiku. Kjo është një akuzë e një fenomeni, që i duhet dhënë fund. Policia është për popullin dhe duhet t’i shërbejë atij, kurse në këtë roman, ashtu sikundër ndodh rëndom në jetë, ndeshemi me policë të korruptuar që uniforma nuk i shkon, por që u duket se u jep fuqi dhe veprojnë sikurse të vepronin huliganët e jo punonjësit e rendit . E duke qenë në këto marrëdhënie, po ky vlerësim mund të jepet edhe për gjykatat. Ne jetojmë në Shqipëri e ndonëse reforma në drejtësi ka pastruar nga sistemi gjyqësor shumë gjyqtarë të korruptuar, ende sistemi gjyqësor lëngon dhe këto spazma të gjyqësorit që nuk bën drejtësi, por padrejtësi, i paguajnë qytetarët. Kjo është sa e frikshme aq edhe tragjike dhe këtë ka arritur në pak radhë ta përshkruaj autori në librin e tij, ku lexuesi, nëse është ndeshur me padrejtësinë e gjykatave, e vë veten në vendin e protogonistit dhe shfryn për të drejtën e shkelur, për gjëmën, që i kanë bërë dhe në vetvete ulërin me ato vargjet e Migjenit: “Ah si nuk kam nji grusht të fortë, malit që hesht mu në zemër me ia ngjesh, ta shof si dridhet nga grusht i paligjshëm, e unë të kënaqem, të knaqem tu u qesh…”.
Dialogu demaskues i policit me qytetarin evidenton një panorama rrënqethëse. –“Do të shkel me këmbë, o kriminel, do ta shohësh sa do t’i rezistosh asaj që do të bëj”…shkruan autori. për kërcënimet e policit. Pasi i drejtohet me edukatë punonjësit të policies, Ago i thotë: … “E drejta do të dalë në shesh para këtij mashtrimi, pjesë e të cilit po bëheni edhe ju”.
Qytetari, që ka të drejtën me vete dhe, polici i korruptuar, një antitezë që tregon se ai që ka pushtetin e përdor si i do qejfi dhe interesi dhe shkatërron jetë njerëzish. Këto pasazhe dhe të tjerë si këto mbajnë me vete jo vetëm realitetin e hidhur në shumë raste, por edhe thirrjen e autorit, që kjo duhet të ndryshojë edhe të mos jetë kërcënuese, sepse fragmenti që vazhdon më tej:… “Merreni këtë dhe bëni ca formalitete, por mos i lini shenja në fytyrë”, është i frikshëm dhe nuk i takon një shteti demokratik që aspiron për të hyrë në Bashkimin Europian. Shtrembërimi i së vërtetës, thekson autori, është po aq i dëmshëm sa edhe vetë kryerja e një krimi. Shihni sa i drejtpërdrejtë është ai dhe sa mesazh të bukur jep kjo klithmë e dalë nga shpirti i një fajtori pa faj.
Pa dashur që të tregoj përmbajtjen e këtij romani do të ndalem paksa në pjesën e fundit të tij, e cila ndryshon katërcipërisht me atë ç’ka ka trajtuar romani deri tani. Këtu autori me vetëdije ndërhyn për t’i larguar lexuesit të keqen, që i ka transmetuar deri në këto çaste dhe për t’i treguar se falja është hyjnore e shpirtërore dhe duhet shfrytëzuar për të mirën e të gjithëve. Ndonëse kjo do ta befasojë lexuesin, që në çdo rast do të priste një reagim tjetër nga Ago për gjithçka atij i kishin bërë, ai e ndryshon rrjedhën e ngjarjeve, duke e bërë të shoqen Arnën një njeri të penduar, që duke i ardhur turp nga bëmat e saj, sa të pandershme aq edhe të turpshme, gjithnjë nën ndikimin e nënës së saj, autori e largon atë nga familja dhe me këtë veprim të jep të kuptosh se pendesa e një njeriu duhet pranuar, ashtu sikundër e ka pranuar ai vetë në romanin e tij.
Të bie në sy në këtë roman një analizë e hollësishme e personazheve. Autori i skalit ato duke i bërë përfaqësues të së mirës dhe të së keqes, me të cilat jemi të detyruar të bashkëjetojmë. Romani përshkohet nga një frymë familjare, që është një dhimbje më vete, sepse shohim familje të ndara, familje të minuara nga e keqja, por edhe familje solide dhe njerëz, që e kërkojnë të tillë familjen me ndershmërinë e tyre si Ago. Vihet re në këtë roman përdorimi i shumë figurave letrare e sidomos metaforat e epitetet,por vetë romani është një antitezë e realitetit ekzistues dhe asaj çka kërkon autori për personazhet e romanit të tij, që të ndërthurur në ngjarjet e përshkruara, janë familja e tij, fëmijët e tij, për të cilët ai jep jetën.
Stili tregimtar, që pëlqehet nga lexuesi dhe lexohet më lehtë prej tij, fabula e përdorur që rrjedh dhe të bën që librin ta lexosh me kureshtje derisa të mësosh fundin e tij, janë një veçanti e përdorur me mjaft sukses nga autori.
Romanin “E Penduara” mund të konsiderohet një sukses i autorit dhe një kontribut i ri i tij në letërsi.