Nga Agim Danga
Botuar në DITA
Më në fund, po pranohet edhe nga politikanët më optimistë në vend se Shqipëria është e përfshirë në tërë kompleksin e kësaj krize globale.
Rritja e çmimeve, inflacioni, reduktimi i veprimtarive prodhuese, veprime spontane e kaotike në investime, media të mbushura me kronikë të zezë, me sofizma e sofistë mediaktikë kaq kokëfortësisht insistues në pasqyrime siërfaqësore por jo rrënjësore, politikanë që rendin pas pasionit të sëmurë të karrierës, fjalëri e pamatë në vend por pak ose aspak mendim veprues, të rinj që vetëm mendojnë sesi të kalojnë La Manshin apo Adriatikun, pleq që zvarriten për të kapur ndonjë “gjurmë të lëngët” (siç thotë P. Neruda) reminitance apo lëmoshe, punonjës që nuk luftojnë sindikalisht por individualisht në përputhje me rregullat e korrupsionit, shtetarë e qytetarë që përbetohen se veshjet e aksesorët që bartin janë origjinalë firmato dhe jo të blerë tek tregu çam, medresesë apo uzina Dinamo…
Kjo normalisht nuk është ajo që shohim vetëm sot por duket si pasqyrë e tërë këtyre viteve tranzicion.
Duhet ta keni vënë re se shqiptari punëtor a pensionist përzehet nga plazhet e vendit të tij, që fshatari prodhon në vendet e Perëndimit porse ndërkohë ka mbjellur vetëm ndonjë pemë që toka e vendit mëmë të tregohet bujare e t’i japë diçka, që metalurgu, minatori, ndërtuesi, peshkatari, prodhuesi është kërkesë e dorës së dytë tek ato pak industri në vend. Kërkesë e parë është bangladeshasi, siriani, turku, kinezi, afrikani, etj.
Në politikën shqiptare vërehen forma nga më të shfrenuarat për imagjinatën politike të një vendi. Nga njëra anë vërehet një lloj pasioni kozmopolit, gjithmonë i interpretuar në favor të interesave të kombit dhe nga ana tjetër një lloj xhingoizmi i shtirur, gjithnjë kinse për interesat kombëtare.
Ky lloj belikoziteti i të punësuarve politikë duket se është shtrirë në tërë shoqërinë shqiptare deri tek ato që mbledhin kanaçe tek kazanët e plehrave. Të mjerët njerëz nuk po dinë më se si të sillen me “ata lart”, apo me njëri tjetrin.
Demokracia për nga vetë natyra luftarake e saj u shërben njerëzve lirinë por njëkohësisht ajo vendos edhe një lloj protokolli për të jetuar në mënyrë të disiplinuar dhe jo kaotike. Kapitalizmi si formë sociale dhe ekonomike në demokraci nuk pranon fiktivitet ekonomik, ideologjik apo dhe mediatik. Ai kërkon qeverisje të tij sipas parimeve të demokracisë moderne.
Nëse do të bënim këtë, qytetari do të ishte epiqendra e politikës dhe veprimit. Çdo manovër terminologjike do ta dëmtonte vendin rëndë në qenësinë e tij, do t’i bënte njerëzit e punës të painteresuar për kontribut dhe pjesëmarrje, duke ua lënë kështu hapësirën qeverisëse metodave harbute dhe injorante dhe liri të pakufishme veprimi grupeve oligarke politiko-ekonomike.
Në Shqipëri, masat po tërhiqen drejt mosdijes apo dijes fiktive, mosinteresit dhe braktisjes së vendit. Mos prisni që Shqipërinë demokratike ta ndërtojnë të ardhurit nga Bangladeshi, Siria apo vende pa kulturën e duhur demokratike. Atë duhet medoemos ta ndërtojnë shqiptarët si trashëgimtarë të denjë të ilirëve të kulturuar.
Dikur, institucione prestigjoze studimore europiane, teksa bënin analiza e sinteza të fizibilitetit ekonomik, ngrinin në qiell kapacitetet e lakmueshme teknike e intelektuale në vend. Sot, të shkolluarit e rinj kryesisht me mundin e koston e familjeve të tyre shkojnë dhe e falin energjinë e tyre në Perëndim. Natyrisht ky quhet pragmatizëm njerëzor por unë do ta quaja politikisht pragmatizëm reaksionar jokombëtar.
Politika e të dy krahëve është bërë fatkeqësisht shërbëtore apo bashkëpunuese në interes me grupet oligarke në Shqipëri. Për këtë fakt, rreziku i rënies së shoqërise sonë në diktaturë është i lartë.
