Nga Fatos Tarifa
Sapo lexova kryeministrin e vendit të shprehet sërish për protestat e fundit në Shqipëri, këtë herë përmes spekulimesh teorike që lidhen me sociologjinë politike. Kjo është fusha ime e ekspertizës akademike, jo e kryeministrit, ndaj edhe nuk mund të rri pa vënë në dukje pathemeltësinë dhe dilentatizmin e pohimeve të fundit të kreut të qeverisë
Kryeministri deklaroi sot se “ekstremizmi e kërkon pushtetin duke filluar në rrugë” dhe se “historianët bien dakord se dhuna fillon me sulme të vogla”.
Këto janë pohime të pambështetura në evidencë empirike dhe nuk gjejnë konfirmim në literaturën bashkëkohore mbi lëvizjet sociale. Ato kërkojnë mbështetje në analogji të gabuara historike, me synim paraqitjen e protestave qytetare paqësore të dy javëve të fundit si një rrezik potencial për rendin demokratik në Shqipëri.
I bëj të ditur Kryeministrit se, nga këndvështrimi i teorisë së lëvizjeve sociale, pohimet e tij të janë një keqinterpretim — unë besoj i qëllimtë dhe i dëshpëruar ‐- i natyrës dhe qëllimeve të protestës në një shoqëri demokratike.
Studiuesit më të njohur të lëvizjeve sociale, si Charles Tilly, Sidney Tarrow, Doug McAdam, Anthony Oberschall etj., i konsiderojnë protestat e qytetarëve si një formë legjitime e pjesëmarrjes së tyre në politikë.
Protestat organizohen dhe pushtojnë rrugët dhe sheshet atëherë kur qytetarët besojnë se shteti dhe institucionet e tij nuk i adresojnë e zgjidhin shqetësimet e tyre, ose kur perceptojnë një hendek gjithnjë e më të madh mes qeverisjes dhe interesit publik.
Në këtë vështrim, protestat aktuale në Shqipëri nuk janë aspak një simptomë apo shprehje e ekstremizmit politik. Përkundrazi, këto protesta janë shprehje e kërkesës për më shumë demokraci, transparencë, llogaridhënie dhe përgjegjësi politike.
Këto protesta nuk po zhvillohen për të përmbysur rendin kushtetues apo për të vendosur një regjim jodemokratik. Përkundrazi, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e Kryeministrit dhe të qeverisë që ai drejton, duke argumentuar se niveli i lartë i korrupsionit, përfshirja e zyrtarëve të lartë në skandale të shumta dhe rënia e besimit publik kanë dëmtuar rëndë legjitimitetin moral dhe politik të qeverisjes së tij.
Pavarësisht nëse dikush pajtohet ose jo me këtë vlerësim, vetë kërkesa për llogaridhënie politike nuk mund të identifikohet me ekstremizmin.
Po aq problematik është edhe pohimi i Kryeministrit se protestat përbëjnë një hap të parë drejt dhunës. Në kundërshtim nga sa thotë ai, historia ofron shembuj të shumtë ku protestat paqësore kanë shërbyer pikërisht si instrumente për të shmangur përshkallëzimin e konflikteve, duke u dhënë qytetarëve mundësinë të artikulojnë publikisht pakënaqësitë e tyre.
Në demokracitë moderne, rruga nuk është vetëm vendi ku mund të nisë dhuna; ajo është edhe vendi ku qytetarët ushtrojnë një nga të drejtat e tyre më themelore: të drejtën për t’u mbledhur, për të protestuar dhe për të kërkuar ndryshim pozitive në shoqëri.
Në fakt, shumë prej lëvizjeve sociale që sot konsiderohen epispde të rëndësishme në jetën e demokracisë moderne kanë filluar në rrugë. Lëvizja për të drejtat civile në Shtetet e Bashkuara, protestat kundër Luftës në Vietnam, lëvizja e majit 1968 në Paris që i nxorri studentët nga kampuset e univeriteteve në rrugë dhe sheshe, lëvizja Solidarność në Poloni dhe protestat demokratike që përshpejtuan rënien e regjimeve komuniste në Europën Lindore nuk u konsideruan fitore të ekstremizmit, por fitore të pjesëmarrjes qytetare.
Protestat aktuale në Shqipëri nuk janë një sfidë ndaj demokracisë, siç na thotë Kryeministri, por si një produkt i demokracisë dhe shprehje reale saj.
Kur një pjesë e qytetarëve beson se korrupsioni është bërë sistemik dhe se qeveria ka humbur një pjesë të konsiderueshme të legjitimitetit të saj, protesta bëhet një mjet i natyrshëm për të shprehur pakënaqësinë dhe për të kërkuar ndryshim.
T’i përshkruash këto protesta si manifestim të ekstremizmit ose si pararendëse të dhunës do të thotë të ngatërrosh qëllimisht kontestimin demokratik me kërcënimin antidemokratik.
Me pak fjalë, një demokraci nuk forcohet duke i stigmatizuar qytetarët e saj që prorestojnë. Ajo forcohen duke dëgjuar arsyet pse qytetarët dalin në rrugë.
DITA
