Nga Fatos TARIFA
Botuar në Dita
Pyetja që esencialisht përcakton subjektin për të cilin shkruaj sot është kjo: A është arsimimi i qytetarëve një çështje private e tyre, apo ai është parasëgjithash një preokupim i shtetit? Një Pyetje e tillë ka zënë e zë një vend qendror në historinë e filozofisë politike e të mendimit pedagogjik nga kohët më të lashta. Filozofë të ndryshëm i kanë dhënë kësaj pyetjeje përgjigjet të ndryshme dhe në periudha të ndryshme historike arsimi publik ka njohur forma të ndryshme organizimi e drejtimi.
Platoni dhe origjina e idesë së arsimit publik
Gjithçka mund të thuhet se nisi me Platonin circa 2,500 vite më parë. Vepra e tij Republika është dokumenti më i hershëm e më i rëndësishëm mbi arsimin dhe mbi atë që arsimi përfaqësonsi për individin, dhe për shtetin. Në fakt, Republica është traktati më i plotë filozofik që është shkruar ndonjëherë mbi politikën dhe arsimin. Platoni ishte i pari që hodhi dhe argumentoi dy ide shumë të rëndësishme në mendimin perëndimor: idenë mbi arsimin e detyrueshëm dhe idenë mbi arsimin e vazhdueshëm gjatë gjithë jetës—lifelong education, siç quhet ai sot në Perëndim.
Argumentimi i tij ishte i thjeshtë: Shteti ideal (që ai imagjinoi dhe për të cilin shkroi), do të kishte nevojë për invididë idealë dhe individët idealë s’mund të kishin veçse një arsimimim ideal.Platoni besonte se “arsimi është një çështje që duhet të preokupojë publikun dhe u duhet ofruar qytetarëve të të dy sekseve”. Ai e shihte shtetin parasëgjithash si një entitet edukues.
Në shtetin e tij ideal—një republikë që do të siguronte maksimumin e mundshëm të lumturisë për të gjithë qytetarët—arsimi shihej si një kusht esencial për të pasur drejtësi. Një shoqëri e drejtë, sipas tij, është ajo shoqëri që u ofron arsimin më të mire të gjithë anëtarëve të saj, sipas aftësive të tyre. “Rritja dhe arsimimi i mirë”, mendonte Platoni, mundësojnë hartimin e ligjeve të mirë dhe ligjet e mirë, që burojnë nga një arsimim i mirë, përmirësohen edhe më tej, ndërkohë që përmirësimi i tyre ndikon në kultivimin e individit”. Ai besonte se “instrumenti kryesor i një shteti për të realizuar idealet e tij është kontrolli mbi arsimin”.
Teoria e Platonit mbi arsimin në praktikë synonte përgatitjen e individit për qytetari dhe lidership; interesi parësor ishte edukimi i karakterit të tij. Në veprën e tij Ligjet, Platoni argumentonte se qëllimi kryesor i arsimit është të formojë “një dëshirë të fortë e pasionante për t’u bërë një qytetar i përsosur që di edhe si ta ushtrojë, edhe si t’i nënshtrohet një sundimi të drejte. Sipas tij, për të krijuar e ruajtur një shtet të stabilizuar, është e domosdoshme që të gjithë qytetarët e tij të jenë të arsimuar. Platoni ishte i bindur se shkaku i të gjitha të këqijave, i krimeve dhe i çdo mëkati gjendet kryesisht te injoranca dhe se vetëm përmes një arsimimi të shëndoshë mund të bëhesh një individ i virtytshëm. Sipas tij, arsimi e godet të keqen në rrënjët e saj dhee ndryshon këndvështrimin tonë për jetën.
Platoni i përmbahej pikëpamjes se funksioni kryesor i arsimit nuk është që ta mbushë shpirtin me dije, por ta drejtojë shpirtin nga dija dhe të mundësojë shfaqjen e zhvillimin e talenteve që mund të përmbajë shpirti, duke e orientuar atë në gjërat e duhura. Arsimi, sipas tij, duhet të synojë të promovojë të mirën e përbashkët dhe, për këtë arsye, ai besonte në ato masa rregullatore që janë të domosdoshme për arsimimin e qytetarëve në ato nivele që, në gjuhën e sotme, i quajmë arsim fillor dhe arsimin i lartë, duke nënkuptuar një sistem arsimor të kontrolluar nga shteti, si për djemtë, dhe për vajzat. “Nëse gratë duhet të kenë të njëjtat detyra si dhe burrat”, shkruante ai, “ato duhet të marrin të njëjtin arsim si ata”.
Platoni sugjeronte që në fazën e hershme, arsimimi i fëmijëve duhet t’i ngjajë “një lloj argëtimi”, pasi kjo do u mundësonte mësuesve të “zbulonin te nxënësit e tyre dhuntitë e gjithësecilit”. Edukimi moral duhet gjithashtu të kryhet në këtë fazë. Platoni i kushtonte mjaft vëmendje edukimit të fëmijëve si qytetarë të ardhshëm, ngaqë “drejtimi që merr fëmija në fillimet e arsimimit të tij me shumë gjasë përcakton se çdo të bëhet ai më pas në jetë” . Ai besonte se fëmija i përket shtetit dhe arsimimi i tij është një përgjegjësi e shtetit. Sipas tij, arsimi duhet të jetë i detyrueshëm për të gjithë dhe Shteti duhet të financojë për shkollat e për mësuesit, si dhe për zyrtarët e kujdestarët që ngarkohen të merren me arsimin, si kulturalisht, dhe fizikisht.
