Studiuesja e re shqiptaro-amerikane sjell në shkollat e mesme në Tiranë dhe Durrës idenë e “Negocimit për Njerëzimin”. Biseda me Anjën: “Dua të sjell inspirim, shpresë dhe pozitivitet. Mendoj se këtë gjendje shpirterore e kemi shumë të nevojshme në Shqipëri dhe në Ballkan…”
Anja Dinion është studente në vitin e fundit në Universitetin “Johns Hopkins”
Uashington DC, një nga Universitetet më të mirë në Shtetet e Bashkuara. Ajo studion për Diplomaci dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare. Kjo vajzë e talentuar dhe shumë aktive ka krijuar edhe një podcast ku merr në intervistë shqiptaro- amerikanët që kanë emigruar në Shtetet e Bashkuara dhe kanë arritur të bëjnë ëndrrat e tyre, realitet, pra kanë një histori suksesi. Ata flasin për sfidat dhe ngjarjet që kanë shenjuar rrugëtimin në Shtetet e Bashkuara. Ky podcast quhet Vepra Shqiptare.
Anja i përket atyre që kanë ikur nga Shqipëria në vitin e mbrapshtë 1997. Ka qenë fëmijë kur u largua me familjen. Ajo u kthye në vendin e saj në fund të vitit 2023, mbas 25 vitesh mërgimi në SHBA.
Ka patur një përvojë shumë interesante në disa nga gjimnazet më të mirë të vendit. Në këtë intervistë për gazetën DITA, ajo flet për këtë përvojë si dhe bën një prezantim më të gjerë për veten dhe atë çfarë përfaqëson…
– Anja, përshëndetje. Në gjimnazet e Shqipërisë ku keni qenë së fundmi kishte lënë shumë mbresa ajo që kishit trajtuar. Mund të na tregoni për lexuesin diçka mëtepër, për çfarë bëhet fjalë?
Përshëndetje! Ju falendëroj për këtë intervistë dhe rëndësinë që i jepni punës sime studimore. Gjithçka nisi në universitetin John’s Hopkins në SHBA gjatë semestrit të kaluar nen drejtoris to Dean James B. Steinberg | Johns Hopkins SAIS (jhu.edu). Ndoqa një kurs shumë interesant të quajtur “Negociata për njerëzimin”.
Flitej për të drejtat themelore të njeriut. Unë besoj fort se studimi dhe kuptimi i plotë i të drejtave themelore të bën më të sigurtë në vete, të jep më shumë vetëbesim. Gjithashtu frymëzon një ndjenjë përgjegjësie për të kontribuar në mirëqenien e të tjerëve. Ky efekt shpesh rezulton në përpjekjet kolektive për të krijuar një botë ku të drejtat e njeriut respektohen dhe mbrohen universalisht.
Doja menjëherë të krijoja mundësinë për ta ndarë këtë përvojë, për të ndihmuar edhe të tjerë të ndiheshin siç u ndjeva unë pas atij kursi.
Ndaj mendova se është shumë e rëndësishme ta ndaja këtë përpjekje me të gjitha shkollat e mesme në Shqipëri. Pse jo, të arrija që ta fusja si lëndë bazë. Dhe te arrija te futesh ne programin mësimor për gjimnazet, dhe percaktova enkas per gjimnazet Shqiptare. Pas një përgatitje disa mujore vendosa të vij në Shqipëri.
–Pse pikërisht në Shqipëri?
Motivimi im më i madh i ka rrënjët te emigrimi në vitin 1997. Prindërit e mi përfituan Llotarinë Amerikane në 1997 dhe në fund të pranverës udhëtuam për në shtetin Michigan. Largimi nga familja ime e madhe ka patur shumë ndikim në jetën time personale dhe profesionale. U riktheva në mëmëdhe, në Shqipëri, në fund të vitit 2023, për festat e Krishtlindjes dhe Vitin e Ri, pas 25 vjet mërgimi në SHBA.
–Pra ju jeni larguar nga Shqipëria në 1997?
Po. U largova nga Shqipëria në vitin e mbrapshtë 1997. Në mendje më kanë mbetur zhvillimet dramatike të asaj kohe. S’më hiqen nga mendja shpërthimet dhe krismat në
qytetin tim të dashur, Fier. Kishte aq shumë pasiguri, aq shumë buzëqeshje të ngrira.
Kur u rikthyem në shkollë, na duhej të shkonim atje të shoqëruar. Klasat ishin të ftohta, dritaret me xhama të thyer, bankat të vogla. uleshim deri në katër nxënës. Mungonin mjetet mësimore, por zemrën na e ngrohnin mësueset. Kam në zemër dashurinë e tyre pa kufi. Na bënin të harronim të ftohtin dhe pasigurinë që ndihej kudo. Duket e pabesueshme, por mezi prisja diten tjeter të rikthehesha në shkollë.
Ndihem mirënjohëse. Sepse mësimi i gjuhës së bukur shqipe, serioziteti i studimit në në arithmetikë, muzikë dhe sport ndihmuan shumë formimin tim. Kam dëshiruar përherë të jem dikush që mbart vlerat e familjes së fortë, shoqërisë, dashurinë për atdheun.
–Të kthehemi te lënda që keni propozuar. Me sa jemi në dijeni kjo përpjekje e juaja ka tërhequr edhe vëmendjen e Ministrisë së Arsimit?
