Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Arkeologjia shqiptare dhe humanizmi
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Arkeologjia shqiptare dhe humanizmi
Kulture

Arkeologjia shqiptare dhe humanizmi

Published: September 4, 2023
Shpërndaje

Gëzim HOXHA

Në vjeshtën e këtij viti arkeologjia shqiptare kremton 75 vjetorin e saj, e ngritur si institucion kërkimor shkencor nga shteti shqiptar. Kjo është arsyeja, që po paraqesim për lexuesit një panoramë sintetike të saj, si një fushë e mirfilltë shkencore, e ushqyer shumë herët nga idetë e humanizmit, të cilat mbeten përherë aktuale.

Arkeologjia është në thelb studimi i së kaluarës njerëzore nëpërmjet kulturës materiale. Sipas etimologjisë së saj greke,  arhaios ( vjetërsi, lashtësi) dhe logos ( njohuri, dije),  ajo është pjesë e shkencave humane. Dy studiues amerikane, Norman Yoffe nga universiteti i Miçiganit dhe Severin Fowels nga Bernard College, kanë shkruar kohët e fundit (2012) një artikull të hollësishëm mbi Arkeologjinë në shkencat humanitare. Sipas tyre, arkeologjia lindi si pjesë e projektit të Iluminizmit për të krijuar një mjet racional të hetimit të pyetjeve se si njerëzit kanë jetuar, si kanë formuar shoqëri dhe zhvilluar vendbanime, bujqësi, qytetet dhe shtetet. Por njohuritë tona për lashtësinë e njerëzimit janë rezultat i më pak se dyqind viteve të hulumtimit arkeologjik.

- Publicitet -

Në punën e tyre arkeologët përdorin analizat  statistikore, karakteristike për shkencat sociale, por njëkohësisht ata bashkëpunojnë me specialistë në fushat e shkencave natyrore kimi, fizikë, gjeologji, anatomi, botanikë dhe fusha të tjera moderne shkencore të ekzaminimeve, analizave dhe statistikave të thelluara. Si të tillë arkeologët përbëjnë një hibrid akademik të shkencave humane, sociale dhe natyrore.

Interesi për arkeologjinë shqiptare nis pothuajse njëkohësisht si në vendet e tjera të Mesdheut. Humanisti i njohur italian Qiriaku i Ankonës (1391 – 1455) vizitoi dy herë bregdetin shqiptar në vitet 1418 dhe 1435, dhe dha të dhënat e para për qytetet antike Lissos/Lissus, Dyrrachium, Apolonia, Buthrotos dhe mbishkrimet shkëmbore në Grama në Shqipërinë e Jugut. Prej tij ne trashëgojmë rrëfime të vlefshme për monumente dhe mbishkrime të ndryshme të shkatërruara ose të humbura gjatë periudhës osmane.

Fig. 1. Qiriaku i Ankonës dhe harta e udhëtimeve të tij

Dy epigrafët me të njohur të mbishkrimeve latine dhe greke nga territori shqiptar, Pierre Cabanes dhe Faik Drini shkruajnë se, arritjët e botimeve të tyre nuk do të ishte kjo që është pa punën këmbëngulëse të shumë prej kërkuesve paraardhës, që nga humanisti italian I shek. XV Qiriaku i Ankonës, i cili përshkoi i pari territorin shqiptar duke nxjerrë aty disa mbishkrime.

Në dritën e të dhënave të reja, të fituara nga dy mbishkrimet e zbuluara nga arkeologu Frano Prendi në Lezhë, u krijua mundësia për ta rishikuar edhe një herë mbishkrimin me të njëjtën përmbajtje të Lezhës, të lexuar nga Qiriaku i Ankonës.. Ajo që ka tërhequr vemendjen nga analiza e tre mbishkrimeve latine të Lezhës është fakti se: “ … Lissus, me statusin e tij municipal përdor jo sistemin quadrumviral, por atë duumviral, i cili në kohën e fundit të republikës romake, ishte karakteristik më tepër për bashkësitë qytetare të rangut koloni. Sidoqoftë, kjo tregon për një bashkëekzistencë të dy sistemeve magjistraturale në municipet e periudhës së prokonsullatës së Çezarit në Ilirik.” ( F. Prendi, ILiria 1981, 2 , 153-163).

Fig. 2. Veprat e Qiriakut të Ankonës dhe tre mbishkrimet latine nga Lissus (Lezha)

         

Qiriaku i Ankonës jep të dhëna për  për muret rrethuese dhe portat e Kalasë së Durrësit, midis të cilave dëshmon për shumë mbishkrime dhe statujën e një kalorësi prej bronxi. Bazamenti i kësaj të fundit përmbante edhe një mbishkrim latin nderimi për Lucius Titinius Sulpicianus, i cili përshkruhet këtu me filiacionin e përkatësisë tribunale dhe me cursus honorum-in e tij ( rrugën e karrierës). Ai ishte një prift (pontifex), mbante postin e një  nëpunësi të lartë shtetëror ( praefectus pro Ilviro dhe Ilvir quinquennalis) dhe detyra ushtarake perandorake ( tribunus militum).

