Nga Halil Bregasi
Çfarë ka dhe çfarë mungon për këtë?
Cakrani, jo vetëm si fshat, është një zonë e banuar pa ndërprerje prej më shumë se 6000 (gjashtëmijë) vjet. Madje edhe sot është një zonë e populluar disi më shumë se vendbanimet e tjera. Ky është tergues që vlen të vlerësohet nga insitucionet. Cakrani ka një histori, që për mua është e madhe, dhe i shkon shumë afër Historisë së Shqipërsë. Për këtë ka të dhëna të bollshme, ato njihen nga dokumentet, por jo nga ata që kanë mundësinë e të drejtën për t’i interpretuar.
Zona e Cakranit ka peshën dhe vendin e vet në historinë e Mallakastrës, por dhe në atë të Shqipërisë. Ka qenë dhe është zona lidhëse midis qyteteve të: Beratit, Tepelenës, Fierit dhe Vlorës. Si e tillë ka përjetuar pushtimet dhe luftrat më të egra të zhvilluara qysh në kohët e vjetra, por që i ka rezistuar vazhdimisht zhdukjes dhe largimit nga vendbanimi. Ka merituar emrin “Zonë Martire”, ku gjurmët e pushtimeve, megjithëse të zhdukura, ekzistojnë dhe mund të shikohen edhe sot, sidomos për periudhat deri në mesjetë. Jo vetëm unë, por të gjithë intelektualët cakranjotë, të cilët janë me qindra, do ndjeheshin mirë, në se do të njihej kjo histori e Cakranit, sepse, ajo tregon autoktoninë e banorëve të vjetër, të sotëm dhe atyre që do të vijnë, tregon etnitetin prehistorik të tyre.
Pse Cakrani sot, nuk njihet si vendi i kulturës neolitike, i periudhës paraurbane, apo i qytetërimeve në periudha të ndryshme të historisë? Pse në librat e histories të arsimit 9-vjeçar nuk përmendet kjo histori, por fëmijët e Cakranit mësojnë për Apolloninë, Bylisin etj e jo për Cakranin? Kush pengon dhe si duhet rregulluar kjo “padrejtësi”? A mundet të ndryshoi kjo situatë? Këto dhe shumë pyetje të tilla dalin, por pyetja që nuk do ketë përgjigje është: kujt i intereson që kjo histori të mos njihet?
Infrastruktura rrugore për të shkuar në Cakran është shumë e mirë në të dy drejtimet: si ajo nga Fieri – Qafa e Koshovicës – Cakran dhe ajo nga autostrada Vlorë- Veri, ku rruga Levan – Tepelenë kalon pranë fshatrave të kësaj zone.
Në Cakran ekzistojnë qendra arkeologjike që janë zbuluar dhe që mund të përgatiten për vizitorët. Për të qenë më i qartë për këtë problem, po përsërisë më poshtë, disa të dhëna mbi zbulimet arkeologjike të bëra në shekullin e kaluar, duke u përpjekur të sqarojë çfarë duhet bërë, sa më shpejtë, që të ndryshoi kjo situatë.
Zona e Cakranit, gjithmonë sipas meje, më duket se është nga të paktat zona në trojet shqiptare, ku jeta ka vazhduar pa ndërprerje, të paktën që nga periudha e neolitit e deri më sot dhe që mund të kishte një park arkeologjik të kompletuar. Në se do ishte ruajtur ashtu siç duhej, sot do kishim një park arkeologjik shumë të vizituar nga turistë vendas e të huaj, nga i cili do të nxirreshin përfitime ekonomike të mjaftueshme për të përballuar nevojat për mirëmbajtjen e objekteve, por dhe diçka do të tepronte. Po saktësoi disa të dhëna sipas periudhave:
Në vitet 1969 – 1970 u ndërmorën kërkime në vendbanimin e Cakranit, i cili është i pari stacion i neolitit të mesëm që zbulohet në territorin shqiptar.
Në Thikëz u zbuluan dy horizonte banesash. Në se do të ruheshin këto dy “Gropa”, ashtu si i lanë arkeologët, por edhe të mbuloheshin me thupra degësh nga pemët përreth, ashtu si mendohet jetesa në atë periudhë historike, të vendoseshin aty disa nga veglat e punës që mendohet se janë përdorur në atë kohë, kush nuk donte t’i shikonte? Mendoj cilido lexues i këtij artikulli!
Në vendbanimin e Cakranit veglat fillestare të hershme të punës janë bërë prej guri, kocke, briri. Veglat prej stralli janë përfaqësuar me shumicë, pas tyre vijnë ato prej guri e më pak ato prej kocke e briri. Në veglat e gjetura ka thika, shpuese, kruese, maja shigjetash të formave e madhësive të ndryshme. Në përcaktimin e tipareve të kulturës në vendbanimin prehistorik të Cakranit, interes të madh paraqet qeramika, e cila përbën pjesën më të madhe dhe më të larmishme të kulturës materiale. Punimi duket që është bërë i tëri me dorë.