Duke qenë se Shqipëria tani është pjesë e atashuar apo dhe institucionale e dy grupimeve më racionale dhe më moderne demokratike të tilla si NATO e Bashkimi Europian, shanset tona janë të destinuara të respektojnë e ndërtojnë këto standarte. Çdo shmangje nga kjo rrugë e çon Shqipërinë aty ku do të qeverisej nga një Katund Ideologjik.
Fati ynë është kryesisht produkt i përpjekjeve tona dhe një shoqëri vërtet njerëzore mund të formësohet vetëm nga përpjekjet inteligjente të njerëzve për të qeverisur forcat që përndryshe do të na qeverisnin.
A presim ne që kjo politike e sotme të ndryshojë gjendjen? Shumë e vështirë por jo e pamundur. Stereotipi politik i krijuar e që komandon Shqipërinë e ka tepër të vështirë dhe mund të them se nuk mund të shkatërrojë këtë stereotip të vetvetes.
Whitman-i (poeti i madh i demokracisë amerikane) thoshte: “Besa e dhënë ndaj vendit është besa e dhënë ndaj demokracisë”. Për këtë kërkohet kurajo, kulturë, dije, atdhedashuri, një lloj whitmanizmi për ta vendosur Shqipërinë në binarët e duhur, që shqiptari të bëhet shpresëplotë, që do të jetë ai zgjedhja dhe përdoruesi i parë i kësaj pasurie përrallore që quhet Shqipëri.
Kërkohet pra, revolucion ideologjik brenda grupimeve partiake, grupimeve politike që zotërojnë këtë kapacitet për të orientuar vendin në rrugën e duhur.
Natyra e kapitalit në vetvete është më kosmopolite pasi i duhet të vështrojë drejt një elementi të vetëm, fitimin. Edhe ato pak kapitalistë të rinj shqiptarë nuk mund t’i shpëtojnë këtij lloj parimi sado patriotë të dëshironin të ishin. Në këtë kuadër, për ta nuk ka rëndësi se kush është krahu i punës. Mbështetësit politikë të tyre do të priteshin të ishin cilëtdo që u siguronin atyre fitimin e parashikuar.
Ndaj dhe politika në Shqipëri nuk është e profilizuar pasi qëllim për ta është fitimi me çdo mjet, kjo në kontekstin politiko-administrativ dhe jo mbrojtja e interesave të grupeve të caktuara të interest që do të përcaktonte dhe devizën politike të tyre. Shohim sot parti që vishen me ngjyrë majtas por veprojnë administrativisht e politikisht djathtas. Po kështu ndodh dhe me ato të djathtë që premtojnë e luftojnë sikur të ishin të majtë.
Folësi i sotëm politik apo mediatik modern në Shqipëri ka një besim tepër të çiltër në vetvete teksa i adresohet masës së njerëzve në mënyrë të drejtpërdrejtë; shfaqja e tij me shumë gjasa duket si një naivitet elegant. Ky kaos i të kuptuarit të vetvetes dhe veprimit politik është ajo që në Shqipëri kemi vetëm fjalë por jo mendim.
Ideologjitë e ndërtuara nga Perëndimi me aq shumë kujdes e përkushtim këtu nuk gjejnë kuptim duke ua lënë vendin fjalëve boshe e me sekuenca lodhëse e munduese për ndonjë që kërkon të kuptojë.
Në vend, nga ana tjetër, kemi të rreshtuar njerëzit pa pronë, me pak të tillë apo të varur nga pronarët e mëdhenj. Duke qenë se shumica e shqiptarëve janë pa pronë, me pronë të vogël, rrogëtarë, emigrantë, të papunë, pensionistë, e vetmja shpresë e tyre është një politikë me standarte të larta Euro-Atlantike me profil të majtë. Ndaj dhe ato egoistë që kërkojnë pushtet të gjatë vrullojnë majtas.
Por ky është vendi ku politikanët nuk e dinë pse janë rreshtuar në njërin apo tjetrin kamp. Justifikimin e gjejnë tek fantazma e antikomunizmit edhe sot dhe tridhjetë vjet më pas ku mosha më aktive prodhuese as nuk e ka idenë se çfarë ishte komunizmi në Shqipëri, nuk e dinë as teorikisht dhe as praktikisht.
