Nga DHIMITËR SHTËMBARI
Pardje, e shtunë 18 shkurt 2023, banorët e qytetit të Gramshit përjetuan dy ngjarje të shënuara: 63 vjetorin e krijimit të qytetit të tyre, si dhe përurimin e bustit të Antonio Gramshit, figurë e shquar e popullit italian, por me origjinë të hershme nga kjo trevë.
Në prani të shumë banorëve u përurua busti i Antonio Gramshit, vepër e Skulptorit të Popullit Mumtaz Dhrami – Nderi i Kombit.
Me këtë rast përshëndeti kryetari i Bashkisë, Klodjan Taçe, deputeti i zonës, Besjan Ajazi, nënkryetari i Komitetit Kombëtar të Organizatës së Veteranëve e të Pasardhesve të LANÇ të Popullit Shqiptar “Nderi i Kombit” – autori i këtij shkrimi, zëvendësambasadori i Italisë në Shqipëri, ish kryetari i Bashkisë, Dritan Bici, Skulptori i Popullit (autor i veprës) Mumtaz Dhrami, si dhe biznesmeni i mirënjohur Skender Lena, që investoi për këtë bust.
Mes duartrokitjeve të të pranishmëve, kryetari i Bashkisë Gramsh dhe zëvendësambasadori italian zbuluan bustin e Antonio Gramshit.
Urimi i të gjithëve ishte thuajse i njëjtë: Mirësenaerdhe në Gramsh, Antonio, në vendin e stërgjyshit tënd!
Antonio Gramshi punoi e u sakrifikua në emër të njerëzve të thjeshtë
I lindur në Ales të Sardenjës më 22 janar të vitit 1891, Antonio Gramshi u nda nga jeta më 27 prill të vitit 1937, pra, shumë i ri: vetëm 46 vjeçar. Edhe pse bir i një familjeje relativisht të varfër, i vazhdoi shkollimet me këmbëngulje deri edhe studimet universitare. I zgjuar prej natyre, ai mori pjesë aktive në lëvizjet punëtore, duke i parë dhe interpretuar ato edhe teorikisht si politikan e sociolog. I formuar tashmë si intelektual erudit, u përfshi më mjetet mediatike, duke i dhënë mundësi vetes të shpalos bindjet dhe pikëpamjet e tij politike, filozofike e letrare. Me kontributin që dha në disa fusha, ai radhitet me meritë krahas figurave të njohura të kohës, si me Bertolt Breht, Sartrin, Romen Rolan, Pikason etj.
Me veprimtarinë që kreu dhe me botimet që la pas Antonio Gramshi konsiderohet simbol i luftëtarit për drejtësi shoqërore dhe i luftëtarit të paepur të rezistencës kundër fashizmit. Si deputet i së majtës italiane, ai ngriti zërin e tij të fuqishëm kundër nazizmit e fashizmit, që po vinin si në fuqi në Gjermani e në Itali, duke i konsideruar si fatkeqësi për tërë popujt e Europës. Pikërisht për këtë arsye e arrestuan dhe e hodhën në qelitë e errëta të burgjeve italiane.
Shteti fashist italian e akuzonte për komplot, me qëllim rrëzimin e pushtetit shtetëror fashist me anën e forcës. Po ashtu, e akuzonin edhe “për nxitje të luftës civile, për ndezjen e luftës klasore dhe për propagandë subversive”.
Gjyqi i posaçëm, i kryesuar nga gjenerali Saporiti, e dënoi këtë antifashist me origjinë shqiptare me 20 vjet, 4 muaj e 5 ditë burg.
Burgosja e Antonio Gramshit shkaktoi keqardhje dhe revolta në të gjithë botën demokratike evropiane. Intelektualë dhe personalitete të shquara nga vende të ndryshme të botës, duke përfshirë edhe Romen Rolanin, ngritën zërin e tyre të fuqishëm për burgosjen e këtij intelektuali, që propagandonte dhe frymëzonte për kauza dhe ideale sublime.
Edhe në kushtet më të vështira të burgut, Gramshi punonte dhe vetëm punonte
Siç shkruan historiani Jovan Jano (ndarë nga jeta javët e fundit) në monografinë kushtuar Antonio Gramshit, muzgu shpirtëror dhe fizik i tij filloi në mbrëmjen e 8 nëntorit të vitit 1926, kur u arrestua thjesht për bindje politike! Ky muzg i errët filloi atë mbrëmje të ftohtë dhe vazhdoi gjatë,duke provuar lagështirën e qelive dhe neverinë e autoriteteve të burgjeve të Rexhina Çelit, të Turit në Bari, të Milanos, të Ustikës etj. Tashmë ai do të ballafaqohej jo vetëm me vuajtjet, me sëmundjet dhe me tërë të këqijat e kohës, por edhe me forcën e karakterit të vet. Kur u burgos, ishte edhe Sekretar i Përgjithshëm i PK Italiane, shok i vjetër idealesh me Palmiro Toliatin, me Luixhi Longon etj.