Në qeramikën e Cakranit ka disa lloje zbukurimesh. Çdo lloj zbukurimi i hasur në enët e gjetura përbën tipar dallues të kulturës neolitike të Cakranit. Në zbukurimet duhen përmendur dhe disa sende të bëra prej kocke e guacke, që janë përdorur si stoli, ndoshta tek gratë. Është një unazë prej kocke, një guackë e shpuar që të varet dhe më i bukuri një peshk, bishti i të cilit është modeluar shumë mirë. Interesante është që me thika prej stralli, njeriu (artist) i asaj kohe, të arrijë të bëjë gjëra të tilla.
Po ku janë vallë këto zbukurime? A i dinë vendasit këto pasuri të tyre? A e njohin nxënësit e shkollave të zonës këtë histori të lashtësisë? Disa nga këto mund të ekspozoheshin edhe në ato gropa – banesa e të ruheshin.
Edhe periudhë historike të Bronxit, në zonën e Cakranit ka patur jetë. Dëshmi e saj, janë gjetjet e objekteve prej bronxi dhe dëshmive të tjera. Kështu në “Thikëz”, pra ne vendbanimin e neolitit të mesëm, janë gjetur thika prej bronxi, gjë që është një tregues i vazhdimësisë së jetës në atë vendbanim. Të kësaj periudhe janë edhe tumat (varrezat tumulare) si ajo e Gorishovës, shumë e dëmtuar kjo, tek çezma e korombretit në fushë, dhe ajo e Patosit, ku janë gjetur 76 varre, 62 prej të cilëve i takojnë periudhës së bronxit të vonë e të tjerët të më vonshëm.
Por gjetja më interesante e kësaj periudhe është shpata dhe heshta prej bronxi. Shpata e dëmtuar në majë, ku i mungon një pjesë, është ruajtur në gjatësinë 84 cm., Sipas përcaktimit të arkeologëve ajo është e tipit mikenase dhe i takon periudhës së bronxit të vonë, shek XII para Krishtit. Maja e heshtës, është e tipit fletëgjerë me tun prizmatik tetëfaqësh. Fleta ruhet në gjatësinë 8.2 cm dhe e gjerë 6.2 cm. Megjithëse armë prej bronxi janë gjetur në fshatrat e Lushnjes, Vlorës, Elbasanit, Gjirokastrës, por maja e heshtës së Varibopit përbën një variant të tjetër të veçantë.
Në fshatin Cakran, janë edhe dy vendbanime ilire, por që sot për sot nuk vizitohen nga askush, pavarësisht të dhënave shumë të vlefshme që ato paraqesin për historinë e kësaj zone.
I pari është vendbanimi paraurban i Qytezës, në Mashkiezë, është një kodër në faqe të malit të Cakranit, maja e së cilës ka qenë e rrethuar me mure guri, në një sipërfaqe rreth 0.3 ha, brenda së cilës ka patur banesa, por qyteza ka qenë e vendosur jashtë kalasë, në pjerrësinë e kodrës, ku janë zbuluar banesa të vendosura në tarraca të hapura posaçërisht, deri në pjerrësinë 50 gradë.
Vendbanimi i rrethuar me mure guri, paraqet interes për faktin se aty, në fushën e ndërtimit, kemi tre periudha ndërtimore: periudha arkaike, ajo helenistike dhe periudha mesjetare. Është kjo një dëshmi e ekzistencës për një periudhë shumë shekullore të këtij vendbanimi. Po në fushën e ndërtimit, është si e veçantë edhe ndryshimi që ka ndodhur në zhvillimin e fortifikimeve ilire duke u shkëputur nga format planimetrike të ndërtimit dhe duke shkuar drejt zbatimit të forma gjeometrike në planimetri, sidomos të kthesave me kënd të drejtë etj. Arkeologët që kanë punuar për zbulimin e këtij vendbanimi gjatë viteve 1970 e më vonë, kanë saktësuar se një trakt i murit rrethues në anën perëndimore të tij, me një gjatësi 57 m. e gjerësi mbi dy metra, është ndërtuar në shek.VII para Krishtit Në vazhdim të tij, është muri me gjerësi rreth 1.80 m, që ka teknik ndërtimi më të përparuar dhe është klasifikuar si i shekujve V –II para erës së re. Ndërsa gjëndet aty edhe një pjesë muri e ndërtuar me gurë të vegjël e me llaç, që i takon periudhës së Mesjetës.
