Prof. Hamit Boriçi
1.
Anastas Jano Kullurioti (1820- 1887) ishte një nga publicistët e shquar të Rilindjes, veprimtar iluminist nga arbëreshët e Greqisë, që luftoi pareshtur e me vendosmëri për çështjen kombëtare dhe përparimin e kombit Shqiptar.
Mësimet e para i mori në vendlindje, në Kullur. Studioi në Athinë, ku u vendos familja e tij në lagjen “Plakë”, lagja më e vjetër e Athinës, banuar nga arvanitasit. Në moshë të re mërgoi në Amerikë prej ku, pas disa vitesh, kthehet në Greqi, ku i përkushtohet veprimtarisë politike për propagandimin e idealeve kombëtare në gjirin e arvanitasve ( arbëreshëve të Greqisë).
Fillimisht publikoi disa artikuj në gazetat e kohës për domosdoshmërinë e çlirimit të Shqipërisë nga zgjedha osmane. Më pas ra në sy për mendimet e përparuara, për të drejtat e shqiptarëve si komb në vete, prandaj disa të përkohëshme të Athinës nuk ia botonin shkrimet.
Ishte njeri i ditur, njihte mirë historinë, ekonominë, kulturën, gjuhët shqip e greqisht, por edhe italisht, anglisht, frëngjisht e latinisht. Mbante lidhje me rilindas të shpërndarë në mërgrim: në Misir, në Rumani, në Itali etj, veçanërisht me Thimi Mitkon, që jetonte në Misir. Në shoqërinë me bashkëkombasin Thimi Mitko, ideuan botimin e një gazete për arbëreshët e Greqisë, me program e përmbajtje kombëtare.
Porsa u kthye në Athinë, Kullurioti bleu një shtypshkronjë, e instaloi në një dyqan dhe më 29 shtator 1879 botoi numrin e parë të së përkohshmes “I foni tis Alvanias” (“Zëri i Shqipërisë”), e përjavshme politike, shoqërore, kulturore në gjuhën greke e pjesërisht në shqip. Gazeta botohej në Athinë. Vijoi të dalë deri më 23 gusht 1880, kur me ndërhyrjen e qarqeve antishqiptare, qeveria greke me dhunë e detyroi Kulluriotin të ndërpresë botimin.
Por Anastas Kullurioti nuk u tërhoq nga misioni i tij kombëtar. Vazhdoi të shkruaj për çështjen kombëtare. Në vitin 1884 bëri një udhëtim të gjatë nepër Shqipëri. Në Gjirokastër u mirëprit nga bashkatdhetarët patriotë. Gjirokastriti Shaqo Dabulla, kur mori vesh se një prej arbëreshëve të Greqisë, që kishte ardhur në vendlindjen e gjyshërve të tij, shkoi në hanin ku Anastasi ishte akomoduar, e mori dhe e gostiti në shtëpinë e tij. Kulluriotii përveçse u njoh dhe u çmall me qytetarët e Gjirokastrës, shpërndau shumë libra për mësimin e gjuhës së shkruar shqipe. Kjo vepër e tij kombëtare u bë shkas që me ndërhyrjen e konsullit grek në Gjirokastër, qeveritarët turq urdhëruan dëbimin e Anastasit. Dy xhandarë turq e shoqëruan atë për në Korfuz, ku e burgosën si filoshqiptar.