Për të vendosur nëse një i ri duhej ose jo të vazhdonte të merrte arsim të lartë në moshën 20 vjeç, ai duhej t’i nënshtrohej një testi. Kushdo që dështonte në atë test, merrej më pas me një punë të caktuar në komunitetin e tij, që nuk kërkonte shumë kualifikim, si punë prodhuese në zejtari ose në bujqësi. Ata që e kalonin këtë test, do të merrnin arsim edhe dhjetë vite të tjera duke stërvitur trupin dhe mendjen e tyre. Arsimimi në këtë faze duhej të ishte “gjimnastikë për trupin dhe muzikë për shpirtin”.Përveç ushtrimit fizik dhe edukimit moral, në këtë fazë studentët duhej të merrnin njohuri edhe në subjekte të tjera, si aritmetika, astronomia, gjeometria dhe dialektika.
Për Platonin, arsimimi i individit nuk përfundonte me kaq. Ai mund të arsimohej jo vetëm në vitet e rinisë, por edhe në moshë të rritur. Përsëri, në moshën 30 vjeç, kushdo që dëshironte, duhej të kalonte një tjetër test, një provim eliminimi, shumë më i vështirë se sa i pari. Ata që s’do të mund ta kalonin dot atë test, bazuar në aftësitë e tyre do të kryenin punë të ndryshme, si ndihmës të punonjësve të shtetit apo ushtarakë. Të tjerët, ata që e kalonin atë test me sukses, do të arsimoheshin edhe për pesë vite të tjera në dialektikë dhe, më të aftit prej tyre do të ushtroheshin për 15 vite të tjera për të fituar eksperiencë praktike në dialektikë. Ky model arsimor që sugjeronte Platoni, kërkonte arsimim e qytetarëve gjatë gjithë jetës.
Rreth moshës 50 vjeç, atyre individëve që do të mund të përballonin me sukses tërë këtë proces të gjatë e të vështirë arsimimi, duke fituar çdo “njohuri të denjë për t’u quajtur dije e vërtetë”, do të mund t’u besoheshin detyra shtetërore për të drejtuar punët e shtetit dhe jetët e bashkëqytetarëve të tyre. Këta individë, sipas Platonit, përbëjnë atë klasë shoqërore që posedon“opinionet dhe dijen e vërtetë, si dhe të gjitha llojet e virtyteve.Rrjedhimisht, vetëm atyre dhe “atëherë kur ata të ishin përsosur nga një arsimim i gjatë e në moshë të maturuar”, “do u besoheshin punët e shtetit, sepse, sipas Platonit, vetëm ata që arsimohen e trajnohen përmes këtij sistemi janë “të plotësuar fizikisht e mendërisht” dhe, ipso facto, të aftë për të vendosur drejtësinë e për të shërbyer si “mbrojtës të kushtetutës e të Shtetit”.
Platoni besonte se arsimi i vërtetë synon që t’i qytetërojë e t’i humanizojë njerëzit në marrëdhëniet mes njëri-tjetrin dhe me ata që janë nën mbrotjen e tyre dhe, përderisa “e vetmja shpresë për njerëzimin gjendet në një shtet që drejtohet nga dija filozofike”,sunduesit, të zgjedhur nga radhët e filozofëve, do ta ushtrojnë pushtetin e tyre në interesin më të mirë të shtetit. Drejtësia, thoshte Platoni, do të sundojë “kurdo dhe kudo që pushteti politik dhe urtësia filozofike gjenden bashkë”, me fjalë të tjera, kur sunduesi ose mbretëri janë “ata njerëz që kanë dhënë prova se janë më të mirët si në luftë dhe në filozofi”—luftëtarët më të guximshëm dhe filozofët më të mirë. Sipas tij, derisa filozofët të bëhen mbretër ose mbretërit filozofë, “nuk do të marin fund shqetësimet [për shtetin] dhe as për racën njerëzore. I drejtuar nga mbretër-filozofë, “i tërë shteti do të rritet si një rend i moralshëm dhe klasat e ndryshme do të gëzojnë atë lumturi që ka caktuar për to vetë natyra”.
Rusoi mbi arsimin si një çështje e rëndësishme shtetërore
Platoni qendron në themel të të gjithë mendimit filozofik perëndimor. Siç është shprehur matematikani dhe filozofi ishquar Alfred North Whitehead, e gjitha tradita filozofike europiane s’është veçse “një sërë shënimesh mbi Platonin”.Platoni, ashtu si dhe Aristoteli, trajtuan temat dhe shtruan disa prej pyetjeve më themelore me të cilat filozofët janë marë për shekuj me radhë. Popullarizimi i ideve të Platonit, sidoqoftë, nisi me Rilindjen Europiane dhe arriti kulmin gjatë epokës së Iluminizmit.