Në qytezë u gjetën monedha e sasi të mëdha drithërash e frutash të karbonizuara që vërtetojnë ekzistencën dhe zhvillimin e kësaj qendre deri në mesjetë, në shek. XIII – XIV, kur mendohet se mund të jetë shkatërruar. Monedhat e gjetura janë prej argjendi, të prera nga Duka i Athinës, Gijom I Rosh, gjatë viteve 1280 – 1287, i Akesë në vitet 1297 – 1301 dhe i Bohemundit VII të Antiokisë gjatë sundimit të tij në kontenë e Triportit në vitet 1274 – 1287.
Ky vendbanim mendohet se mund të jetë shkatërruar në gjysmën e parë të shek. II p.e.r., që lidhet me luftrat iliro – romake. Në mesjetë ka gjallëruar përsëri, apo ka patur një zhvillim te tillë që është bërë e njohur dhe jashtë zonës së krahinës duke patur lidhje deri në Athinë. Kështu del se ky vendbanim ka qenë një qendër e madhe tregëtare e shkëmbimi.
Sot ky vendbanim i rëndësishëm po shkon drejt zhdukjes, si pasojë e indiferencës së pushtetit vendor të Cakranit. Muret prej guri janë dëmtuar duke u marrë për thermelet ose muret e shtëpive që ndërtohen. Vendbanimi ka patur një hyrje nga ana veriore, por që nuk duket, mbasi është mbuluar nga ferrat e shkurret e tjera. Dikur ishte vend pelegrinazhi për nxënësit e shkollës së Cakranit, por që mund të frekuentohej dhe nga nxënësit e shkollave të zonës.
Në vazhdim të jetës qytetare në Cakran, është qyteti në faqen e malit në lartësitë deri 520 m., ku mendohet se ka ekzistuar një qytet i rëndësishëm. Të dhënat e para për ekzistencën e tij i dha arkeologu austriak, Plashniker, gjatë pushtimit austrohungarez të zonës në vitet 1915 – 1918. Më vonë, janë bërë ekspedita informative aty dhe ka të dhëna të bollshme që vërtetojnë ekzistencën e qytetit, por, për mungesë infrastrukture, gërmimet aty nuk filluan kurrë në shkallë të gjerë. Në vitin 2009, u ndërmorrë një iniciativë nga Instituti i Arkeologjisë Tiranë, me temën: “Rikthim në Gurëzezë”, dhe u bisedua për hapjen e rrugës automobilistike, përsëri, nga pushteti vendor nuk u realizua bërja e rrugës. Më në fund, arriti të hapet rruga për të shkuar deri në majë të malit të Cakranit, dhe kjo qe si një frymëmarrje lehtësuese për arkeologët e studjuesit, por vetëm kaq. Është një rrugë që mund të shfrytëzohet vetëm në verë. U bënë disa gërmime gjatë një viti, dhe për mungesë fondesh nuk vazhdoi puna. Qyteti është emërtuar “Gurëzezë”, mbasi në atë faqe mali, janë dy gur të mëdhenj që dalin si gjokset e një nëne e që janë formuar nga rërat bituminoze, pra janë të zes. Në fakt emri i qytetit nuk dihet.
Qysh nga zbulimet e para e deri më sot, atje dihen se ka patur rreth 20 furra qeramike e tjegullash, që sipas arkeologëve datojnë në shekujt IV – II p.e.r., ashtu siç dihet për ekzistencën e një bazilike, që u hulumtua në vitin 2010 dhe disa stera uji. Është një qytet që në kulmin e zhvillimit të tij, ka qenë rrethuar me një mur 2100 m gjatësi e sipërfaqe rreth 23 ha. Mendohet se ka qenë rezidenca e mbretit Monun që sundoi tokat nga Drini në Vjosë në vitet 280 – 290 p.e.r., një thesar monedhash me prerje të këtij mbreti janë gjetur në fshatin Kreshpan, bri fshatit Cakran
Zbulimi i këtij qyteti ka rëndësi edhe për faktin se, në këtë zonë kërkohen qyetet Bragul, Eugen, Domastion, të cilët lidhen me historinë e lashtë të ilirëve, por dhe ekzistencën e qytetërimeve para helene, gjatë kësaj periudhe deri në mesjetë. Këto qytete kanë qenë të lidhura me Bylisin, Apoloninë, por dhe me qytetërime të largëta deri në Athinë, Korinth etje. Me këto zbulime vërtetohet autoktonia e banorëve të kësaj zone dhe nuk u lihet shteg fjalëve për ekzistencën e popujve me kombësi të tjera të ardhur deri këtu.