Për nga ç’dha në fushën e kritikës dhe luftës kundër ardhjes së fashizmit, Gramshi, ky personalitet i madh me origjinë shqiptare, renditet krahas Romen Rolanit, Emil Ludvigut, Pol Eluarit, Lui Aragonit, Pikasos, Zhan Sartrit, Bertolt Brehtit e mjaft personaliteteve të tjerë të shquara të kohës.
Pjesëmarrës në shtypin e kohës që kur ishte student, ai do të drejtonte rubrika të specializuara nëpër organe të ndryshme shtypi, ku do të trajtonte guximshëm probleme të mprehta politike, të cilat hera – herës do ta dërgonin në derën e burgut. Nisur nga idetë socialiste, inspiruar nga humanizmi i thellë dhe idetë komuniste të kohës, përqafuar nga shumë intelektualë të kohës, ai do të bëhej bashkëthemelues i Partisë Komuniste Italiane.
Gramshi ka shkruar 54 volume me studime politike, filozofike, sociale, estetike etj. Ndër to shquhen “Rilindja”, “Shkrimet politike”, Materializmi historik”, “Intelektualët”, “Elementët e politikës” etj. Ditën e daljes nga burgu, e motra mori që aty tridhjetë e tre fletore të shkruara me mendime dhe impresione të fuqishme politike.
Gramshi ka qenë estet dhe kritik i shquar. Admironte në letërsi Leon Tolstoin, Gogolin, Pirandelon dhe Danten.
Për letërsinë italiane thoshte, se “në shekuj shkëlqen veçanërisht epoka e Rilindjes me Danten, Petrarkën, Bogaçion etj”. Shqiptaro – italiano besonte shumë te magjia e letërsisë, duke menduar se arti, në përgjithësi, është vlerë morale dhe, si i tillë, ai zgjon dhe ngre lart vetëdijen popullore.
Bëhet i famshëm sidomos me “Fletoret e burgut”
I mbyllur në qelitë e burgjeve të Bento Musolinit, Antonio Gramshi nuk iu shkëput kauzës së tij për t’i shërbyer njerëzve të thjeshtë. Në 33 “Fletoret e burgut” ka shumë ide dhe refleksione interesante, ku theksin e ve sidomos te hegjemonia kulturore, koncept çelës i tij në teorinë politike. Le të kujtojmë këtu, se Gramshi kishte pas takuar në Moskë në vitin 1922 Leninin dhe Trockin, madje edhe Stalinin, megjithatë ai i mbetej mendimit, se dominimi i një klase sociale ndaj një tjetre nuk mund e nuk duhet të instalohet vetëm me anë të forcës apo dhunës, por edhe me anë të mekanizmave kulturorë, të cilat natyrshëm dhe pandërprerje gjenerojnë progres shoqëror.
Interesante janë edhe idetë e tij për figurën e intelektualëve dhe rolin e tyre në shoqëri. Sipas tij, intelektualët veprojnë si vektorë socialë dhe politikë në jetën politike të një vendi. Natyrisht, ai i dallonte intelektualët tradicionalë, të lidhur ngushtë me klasat dominuese, nga intelektualët organikë, të cilët vepronin për të emancipuar popullin dhe per t’iu kundërvënë hegjemonisë kulturore. Shkurt, edukimin e shihte si një mjet shumë të rëndësishëm për t’i çliruar njerëzit nga injoranca dhe dominimi.
Në “Fletoret e burgut” ka refleksione mbi organizimin politik në Itali, por edhe mbi politikën europiane të asaj kohe, sikurse ka interpretime edhe për çështje që lidhen me luftën dhe paqën. Interesant është fakti që Gramshi ishte më pranë ideve të Leninit dhe ishte kritik ndaj stalinizmit, të cilin e shihte si një burokraci autoritare.
Shumë shënime trajtojnë folklorin, të cilin e shihte si një pasuri të popullit dhe kulturë të tij, që mund t’i kundërviheshin hegjemonisë kulturore borgjeze.
Në kritikat letrare, ai fokusohej tek marrëdhënia e letërsisë me artin, me politikën dhe me jetën sociale. Gjithashtu, vëmendje i kushtonte edhe gjuhësisë, zhanreve letrare dhe funksionit të tyre politik.
Mesazhet e shënimeve te “Fletoret e burgut” janë parë të reflektuara në mendimin politik dhe kulturor të shekullit të XX e deri në ditët e sotme, në fushën e teorisë politike, të filozofisë e të sociologjisë. Disa nga ideté e Gramshit kanë inspiruar shumë parti të majta europiane, si partinë «Die Linke» në Gjermani, “Franca e panënshtruar” në Francë, «Partia demokrate» në Itali, «Podemos» në Spanjë, «Syriza» në Greqi etj.
