Av. Genc Llakaj
Si jurist me jo pak përvojë në sistemin e drejtësisë, por njëkohësisht edhe si avokat ndiej detyrimin moral, profesional dhe qytetar për të artikuluar një “autokritikë” publike ndaj sistemit. Jo për të rrëzuar dikë, por për të ndërtuar diçka; jo për të përçarë, por për të ndërgjegjësuar. Sepse heshtja përballë padrejtësisë është bashkëfajësi.
Në fund të vitit 2025, konkretisht në prag të festave të fundvitit, u artikulua publikisht nga përfaqësues të Ekzekutivit, në mënyrë të veçantë nga Ministri i Drejtësisë, premtimi për një amnisti penale. U deklarua se një numër i konsiderueshëm të dënuarish do të përfitonin dhe se shumë prej tyre do të kishin mundësinë të kalonin festat pranë familjeve të tyre.
Ky ishte një mesazh i fortë, me ndikim të drejtpërdrejtë social dhe emocional, i cili krijoi pritshmëri të ligjshme tek qindra familje shqiptare.
Sot, në muajin prill të vitit 2026, duhet theksuar një fakt thelbësor: amnistia penale është artikuluar publikisht si nismë e Ekzekutivit, por deri në këtë moment nuk rezulton të jetë depozituar për shqyrtim në Komisionin e Ligjeve dhe, për rrjedhojë, aq më pak të ketë kaluar për votim në Kuvend. Në këtë kuptim, përtej deklaratave publike, mungon ende një procedurë parlamentare konkrete dhe e verifikueshme.
Kanë kaluar tashmë rreth pesë muaj nga dita kur kjo nismë u proklamua në media. Kjo nuk është më një çështje thjesht kohore apo procedurale. Kjo është një çështje që prek drejtpërdrejt seriozitetin institucional, korrektësinë ndaj publikut dhe përgjegjësinë politike të Ekzekutivit.
Në doktrinën juridike dhe në eksperiencën ndërkombëtare, amnistia konsiderohet një akt sovran me natyrë juridike dhe politike, që synon jo vetëm lehtësimin e pasojave penale, por edhe rivendosjen e një ekuilibri social. Ajo nuk është një akt dobësie dhe as një akt mëshire. Është një instrument i shtetit të së drejtës për të balancuar ndëshkimin me humanizmin.
Filozofia e së drejtës e ka trajtuar gjithmonë ligjin si një mekanizëm drejtësie dhe jo vetëm si mjet ndëshkimi. Epikteti thoshte: “Ligji është arsye e pashpallur, e pranishme brenda çdo njeriu.” Ndërsa Immanuel Kant theksonte: “Vepro ashtu si do të dëshiroje që veprimi yt të bëhej ligj universal.”
Në këtë prizëm, amnistia përfaqëson një korrigjim racional dhe human të ashpërsisë së sistemit penal.
Por përtej dimensionit juridik, kjo çështje ngre një pyetje thelbësore: a ekziston morali politik në ushtrimin e pushtetit? Aristoteli theksonte se “qeverisja e mirë buron nga virtyti”, ndërsa Max Weber e lidhte pushtetin me përgjegjësinë, duke nënkuptuar se ai që ushtron pushtetin duhet të mbajë përgjegjësi për pasojat e veprimeve të tij.
Fjala publike e një përfaqësuesi të Ekzekutivit nuk është thjesht deklaratë; ajo përbën një angazhim politik përballë qytetarëve.
Dhe kur Ekzekutivi jep fjalën, ai krijon jo vetëm pritshmëri, por edhe detyrim për ta përmbushur atë në mënyrë korrekte dhe brenda një afati të arsyeshëm.
Mosrealizimi i këtij angazhimi për një periudhë tashmë pesëmujore nuk është thjesht një mospërputhje kohore. Ai cenon drejtpërdrejt besimin publik dhe dobëson legjitimitetin e veprimit politik.