Veçanërisht idetë e Platonit mbi arsimin dhe rolin e shtetit kanë influencuar një traditë të gjatë në filozofinë politike që fokusohet në arsimin, duke identifikuar shumë prej tensioneve dhe dilemave të pazgjidhura që kanë të bëjnë me raportet mes individit, shoqërisë dhe shtetit, siç vihen re kryesisht në veprat e filozofëve të tillë si, Montaigne, Hobbes, Spinoza, Rousseau,John Dewey, John Stuart Mill, Nietzsche, e shumë të tjerë, te të cilët ndikimi i Platonit është i dukshëm
Rousseau është njëri prej tyre. Ai u bë frymëzuesi intelektual i asaj pedagogjie që sot njihet si “edukim i fokusuar te fëmija(child-centered education). Idetë e tij ishin një ndarje e rëndësishme nga teoritë politike e sociale dominuese të kohës së vet, por sa i përket arsimit publik, Rousseau ishte thellsisht i ndikuar nga Platoni. Në veprën e tij Emili, ai shkruan: “Doni të krijoni një ide mbi arsimin publik? Lexoni Republikën e Platonit. Nuk është një vepër mbi politikën…është vepra më e mirë mbi arsimin që është shkruar deri më sot”. Ashtu si Platoni,Rousseau besonte se arsimimi dhe edukimi duhet të kryhen—nga periudha e foshnjërisë të paktën deri në atë të pubertetit—në harmoni me zhvillimin e aftësive natyrore dhe interesat e fëmijës, të cilat duhen inkurajuar.
Rousseau e vinte theksin te vlerat e lirisë individuale dhe barazia, por, argumentonte ai, fëmijëve duhet t’u mësohet gjithashtu rëndësia që ka komuniteti dhe të mirat që sjell puna e përbashkët për të mirën e përbashkët. Në veprat e tij Diskur mbi Ekonominë Politike dhe Konsiderata mbi Qeverinë e Polonisë,Rousseau argumentonte përgjegjësinë e qeverisë në ruajtjen e këtyre parimeve dhe në formimin e qytetarëve patriotë, të përkushtuar ndaj vullnetit të përgjithshëm dhe ligjit. “Është arsimi”, shkruante ai, “tek i cili duhet të mbështetemi për të formuar shpirtrat e qytetarëve në një mënyrë kombëtare, për t’i orientuar opinionet e tyre, ashtu si dhe pëlqimet dhe mospëlqimet e tyre, në atë mënyrë që ato të jenë patriotike si prirje dhe pasionante”.
Rousseau besonte se “arsimi është pa dyshim një ndër çështjet më të rëndësishme të shtetit”. Sipas tij, “arsimi publik, që mbështet në rregulla të përcaktuara nga qeveria dhe kontrollohet prej nëpunësve të saj, është një ndër parimet themelore të formës popullore apo legjitime të qeverisë. Shumë nga idetë e tij, si dhe pikëpamjet e Platonit mbi arsimin, si zhvillimi i arsyes dhe përgjegjësia e shtetit për këtë, mbeten edhe sot sugjerime dhe sfida për sistemet arsimorë.
Arsimi, formimi i kombeve dhe i shtetit modern
Në mesin e shekullit të 19-të Shteti ishte bërë një aktor qendror në sistemet arsimorë thuajse në të gjitha vendet e Perëndimit. Siç vinte në dukje Herbert Spencer në atë kohë,“përgjegjësia e Shtetit për arsimin në ditët e sotme është një fakti pranuar nga të gjithë”. “E vetmja gjë për të cilën mund të diskutohet”, pohonte ai, “është se deri ku dhe si shtrihet përgjegjësia e tij”. Spencer konstatonte se “përgjegjësia e shtetit për arsim të përgjithshëm kishte ardhur duke u rritur…nga klasat e para në arsimin e mesëm, duke përfshirë, në shumë shtete,edhe dy vitet e para të studimeve në kolegj. Përveç kësaj, shumë shtete po merrnin mbi vete përgjegjësinë për zgjerimin e programeve për arsimimin e të rriturve”.
Le të kujtojmë se krijimi i sistemit modern të arsimit publik në Perëndim, në fund të shekullit të 18-të dhe gjatë shekullit të 19-të, ka qenë esencialisht një vepër e shtetit. Qysh nga koha e Reformimit të Kishës Katolike e këtej, aktorët private askund në Europën Perëndimore nuk kishin resurset e nevojshme dhe as arsye për të mbështetur një sistem publik të arsimit të përgjithshëm. Kjo u bë e mundur vetëm nga shtetet, në nivel kombëtar e lokal. Edhe pse për të ndërtuar sistemet e tyre të arsimit kombëtar shtetet shpesh herë u mbështetën në iniciativa private, ata u bënë dhe mbetën aktorët kryesorë.
Pavarësisht synimeve të ndryshme që motivuan shumë reformatorë socialë të lobonin për ngritjen e sistemeve të arsimit publik në vende të ndryshëm, apo grupeve të ndryshëm fetarë që kërkonin të krijonin shkolla që promovonin besimet e tyre, krijimi i sistemeve arsimorë kombëtarë i shërbente, në radhe të parë, forrmimit e forcimit të shteteve kombëtarë.
Shekujt e 18-të dhe 19-të njohën zhvillimin e shumë tipareve të përgjithshme të shtetit modern në Europë—sistemin e burokracisë qendrore, formimin e ushtrive kombëtare, sistemet kombëtarë të taksimit—përfshirë edhe përpjekjet e para në drejtim të krijimit të sistemeve të arsimit publik me shkolla të financuara nga shteti, bazuar në një legjislacion kombëtar dhe në kurrikula të miratura nga shteti.
Siç vumë në dukje më sipër, arsimi, vlerësohej si një mjet i rëndësishëm për krijimin dhe konsolidimin e shteteve kombëtarë. Ai ishte esencial jo vetëm për të diplomuar punonjësit e administratës publike, në një kohë kur aparati burokratik në rritje i shtetit dhe ushtria kishin nevojë për ta, por edhe si një instrument i fuqishëm për promovimin e identiteve kombëtarë e të kulturave kombëtare, me synim sigurimin e luajalitetit politik të qytetarëve sipas imazhit të kasës sunduese në çdo shoqëri.