Siç e shpreha dhe më lart, shumica e popullit jeton, shpreson e aspiron për një shoqëri më të drejtë me parime të social-demokracisë si ajo europiane. E majta politike shqiptare për fat të keq, aktualisht nuk edukon vlera të tilla, nuk vepron, nuk mbron e nuk punon në interes të grupeve që kanë interesa të majta shoqërore dhe ekonomike.
Është pikërisht koha kur para nesh kërkohen disa zgjidhje madje sa më shpejt të jetë e mundur. Është i nevojshëm veprimi për krijimin të një politike të re në Shqipëri.
ZGJIDHJET:
Përsëri Whitmani i madh na e kujton:”Zëri im shkon përtej asaj ku sytë e mij nuk mund të shikojnë më”. Në perceptimin e tij të demokracisë ai na udhëzon që për të shkuar përtej shikimit të interest të vogël e meskin na duhet të tregojmë interest të lartë ndaj Atdheut dhe njeriut punonjës mendimtar e intelektual.
Edhe sot, për mendimin politik amerikan dhe europiano-perëndimor në përgjithësi, elementët ideologjikë të zhvillimit janë në thelb të njëjtë: besimi në lirinë radikale, individualiste dhe besimi në mundësitë e qeverisjes aktive dhe të centralizuar. Le të mësojmë dhe ne shqiptarët prej tyre! Është nga sprovat më të mira të rrugëtimit demokratik të një shoqërie. Fati ynë është se ata na konsiderojnë miq. Le të përfitojmë në këtë aspekt!
Individi tregohet shumë më i shpejtë se shoqëria por a di ai të ndërtojë një zhvillim vizionar të vetvetes si përgjigje ndaj sfidave kolektive të vendit? Edhe në rastin më optimist, një përgjigje pozitive do të ishte shumë hezituese dhe e cunguar.
Në ndihmë na vjen instrumenti ideologjik. Ndoshta ne shqiptarët jemi të lodhur me këtë fjalë për shkak të abuzimit gjatë periudhës komuniste por edhe pas saj deri më tani. Nëse e kemi quajtur këtë periudhë sakrificë atëhere le të kujtojmë se sistemi që kemi zgjedhur, demokracia është në vetvete garancia që jep natyra për lirinë e njeriut, si dhe protokolli që ajo vendos për një jetë të disiplinuar.
Këtë të kuptuar thelbësor kërkon individi dhe si pasojë vetë klasa politike nëse ajo dëshiron të jetë e tillë. Për ta realizuar atë kërkohet vetëdukim dhe edukim i strukturuar. Partitë politike duhet të bëjnë një katars të vërtetë të të kuptuarit të vetvetes dhe ideologjisë që ato pretendojnë të përdorin si mjet. Përdorimi i teknikave dhe mjeteve administrative e mediatike nuk do të ishte kurrsesi zgjidhja. Zgjidhja është tek të kuptuarit profesional, etik dhe veprues të këtij mjeti.
Partnerët tanë dashamirës kanë më shumë se tridhjetë vite që mundohen të na edukojnë në këtë aspekt. Ato vazhdimisht, si krahu i majtë ashtu dhe i djathtë europian na kanë ofruar një rrugë: Standartizim të parimeve politike tërësisht në koherencë me ato të institucioneve ku jemi pjesë aktive dhe integrale. Përgjigja jonë ka qënë e tillë si e një katundari shqiptar kokëfortë alla “Mato Gruda”, reflektim që na ka lëkundur fort në idenditetin tonë etik dhe edukativ në sytë e tyre.
Politika shqiptare nuk duhet të lejojë që vendi të trajtohet me tolerancë vetëm për hir të gjeostrategjisë. Populli këtë e ka zgjedhur mençurisht që tridhjetë vite më parë, politika nuk ka ditur ta kuptojë, menaxhojë e drejtojë efektivisht këtë të kuptuar thelbësor të popullit të vet.
Veç kësaj, mund të përmend edhe tre arsye që kanë potencial për të ofruar dobi për vendin.
Së pari, mendoj që politika të respektojë parimin e pragmatizmit duke harmonizuar kërkesat e larta teknike e teknologjike të kohës me problemet e thella kulturore, politike dhe morale të ditës në vend. Kjo do të krijonte një lloj guide të interesave praktike të njerëzve të punës.
Së dyti, politika të ofrojë një kuptim më të gjërë për demokracinë duke bërë kështu të mundur që eksluzivisht ta justifikojmë e pranojmë demokracinë si një sistem metafizik që ndriçon pasojat e ndryshme që vijnë si rezultat i zgjedhjes që bëjmë teksa organizojmë, menaxhojmë dhe jetojmë jetën tonë në vend.