Po. Siç ju thashë sugjerova që kjo lëndë të jepet në çdo gjimnaz në Shqipëri. Theksoj edhe njëherë që tek unë dhe të tjerë që kanë ndjekur këtë kurs, ka patur një efekt shumë pozitiv, ka dhënë shumë inspirim, shpresë dhe pozitivitet. Mendoj se këtë gjendje shpirterore e kemi shumë të nevojshme në Shqipëri dhe në Ballkan.
Mora me vete një material të bollshëm, kur vizitova shkollat në kryeqytet dhe në Durrës. Këto materiale i mori edhe Ministria e Arsimit dhe Kulturës.

–U pritët mirë në Shqipëri? Sa shkolla vizituat?
Jam pritur me respekt dhe vlerësim dhe për këtë jam mirënjohëse dhe ndihem e lumtur. Është ndarë me mua informacioni i rëndësishëm që ky projekt mund të ofrohet si një lëndë themelore në shkollat shqiptare. Është ende në proces për të marrë miratimin nga
Ministria.
Siç ju thashë, unë udhëtova nga Uashington DC drejt Shqipërisë “e pushtuar” nga kjo idé. Deri tani kam vizituar 8 shkolla në Tiranë dhe Durrës, dhe ka qenë një nder dhe privilegj që kisha mundësinë për ta prezantuar idenë time. Shpresoj që diçka më e madhe mund të dalë nga kjo pune dhe të kem inspiruar ose ndikuar në një mënyrë
pozitive.
Dëgjojmë shumë për Shqipërinë kur jemi larg, por ajo që më ndodhi mua ishte.që të gjithë në Shqipëri ishin të ngrohtë, respektues dhe të hapur mendërisht për projektin tim.
–Çfarë do përmbante kryesisht një lëndë e tillë shkollore?
Kontribuon në mënyrë të konsiderueshme në kuptimin e rëndësisë së negociimit, në adresimin e sfidave globale; në kuptimin e problematikave me të drejtat e njeriut; kryen aplikimin praktik të aftësisë për të negociuar. Perspektiva Globale, advokimi, diplomacia, marrëveshje etike – janë gjithashtu disa nga elementët më të rëndësishëm të negociimit. Pra një përvojë në një klasë të tillë u siguron studentëve një kuptim holistik të çështjeve globale dhe një ndjenjë përgjegjësie për të kontribuar në ndryshime pozitive në shkallë globale.
Vetë studenti zhvillohet në shumë mënyra, përfiton aftësi komunikimi, aftësi të zgjidhjes së konflikteve, empati, mendim kritik, zgjidhje. Zhvillon sensin e udhëheqjes, rrit kompetencën kulturore, qëndrueshmërinë dhe përshtatshmërinë.
Këto aftësi jo vetëm janë të vlefshme në kontekste të caktuara të negocimit, por gjithashtu kontribuojnë që një Individ të rrisë ndikimin e tij pozitiv në shumë aspekte të jetës.
–Çfarë i duhet Shqipërisë nga këndvështrimi i Anjës?
Arsimimi. Strategji afatgjatë edukimi. Edukimi është me shumë rëndësi në rrethana të tilla. Është një shtyllë gjatë tranzicioneve si ky që është dashur të kalojë Shqipëria këto vite. Kalimi nga komunizmi në demokraci, trazirat shoqërore, shkuarja deri në kufijtë e një lufte civile, varfëria, të gjitha këto janë sfida për çdo shoqëri. Disa sfida janë lënë pas, por jo të gjitha.
Mendoj se një individ i aftë për të kontribuar dhe marrë vendime të informuara, një shoqëri e aftë për ndërtuar institucione demokratike, janë investime që i kërkon medoemos e ardhmja. Dhe çelësi për këto është tek shkolla.
Pjesëmarrja qytetare e rurale është e rëndësishme për të gjitha etapat e zhvillimit, vetëm një popullsi e arsimuar mund të angazhohet aktivisht në proceset demokratike. Ne e dimë sa i lartë është në vende si ne rreziku i konflikteve civile. Vetëm një popullsi e arsimuar priret t’i zgjidhë konfliktet paqësisht, duke promovuar kohezionin social.
Edukimi gjithashtu është një forcë kundër radikalizmit dhe ekstremizmit. Vetëm ai krijon një shoqëri më të qëndrueshme ndaj ideologjive që mund të çojnë në trazira shoqërore dhe politike. Po ashtu, vetëm një shoqëri ku edukimi është nje mundesi e artë per brezin e ri qe te formohet dhe te forcohet me dije bashkëkohore per t’iu pergjigjur dhe zhvillimeve e sfidave te kohes, ka qasje në një gamë më të gjerë të mundësive të punës, duke çuar kështu në stabilitet ekonomik të rritur.
Pra edukimi është një mjet i fuqishëm për thyerjen e ciklit të varfërisë apo kushteve të vështira socio-ekonomike në përgjithësi. Ndaj unë këmbëngul tek projekti për të cilin folëm në këtë intervistë. E konsideroj të dobishëm në një shoqëri të pjekur qytetare e rurale për t’ju përgjigjur sfidave të kohes që ka atdheu ynë Shqipëria, në pragun e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Mirëedukimi i brezit të ri është një bazë e sigurtë për një shoqëri të lirë demokratike të shëndoshë dhe një ekonomi që siguron mirëqenie më të lartë sociale.
–Faleminderit, Anja