Janë bër zbulime të rastësishme si shpata dhe heshta e bronxit në Varibop nga ata që do ngulnin shtyllën elektrike, por askush nga specialistët e arkeologjsë nuk hodhi një kazmë apo lopatë për të kërkuar më tej se çfarë kishte aty. U zbulua në fshatin Kreshpan sasi e konsiderueshme të monedhave të prera nga mbreti Monun, por nuk u kërkua më tej, sikur këto monedha i kishin rënë ndonjë fshatari të asaj periudhe dhe i gjeti fshatari i kësaj periudhe? U gjetën monedhat në fshatin Rromës, por vetëm sa u tha që janë gjetur e nuk u vazhdua kërkimi. Ka në fshatin Buzmadh një toponim: “Varret e Bardha”, janë përfund kodrës së fshatit nga Veriu, por as aty nuk u bënë kërkime. Pra Cakrani ka plotë vende historike ku mund e duhet të bëhen kërkime nga specialistë të fushave përkatëse.
Në Cakran ka frutikulturë të gjithllojshme që kur piqen jo vetëm janë Bio, por edhe me aromë të veçantë.Në Cakran ekziston një përgatitje ushqimore tradicionale dhe moderne, ka lokale me të cilët mund edhe të mburresh. Përsheshi me Gjel Deti dhe zogu i tiganit janë të veçantë. Vaj i Ullirit që prodhon Cakrani është i veçantë dhe shitet jashtë shtetit me disa tonë.
O sa shumë ka për të folur për Cakranin, por çfarë mungon?
Së pari: vizioni e vizionarët në këto institucione, që të gjejnë rrugët në zbatim të ligjeve dhe mundësive për të realizuar diçka të favorshme për zonën.
Së dyti: rrugët për të shkuar në vendet arkeologjike dhe historike vlejnë për të dëshëruar. Nuk besoj se kërkohen fonde të mëdha për të rregulluar e shtruar, qoftë dhe me çakëll rrugët ekzistuese që janë prej dheu, ku mjafton një vesë shiu dhe bëhen të pa kalueshme.
Së treti: planifikimi nga institucionet përkatëse grupet e punës dhe specialistët që duhet të punojnë për të zbuluar e restauruar objektet arkeologjike. Duken vështirësi, por po të mendohet e të shfrytëzohen disa banesa në lagjen Sulaj për të banuar arkeologët vendas apo dhe të huaj, me kushte modeste por të plota jetese, atyre u duhen vetëm 10 – 15 minuta për të shkuar në këmbë tek vendi i punës. Flas kryesisht për tek Gurët e Zesë. Ndërsa për në Qytezë, mjafton rregullimi i rrugës dhe po aq minuta shkohet në vendin e punës.
Ministria e arsimit duhet të mendoj se si mund të shtohet ekzistenca e këtyre vendbanimeve në tekstet shkollore, për t’i mësuar fëmijët e zonës së Cakranit.
Më kryesorja: në Cakran sot nuk ka një muzeum, ku mund e duhej të ishin paraqitur këto vlera e shumë të tjera që nuk do arrijmë t’i përmendim këtu. Kishte dikur një muzeum, ndoshta i politizuar, por që mund të përshtatej me kohën dhe të ekspozoheshin pasuritë materiale të zbulimeve arkeologjike të kryera e që do kryhen. Por periudha e qeëverisjes së Partisë Demokratike, ashtu si shkatërroi shumë pasuri, iu përvesh edhe institucione kulturore si kinemaja dhe muzeumi në Cakran.
Në vendbanimin e neolitit të mesëm, siç thotë Prof. Dr. Muzafer Korkuti në raportin e mbajtur në Konferencën e 2 arkeologjike shqiptare, u mblodhën 12 mijë copa qeramike, mbi 500 kocka që vërtetonin ekzistencën e kafshëve shtëpijake. Nga këto, mjaftonin 12 apo 14 copa qeramike, nga dy për çdo lloj zbukurimi, që të ekspozoheshin për t’i parë njerëzit në muzeum e pse jo edhe në vendibanimin e zbuluar (në se rregullohet e përshtatet). Po kaq vegla pune e materiale kockore, do e pasuronin muzeumin.
Sigurisht që kujtdo i shkon mendja se ku duhet ndërtuar ky muzeum? Për mua, është i mjaftueshëm kati i dytë i ndërtesës së ish komunës apo të Qendrës Administrative sot, dhe administrata të zbresë në katin e parë. Në se nuk del sasia e zyrave, mund të bëhet ndonjë shtesë e vogël, por gjithsesi zgjidhje ka të përkohëshme dhe me kohë mund të ndërtohet ndonjë ndërtesë e re. Mjafton që të ketë një vend ku vizitorët të shohin e mësojnë se këtu ka ekzistuar një popull qysh prej neolitit e në vazhdim.
Jam lindur e rritur në Cakran, kam punuar si agronom i mesëm dhe e njohë zonën që nga fshati Vjosë e deri në fshatin Mollaj, e kam shkelur me këmbët e mia ndaj më dhimbset që nuk ekziston në asnjë hartë guistike.