Nga Fareed Zakaria
Vijon nga numri i së shtunës
….Le t’i referohemi dy krizave të mëdha ndërkombëtare të momentit, pushtimi i Ukrainës dhe lufta Izrael-Hamas. Në perceptimin e presidentit rus Vladimir Putin, vendi i tij u poshtërua gjatë epokës së unipolaritetit. Që atëherë, kryesisht si rezultat i rritjes së çmimeve të energjisë, Rusia ka mundur të kthehet në skenën botërore si një superfuqi. Putini e ka rindërtuar fuqinë e shtetit të vet dhe nxjerr të ardhura nga burimet e tij të shumta natyrore. Dhe tani ai dëshiron të zhbëjë lëshimet që Moska e dobësuar, pati bërë gjatë epokës unipolare të SHBA. Prandaj ka kërkuar të rimarrë ato pjesë të Perandorisë Ruse që, sipas vizionit të Putinit, janë kyçe për një Rusi të madhe: mbi të gjitha Ukrainën, por edhe Gjeorgjinë, të cilën e pushtoi në 2008. Moldavia, ku Rusia tashmë ka një bazë në republikën e shkëputur të Transnistrinë mund të jetë tjetra në radhë.
Agresioni i Putinit në Ukrainë ishte i bazuar në nocionin se Shtetet e Bashkuara po humbnin interesin për aleatët e vet europianë, të cilët ishin të dobët, të përçarë dhe të varur nga energjia ruse. Në vitin 2014, ai mori Krimenë dhe territoret kufitare në Ukrainën lindore. Më pas, menjëherë pas përfundimit të gazsjellësit Nord Stream 2 që sillte gazin rus në Gjermani, vendosi të sulmojë frontalisht Ukrainën. Shpresonte ta pushtonte, duke çbërë kështu poshtërimin më të madh që Rusia kishte përjetuar në epokën unipolare. Llogaritë e Putin ishi të gabuara, por veprimi tij nuk ishte i çmendur. Në fund të fundit, sulmet e tij të mëparshme nuk kishin hasur në shumë rezistencë.
Në Lindjen e Mesme, klima gjeopolitike është formësuar nga dëshira e madhe e 15 viteve të fundit e Washingtonit për t’u tërhequr ushtarakisht nga rajoni. Kjo dëshirë lindi në kohën e Presidentit George W. Bush, i cili u ndëshkua nga fiaskoja e luftës që filloi në Irak. Vijoi me Presidentin Barack Obama, i cili shprehu nevojën për të reduktuar praninë e Shteteve të Bashkuara në rajon, në mënyrë që Washingtoni të adresonte një çështje më urgjente, siç ishte rritja e Kinës. Kjo strategji u promovua si një hap drejt Azisë, por edhe një hap larg Lindjes së Mesme, ku administrata e SHBA ndjeu se ishin investuar pak si tepër ushtarakisht. Ky ndryshim në qëndrim u bë krejt i qartë me tërheqjen e papritur dhe të plotë të Washingtonit nga Afganistani në verën e vitit 2021.
Rezultati nuk ka qenë formimi i arritur i një ekuilibri mes fuqisë, por një vakum që lojtarët rajonalë kanë kërkuar ta mbushin në mënyrë agresive. Irani ka shtuar ndikimin e vet, falë luftës në Irak, e cila prishi ekuilibrin në fuqi midis sunitëve dhe shiitëve rajon. Me rrëzimin e regjimit të Sadam Huseinit ku dominonin sunitët, Iraku filloi të qeverisej nga shumica e tij shiite, shumë prej liderëve të të cilit kishin lidhje të ngushta me Iranin. Rritja e ndikimit të Iranit u shfaq edhe në Siri, me mbështetjen që Teherani i dha qeverisjes së Bashar al-Assadit, çfarë i dha atij shansin t’i mbijetonte një kryengritje brutale. Po ashtu, Irani i dha mbështetje Houthi-t në Jemen, Hezbollahut në Liban dhe Hamasit në territoret e pushtuara të Izraelit.
