Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, thotë se Belinda Ballukun ka shpenzuar rreth 69 mijë euro për operacione plastike dhe ndërhyrje estetike të padeklaruara.
Sipas deklaratave të publikuara nga Bardhi në rrjetet sociale ndërhyrjet për rinovimin e fytyrës dhe pamjes janë realizuar në Milano, pranë një kirurgu plastik të njohur ndërkombëtarisht që ushtron aktivitetin në Beverly Hills, Miami, Dubai dhe Milano.
Shpenzime të tilla kanë bërë edhe politikanë e zyrtarë të tjerë, më së shumti ata të lakuar për korrupsion.
Një artikull i botuar në shtypin austriak rendiste ndër shpenzimet e dyshimta të çiftit Meta–Kryemadhi edhe operacione estetike për Monika Kryemadhin. Kryemadhi i mohoi këto akuza në atë kohë, duke i cilësuar si sulme politike dhe se atë e kishte bërë të bukur nëna që në lindje. Ndryshimet në fytyrën e znj.Kryemadhi gjithsesi janë të dukshme.
Raste të tjerë kanë qenë ato të zyrtares së lartë Arlinda Pogaj dhe të tjerë. Megjithëse një politikani apo politikaneje i duhet më shumë mendja dhe ideologjia, në nivel individual, edhe politikanët kanë të drejtën e plotë të kujdesen për pamjen e tyre, të ndihen mirë me veten e të bëjnë trajtime estetike, sikur të jenë aktorë filmash apo top modele.
Por një zyrtar i lartë i paguar nga taksat e qytetarëve ka detyrimin ligjor dhe moral të justifikojë shpenzimet e mëdha. Kur flitet për ndërhyrje që kushtojnë dhjetëra mijëra euro në klinika luksoze jashtë vendit, pyetja nuk është “pse e bëri?”, por me çfarë parash e pagoi dhe a e ka deklaruar.
Në vende me probleme të mprehta sociale e shëndetësore, ekspozimi i luksit të tepruar nga zyrtarët publikë është mungesë ndjeshmërie ndaj shumicës që përballen me kosto bazë të jetesës.
Pamja e jashtme e një politikani është zgjedhje e tij personale, por llogaridhënia për paratë e shpenzuara është detyrim publik.
m.aleksi / dita