Nuk mund të mohohet se roli qendror i arsimit në shoqëritë moderne është kryesisht pasojë e veprimtarisë së shtetit.Momenti vendimtar për konsilidimin e sistemeve të arsimit publik masiv nën kontrollin e drejtpërdrejtë të shtetit erdhi pas revolucioneve në Amerikë dhe në Francë kur, thuajse në të njëjtën kohë në Perëndim, u krijua shteti kapitalist modern, edhe pse në forma të ndryshme regjimi, si republika e Shteteve të Bashkuara apo perandoria napoleonike në Francë, Prusia junkeriane apo Hollanda.
Rëndësia e arsimit publik erdhi duke u rritur bashkë me intensifikimin e procesit shtetformues dhe zhvillimi i tij ishte më dinamik në ata vende e në ato periudha ku—dhe kur—ky proces shtetformues u krye në kushtet e trazirave të mëdha sociale e politike, si në Shtetet e Bashkuara apo në Francë, si dhe në ata vende që po kryenin një tranzicion nga regjime absolutistë në forma të reja ekonomike e politike, si vendet skandinave. Por ky proces u kryes edhe në vende ku shteti u angazhua drejtpërsëdrejti në një proces industrializimi të drejtuar “nga lart”, si në Prusi dhe, në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të, në rajone të tjerë të botës, kryesisht në Azinë Lindore —në Japoninë vitet 1870 e më pas dhe në ato që njihen si East Asian“tigers”—Kore e Jugut, Taivan, Hong Kong dhe Singapore, nga fillimi i viteve 1950 deri në vitet 1990.
Një rast domethënës është roli që ka luajtur shteti në unifikimin, centralizimin dhe modernizimin e sistemit arsimor në Turqi qysh nga krijimi i Republikës Turke më 1923. Duke nisur nga ai moment historik, një ngjaje shumë e rëndësishme në historinë e sistemit arsimor të Turqisë ishte Ligji për Unifikimin e Arsimit i vitit 1924, që hodhi themelet e një sistemi të ri arsimor kombëtar e laik, modeluar sipas sistemeve europianoperëndimorë. Arsimi u vlerësua si një funksion i rëndësishëm i shtetit në përpjekjet modernizuese të republikës së re turke dhe si një mjet për të krijuar një komb të ri, mbështetur mbi një kulturë të vetme, mbi një identitet të vetëm etnik, mbi një fe dhe një gjuhë. Një vizion dhe një politikë e tillë synonin forcimin e kombit turk, krijimin e mundësive për të gjithë qytetarët dhe të një ndjenje përfshirjeje e përkatësie.
“Tigrat” e Azisë Lindore: Një shembull domethënës
Por le t’u kthehem për një çast katër “ekonomive tiger” të Azisë Lindore si shembuj të jashtëzakonshëm të një suksesi të pashembullt, në të cilin roli i qeverisë ka qenë vendimtar. Këta vende përfaqësojnë shembuj të rindërtimit apo të formimit të shtetit në kushte kur ekzistenca e tij ishte në pikëpyetje: në Korenë e Jugut për shkak të Luftës së Ftohtë, që e ndau gadishullin Korean në dy pjesë në fund të viteve 1940; në Taivan për shkak të shkëputjes së atij ishulli nga Kina më 1949; në Singapor për shkak të territorit të vogël dhe pamundësisë në dukje të atij vendi për të qenë një shtet sovran pasi u shkëput nga sundimi britanik dhe, më 1965, nga Malajzia, për t’u bërë një shtet i pavarur.
Historitë e këtyre vendeve janë vërtet histori suksesi. Sistemet e tyre arsimorë—të dizenjuar me kujdes, të financuar e të menaxhuar nga qeveritë e tyre—njohën një zhvillim të shpejtë,duke u bërë një forcë e vërtetë shtytëse për zhvillimin dramatik të këtyre shteteve. Shtetformimi i suksesshëm i tyre dhe zhvillimi i jashtëzakonshëm ekonomik që këta vende njohën u bënë të mundur, në një masë të madhe, për shkak të kërkesave të mëdha për zhvillimin e arsimit publik dhe investimeve shtetërore në këtë sektor, si dhe për shkak të një entuziazmi të madh të popullsisë së këtyre vendeve për të marë arsim, i njohur si “ethet për arsim” (education fever).
Në ekonominë e sotme të dijes, impakti i fortë që ka cilësia e arsimit në mundësitë për progres social dhe ekonomik është i dukshëm. Nuk është e rastit që katër “Tigrat e Azisë” janë sot jo vetëm ndër ekonomitë më të zhvilluara të globit. Në një botë gjithnjë e më të pasigurt, si kjo në të cilën jetojmë, ekonomitë e këtyre vendeve janë më “hiperkonkurrueset”. Arsimi, pa asnjë dyshim, ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në mbështetje të aftësisë konkurruese të këtyre vendeve në tregjet globale.