Dhe së treti, politika t’i ofrojë njerëzve të thjeshtë një ndërgjegjësim intim për mënyrat unike me të cilat marrëdhëniet kulturore dhe materiale kanë modeluar veten në shoqërinë tonë dhe të përdorin më tej perceptimet e tyre ideologjike për këtë realitet duke i harmonizuar ato me perceptimet më të mira euro-atlantike. Kështu do të bëhej e mundur që politika e partive ne Shqipëri të bëhej më në fund profetike dhe stimuluese për njerëzit në vend, madje dhe për ato të emigruar apo të lindur jashtë vendit.
Meqenëse kam bindjen e shprehur më lart se vetëm politikat centraliste të majta mund të fillojnë të bëjnë ndryshimin në vend, përsëri mendoj se fokusi tek parimet nuk duhet ndryshuar. Thënë më qartë, shtyllat e social-demokracisë si politikat fiskale, ato të punësimit dhe ato sociale nuk duhen cënuar. Teknikalitetet e shpikjet administrative fiskale vetëm se dëmtojnë perceptimin pragmatist të njeriut të punës mbi demokracinë. Aplikimi i tyre e ftoh njeriun e punës në besimin ndaj demokracisë. Për këtë grupimet politike duhet që të tenderojnë këto oferta administrative brenda sitës së parimit ideologjik. Ndryshe ato rrëshqasin në kaotizëm e bien pre e veprimit korruptiv e mafioz.
Lexuesi bën vetë analizën për aspektet e kësaj lloj politike. Për shëmbull, a realizohet rritje e lehtë në investimet publike pa rënduar me taksim të egër apo jo? A realizohet një sistem kompetitiv i drejtë në taksimin e veprimtarisë prodhuese apo jo? A është në fokus konsolidimi i mirëqënies përmes një rritje reale ekonomike apo jo?
Përgjigja e sinqertë e pozitive ndaj këtyre pyetjeve do të stimulonte të kuptuarit dhe besimin e njeriut punonjës shqiptar tek politika. Përndryeshe ai e humbet atë dhe gjen rrugë e mjete të tjera alternative apo bie pre e politikave kaotike e jo dashamirëse.
Në qëndrimin dhe ofertën për tregun e punës, politikat aktive të punësimit duhet të jenë prioritet. Për politikën dhe ideologjinë që ato përfaqësojnë nuk duhet të ketë vend për spontanitet e mediokritet. Politika duhet me doemos të jetë pjesë integrale e dhe përfshirëse në tregun e punës. Klientelizmi në sitemin e punësimit në Shqipëri është shprehja më akute provincialiste e politikëbërjes në këtë drejtim. Njerëzit çirren e bërtasin se i përkasin një grupimi të caktuar politik vetëm e vetëm që një ditë të shpërblehen me punësim në administratë gjithnjë me prapamendimin për një mundësi përfituese korruptive.
Partitë nuk kanë një databazë të aftësive profesionale, sociale, politike, morale të kandidatëve të mundshëm për këtë administartë. Vendosja dhe respektimi rigoroz e ligjor i parimit të vendosur ideologjik do ta përmirësonte këtë situatë në mënyrë drastike.
Edhe në ndërtimin e politikave sociale, elementë të tillë ideologjikë si orientimi drejt standarteve të larta të mbrojtjes sociale, rëndësia e pesha që duhet t’i jepet shërbimeve sociale e shëndetsore, orientimi i fokusuar në dhënjen e shanseve të barabarta apo ndërtimi i mirëqennjes përmes punës duhet medoemos të përbëjnë shtyllë ideologjike për të mos lejuar individë apo teka të veprojnë jashtë kontekstit të grupit politik. Ne shqiptarët e kemi vuajtur kultin e individit gjatë gjithë historisë tonë. Për këtë edhe individët që marrin përsipër rolin e udhëheqësit duhet të tregohen të kujdesshëm për të mos cënuar këto parime të shenjta të demokracisë duke qenë gjithmonë udhëheqës dhe jo uzurpatorë të ideologjisë ku vegjetojnë.
Fatmirësisht, shembuj e këshilla dashamirëse i kemi pa masë të ofruara nga partnerët tanë euro-atlantikë. Na kërkohet durim dëgjimi, edukatë e mjaftueshme dhe etikë për të bashkëpunuar në interesi të vetë këtyre ideologjive demokratike dhe sidomos të interesit kombëtar e njerëzor shqiptar.