Të tronditur nga e gjithë kjo, shtetet arabe të Gjirit Persik dhe disa shtete të tjera të moderuara sunite filluan një proces bashkëpunimi të heshtur me armikun tjetër të madh të Iranit, Izraelin. Aleanca në lulëzim, për të cilën Marrëveshjet e Abrahamit të vitit 2020 janë një moment i rëndësishëm historik, dukej se do të arrinte normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite. Pengesa për një aleancë të tillë ka qenë gjithmonë çështja palestineze, por tërheqja e Washingtonit dhe përparimi i Teheranit, si duket, i bindën arabët ta injoronin këtë çështje, dikur parësore. Po të analizohet imtësisht, Hamasi, aleat i Iranit, zgjodhi t’i vinte flakën ngrehinës, dhe kështu e ktheu organizatën dhe kauzën e tij në qendër të vëmendjes.
Por kërcënimi më i madh ndaj rendit të tanishëm ndërkombëtar është fuqizimi i Kinës në Azi. Ky fuqizim mund të prodhojë një tjetër krizë – shumë më të madhe se dy të tjerat –, në rast se Kina do të vinte në provë Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj duke u përpjekur të ribashkonte forcërisht Tajvanin me kontinentin. Deri më tani, hezitimi i liderit kinez Xi Jinping për të përdorur forcën ushtarake ka të bëjë me faktin se, ndryshe nga Rusia, Irani dhe Hamasi, vendi i tij ka më shumë përfitime nga integrimi i qenësishëm. Por nuk dihet nëse kjo do ta pengojë edhe në vijim. Dhe shtimi i shanseve për pushtimin e Tajvanit në krahasim me 20 vite më parë janë një shenjë e dobësimit të unipolaritetit dhe formësimit të “botës post-amerikane”.
Një tjetër tregues i tkurrjes së ndikimit të ShBA në rendin që po formohet është se garancitë informale të sigurisë mund të zëvendësohen nga të tjera më formale. Për dekada me radhë, Arabia Saudite ka jetuar nën ombrellën e sigurisë amerikane, por ishte marrëveshje e pashkruar. Washingtoni nuk i ka bërë asnj premti dhe nuk i ka dhënë asnjë garanci Riadit. Nëse monarkia saudite do të ishte nën kërcënim, asaj i duhej të shpresonte se presidenti i SHBA-së në atë kohë do të shkonte ta shpëtonte. Në fakt, në vitin 1990, kur, pas pushtimit të Kuvajtit, Iraku kërcënoi Arabinë Saudite, presidenti George H. W. Bush e mbështeti Riadin ushtarakisht, ndonëse nuk ishte rasti i ndonjë traktati apo marrëveshjeje që e detyronte ta bënte. Sot, Arabia Saudite ndihet shumë më e fortë dhe po i bëhen elozhe nga Kina, e cila është edhe klienti i saj më i madh me diferencë nga të tjerët. Nën sundimin e princit të kurorës, Mohammed bin Salman, mbretëria është bërë më kërkuese, dhe do prej Washingtonit një garanci zyrtare sigurie, si ajo që i jepet aleatëve të NATO-s, si dhe teknologjinë për të ndërtuar një industri bërthamore. Mbetet e paqartë nëse Shtetet e Bashkuara do t’i plotësojnë këto kërkesa, çfarë varet nga normalizimi i marrëdhënieve midis Arabisë Saudite dhe Izraelit. Por vetë fakti që kërkesat saudite po merren seriozisht është shenjë e ndryshimit në dinamikat e fuqive.
FUQIA QË QËNDRON
Rendi ndërkombëtar që SHBA ndërtuan dhe mbështetën, po sfidohet në shumë fronte. Gjithsesi, Amerika vijon të jetë lojtari më i fuqishëm në këtë renditje. Përqindja e saj në PBB-në globale është afërsisht ajo që ka qenë në 1980 ose 1990. Më domethënëse është se SHBA ka krijuar më shumë aleatë. Në fundin e viteve 1950, koalicioni i “botës së lirë”, i cili luftoi Luftën e Ftohtë dhe do ta fitonte atë, përbëhej nga anëtarët e NATO-s – Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, 11 vende të Europës Perëndimore, Greqia dhe Turqia – si dhe nga Australia, Zelanda e Re, Japonia dhe Koreja e Jugut. Sot, koalicioni që mbështet ushtrinë e Ukrainës ose zbaton sanksionet kundër Rusisë është zgjeruar duke përfshirë pothuajse çdo vend të Europës, si dhe një numër shtetesh të tjera. Shkurtimisht, “West Plus” (Perëndimi e më tej) përfshin rreth 60% të PBB-së botërore dhe 65% të shpenzimeve ushtarake në nivel global.