Suksesi ekonomik i tyre u atribuohet një sërë faktorëve, që kolektivisht mund të përfshihen në konceptin e “kapacitetit shtetëror” (state capacity), një term i huazuar nga teoria e zgjedhjes publike (public choice theory) dhe i shoqëruar me një argument gjerësisht të përhapur në sociologjinë fiskale, në histori dhe në ekonominë politike sa i përket procesit të zhvillimit ekonomik dhe rolit të shtetit në këtë proces. Në të gjithë këta shtete, faktorë të tillë kanë qenë politika makroekonomike të fokusuara në industri të orientuara nga eksporti dhe investime të huaja; “regjime tiger” “tiger regimes” të drejtuar nga liderë autoritaristë; një mbështetje joortodokse nga qeveritë e tyre për indurstitë private përmes subvencioneve dhe zhvillimit të infrastrukturës dhe, sidomos, përmes investimeve të mëdha e në rritje për zhvillimin e kapitalit njerëzor, faktori më i rëndësishëm i të cilit është arsimi.
Duke e çmuar rëndësinë e një fuqie punëtore të arsimuar e të kualifikuar, qeveritë e Hong Kongut, Sigaporit, Koresë së Jugut e Taivanit për dekada me radhë u kanë dhënë përparësi arsimimit dhe zhvillimit të aftësive, duke investuar në mënyrë të konsiderueshme në sektorin e arsimit e në fushën e kërkimit e të zhvillimit, duke mundësuar që fuqia punëtore në këta vende të jetë shumë mirë e arsimuar, e specializuar, efiçiente dhe e adaptueshme ndaj realiteteve të reja ekonomike. Në vitin 2022, shpenzimet për arsimin në Korenë e Jugut zinin 14.31% të të gjitha shpenzimeve buxhetore në të gjithë sektorët (përfshirë shëndetsinë, shërbimet sociale etj). Për Hong Kongun dhe Singaporin këto përqindje ishte përkatësisht 14.86% dhe 13.06%, më të larta se ato të çdo vendi anëtar të Bashkimit Europian. Këta vende kanë krijuar institucione arsimore që renditen ndër më të mirat në botë, duke tërhequr talente të klasit më të lartë nga të kater anët e botës.
Arsimi është një faktor themelor për zhvillimin ekonomik e shoqëror dhe për mirëqenien e çdo shoqërie, si për pasurinë e kombit, ashtu dhe për mirëqenien ekonomike të çdo individi e të çdo familjeje. Arsimi është, po ashtu, një faktor ndër më të rëndësishmit për të ngushtuar pabarazitë ekonomike e sociale, për t’i ndihmuar qytetarët të realizojnë sa mirë potencialet e tyree për të rritur shanset për barazi dhe përfshirje.
Siç kam venë në dukje edhe më parë, dija është produkti ynë më i rëndësishëm. Suksesi i pothuajse të gjitha produkteve dhe industrive të tjera varet prej saj, por vlera e saj nuk është vetëm ekonomike. Krijimi, përhapja, aplikimi dhe ruajtja e dijes janë aktivitetet kryesore të një civilizimi. Dija është memorie sociale, një lidhje me të shkuarën; por ajo është edhe shpresë sociale, një investim për të ardhmen. Aftësia për të krijuar dije dhe për ta përdorur atë është karakteristika adaptuese e qenieve njerëzore. Është përmes dijes që ne, si qenie humane, riprodhojmë vetveten dhe përsosemi gjithnjë e më shumë.
Tri shkolla mendimi
Në ditët tona arsimimi i njerëzve shihet kryeisht si shkollim formal. Gjatë shekullit të 20-të, arsimimi i financuar nga shtetit u bë një normë për të gjithë vendet e industrializuar. Në Shtetet e Bashkuara, 85% deri 90% e fëmijëve arsimohen në shkolla të financuara e të menaxhuara nga shteti. Statistika të ngjashme gjejmë për vende të tjerë anembanë globit. Mjaft studiues që mbështeten në teorinë e zgjedhjes publike vazhdojnë të shtrojnë pyetje normative sa i përket avantazheve të rolit të shtetit në arsim, pyetje që, në fakt, janë bërë gjatë këtyre më shumë se 100 viteve të fundit, ndërkohë që të tjerë fokusohen në konceptin e autoritetit si një çështje primare që lidhet me tensionet mes arsimit dhe shtetit.
Debatet mbi rolin e shtetit demokratik në promovimin e arsimit janë fokusuar kryesisht në tre role të ndryshëm. Një shkollë mendimi është ajo që argumenton se roli i shtetit është që të sigurojë që prindërit të garantojnë se fëmijët e tyre vihen në rrerthana kur ata mund të marrin arsim e të edukohen për një periudhë të caktuar, ose derisa të arrihet një nivel i caktuar arsimimi. Roli prioritar i prindërve në këtë proces ishte pikërisht pozita që mbronte John Stuart Mill.
Për ata që nuk janë të familjarizuar me pikëpamjet e tij mbi arsimin në veprë Mbi Lirinë (On Liberty), duhet thënë se Mill e nis arsyetimin e tij duke me pyetjen nëse shteti duhet ose jo të“kërkojë e të detyrojë arsimimin, deri në një standard të caktuar, të çdo qenieje njerëzore që lind si qytetar i tij. Duke i dhënë ai vetë një përgjigje afirmative kësaj pyetjeje, Mill pohon më tej se është një detyrë “e shenjtë” e prindërve që t’i japin fëmijës të tyre “një arsimim të përshtatshëm për të, në mënyrë që ai të bëhet i denjë në jetë për veten e vet dhe për të tjerët”.