Anastas Kullurioti edhe pasi doli nga burgu, vijoi punën për çështjen shqiptare deri një ditë, kur, në të hyrë të pranverës së vitit 1887, e helmuan.. Revista e De Radës,“Fjamuri i Arbërit” (në rubrikën “Lajme këso ditësh” shkruante: “Vdiq Anastas Kullurioti, i cili shkroi dhe luftoi shumë për gjuhën shqipe, për të ndezur në zemrat e shqiptarëve të Greqisë dashurinë për gjuhën shqipe. Dëshira e tij ishte qe të dy popujt të lidheshin vëllazërisht, si ndër kohët e para, kundër armikut të përbashkët, por ata me paramendim dhe me qëllim e mbyllën gazetën e Kulluritotit “Zëri i Shqipërisë” dhe vetë ate e quajtën “bandit”. (Revista “Fjamuri i Arbërit”, Kozencë, 15 mars 1887 )
Publicistin e shquar rilindës, personalitetin dhe atdhetarizmën e tij, gazeta “Shqipëria”, organ i komunitetit shqiptar të mërguar në Rumani, Anastas Kulluriotin e karakterizonte si njeri “të rrethuar nga shkëlqimi i martirit “…”njeri i admirueshëm për karakterin e tij të diamantë, për atdhedashurinë e tij të lartë dhe për guximin në shfaqjen e mendimit. I drejtë dhe këmbëngulës, Anastas Kullurioti nuk u gjunjëzua dhe nuk devijoi por luftoi deri në fund me kurajo dhe besim për të ardhmen e Shqipërisë”.( Gazeta “Shqipëria” Bukuresht, 17 maj 1897 )
2.
E përkohshmja “I Foni tis Alvanias” (“Zëri i Shqipërisë”) doli në qarkullim më 29 shtator 1879, disa ditë pas themelimit në Stamboll të “Shoqëria e të Shtypurit Shkronjëza Shqipe”, që punonte “në të ngjallurit e gjuhës shqipe e të bashkuarit të dialekteve të saj”.
Anastas kullurioti, që numrin e parë, shpalli botërisht programin politik: për zgjimin e forcimin e vetëdijes kombëtare, për autonomi deri në çlirimin e plotë dhe për tërësinë tokësore të Shqipërisë, “të dritësonte e propagandonte për një Shqipëri një, të bashkuar, të lirë e të pavarur”. ( Gazeta “Zëri i Shqipërisë”, 29 shtator 1879 )
Politika editoriale e kësaj të së përjavshmeje paraqitej në faqen e parë me shkronja të mëdha “ZËRI I SHQIPËRISË” dhe “Gazeta e të drejtave shqiptare”. Po në faqen e parë shënohej: “E duam Shqipërinë një të pandar dhe të pavarur”. Nga nr. 22 datë 22 mars 1880 e deri në fund motoja zëvëndësohet: “Synojmë për bashkimin dhe autonominë e Shqipërisë”. Kjo shoqërohej me thirrjen e pronarit, drejtuesit dhe botuesit Anastas Kullurioti: “Po ju drejtohemi shqiptarëve të vërtetë, që banojnë brënda dhe përjashta, të na ndihmojnë materialisht dhe moralisht në botimin e kësaj gazete, e cila zotohet që mbi të gjitha të përkrahë nxehtësisht interesat shqiptare në përgjithësi”.
Profesor Shpuza këtë të përkohshme e quan Zëdhënëse e Lidhjes së Prizrenit. Dhe argumenton: “Kulluri përvetësoi programin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe në gazetën e tij ”I foni tis alvanias” shprehu me kurajo dhe vendosmëri aspiratat jetike të popullit shqiptar. Nga këto pozita ai iu kundërvu të gjithë armiqve të kombit shqiptar, duke përfshirë këtu edhe qarqet shoviniste greke”.
Gazeta iu përmbajt politikës editoriale. U referohemi disa artikujve më përfaqësuesë, temave dhe problemeve që shtroi e pasqyroi. Në vijim të orientimit të gazetës formulohet teza sintezë si detyrë dhe dëshirë: “Duam ta shohim Shqipërinë një të bashkuar dhe të pavarur. Duam që t’i shohim bijtë trima të Shqipërisë pa dallim feje dhe krahine, muhamedanë e ortodoksë… Duam që ata ta bëjnë mëmedheun e tyre të lirë, autonom dhe të lumtur”. ( Gazeta “Zëri i Shqipërisë”, 6 tetor 1879 )
“Zëri i Shqipërisë” trajtoi problemet më të rëndësishëm të kombit shqiptar e të shqiptarizmës së atyre kohëve, duke u shndërruar në një tribunë të vërtetë, të mendimit politik e shoqëror, të lëvizjes kombëtare shqiptare. Në një varg shkrimesh u pasqyruan çështje të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare.