Antonio Gramshi pat “ardhur” në Shqipëri që gjatë LANÇ
Në Itali Gramshi vlerësohej dhe vlerësohet si simbol i fuqishëm i luftëtarit për drejtësi shoqërore dhe i luftës kundër fashizmit. Ish kryetari i bashkisë së Gramshit, Dritan Bici, shprehet, se jo vetëm në trevat ku banonin arbëreshët, vëllezërit tanë të një gjaku në Itali, por edhe në treva të tjera të Italisë Antonio Gramshi kujtohej e vlerësohej me shumë respekt, si një figurë politike me përmasa europiane.
Në fakt, emri i Gramshit iu bë i njohur popullit tonë që gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Dihet tashmë, se pas kapitullimit të Italisë fashiste në shtator të vitit 1943, shumë ushtarë e ushtarakë italianë në Shqipëri kaluan në radhët e formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare Partizane. Kështu, në Brigadën 1Sulmuese Partizane u krijua një batalion me mbi 200 antifashistë italianë, që mori emrin “Antonio Gramshi “, antifashistë që luftuan deri më 29 nëntor të vitit 1944, ditë kur u çlirua Atdheu nga nazifashizmi .
Mbas çlirimit këta antifashistë italianë u kthyen në Itali me nderime nga vendi ynë
Ushtarakët italianë i zgjodhën vet drejtuesit e batalionit të tyre. Komandant qe zgjedhur nënoficeri Tercilio Kardinali, komisar politik Alfredo D`Angelo, nënkomandant qe përzgjedhur Xhuzepe Monti, kurse zëvendëskomisar Dominiko Bogatai.
Në kuadrin e veprimeve luftarake të Brigadës I Sulmuese, e cila merrte pjesë në operacionin mësymës të Divizionit I Sulmues në zonat në veri të lumit Shkumbin, gjatë muajve qershor – korrik 1944 mori pjesë edhe batalioni partizan “Antonio Gramshi”. Pikërisht në luftimet shumë të ashpra, që u zhvilluan në fshatin Çerenec të Dibrës, më datën 8 korrik batalioni luftoi me ashpërsi dhe heroizëm ndaj forcave naziste. Në luftim e sipër ra duke luftuar me heroizëm në krye të batalionit, komandanti i tij, Tercilio Kardinale.
Më tej, ky batalion mori pjesë me sukses edhe në luftimet gjatë operacionit të madh të forcave të Korparmatës së Parë të UNÇSH – së për çlirimin e Tiranës, kryeqytetit të vendit, nëntor 1944.
Me emrin e Antonio Gramshit në gojë luftuan kundër fashizmit e nazizmit dhe ranë në emër të lirisë shumë antifashistë italianë e shqiptarë. Dhe ndodhi kështu, sepse Antonio Gramshi ishte shndërruar në simbol i luftëtarit të paepur kundër fashizmit.
Disa nga thëniet proverbiale të Antonio Gramshit
Edhe pse kanë kaluar shumë dekada nga koha e ndarjes nga jeta të politikanit të shquar dhe shkrimtarit të njohur antifashist italiano – shqiptar Antonio Gramshi, mjaft nga thëniet e tij citohen edhe sot nga autorë të ndryshëm.
Si mendimtar dhe politikan antifashist, siç ishte edhe psikolog i karaktereve njerëzore,estet dhe kritik i shquar letrar, idetë e veta i pat shprehur deri edhe në formë postulatesh. Atë çka do të duhej ta shprehte me shumë e shumë fraza, ai e pat thënë e shkruar me pak fjali:
“Unë jam një pesimist për shkak të inteligjencës, ndërkohë që jam optimist për shkak të vullnetit”.
“Qëllimi i modernitetit është të jetohet një jetë pa iluzione, por, në të njëjtën kohë, të mos zhgënjehemi”.
“Krizat qëndrojnë pikërisht në faktin, kur e vjetra është duke vdekur, e reja nuk mund të lind”.
“Të gjithë njerëzit janë intelektual, por jo të gjithë njerëzit e shfrytëzojnë në shoqëri rolin e intelektualit”.
“Unë jetoj; unë jam një partizan. Kjo është arsyeja se përse i urrej ata që nuk marrin anë; i urrej ata që janë indiferentë”.
* * *
Para pak vitesh në një nga sallat studentore të Universitetit Mesdhetar në Tiranë patëm rast të takonim stërnipin e Antonio Gramshit. Më sakt, ishte nipi i Xhulianos – djalit të Antonios politikan.
Fatmirësisht, mbante emrin e stërgjyshit. Nuk ishte politikan. Nuk dinte shumë gjëra për jetën dhe veprimtarinë e stërgjyshit të vet. Ishte thjesht një muzikant, apo, më mirë të themi, një njohës i mirë i shumë veglave muzikore, të cilat, një për një, i demonstroi para një publiku studentor.
Pikërisht këtu është marrë edhe kjo fotografi e Antonios së ri me historianin, të ndjerin Jovan Jano.