Sfida e ekspansionizmit rus është reale dhe e frikshme. Para luftës, ekonomia ruse ishte rreth dhjetë herë më e madhe se ajo e Ukrainës. Popullsia e saj është pothuajse katër herë më e madhe. Industria ushtarako-industriale ruse është përfshirëse. Por agresioni ndaj Ukrainës nuk mund të lejohet të jetë i suksesshëm. Një nga tiparet thelbësore të rendit liberal ndërkombëtar, që u vendos pas Luftës së Dytë Botërore, është mosnjohja nga komuniteti ndërkombëtar i kufijve të ndryshuar me forcë ushtarake. Pas vitit 1945, agresionet e suksesshme të kësaj natyre janë të pakta, krejt ndryshe me periudhën pararendëse, kur kufijtë në mbarë botën ndryshonin në mënyrë rutinore si pasojë e luftrave dhe pushtimeve. Suksesi i Rusisë në këtë pushtim të mirëfilltë do të çbënte një precedent të vendosur me vështirësi.
Sfida me Kinën është tjetërsoj. Pavarësisht se si do të jetë trajektorja e saj ekonomike në vitet e ardhshme, Kina është superfuqi. Ekonomia e saj tashmë përbën gati 20% të PBB-së globale. Ajo është e dyta, pas Shteteve të Bashkuara, për shpenzimet ushtarake. Edhe pse ajo nuk ka aq ndikim sa Shtetet e Bashkuara në skenën globale, aftësia e saj për të ndikuar vendet anembanë botës është rritur jo pak, falë mundësive të shumta për kredi e grante, si dhe ndihmës që ka ofruar. Por Kina nuk është një shtet-prishëse si Rusia. Ajo është pasuruar dhe fuqizuar brenda sistemit ndërkombëtar dhe për këtë arsye nuk do të ndihej e qetë po ta përmbyste këtë sistem.
Në vija të trasha, Kina po përpiqet të gjejë një mënyrë për ta shtuar fuqinë e saj. Nëse beson se nuk mundet ta bëjë këtë në një tjetër mënyrë, veçse si prishëse e rendit, atëherë do ta shkatërrojë (rendin). Shtetet e Bashkuara duhet të bëjnë vend për përpjekjet legjitime kineze për të shtuar ndikimin e vet, në përputhje me ndikimin e saj ekonomik në rritje, dhe të pengojnë përpjekjet e saj jolegjitime. Gjatë viteve të fundit, Pekini ka dëshmuar se politikat e tij të jashtme tepër agresive kanë dështuar. Prandaj ka hequr dora nga “diplomacia e ujkut luftarak” dhe arroganca e deklaratave të mëparshme të Xi për një “epokë të re” të dominimit kinez është zëvendësuar pjesërisht me pranimin e pikave të forta të Amerikës dhe të problemeve të Kinës. Të paktën për arsye taktike, Xi duket se kërkon një modus vivendi (mënyrë jetese) me Amerikën. Në shtator të vitit 2023, Xi i tha një grupi vizitorësh të përbërë prej senatorësh amerikanë se “Ne kemi 1000 arsye për të përmirësuar marrëdhëniet Kinë-SHBA, dhe jo një të vetëm për t’i prishur ato.”
Pavarësisht synimeve të Kinës, Shtetet e Bashkuara kanë avantazhe të rëndësishme në strukturë. SHBA gëzon një pozicion unik gjeografik dhe gjeopolitik. Është e rrethuar nga dy oqeane dhe dy fqinjë miqësorë. Kina, nga ana tjetër, po ngrihet në një kontinent të tejmbushur me njerëz dhe armiqësor ndaj saj. Sa herë që Kina tregon muskujt, një nga fqinjët e tij të fuqishëm si India, Japonia e Vietnami, polarizohet më tej me të. Disa vende të këtij rajoni, si Australia, Japonia, Filipinet dhe Koreja e Jugut janë aleatë të mirëfilltë në traktate me Shtetet e Bashkuara dhe mbajnë në territoret e veta trupa të SHBA. Këto dinamika janë penguese për Kinën.