Synimeve dhe përpjekjeve të qarqeve shoviniste të Athinës kundër gjuhës sonë amtare, gazeta e Kulluriotit u përgjigjet me logjikë. Ajo shfaq mendimin se “gjuha dhe arsimi nuk u imponohen dot me forcë popujve që kanë gjuhën dhe kulturën e tyre mijëvjeçare, tek i cili ka lindur dëshira e zjarrtë për të mësuar e përpunuar gjuhën amtare” (“Zëri i Shqipërisë”, nr. 6, 3 nëntor 1879); kritikon mendësinë-intrigë: “…shqipja nuk është një gjuhë letrare e kultivuar dhe si e tillë nuk ka ç’i duhet ta shkruajnë me alfabetin latin, por të marrin gjuhën dhe alfabetin grek” Gazeta “Zëri i Shqipërisë”, 9 nëntor 1879) ; me guxim, hapur denoncon qarkoren e peshkopit Anthim të Gjirokastrës që “lëshon mallkimin kishëtar për të gjithë ata që mësonin e propagandonin gjuhën shqipe”, veprim, që krahasohet me inkuzicionet mesjetare: “Natyrisht kjo është rruga e obskurantizmit fetar”. ( Gazeta “Zëri i Shqipërisë”, 8 dhjetor 1879 )
“Zhvillimi i kulturës dhe i letërsisë kombëtare shqipe,- shkruante gazeta,- mund të pëparojë vetëm me mësimin e gjuhës amtare, për të cilën është duke u vendosur një alfabet i përbashkët kombëtar”. (“Zëri i Shqipërisë”, nr. 4, 20 nëntor 1879). Për këtë qëllime ajo do të sugjeronte e propozonte: “Le të hapen dy a tri gjimnaze dhe një universitet shqiptar, le të botohen edhe një a dy gazeta në gjuhën shqipe dhe brenda tre katër vjetëve do të shikoni ndryshimin”. ( Gazeta “Zëri i Shqipërisë”, 12 shkurt 1880 )
Në faqet e gazetës “Zëri i Shqipërisë” u bëhet jehonë zhvillimeve të Lidhjes Shqiptare së Prizrenit, duke patur si lajtmotiv mbrojtjen e të drejtave kombëtare. Anastas Kullurioti guxon të përkthejë dhe të botojë pamfletin politik të Pashko Vasë Shkodranit “E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët”. Në editorialin, kushtuar veprës së Pashko Vasës, Kullurioti shkruan: “ Ky studim tregon mjaft mirë në këto rrethana të vështira, se Shqipëria, e cila dikur dha aq shërbime shpëtimtare për Evropën, sot ka të drejtë për kujdesin dhe drejtësinë e kësaj Evrope, dhe s’duhet të coptohet si plaçkë lufte, që të ngrihen mbi gërmadhat e saj shtete të tjerë mikroskopike…por gjithçka varet nga vullneti i patundur dhe veprimtaria e gjithë shqiptarëve muhamedanë e të krishterë, të bashkuar nën drejtimin e udhëzimet e Lidhjes së Prizrenit”. (Gazeta “Zëri i Shqipërisë”, 24 maj 1880 ) Ndaj publicisti dhe studiuesi Ilo Mitkë Qafëzezi “Zërin e Shqipërisë” e vlerësonte si “gazetën e parë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit në luftën e saj për mbrojtjen e të drejtave kombëtare”. (Shih Zihni Reso –Anastas Kullurioti dhe gazeta “Zëri i Shqipërisë”, T. 1981, f.8 )
Për idetë dhe pikëpamjet atdhetare që propogandonte dhe mbronte botuesi u referohemi edhe disa shkrimeve të tjerë të “Zërit të Shqipërisë”: Në editorialin e javës së fundit të muajit maj 1880, vlerësohen “veprat e mënçura të vëllezërve tanë në Shqipëri .Shqiptarët, muhamedanë e të krishterë, u ngritën kundër padrejtësisë së Fuqive të Mëdha, që donin t’i shisnin si skllevër te Malazezët, që rrojnë me lëmoshën e të tjerëve. Çfarë kontrasti absurd dhe paturpësi diplonatike!”.