Në një artikull të saj mbi mbishkrimet latine ndërtimore të Dyrrachut (Durrësit), arkitektja dhe arkeologja Prof. Lida Miraj shënon se: “ Porta e hyrjes për në qytet, emri i së cilës është i lidhur me statujën e bronxtë të “kalorësit”, që e zbukuronte atë është përmendur nga dy burime të rëndësishme historike:  Ne shekullin e XI kronistja bizantine Ana Komnena e quan ate “ porta lindore”, ndërsa në shekullin e XV, Qiriaku i Ankonës e quan “porta veriore”. Faktikisht, autorja dëshmon se orientimi i saktë rezulton të jetë ana verilindore.

Edhe arkeologia e brezit të parë të arkeolgëve shqiptarë Aleksandra Mano, drejtuese gërmimesh në Apolloni, ka venë në dukje se : “Si një qendër me kulturë e tradita të lashta edhe Apollonia nuk mbetet pa u vënë re nga humanisti italian i shekullit XV, Qiriaku i Ankonës. Gjatë vizitës së tij,  ai grumbulloi objekte të ndryshme antike dhe kopjoi  edhe një mbishkrim latin të gëdhendur në një bazament mermeri, me prejardhje nga Apolonia.

Po ashtu nga botimi i korpusit të mbishkrimeve latine informohemi se Qiriaku i Ankonës ka vizituar Gjirin e Gramatës, ka kopjuar dhe botuar disa nga mbishkrimet e famëshme të tij.

Fig. 3. Gjiri i Gramatës (Karaborun) dhe disa mbishkrime të tij

Qysh në janarin e vitit 1928, nga Akropoli i Butrintit, Ugolini shkruan një artikull për veprimtarinë e Misionit Arkeologjik Italian në Shqipëri, duke rikujtuar se kërkimet e para arkeologjike në Shqipëri ishin bërë në vitin 1418 nga Qiriaku i Ankonës, artikull që u botua në Romë në mars të po atij viti. Këtë fakt e kanë përmendur edhe studiues të mëvonshem arkeologët Dhimosten  Budina dhe Neritan Ceka dhe epigrafët Pierre Cabanes dhe Faik Drini.

Nga kjo kohë e lulëzuar e kulturës europiane vjen edhe emri i një humanisti shqiptar nga qyteti i Shkodrës, Marin Barleti. Me veprën e tij, Barleti dëshmoi se procesi i Rilindjes Europiane kishte përfshirë edhe territorin e Arbërit, proces i cili u ndërpre me invadimin osman të shekullit XV.

Barleti  jep mjaft të dhëna për dëshmitë arkeologjike në përshkrimet e kohës së tij. Në veprën e tij për jetën e Gjergj Kastriot Skënderbeut, kur bën fjalë për Kuvendin e Lezhës, ai , ndër të tjera na bën të ditur dhe emrat e qyteteve që ishin në konsideratë dhe më të përshtatshëm për organaizimin e Kuvendit dhe të Besëlidhjes Shqiptare. Midis qendrave më të rëndësishme të asaj kohe përmenden qytete si Shkodra, Kruja, Danja, Lisos dhe Zhabjaku. Madje, aty përmendet edhe Apolonia si një nga qendrat e mundshme për selinë e këtij Kuvendi. Nga kjo që na kumton Barleti, del se Apolonia në kohën e Skënderbeut, ka qenë një qendër jo pa rëndësi. Ajo përfshihej në zotërimet e Muzakajve, që ishin nga familjet shqiptare më të njohura të asaj kohe. Si e tillë,  ajo i kishte kushtet që të radhitej midis vendeve pretendente për qendrën e beslidhjes dhe të bashkimit të të gjithë bujarëve shqiptarë në luftë kundër turqve.