Por si mund të pajtohen me njëri-tjetrin këta dy parime? Mill shprehet qartë kur thotë se askush “nuk duhet të sjellë në jetë një fëmijë nëse nuk ka një perspektivë për të, jo thjesht duke i dhënë ushqim për trupin e tij, por edhe mësim e trajnim për mendjen e tij”. Prindërit që nuk e përmbushin këtë detyrim, mendonte ai, kryejnë një “krim moral si ndaj krijesës së tyre të pafat, ashtu dhe ndaj shoqërisë” dhe shteti duhet të ndërhyjë e t’u ofrojë fëmijëve të tillë atë çfarë prindërit nuk ua japin dot, si për të mirën e fëmijës, dhe për të mirën e shoqërisë në tërësi. Një ndërhyrje e tillë nga ana e shtetit (për të përmbushur detyrën e prindërve), arsyetonte Mill, duhet t’u ngarkohet [financiarisht] “sa është e mundur, prindërve”.
Sidoqoftë—dhe kjo është më kryesorja—ndërsa Mill argumenton se është detyra e shtetit që të garantojë arsimin e përgjithëm, kjo, sipas tij, nuk është e njëjtë si të thuash se është shteti ai që duhet ta ofrojë këtë arsimim. Në fjalët e tij, arsyeja pse duhet bërë ky dallim është se “një arsim i përgjithshëm shtetëror do të bënte që njerëzit të modeloheshin për të qenë të gjithë njëlloj, ekzaktësisht si njëri-tjetri…çka krijon një despotizëm mbi mendjen. Sipas tij, “një arsim i krijuar dhe i kontrolluar nga shteti do të duhej të ekzistonte, nëse do të ishte e domosdoshme, vetëm si një ndër shumë eksperimentet në këtë drejtim, me qëllim krijimin e një shembulli e të një stimuli për t’i mbajtur modelet e tjerë në një standard ekselence”.
Një tjetër shkollë mendimi është ajo që shprehet në favor të një kontrolli të plotë nga shteti të kurrikulave shkollore, të përmbajtjes së teksteve mësimorë, të metodave pedagogjike, të akreditimit dhe të emërimeve të personelit mësimor e akademik në shkolla e në univeristete, në funksion të perceptimeve të vetë qeverisë mbi nevojat kombëtare në fushën e arsimit. Shtetet totalitaristë të shekullit të 29-të—të tipit fashist apo komunist—e intensifikuan këtë kontroll në shkallë të panjohura më parë.
I rritur dhe i arsimuar në Shqipërinë socialiste dhe, më vonë, për disa dekada, duke dhënë mësim si pedagog në Universitetine Tiranës, autorit i këtyre radhëve ka një eksperiencë personale të drejtpërdrejtë në atë shoqëri distopike orwelliane, në të cilën e gjithë jeta akademike, si çdo sferë tjetër e jetës, ishte nënvëzhgimin e rreptë të Big Brother.
Në kushtet e asaj kohe, kurrikulat shkollore të të gjitha niveleve, përfshirë edhe ato të arsimit të lartë në disiplina thumane e ato sociale, tekstet, madje edhe autorët e tyre, duhej të miratoheshin zyrtarisht nga një drejtori e posaçme në aparatin e Komintetit Qendror të Partisë dhe, domosdo, nga ministria e Arsimit. Të gjithë ne, studiuesit e shkencave sociale dhe akademikët e tjerë, pavarësisht opinioneve të ndryshëm që mund të kishim, kërkohej të mendonim pak a shumë njëlloj, duke u identifikuar si marksistë, pasi askush nuk mund të ishte anti-marksist, ose jomarksist, nëse donte të kishte një punë, të merrte një rrogë, të kishte shokë, me një fjalë, të jetonte i lirë.
Opinionet dhe interpretimet e ndryshme mbi realitetin shoqëror mund të toleroheshin vetëm në kuadër të botëkuptimit materialist historik. Çdo pikëpamje që dilje jashtë kuadrit teorik të Marksizmit ishte e pamundur. Idetë që mund të vinin në kundërshtim me teorinë marksiste konsideroheshin“pseudoshkencore” ose “antishkencore”, “regressive” dhe“reaksionare”. Nga ana tjetër, uniformiteti i opinioneve shihej si një shenjë e solidaritetit organik të shoqërisë dhe e unitetit të saj rreth Partisë, njëlloj si 99.99% e votave në favor të kandidatëve të Frontit Demokratik (lexo: Partisë së Punës), që e çimentuan atë parti në pushtet për 45 vite me radhë, ose njëlloj si 99.99% e votave të koreanoveriorëve sot, që e mbajnë ende në pushtet dinastinë komuniste të familjes Kim Il-sung, Kim Jong-il dheKim Jong-për një treçerek shekulli.
Një shkollë e tretë mendimi i përmbahet pikëpamjes se roli i shteti duhet të konsistojë në mbështetetjen financiare të arsimit dhe ofrimin e arsimit për të gjithë, duke ua lënë çështjet e kurrikulave, aspektet pedagogjike dhe standardet për akreditim ekspertëve të fushës së arsimit. Në fakt, roli i ekspertëve në arsim fitoi terren në vendet anglishtfolëse gjatë viteve 1970 dhe1980, derisa dobësitë e vena re çuan në marrjen përsipër nga qeveritë e atyre vendeve të përgjegjësive të reja në çështje të arsimit parauniversitar dhe në “pranimin gjithnjë në rritje të rëndësisë së rolit të shtetit në arsim, para së gjithash, në hartimin dhe zbatimin e politikave arsimore”.
