Autoritetet serbe kanë arrestuar Dragan Vuçiçeviçin, pronarin dhe kryeredaktorin e grupit mediatik “Informer”, një prej mediave më me ndikim që mbështeste ish-presidentin Aleksandar Vuçiç, gjatë viteve të qëndrimit të tij në pushtet.
Vuçiçeviç u arrestua me urdhër të prokurorisë së Beogradit, për “shkaktimin e panikut dhe trazirave në mënyrë të përsëritur, si dhe për pengim të drejtësisë”.
Mediet serbe raportuan sot, duke iu referuar prokurorisë, se ai do të mbahet në paraburgim për një periudhë fillestare prej 48 orësh.
Arrestimi u konfirmua edhe nga Aleksandar Vuçiç gjatë një debati të tensionuar në parlament.
Lajmi u prit me duartrokitje nga deputetët e grupimit “Lista Studentore”, që fitoi zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, duke shkaktuar reagimin e zemëruar të ish-presidentit.
Ish-presidenti dha dorëheqjen nga posti përpara zgjedhjeve, me shpresën se do të bëhej kryeministër nëse partia e tij fitonte.
Megjithatë, partia e tij humbi zgjedhjet, ndërsa “Lista Studentore” siguroi shumicën absolute në parlament.
Ende nuk është formuar një qeveri e re.
Aleksandar Çupiç, kryetari i ri i parlamentit dhe anëtar i “Listës Studentore”, pritet të njoftojë së shpejti datën e zgjedhjeve të reja presidenciale.
I themeluar në vitin 2012, grupi mediatik “Informer” arrin miliona qytetarë përmes kanalit të tij televiziv, portalit të lajmeve dhe gazetës tabloide, e cila renditet ndër botimet me tirazhin më të lartë në Serbi.
Së fundmi, rregullatori serb i medieve elektronike, kufizoi transmetimin e disa programeve televizive të “Informer”, për shkak të shkeljeve të rregullave të fushatës zgjedhore.
Gjatë fushatës, mediet e këtij grupi, kritikuan vazhdimisht lëvizjen studentore, e cila në atë kohë ishte në opozitë, si dhe përdorën gjuhë fyese ndaj disa prej përfaqësuesve të saj.
Në mesin e nëntorit, rreth 100 aktivistë paraqitën një kallëzim të përbashkët ndaj Vuçiçeviçit, duke e akuzuar për vepra penale, përfshirë nxitjen e urrejtjes dhe intolerancës racore e fetare, rrezikimin e sigurisë publike, si dhe shkaktimin e panikut dhe trazirave.