Në dy nga librat e tij “Rrethimi i Shkodrës” (De obsidione Scodrensi, Venecia, 1504/1505) dhe “Historia e jetës dhe veprave të Skënderbeut” (Historia de vita et gestis Scanderbegi, Venecia 1510) Barleti përshkruan me hollësi qytetin mesjetar të Shkodrës dhe kështjellën Rozafa, qytetin e Durrësit, me rrënojat e vjetra dhe muret e qytetit bizantin, qytetet dhe fortesat e  Krujës,  Lezhës, Drivastit (Drishti), Balezës, Zhabjakut e shumë të tjerë. Po përmbledhim veten një citim shumë domethënës për arkeologjinë,  i cili përshkruan fushën  e Zadrimës  me gjurmët arkeologjike të kohës romake: Dukagjinët  “…zotëronin vendin përtej lumit të Drinit, që epirotët e quajnë Zadrima e Sipërme gjer në Misinë e Sipërme, krahinë e gjërë e pjellore për prodhime, e vaditur nga burime e përrenj dhe e banuar nga burra fort trima. Atje shihen shumë gjurmë të lashtësisë, qytete ndertesa e tempuj fort të përmendur të perëndisë, të cilët tani, të sheshuar e të bërë gjithkund gërmadhë, po dergjen me shumicë përpara syve tanë. Po në atë vend  vërehen edhe përmendore prej mermeri, në të cilat mund të shikohen shumë emra perandoresh romakë dhe të tjerë, ndër këta edhe gjurmë, nga të cilat kuptohet, me një mënyrë të mjaftueshme, se po këtu apostulli Pali u ka predikuar njerëzve besimin e Krishtit ” (M. Barleti,  Historia e Skenderbeut, Tirane 1982, 120-121).

Fig. 4. Marin Barleti dhe dy veprat e tij

Studiuesit e vërtetë vijnë në territorin e Shqipërisë së pari me anglezin William Martin Leake me librin e tij Udhëtime në Greqinë e Veriut (Londër 1835) i cili përmban të dhëna për Apoloninë, Amantinë, Beratin, Orikumin dhe Butrintin etj. Menjëherë pas 1851 ishin francezët Leon Heuzey dhe H. Daumet. Ata u dërguan nga Napoleoni III me synimin për të ndjekur gjurmët e luftërave të Cezarit. Për ta bërë këtë, ata vizituan vendbanimet e Cezarit dhe Pompeut në Orikum, Apolonia dhe Dyrrachium dhe ndoqën gjurmët e lashta përgjatë Via Egnatia-s.

Për territorin e Shqipërisë Veriore dhe të Kosovës, në territorin e provincave Praevalis dhe Dardania,  vijnë informacione dhe përshkrime të rëndësishme nga arkeologu anglez me famë botërore Artur Ewans. Francezët  Hyacinthe Hecquard (1858) dhe konsulli Alexandre Degrand (1901) janë perqendruar gjithashtu ne territorin e Shqipërisë së Veriut. Për këtë territor, kontributet e konsullit austro-hungarez në Shkodër Theodor Ippen janë me interes të madh për arkeologët.

Në fillim të shekullit të 20-të në Shqipëri erdhi arkeologu austriak Karl Patsch, i cili botoi librin “Das Sanschak Berat in Albania” në vitin 1904 dhe më vonë librin tjetër “Die Illyrer” (Ilirët). Dy arkeologë të tjerë austriakë Camillo Praschniker dhe Arnold Schober mbërritën në Shqipëri në atmosferën e Luftës së Parë Botërore. Librat e tyre  “Kërkime arkeologjike në Shqipëri dhe Mal të Zi” (1918) dhe “Myzeqeja dhe Mallakastra”(1920) ruajnë ende vlera të veçanta të informacionit dhe dokumentacionit arkeologjik të monumenteve të ndryshme të antikitetit.

Gjithashtu në këtë periudhë të Luftës së Parë Botërore, Shqipëria u vizitua edhe nga dy eksplorues hungarez, etnografi Franz Baron von Nopcsa dhe arkeologu Buday Arpad.

Me ringritjen e shtetit shqiptar pas Luftës së Parë Botërore, në rrethet intelektuale të vendit lind një interes për antikitetin dhe antikitetet. Përveç Bibliotekës Kombëtare në Tiranë, rreth vitit 1920, u mblodh një koleksion objektesh arkeologjike me ndihmën e Karl Patsch. Koleksione të vlefshme arkeologjike u themeluan në veri të Shqipërisë nga priftërinjtë katolikë Padër Shtjefen Gjeçovi dhe Padër Gjergj Fishta. Një koleksion tjetër i tillë u mblodh në Elbasan (Shqipëria e Mesme) nga intelektuali Lef Nosi. Në periudhën kur në qytetin bregdetar të Vlorës (Shqipëria e Jugut) u krijua muzeu i qytetit nga Eqerem bej Vlora.

Në vitin 1925 filluan gërmimet e para në Phoinike (Finiq) antike nën drejtimin e arkeologut italian Luigi Ugolini. Tre vjet më vonë, ky arkeolog kishte zhvendosur ekipin e tij dhe gërmimet në qytetin më të afërt antik të Butrintit. Shumë shpejt kjo ekspeditë kishte arritur rezultate spektakolare, duke zbuluar teatrin, pagëzimoren, shumë ndërtesa të tjera publike të qytetit dhe skulptura shumë të bukura.