Nga gjithë sa u tha më sipër, mund të shtrojmë disa pyetje:Çfarë pushteti duhet të ketë shteti në fushën e arsimit? Përse vendos—ose duhet të vendosë—një qeveri në lidhje me shkollat? Sa kontroll duhet të ushtrojë shteti në ato se çfarë mësojnë fëmijët në kopshte dhe në klasë deri në klasën e 12–të? Kanë—apo duhet të kenë—institucionet e arsimit të lartë një lirimë të madhe kur bëhet fjalë për kurrikulat akademike?
Do e lë pa trajtuar këtë çështje të fundit pasi ajo lidhet me lirinë akademike, një koncept i pranuar thuajse universalisht si një element thelbësor i misionit të çdo universiteti. Këtu mjaftohem të them se Shoqata Amerikane e Profesorëve tëUniversiteteve (American Association of University Professors) e përkufizon lirinë akademike si “lirinë e një pedagogu ose kërkuesi shkencor në arsimin e lartë për të studiuar dhe diskutuar çështjet e fushës së tij akademike dhe të japë mësim ose t’i publikojë gjetjet e studimeve të tij pa ndërhyrjen e figurave politike, të bordeve të të besuarve, të donatorëve apo entiteve të tjera”. Shoqata në fjalë thekson se liria akademike mbron të drejtat e stafit akademik për t’u “shprehur lirisht kurmarrin pjesë në institucione drejtuese, si dhe të shprehen lirisht si qytetarë”.
Pyetjet e mësipërme janë të rëndësishme e legjitime dhe kanë nevojë për përgjigje. Përgjigjet për to nuk janë të lehta dhe as varen nga pikëpamjet e njërit apo tjetrit. Edhe pse përgjigjet që mund t’u jepen pyetjeve të tilla variojnë, një gjë është e sigurt: Arsimi është tepër i rëndësishëm jo vetëm për individin, por për çdo shoqëri. Kjo është arsyeja që arsimi përmendet në kushtetutat e të gjitha shteteve dhe është pikërisht ky kontekt i rëndësishm kushtetues në të cilin diskutojmë këtu për raportet mes arsimit dhe shtetit.
Të mos harrojmë: thuajse kudo arsimi është, në pjesën më të madhe, i financuar nga shteti, nga organet qeverisëse qendrore apo lokale, përmes proceseve vendimmarrëse legjislative e politike. Në fakt, arsimi përbën pjesën më të madhe të shpenzimeve publike në një pjesë të madhe të vendeve të botës.Qoftë edhe vetëm ky fakt justifikon rolin e shtetit dhe autoritetin e tij në emërimin e nëpunësve në pozita drejtuese në organet ekzekutive që merren me arsimin, edhe pse disa prej tyre kërkojnë miratimin e legjislativit.
Qeveritë gjithashtu emërojnë njerëzit që shërbejnë në borde e në komisione shtetërorë që ndikojnë në sektorin e arsimit. Po përsa i përket asaj që quajmë “dije përmbajtësore” (contentknowledge), me çka kuptohet ajo dije dhe ai informacion (fakte,koncepte, teori dhe parime) që ofrohen e mësohen—ose duhet të ofrohen e të mësohen—në lëndë të veçanta akademike: në arte dhe humanitetet, në matematikë, në shkencat sociale etj? Kush duhet të vendosë për këto çështje? A duhet ato—në shkollat publike e ato private—t’u lihen në dorë vetëm mësuesve? A kanë të gjithë mësuesit, ose shumica e tyre, dijen përmajtësore dhe atë pedagogjike më të mirë, ose të domosdoshme për të marë vendimet më të mira sa i përket, ndër të tjera, materialeve shkollore, qasjeve pedagogjike, vlerësimit të studentëve?
Unë mendoj se arsimi është shumë i rëndësishëm për t’ua lënë në dorë vetëm mësuesve apo drejtuesve të shkollave. Arsimi është një përgjegjësi që rëndon mbi supet e shumë aktorëve—prindërit, mësuesit, ekspertët e çështjeve arsimore, bordet arsimore dhe agjencitë shtetërore që merren me arsimin, organet legjislative dhe vetë qeveritë. Nuk ka asnjë vend, ndër ata që unë njoh, ku qeveria të ketë hequr dorë nga detyrat dhe përgjegjësitë e saj ndaj arsimimit të popullsisë, ndaj mësuesve, ekspertëve të arsimit dhe institucioneve arsimore.
Shteti gjithnjë ka qenë përgjegjës për sistemin arsimor parauniversitar (K-12) për të garantuar aksesin në të dhe përballueshmërinë e arsimimit për të gjithë qytetarët e vet.Pavarsërisht opsioneve të ndryshme që kanë familjet në shumë vende, si shkollat private, shkollimi në familje (homeschooling) apo shkollat “charter”, që kanë më shumë liri sesa shkollat publike tradicionale, këto të fundit vazhdojnë t’i shërbejnë pjesës më të madhe të popullsisë thuajse në çdo vend. Rrjedhimisht, shteti duhet të vazhdojë të mbështesë e të transformojë sistemin e arsimit publik parauniversitar për t’iu përgjigjur kërkesave të një bote që zhvillohet në një mënyrë dinamike.