Aleancat e Washingtonit në Azi dhe gjetkë janë një farë mburoje ndaj kundërshtarëve. Që kjo të mos vihet më vonë në diskutim, Shtetet e Bashkuara duhet ta vendosin mbështetjen e aleancave në qendër të politikave të jashtme. Haptazi, kjo ka qenë edhe një prej elementëve kyç të qasjes së Bidenit ndaj politikës së jashtme. Ai ka rindërtuar marrëdhëniet e tendosura nën administratën Trump dhe ka forcuar të tjerat. Biden ka vendosur elementë që mbajnë nën kontroll fuqinë kineze dhe ka forcuar aleancat në Azi, duke u munduar të mbajë marrëdhënie bashkëpunimi me Pekinin. Biden, gjithashtu, reagoi ndaj krizës në Ukrainë me shpejtësi dhe aftësi, çfarë duhet ta kenë habitur Putinin, i cili gjendet tani përballë një Perëndimi të pavarur nga energjia ruse dhe që ka vendosur sanksionet më ndëshkuese të vendosura ndonjëherë ndaj një fuqie të madhe. Gjithsesi, asnjë nga këta hapa nuk e zëvendëson nevojën që Ukraina të fitojë në fushëbetejë. Por këto krijojnë një kontekst ku West Plus ka në dorë mundësi të qenësishme që, në afat të gjatë, ta vendosë Rusinë përballë një të ardhme të zymtë.
RREZIKU I DEKLINIZMIT
E meta më e madhe dhe e përbashkët e qasjes së Trump dhe Biden ndaj politikës së jashtme i ka rrënjët në pikëpamjet krahasueshmërisht pesimiste. Të dy supozojnë se ShBA është viktima më e madhe e sistemit ekonomik ndërkombëtar që vetë krijoi. Të dy mendojnë se vendi nuk mund të konkurrojë në botën e tregjeve të hapura dhe tregtisë së lirë. Është e arsyeshme që Kinës t’i kufizohet aksesi në eksportet e teknologjisë më të lartë të Shteteve të Bashkuara, por Washingtoni ka shkuar shumë më tej, dhe ka vendosur taksa për aleatët e tij më të afërt për çdo mall e produkt, që nga lënda drusore te çeliku e makinat larëse. SHBA imponohet që fondet e qeverisë amerikane të përdoren për të “blerë amerikanen”. Këto dispozita janë edhe më kufizuese se taksat.
Taksat rrisin koston e mallrave të importuara, ndërsa “blerja e amerikanes” parandalon blerjen e mallrave të huaja me çdo çmim. Edhe politikat e zgjuara si shtytja drejt energjisë së gjelbër keqndikohen nga proteksionizmi i shumëpërhapur që largon miqtë dhe aleatët e Shteteve të Bashkuara.
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Tregtisë (WTO) Ngozi Okonjo-Iweala mbron se vendet e pasura po angazhohen në veprimtari tejet hipokrite. Pas dekadash me përhapjen e idesë që bota në zhvillim të liberalizohet dhe të bëhet pjesë në ekonominë e hapur botërore dhe me dënimin e vendeve për proteksionizëm, subvencione dhe politika industriale në përputhje me të, Perëndimi ka hequr dorë nga çfarë vetë ka predikuar prej kohësh. Pasi janë pasuruar dhe fuqizuar vetë në këtë sistem, vendet e pasura kanë vendosur të mos lejojnë ngritjen e të tjerëve. Sipas Iweala, “tashmë (vendet e zhvilluara) nuk duan të konkurrojnë në mënyrë të barabartë dhe do të parapëlqenin të kalohej në një sistem të bazuar në pushtet dhe jo në një sistem të bazuar në rregulla”.
Zyrtarët amerikanë shpenzojnë shumë kohë dhe energji duke folur për nevojën që sistemi ndërkombëtar i bazuar në rregulla të mbështetet. Marrëveshja e Bretton Woods e 1944 dhe Marrëveshja e Përgjithshme mbi Tarifat dhe Tregtinë e 1947 qëndrojnë në themelet e tregtisë së hapur. Burrat e shtetit që panë Luftën e Dytë Botërore e kuptuan se ku çonte nacionalizmi konkurrues dhe proteksionizmi dhe ishin të vendosur që të mos e lejonin botën të shkonte sërish në atë drejtim.