Gazeta zbulon prapasekenat e qarqeve shoviniste të Athinës, të cilët “Ndërkohë që shqiptarët luftojnë kundër ushtrive sllave, malazeze e turke që duan copëtimin e vendit të tyre”, ata “duan t’u binë shqiptarëve pabesisht pas shpine”. “Deklarojmë në mënyrë të hapur, – thuhet në gazete, – se Shqiptarët nuk dëshirojnë të shpallin luftë kundër grekëve, as zgjerim kufijsh nuk duan, sepse kënaqen me ata që kanë qysh prej shekujsh të trashëguar nga prindërit e tyre…E vetmja dëshirë e tyre tani është ta mbajnë atë me gojë e me thonj që të mos i lënë të huajt ta grabisin atdheun e tyre të shënjtë”. ( Gazeta “Zëri i Shqipërisë”, 2 gusht 1880 )
Më tej, duke kritikuar pretendimet absurde aneksioniste greke të “Epirit” me pretekstin e fesë ortodokse dhe të gjuhës greke, gazeta shkruan: “…si shqiptarët muhamedanë, ashtu edhe shqiptarët ortodoksë, që mund të dinë dhe mund të flasin gjuhen greke, turke dhe ndonjë gjuhë tjetër të huaj, nuk janë as turq, as grekë, pavarësisht nga ndryshimet fetare dhe gjuhët që flasin…”. (Po aty )
Në një tjetër editorial, titulluar “Një shpjegim”, lëshohet kundër gazetarëve shovinistë grekë, që e akuzonin gazetën “Zëri i Shqipërisë” se, gjoja, paskërka diskredituar helenizmin dhe fenë e krishterë duke i dalë në krah islamizmit, shprehet qartë: “Ne jemi të thjeshtë në mendimet tona politike, ne nuk kemi studiuar diplomacinë e hipokrizisë as mënyrën e përdorimit të kloroformit për të vënë në gjumë patriotët. Ne i paraqesim faktet thjesht dhe hapur, qëllojmë drejt në pikën ku duhet, i quajmë gjërat ashtu siç janë, sipas bindjeve dhe pikëpamjeve tona”.(Gazeta “Zëri i Shqipërisë”, 23 gusht 1880)
Në “Zëri i Shqipërisë” bindshëm hidhet poshtë mendësia,sipas të cilës feja njësohet me kombin dhe kombësinë. Në artikullin “Shqiptarët dhe kombësia e tyre” argumentohet se “Nuk është krishterimi ai, që i bën popujt prej të njëjtit fis, por janë gjuha, doket, zakonet e të tjera karakteristika që e dallojnë kombësinë nga njëra tjetra”….”Feja s’mund të quhet në asnjë mënyrë provë e kombësisë greke për ortodoksët e Shqipërisë së Jugut”. (Gazeta “Zëri i Shqipërisë”, 13 tetor 1879) Përforcohet kështu arsyetimi i motivuar i gazetës: “Të quash grekë të krishterët shqiptarë vetëm se ata besojnë doktrinën ortodokse, kjo, sipas mendimit tonë, është sikurse të përcaktohet si parim kombësie feja dhe të zëvëndësohet raca, fisi, gjuha e zakonet…, atdheu me fenë, atdheun me sektin, gjë që është e paparanueshme sepse është provuar gjeografikisht, etnologjikisht e historikisht, se “i ashtuquajturi Epir” s’ka qenë kurrë pjesë e Greqisë, sepse raca e banorëve të Shqipërisë së Jugut, gjuha, zakonet e tyre, legjislacioni i tyre civil, politik dhe ushtarak kanë qenë krejt të ndryshëm nga ata të Greqisë”. ( Gazeta “Zëri i Shqipërisë”, 19 janar 1879 )
