Profesori amerikan, Daniel Serwer ka deklaruar se Serbia nuk mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian pa normalizuar plotësisht marrëdhëniet me Kosovën, që sipas tij, do të thotë njohja e Kosovës dhe shkëmbimi i ambasadorëve midis dy vendeve. Në një intervistë në podkastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Serwer tha se kushtëzimi i Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën është i qartë për shtetet anëtare të BE-së.
“Është shumë e qartë për këdo që ka tru në Beograd se Serbia nuk do të hyjë në Bashkimin Evropian derisa të normalizojë plotësisht marrëdhëniet me Kosovën, që sipas mendimit tim do të thotë ta njohë atë dhe të shkëmbejë ambasadorë me Kosovën”, tha Serwer.
Gjatë diskutimit, Surroi theksoi se ky qëndrim është shkruar si politikë zyrtare vetëm në Uashington, ndërsa kujtoi se pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Megjithatë, Serwer tha se të paktën pesë shtete të tjera anëtare të BE-së nuk do ta pranonin Serbinë në Bashkim pa normalizuar marrëdhëniet me Kosovën.
Surroi vlerësoi se ky numër mund të jetë edhe më i lartë. Nga ana tjetër, Serwer tha se nuk e sheh të nevojshme të përsërisë vazhdimisht kushtet ndaj Serbisë, pasi, sipas tij, ato kanë qenë të qarta prej kohësh.
Ai shprehu më shumë shqetësim për mungesën e përparimit të Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas tij, Kosova po përballet me një të ardhme më të vështirë se e kaluara, pjesërisht për shkak të qëndrimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Nuk kam nevojë të shkruaj dhe të bërtas kushtet, sepse mendoj se kushtet kanë qenë prej kohësh shumë, shumë të qarta. Jam shumë më i shqetësuar për atë që thoni për Kosovën dhe mungesën e përparimit të saj drejt Këshillit të Evropës dhe drejt kandidaturës. Atje, mendoj, e di, përballeni me një të ardhme shumë më të vështirë se e kaluara. Dhe është më e vështirë pjesërisht për shkak të amerikanëve”, tha ai.
j.l./ dita