Ata ia dolën dhe u ndërtua një botë me paqe dhe zhvillim që u përhap gjithandej. Sistemi i tregtisë së lirë që ata projektuan i dhe mundësinë për pasurim dhe fuqizim vendeve të varfra, duke e bërë luftën dhe përpjekjen për pushtim territorial më pak tërheqës për të gjithë.
Rendi i bazuar në rregulla nuk ka të bëjë veç më tregtinë, por edhe me marrëveshje, procedura dhe norma ndërkombëtare. Pra është një vizion për një botë që nuk karakterizohet nga ligjet e xhunglës, por nga një shkallë rendi dhe drejtësie.
Edhe SHBA kanë qenë më e zonja në predikim e këtij rendi sesa në praktikimin e tij. Lufta në Irak përbën një shkelje të rëndë të parimeve të Kombeve të Bashkuara mbi agresionin e paprovokuar. Washingtoni e ka bërë zakon të zgjedhë cilat konventa ndërkombëtare të marrë parasysh dhe cilat t’i shpërfillë. Për shembull, kur Pekini pretendon sovranitetit mbi ujërat në Azinë Lindore, Washingtoni e kritikon Kinën se ka shkelur Konventës së OKB-së për të Drejtën mbi Detit, por vetë Washingtoni nuk e ka ratifikuar kurrë atë konventë. Po ashtu, kur u tërhoq nga marrëveshja bërthamore me Iranin, e cila ishte nënshkruar nga të gjitha fuqitë e tjera të mëdha, pavarësisht konfirmimit se Teherani po i përmbahej kushteve të tij, Trump hoqi edhe një fijë shprese për bashkëpunim global në një sfidë kyçe të sigurisë. Më pas, ai mbajti në fuqi sanksione dytësore për t’i detyruar fuqitë e tjera të mëdha të mos bënin tregti me Iranin. Ky abuzim me fuqinë e dollarit qe një lëvizje që nxiti përpjekjet e Pekinit, Moskës e madje edhe të kryeqyteteve europiane për të gjetur alternativa ndaj sistemit të pagesave në dollar. Në një botë unipolare, njëanshmëria amerikane tolerohej. Por sot, ajo, edhe në mesin e aleatëve më të afërt të SHBA, nxit përpjekjet për të gjetur mënyra për t’i shpëtuar, për t’iu kundërvënë dhe për ta sfiduar pozicionin e saj.
Çfarë i bënte SHBA më tërheqëse ka qenë fakti se ky shtet nuk ka qenë kurrë një fuqi perandorake në nivelin e Mbretërisë së Bashkuar apo Francës. Dikur ishte vetë koloni. Është gjeografikisht larg arenave kryesore të politikave globale të fuqisë dhe u bë pjesë e luftërave botërore të shekullit XX më vonë dhe pa dëshirë. SHBA, rrallëherë, ka dalë jashtë vendit për territore. Mbi të gjitha, pas vitit 1945, SHBA shpalosi një vizion për botën, i cili i merrte parasysh edhe interesat e të tjerëve. Rendi botëror që SHBA, askohe, propozoi, krijoi dhe mbështeti në të gjitha mënyrat i vlente asaj por edhe pjesës tjetër të botës. SHBA u përpoq të ndihmonte kombet e tjera të shtonin pasurinë dhe vetëbesimin, me dinjitet. Kjo është fuqia më e madhe e Shteteve të Bashkuara. Popujt e mbarë botës mund t’i duan kreditë dhe ndihmën që ofrohet nga Kina, por ata kanë ndjesinë se botëkuptimi i Kinës, në thelb, është që ta bëjë Kinën më të rëndësishme. Pekini flet për “bashkëpunime të favorshëm”, ndërsa Washingtoni, historikisht, i ka jetësuar ato.