Në “Një letër patriotike shqiptare”, autori me pseudonim Dh.K.H. shkruan: “Karakteri i shqiptarve është krejt i ndryshëm nga ai i italianve, i sllavëve dhe i grekëve, mënyra e veçantë e jetesës, temperamenti, edukata dhe çdo gjë që ka lidhje në përgjithësi me jetën e tyre, ndryshojnë krejt me ata të popujve të tjerë”. ( Gazeta “Zëri i Shqipërisë”, 6 tetor 1879 )
Vlerat, kontributi dhe roli i shqiptarëve në Europë del qartë në këtë formulim: “Sot të gjithë shqiptarët janë dhe e quajnë veten vëllezër të çdo dogme e krahine që të jenë. Europa dhe asnjë shtet tjetër nuk mund t’i injorojë aspak të drejtat e popullit shqiptar, i cili ka qenë i vetmi mbrojtës në perëndim kundër dyndjes osmane”. ( Gazeta “Zëri i Shqipërisë”, 13 tetor 1879)
Në të 49 numrat e saj, shtrirë në një kohë prej 29 shtatorit 1879 deri më 23 gusht 1880, “Zëri i Shqipërisë” tërhoqi vëmendjen e qytetarëve të Athinës, duke shkruar të vërtetën për çështjen shqiptare. Njëheri gazeta luajti rol të rëndësishëm në përpjekjen e patriotëve shqiptarë për emancipimin politik dhe shpirtëror të popullit, për mbrojtjen e interesave kombëtare, për bashkimin e popullit shqiptar në luftë për çlirimin nga skllavëria e huaj dhe shkatërrimin e planeve armiqësore të Fuqive të Mëdha dhe klikave shoviniste të Ballkanit.
Zihni Reso, Shef i Katedrës së parë Shqiptare të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës, në studimin e tij arrinë në përfundimin: “«Zëri i Shqipërisë» ishte një nga gazetat më të rëndësishme për Shqipërinë e periudhës së Rilindjes Kombëtare, që doli me moton: “E duam Shqipërinë një, të bashkuar dhe të pavarur”. .
3.
Pas mbylljen e gazetës nga autoritete e Athinës, Anastas Kullurioti, në vazhdim të angazhimit të tij për kauzen kombëtare shqiptare; shkroi dhe botoi në Athinë artikuj publicistikë si dhe broshurën “Polemika shqiptare” (1884). Në te, duke marrë shkas nga shpifjet e korrespondentit të gazetës shovene që dilte në Gjirokastër, “Palengjenesia” (Ripërtëritja”), sqaron: “Ne, në mënyrë të prerë e kategorike nuk duam aspak të akuzojmë popullin apo banorët e Gjirokastrës, të cilët na pritën dhe u sollën shumë mire me ne. Prandaj po e botojmë këtë sqarim në “Polemika shqiptare”, që të shohin të gjithë njerëzit, se çfarë respekti gëzojnë arbëreshët me nënshtetësinë greke në mes vëllezërve të tyre të të njëjtit gjak, shqiptarë”.
Kullurioti më 4 qershor 1884 themeloi një shoqëri patriotike arbëreshe.Shoqëria quhej “Oi Alvanio Vllamidhes” (Shqiptarët vëllezër ose Lidhja shqiptare). Misioni i kësaj shoqërie fotmulohej më nenin 3 të statutit të saj’ “Shoqëria ka për qëllim zhvillimin e kulturës e të gjuhës shqipe dhe në përgjithësi të edukatës morale e shpirtërore të popullit shqiptar”.