Në planin kushtetues dhe ndërkombëtar, situata bëhet edhe më e ndjeshme. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenet 25, 27 dhe 28, garanton dinjitetin njerëzor, lirinë personale dhe mbrojtjen nga trajtimet çnjerëzore. Ndërkohë, Konventa Europiane për të Drejtat e Njeriut, në nenet 5 dhe 6, garanton të drejtën për liri dhe për një proces të rregullt ligjor brenda një afati të arsyeshëm.
Megjithatë, praktika shqiptare paraqet një realitet problematik. Ekzistojnë raste të shumta të paraburgimit të zgjatur pa vendim përfundimtar. Hetimet zvarriten përtej çdo logjike juridike dhe procese gjyqësore që zgjasin me vite. Në këto kushte, Kodi i Procedurës Penale, në vend që të funksionojë si instrument garantues, në disa raste shfaqet si një mekanizëm me prirje represive, duke cenuar parimin e proporcionalitetit dhe prezumimin e pafajësisë.
Ky është një problem sistemi.
Modelet europiane ofrojnë një qasje të ndryshme dhe më të balancuar. Në vende si Suedia, Norvegjia dhe Gjermania, sistemi penitenciar bazohet në filozofinë e rehabilitimit dhe riintegrimit social.
Amnistia dhe format alternative të dënimit përdoren si mekanizma për uljen e mbipopullimit në burgje dhe për rikthimin e individit në shoqëri si një qytetar funksional.
Në Francë, ligjet e amnistisë janë përdorur historikisht për të rivendosur ekuilibrin social, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar instituti i rehabilitimit synon eliminimin gradual të pasojave sociale të dënimit. Pra, Evropa nuk e trajton të dënuarin si një fund, por si një mundësi të dytë.
Në këtë këndvështrim, rehabilitimi nuk është luks dhe as zgjedhje politike. Ai është një detyrim ligjor, moral dhe shoqëror. Një sistem që nuk rehabiliton prodhon recidivizëm; një shoqëri që përjashton prodhon tension social; një sistem që vetëm ndëshkon, pa rikthyer individin në shoqëri, është i destinuar të dështojë.
Individët që kanë kryer një vepër penale nuk janë të përjashtuar përgjithmonë nga shoqëria. Ata janë qytetarë që kanë gabuar dhe që duhet të kenë një mundësi reale për rikthim.
Në këtë kontekst, përgjegjësia politike është e drejtpërdrejtë dhe konkrete. Ajo bie mbi Ekzekutivin dhe mazhorancën parlamentare, të cilat kanë iniciativën ligjvënëse dhe barrën për ta çuar atë deri në miratim.
Në këtë kuadër, sugjeroj:
– Hartimin dhe publikimin e një drafti të plotë, serioz dhe të konsoliduar të amnistisë penale;
– Përcaktimin e kritereve të qarta, transparente dhe të matshme për përfituesit;
– Përshpejtimin e procedurave për personat në paraburgim;
– Rishikimin e dispozitave të Kodit të Procedurës Penale në përputhje me standardet e Këshillit të Europës;
– Vendosjen e rehabilitimit si prioritet në politikat penale të vendit.
Pa ndërmarrjen e këtyre hapave, çdo pretendim për integrim në Bashkimin Europian mbetet në nivel retorike. Kapitujt e negociatave nuk mbyllen me deklarata, por me standarde të matshme dhe rezultate konkrete.
Unë jam pjesë e kësaj mazhorance në bindje, por nuk mund të jem pjesë e heshtjes. Besoj tek vlerat e së majtës, por jo tek mungesa e përgjegjësisë. Besoj tek pushteti si instrument shërbimi, por jo tek pushteti që harron qytetarin.
Sepse në fund, nuk është një nocion abstrakt që dështon të mbajë fjalën. Është Ekzekutivi konkret që nuk përmbush një angazhim publik.
Dhe një pushtet që nuk mban fjalën, cënon besimin. Një pushtet që humbet besimin, humbet legjitimitetin.