TË MOS HUMBËSH BESIMIN
Nëse Shtetet e Bashkuara heqin dorë nga ky vizion përfshirës, i hapur dhe bujar për botën, prej frikës dhe pesimizmit, vendi do të humbë shumë prej avantazheve të veta të qenëshme. U bë shumë kohë që SHBA racionalizon veprime të caktuara individuale, që bien në kundërshtim me parimet e shpallura të vendit, si përjashtime që duhen bërë për të mbështetur veten e, në këtë mënyrë, të forcojë rendin në tërësi. Pra, SHBA shkel norma për rezultate të shpejtë. Por një sistem të bazuar në rregulla nuk mund ta shpëtoni duke e shkatërruar. Pjesa tjetër e botës shikon dhe mëson. Shumë vende duket se po garojnë për të miratuar subvencione, preferenca dhe barriera për mbrojtjen e ekonomive të veta. Ata shkelin rregullat ndërkombëtare dhe justifikohen me hipokrizinë e Washingtonit.
Mungesa e respektit ndaj normave demokratike e presidentit të mëparshëm, fatkeqësisht, është pjesë e kësaj mënyre veprimi. Pasi humbi zgjedhjet e fundit, partia në pushtet në Polonisë foli për teori konspirative të ngjashme me atë artikuluara nga Trump. Pretendimet e presidentit brazilian Jair Bolsonaro për mashtrim zgjedhor i shtynë mbështetësit e tij të organizojnë një sulm në kryeqytetin e vendit, të ngjashëm me atë të 6 janarit në Capitol.
Sfiduesi më i madh u rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla nuk është Kina, Rusia apo Irani, por Shtetet e Bashkuara. Nëse Amerika, e lodhur nga frika e ekzagjeruar se është në rënie, heq dorë nga roli i udhëheqësit në çështjet botërore, vakumi i pushtetit, që do të krijohet në mbarë globin, do të inkurajojë një sërë fuqish dhe lojtarësh që të përpiqen të përfitojnë nga rrëmuja. Dihet se çfarë është bërë në Lindjen e Mesme post-amerikane. Sikur e njëjta gjë të ndodhë në Europë dhe Azi, ku përçarja mes fuqive globale, jo atyre rajonale, do kishte pasoja sizmike për mbarë rruzullin. Është shqetësuese të shohësh sesi disa fraksione të Partisë Republikane amerikane kthehen në izolacionizmin që e karakterizonte këtë parti në vitet 1930, kur me vendosmëri kundërshtonte ndërhyrjen e SHBA-së edhe pse Europa dhe Azia po digjeshin.
Që nga viti 1945, Amerika ka diskutuar se si duhet të ishte angazhimi i saj me botën, por kurrë nëse duhej të angazhohej ndopak. Nëse vendi do të fokusohej veç në veten e vet, kjo do të nënkuptonte hapa pas edhe për rendin dhe përparimin në tërësi. Washingtoni mund të përfshijë në axhendën e vet krijimin e aleancave, ofrimin e mbështetjes për zgjidhjen e problemeve globale dhe frenimin e agresioneve duke përdorur burime të kufizuara, shumë më poshtë nivelit të shpenzuar gjatë Luftës së Ftohtë. Por SHBA-së do i duhet të paguajë një çmim shumë më të lartë, nëse rendi shembet, disa fuqi gënjeshtare vijnë në pushtet dhe ekonomia e hapur botërore mpaket ose mbyllet plotësisht.
Shtetet e Bashkuara, qqë nga viti 1945, kanë pasë rol kyç në ndërtimin e një tjetër lloji marrëdhëniesh ndërkombëtare, marrëdhënie që janë forcuar dhe thelluar, ndër dekada. Ky sistem i shërben interesave të shumicës së vendeve në botë, si dhe atyre të Shteteve të Bashkuara. E ndonëse përballet me tendosje dhe sfida të reja vazdimisht, shumë vende të fuqishme përfitojnë nga paqja, përparimi në një botë rregullash dhe normash. Ata që sfidojnë sistemin aktual nuk kanë asnjë vizion alternativ që do ta bënte bashkë botën; ata thjesht duan të kenë një avantazh të ngushtë për veten. Dhe me gjithë vështirësitë e brendshme, ShBA, më shumë se cilido tjetër, është shteti me aftësitë dhe pozicionin unik që të luajë rol kyç në mbështetjen e këtij sistemi ndërkombëtar. Për sa kohë që Amerika nuk e humb besimin në projektin e saj, rendi aktual ndërkombëtar mund të lulëzojë për shumë dekada.
—–
Pjesa e parë mund të lexohet duke klikuar KËTU. Përktheu për DITA nga anglishtja, prof. Edona Llukaçaj