DITA ka botuar dje shkrimin e diplomatit dhe publicistit Shaban Murati, me titull “Gardhi i ndaluar i Ambasadës Shqiptare”.
Ditën e sotme, Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Suedi ka dërguar në redaksi një reagim për këtë shkrim, të cilin mund ta lexoni më poshtë.
Reagimi i Ambasadës së RSH në Suedi:
Në vijim dhe reagim ndaj një artikulli të publikuar dje në gazetën DITA, me autor z. Shaban Murati, Ambasada e Republikës së Shqiperisë në Suedi dëshiron të sqarojë sa vijon :
Në datën 22 dhe 23 gusht 2024, Ambasada ka marrë një komunikim përmes Whatsapp nga z. Murati, i cili kërkonte akses në zyrën e ambasadorit për të bërë një intervistë brenda datës 26-28 gusht, e cila do të përdorej në një dokumentar personal.
Me shumë mirësjellje, një ndjenje që fatkeqësisht mbeti e pareciprocikuar nga pala tjeter, Ambasada i ka shpjeguar zotit Murati se duke pasur parasysh rregullat dhe procedurat që aplikohen në raste të tilla, do të duhej që një kërkesë e tillë t’i adresohej sa më shpejt Ministrisë së Jashtme, sidomos në kushtet që afati ishte shumë i shkurtër dhe për më tepër koha e kërkuar për akses koinçidonte me mungesën e Titullarit në zyrë për arsye pune. Ndaj, në përputhje me rregullat dhe perimetrin e sigurisë në përfaqësi, prania e personave të tjerë në këtë ambjent dhe realizimi i intervistës në zyrë pa praninë e titullarit do të kërkonte vlerësimin dhe eventualisht aprovimin e MEPJ-së .
Zoti Murati nuk ka qenë i kënaqur me përgjigjen dhe sugjerimin për të derguar një kërkesë ne MEPJ, dhe me një gjuhë imponuese e aspak të sjellshme, ka pretenduar se nuk ka nevoje për leje «të tilla fëminore » sepse ai është ish -ambasador dhe këshilltar i një prej autoriteteve të lartë të shtetit.
Artikulli i publikuar nga vetë zoti Murati flet për «një incident të pazakontë dhe të turpshëm të Ambasadës në Suedi». Nga çdo këndvështrim, autori keqinformon me dashje dhe ofron një gjykim të njëanshëm e tendencioz mbi sugjerimin e sjellshëm për të ndjekur procedurat dhe rregullat, të cilave dëshirojmë të mendojmë që dhe z.Murati u është nënshtruar kur ka qenë në të njëjtin pozicion, duke mos lejuar qëndrim të paautorizuar në zyrën e Ambasadorit në mungesë të tij.
Respektimi i rregullave dhe procedurave në tërësi dhe atyre që lidhen me aspekte të veçantë të sigurisë së ambjenteve të rëndësisë së veçantë e të cilat rregullohen me akte specifike, është norma bazë me të cilën vepron personeli i Ambasadës në Suedi si pjesë e Shërbimit të Jashtëm.
Gjithashtu, nga ana e medias që ka botuar shkrimin, në funksion të mirë informimit të publikut do të kishte qënë e ndershme që përveç versionit të z. Murati, Ambasada në Suedi dhe MEPJ të ishin kontaktuar për të bërë komentet e tyre.
Me keqardhje konstatojme se fryma imponuese e intimiduese qe karakterizonte komunikimet e z. Murati me Ambasadën është servirur e njejtë në shkrimin e publikuar, i cili është një interpretim i njëanshëm dhe i pasaktë dhe minimalisht nuk ofron perspektivën e palës së akuzuar në shkrim.
Ndaj, në këtë jo-ngjarje nuk ka pasur as skandal, as turp por një reagim korrekt dhe një qëndrim të qartë të nëpunësisë civile mbi nevojën për të zbatuar rregullat dhe procedurat në fuqi, pavarësisht se për çfarë apo për kë bëhet fjalë. Nëse do te kishte ndokund ndonjë hije skandali është ndoshta pretendimi i një ish-ambasadori dhe këshilltari të një autoriteti të lartë shteteror se kur bëhet fjalë për kërkesat e tij rregullat dhe procedurat nuk kanë rëndësi e mund të mos ndiqen.
Gjithashtu në lidhje me insinuatat e pabaza ndaj shërbimit të Ambasadës, ritheksojmë se shërbimi ndaj qytetarëve është prioriteti jonë absolut, dhe se dyert e Ambasadës së Shqipërisë në Suedi janë të hapura njësoj për çdo shqiptar, pavarësisht funksionit aktual apo të shkuar.