Në vitet 1924-1938 u bënë gërmime nga një ekip francez i drejtuar nga arkeologu Leon Rey dhe me pjesëmarrjen e arkeologut të parë shqiptar Hasan Ceka, në qytetin antik të Apolonisë. Gërmimet këtu ishin gjithashtu spektakolare dhe u botuan në frëngjisht në disa numra të ndryshëm të revistës “Albania”,  midis viteve 1927 dhe 1939.

Aktiviteti arkeologjik në zonë filloi vetëm pas Luftës së Dytë Botërore nga brezi i parë i arkeologëve shqiptarë Hasan Ceka, Skënder Anamali, Selim Islami dhe Frano Prendi. Ky brez hapi me sukses rrugët e para të kërkimeve sistematike arkeologjike në Shqipëri.

Fig. 5. Katër themeluesit e Arkeologjisë Shqiptare

Temat me themelore të trajtuara kane qenë :

  1. Hershmëria e banimit të territorit
  2. Epokat nga guri tek metalet baker bronx hekur, transformimet e rendesishme ekonomoko sociale
  3. Ilirët dhe Origjina e tyre
  4. Lindja dhe zhvillimi i qytetit dhe shtetit ilir.
  5. Luftërat me Romën dhe jeta nën Imperium Romanum.
  6. Impulset e Rilindjes ilire ne antikitetin e vonë dhe vazhdimsia per tek arbërit në Mesjetë.

Me fillimin e shekullit të ri,  dhe deri sot,  arkeologjia ka vazhduar të ruajë nivelin përmbajtjes shkencore. Kjo i dedikohet punës së mire të arkeologëve dhe politikës së mirë të bashkëpunimeve me ekipet e huaja, që sollën një metodologji më të përparuar kërkimi dhe cilësi më të mirë edhe në fushën e botimit.

Shumica e rezultateve të kërkimeve arkeologjike në Shqipëri janë botuar në tri revista të specializuara „“ILIRIA”, “MONUMENTET” dhe “CANDAVIA”.

Seria e revistës Iliria,  me mbi 55 volumet e saj, përbën një unitet,  ku gjen mishërim mendimi arkeologjik shqiptar. Brezat më të rinj duhet ta kuptojnë se presioni i shtetit totalitar ka sjellë here pas here,  edhe deklarime  të  konformuara detyrimisht nga politika, të cilat sot është vështirë të kuptohen. Por ajo që është e rëndësishme,  është materiali arkeologjik,  i paraqitur, i cili kurrsesi nuk e humb objektivitetin e tij. Ai mbetet një burim  i dorës së parë për sot dhe për të ardhmen.

Siç u tha në hyrje, arkeologjia ia detyron origjinën e saj,  besimit të shprehur së pari nga iluminizmi. Besimi në dijen e thelluar historike, e cila jo rrallë e magjeps natyrën njerëzore,  duke i dëshmuar asaj një cilësi universale,  atë të përkohshmërisë. Megjithëse disa arkeologë kanë kërkuar ligje të vazhdueshme të natyrës njerëzore, ose parime të sistemeve njerëzore, vitet e fundit ka pasur një rinovim të imagjinatës historike në kërkimet arkeologjike.

Arkeologët, interesat e të cilëve, vazhdojnë të qëndrojnë në rindërtimin e sekuencave të ngjarjeve, duke shpjeguar shkaqet dhe efektet e ndryshimeve shoqërore, gjithashtu janë zhvendosur në shumë arena të reja të ligjërimi humanist.

Ne  mund të konkludojmë me pohimin se,  arkeologët e studiojnë kulturën materiale në një këndvështrim humanist,  por edhe me faktin se,  arkeologjia është bërë gjithnjë e më shumë pjesë e realiteteve moderne politike.

 

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo

Lajmi i Fundit

  • Letër e hapur për kryeministrin Edi Rama nga një socialiste: Pse ti dhe ne nuk jemi më një?
  • 10 qershor 2026
  • Mushkonjat e Strasburgut, flamingot e Zvërnecit dhe fabula e Ezopit
  • Protesta si Ftesë dhe Festë
  • Çfarë përfaqëson 10 qershori për Kosovën

Komentet e Fundit

  1. Roni on Shqipëria e bukur e sheshit
  2. demo on Shqipëria e bukur e sheshit
  3. tahip on Shqipëria e bukur e sheshit
  4. Skela on Shqipëria e bukur e sheshit
  5. RROFTË 🇦🇱SHQIPERIA🇦🇱 on Shqipëria e bukur e sheshit

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?