Nga Anar Huseynov*
Ky vit shënon 32 vjetorin e gjenocidit të Khojaly-it, një nga krimet më të dhimbshme dhe të tmerrshme të dekadave të fundit. Gjenocidi i Khojaly-it të vitit 1992 nuk është vetëm një nga faqet më të errëta të historisë së Azerbajxhanit, por edhe “një nga tragjeditë më të tmerrshme” të njerëzimit. Tragjedia e Khojaly-it është një tjetër pasojë e tmerrshme e politikës së pushtimit të paligjshëm, spastrimit etnik dhe gjenocidit të kryer nga nacionalistët armenë dhe mbështetësit e tyre kundër popullit azerbajxhanas.
Natën e 25-26 shkurtit 1992, forcat armene kryen një masakër – e njohur si gjenocidi i Khojaly-it – ndaj azerbajxhanasve etnikë në Khojaly, një qytet i vogël në rajonin e Karabakut të Azerbajxhanit.
Gjakderdhja në Khojaly nuk mund të vlerësohet veçmas nga veprimet agresive të Armenisë ndaj Azerbajxhanit, të cilat nisën në vitin 1988. Masakra e Khojaly-it ndodhi gjatë konfliktit të armatosur në ish-Nagorno-Karabak, një rajon brenda Azerbajxhanit me një popullsi të konsiderueshme armene etnike. Pasi pushtuan pjesën më të madhe të rajonit dhe dëbuan azerbajxhanasit etnikë, forcat armene, me ndihmën e regjimentit 366 të motorizuar të Ushtrisë Sovjetike, i cili ishte i vendosur në kryeqytetin rajonal të Khankendit, kryen një gjakderdhje të vërtetë midis popullatës azerbajxhanase në qytetin e Khojaly-it.
Qyteti ishte i rrethuar nga njësitë armene për katër muaj përpara sulmit aktual. Në kohën e nisjes së sulmit kishin mbetur ende disa mijëra banorë, shumë prej të cilëve ishin të sëmurë, të plagosur, të moshuar, gra dhe fëmijë – të gjithë ata që nuk kishin mundur të iknin para rrethimit.
Përveç objektivave strategjikë, agresorët armenë donin të shkatërronin Khojaly-in si një vendbanim që pasqyron trashëgiminë historike dhe kulturore të popullsisë së Azerbajxhanit. Forcat e armatosura armene dhe njësitë mercenare nuk u shqetësuan fare për popullin e Khojaly-it, i cili nuk kishte arritur të largohej nga qyteti. Si rezultat, vetëm brenda disa orëve 613 civilë u zhdukën, duke përfshirë 106 gra, 63 fëmijë dhe 70 të moshuar. 1275 banorë të Khojaly-it u morën peng, ndërsa fati i 150 banorëve ende nuk dihet deri më sot. Tetë familje u zhdukën plotësisht. 130 fëmijë humbën njërin nga prindërit dhe 25 fëmijë i humbën të dy. 487 persona, përfshirë 76 fëmijë u plagosën rëndë.
Vrasjet brutale u dokumentuan gjithashtu nga “Human Rights Watch” dhe organizata për të drejtat e njeriut “Memorial”. Përfaqësuesit e mediave ndërkombëtare që vizituan vendin u tmerruan nga ajo që panë. Një nga tragjeditë më të tmerrshme të shekullit të 20-të ndodhi në Azerbajxhan. Ajo që ndodhi në Khojaly nuk ishte e ndryshme nga gjenocidet e parë në Khatyn, Holokaust, Ruanda dhe Srebrenicë, të cilat lanë të gjitha një gjurmë të thellë në historinë botërore.
Udhëheqja armene jo vetëm që e pranoi fshehtazi, por edhe u krenua me veprimet e saj. Nuk është rastësi që gjatë intervistës së tij me gazetarin britanik Thomas de Waal në vitin 2000, ish-presidenti armen, Serzh Sargsyan, deklaroi: “Përpara Khojaly-it, azerbajxhanasit mendonin se po bënim shaka me ta, ata mendonin se armenët ishin njerëz që nuk mund të ngrinin duart kundër popullatës civile. Ne duhej t’i jepnim fund gjithë kësaj, kështu që e bëmë. Ne e thyem këtë stereotip të Azerbajxhanit” (Shënimi është marrë nga libri “Kopshti i Zi” i Thomas de Waal). “Fakti më shkatërrues” për gjenocidin e Khojaly-it është se autorët e masakrës “të përfaqësuar në udhëheqjen e mëparshme politike dhe ushtarake të Armenisë” kanë pranuar veprimet e tyre dhe kanë mbetur të pandëshkuar.
