Në një mbrëmje të veçantë kushtuar promovimit të gastronomisë shqiptare në arenën ndërkombëtare, Albchef, në bashkëpunim me GIZ Albania dhe me mbështetjen e Ambasadës së Shqipërisë dhe Ambasadës së Kosovës në Zvicër, organizoi një darkë ekskluzive në ambientet e École hôtelière de Lausanne (EHL) në Zvicër, institucioni më prestigjioz në botë në sektorin e mikpritjes dhe hotelerisë.
Eventi solli në një prej skenave më të rëndësishme ndërkombëtare shijet autentike shqiptare, të interpretuara në mënyrë moderne nga shefat e njohur shqiptarë Sokol Prenga, Bledar Koçibelli dhe Oltion Veshi. Menuja ishte një ndërthurje e traditës kulinare të veriut dhe jugut të Shqipërisë, me nuanca të veçanta edhe nga Kosova, ndërsa verërat e kantinave Balaj, Caco dhe Menea shoqëruan darkën, së bashku me verat Labi nga Kosova për aperitivin dhe rakinë ODA nga kantina Melesin. Mbrëmja u konsiderua si një prezantim dinjitoz i potencialit që kanë kuzhina dhe produktet shqiptare për të konkurruar në skenën ndërkombëtare të gastronomisë moderne.
Në fokus të kësaj iniciative ishte promovimi i kulturës shqiptare përmes gastronomisë dhe krijimi i një identiteti të fortë enogastronomik shqiptar në tregjet ndërkombëtare.
Duke folur për rëndësinë e eventit, Ismail Ademi nga Albchef u shpreh se prezantimi i kuzhinës shqiptare në institucione ikonike si EHL Lausanne është një mundësi e jashtëzakonshme për të ndërtuar ura të reja bashkëpunimi dhe për ta bërë gastronominë shqiptare pjesë të diskutimeve globale mbi kulinarinë dhe mikpritjen.
“Kur kuzhina shqiptare prezantohet në institucione me reputacion botëror si EHL, ajo bëhet ambasadorja më e mirë e kulturës, traditës dhe mikpritjes sonë. Këto iniciativa tregojnë se Shqipëria dhe Kosova kanë potencial të jashtëzakonshëm gastronomik dhe njerëzor për t’u përfaqësuar denjësisht në arenën ndërkombëtare”, u shpreh Ademi.
Albchef do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti misionin për promovimin ndërkombëtar të gastronomisë shqiptare përmes një kalendari të gjerë aktivitetesh.
Pas përmbylljes me sukses në muajin prill të edicionit të parë të “Albite”, festivalit të gastronomisë shqiptare të organizuar në Tiranë, Albchef po përgatitet tashmë për edicionin e dytë të “Muajit të Kuzhinës Shqiptare në Botë”, i cili do të zhvillohet gjatë muajit nëntor. Iniciativa pritet të përfshijë më shumë se 50 aktivitete në vende të ndryshme të botës, duke bashkuar shefa kuzhine, restorante, profesionistë të HoReCa-s dhe partnerë ndërkombëtarë në promovimin e produkteve, traditës dhe identitetit kulinar shqiptar.
Ai theksoi se qëllimi i Albchef është që kuzhina shqiptare të mos prezantohet vetëm si traditë lokale, por si një vlerë moderne europiane me potencial të madh zhvillimi në industrinë globale të gastronomisë dhe turizmit.
Një rol të rëndësishëm në këtë proces po luajnë edhe profesionistët shqiptarë të sektorit HoReCa në diasporë, të cilët përmes eksperiencës së tyre në restorante, hotele dhe institucione prestigjioze në Europë e më gjerë po kontribuojnë në promovimin e standardeve të larta të gastronomisë shqiptare.
Sipas organizatorëve, ky rrjet profesionistësh shqiptarë jashtë vendit përfaqëson një potencial të madh për zhvillimin e turizmit, gastronomisë dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare, duke ndihmuar që kuzhina shqiptare të fitojë gjithnjë e më shumë vëmendje, respekt dhe hapësirë në industrinë globale të mikpritjes.




n.s. / dita

Shume e mire reklama juaje per reklamen boterore por nuk morem veshe cfare gatuane dhe morem vesh cfare pine.