Ky rrëfim konfirmon se krimi kundër njerëzimit në Khojaly ishte i qëllimshëm dhe i mirë planifikuar. Më vonë, armenët pranuan se detyra e parë kryesore e forcave të armatosura armene ishte shkatërrimi i urës së Khojaly-it, evakuimi i segmentit rrugor Askeran-Khankendi dhe pushtimi i aeroportit të kontrolluar nga Azerbajxhani. Duhet të theksohet se Khojaly ishte i vetmi qytet në rajonin e Karabakut me aeroportin e tij.
Raportimet, fotot dhe pamjet e marra nga gazetarë perëndimorë, si Anatol Lieven (“The Times”) dhe Thomas Goltz (“The Washington Post”) në vendin e masakrës, hedhin dritë mbi këtë krim. Të vrarët iu nënshtruan mizorive të paimagjinueshme për një shoqëri të qytetëruar. Pasqyrimi i masakrës së Khojaly-it nga mediat e njohura ndërkombëtare, si gazetat “The Washington Times”, “The New York Times”, “The Boston Globe”, “The Guardian”, “The Independent” dhe revistat “Newsweek” e “Time”, përbëjnë dëshmi për ato ditë të përgjakshme.
Masakra e Khojaly-it dhe krimet e tjera të luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi i kryer nga Armenia gjatë agresionit të vazhdueshëm kundër Azerbajxhanit, përbëjnë një shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare humanitare, në veçanti të Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimit të Gjenocidit, Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, Konventës kundër Torturës, Deklaratës për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve në Emergjenca dhe Konfliktet e Armatosura e kështu me radhë.
Gjatë viteve, është bërë punë e rregullt për të siguruar që krimet kundër njerëzimit të kenë trajtim ligjor objektiv dhe të drejtë në mbarë botën. Dokumentet përkatëse të Unionit Parlamentar të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik dhe të Parlamenteve të Meksikës, Pakistanit, Republikës Çeke, Perusë, Kolumbisë, Panamasë, Hondurasit, Sudanit, Guatemalës dhe Xhibutit konfirmuan se masakra e Khojaly-it ishte një akt gjenocidi. Parlamentet e Rumanisë, Bosnjë-Hercegovinës, Serbisë, Jordanisë, Sllovenisë, Skocisë, si dhe organet ekzekutive dhe legjislative të më shumë se 20 shteteve të Shteteve të Bashkuara e kanë dënuar ashpër tragjedinë e Khojaly-it, duke e cilësuar atë si një masakër.
Në të gjithë globin ka memorialë kushtuar viktimave të masakrës së Khojaly-it – ku përveç qyteteve të ndryshme të Azerbajxhanit dhe Turqisë, ka përmendore në Hagë, Berlin, Sarajevë, Meksikë, Izrael.
Këtë vit ne do të përkujtojmë përvjetorin e radhës së kësaj tragjedie në të gjithë territorin e Azerbajxhanit dhe për herë të parë që nga viti 1992 në qytetin e Khojaly-it. Ky qytet u çlirua nga regjimi separatist lokal dhe forcat e armatosura ilegale armene më 19 shtator 2023. Që nga kjo datë, kur Azerbajxhani rivendosi sovranitetin e tij mbi territorin e tij të njohur ndërkombëtarisht, ne nuk kemi më pengesa për paqen e qëndrueshme dhe bashkëpunimin në rajon. Çështja është nëse Armenia dhe patronët e saj e dëshirojnë.
Duke i thënë botës të vërtetën për Khojaly-in, ne nuk synojmë të rrënjosim ndjenja armiqësore kundër popullit armen. Ne duam që komuniteti botëror t’i njohë ata kriminelë, të cilët përfaqësonin Armeninë dhe regjimin separatist të Karabakut dhe qëndruan në pushtet për një kohë të gjatë. Ne duam të përcjellim thelbin e akteve të kryera prej tyre, në mënyrë që tragjedi të tilla të përgjakshme të mos përsëriten. Ne vetëm kërkojmë Drejtësi për Khojaly-in.
*Anar Huseynov është Ambasadori i Republikës së Azerbajxhanit në Republikën e Shqipërisë