Por si? Ka shumë mënyrë përmes të cilave qeveritë mund të ndihmojnë arsimin, madje edhe ta drejtojnë reformimin e sistemit arsimor. Përveç mbledhjes së statistikave që kanë të bëjnë me arsimimin e popullsisë, përdorimit të një sistemi kompleks mekanizmash shtetërorë financimi nga të ardhurat e taksave në nivel qendror e lokal dhe direktivave për zbatimin e politikave arsimore, që fokusohen në mosdiskriminim dhe në ofrimin e një arsimi cilësor për të gjithë, në mënyrë që asnjë fëmijë të mos mbetet pas, qeveritë kanë gjithashtu kapacitete të shumta, që mund t’i quanim soft power, për të ndikuar në atë se çfarë, si dhe ku duhet të studiojnë nxënësit dhe duke forcuar e modernizuar sistemin arsimor, nga ai parashkollor deri në përfundim të arsmit të mesëm.
Gjithçka mund të thuhet se lidhet me rritjen e investimeve shtetërore për të përfituar nga avantazhet dhe vlera që ofron sistemi i arsimit publik ndërsa adresohen—dhe punohet të gjenden zgjidhje për—sfidat me të cilat ndeshen vetë sistemi, studentët, familjet, arsimtarët dhe e tërë shoqëria në këto dekada të shekullit të 21-të. Sfidat janë të shumta dhe variojnë nga arsimimi i detyrueshëm tek ai universitar e pasuniversitar. Ato kërkojnë që politikëbërësit, ekspertët e çështjeve arsimore,mësuesit dhe pedagogët e universiteteve të mendojnë e të gjejnë mënyra inovative se si mundet nxënësit e të gjitha niveleve dhe studentët të përftojnë sa më shumë njohuri teorike, shprehi dhe aftësi praktike të domosdoshme në këtë epokë digjitale që ka ndryshuar e po ndryshon nga dita në ditë jo vetëm mënyrat tradicionale me të cilat mësuesit jepnin mësim dhe nxënësit e studentët mësonin, por edhe vetë kuptimin që kemi sot për arsimin.
Sfidat e sotme të arsimit si mundësi për të ardhmen
Më poshtë fokusohem në disa prej dilemave e sfidave që kanëtë bënë me efektet e shumta të Internetit e të Inteligjencës Artificiale (AI) në arsim në ditët tona dhe në të ardhmen e afërt—një e ardhme që bëhet gjithnjë e më e vështirë, në mos e pamundur të parashikohet. Në ditët tona, funksionet tradicionare të shkollës e të universitetit si agjentë të diseminimit të dijes dhe si agjentë socializues janë sfiduar e sfidohen në një masë të madhe e seriozisht nga Interneti. Interneti është bërë pjesë integrale e jetës pothuajse të çdo individi, një hapësirë ku njerëzit punojnë, luajnë, komunikojnë dhe mësojnë.
Kufijtë që ndajnë sot jetën fizike nga ajo digjitale janë bërë thuajse të padukshëm. Teknologjitë e reja të infomimit e të komunikimit po i sfidojnë seriozisht sistemet arsimorë në të gjitha nivelet, duke i zhbërë metodat tradicionale të mësimdhënies e të mësuarit. Sot është bërë urgjentisht e domosdoshme që këto metoda të përshtaten e të transformohennë përputhje me mundësitë dhe resurset e reja e të panumërt që sot janë të aksesueshme nga kushdo në një ekonolgji të re të mësuari.
Brezat e sotëm të nxënësve e studentëve—Gen Z dhe Gen Alpha—janë shumë të ndryshëm nga brezat e mëparshëm. Ata nuk janë nxënësit e studentët për të cilët është krijuar sistemi arsimor në dekadat e fundit, pavarësisht refomimeve që i janë bërë atij nga koha në kohë. Siç vë në dukje me të drejtë Marc Prensky, nxënësit dhe studentët e sotëm “kanë ndryshuar jo thjesht gradualisht në dallim nga ata para tyre, kanë ndryshuar jo thjesht vokabularin e përditshëm, veshjen, tatutë në lëkurë, apo stilin e flokëve, siç ka ndodhur me brezat e rinj edhe në të kaluarën. Sot ka ndodhur një diskontinuitet i madh, që po ndryshon çdo gjë kaq thellësisht, sa një kthim pas është bërë absolutisht i pamundur”.
Për shkak të sasisë së madhe të informacionit që gjendet në Internet dhe marrëdhënies së tyre me të, nxënësit dhe studentët e sotëm e procesojnë informacionin që marrin dhe mendojnë në një mënyrë krejt të ndryshme nga brezat e mëparshëm, përfshirë dhe prindërit e mësuesit e tyre. Kjo do të thotë që qasja jonë ndaj të mësuarit dhe metodave të mësimdhënies për të krijuar e zgjeruar tek ata një “inventar” dijesh e shprehish praktike të domosdoshme duhet të udhëhiqet jo vetëm nga “oferta”, siç ka ndodhur tradicionalisht, por edhe nga “kërkesa”, duke i fokusuar përpjekjet tona në pjesëmarrjen e nxënësve e të studentëve në veprime të tilla, që synojnë e motivojnë si përvetësimin pasionant të njohurive thelbësore e të qendrueshme, ashtu dhe reflektimin kritik mbi dijet e fituara në mënyrë që, përmes socializimit dhe arsimimit formal, ata të bëhen pjesëmarës aktivë në shoqëri.
Interneti është bërë e po bëhet gjithnjë e më shumë një burim që jo vetëm e stimulon, por edhe e ndihmon të mësuarit. Edhe pse beteja për kontrollin mbi Internetin do të vazhdojnë dhe, po kështu, debatet mbi anonimitetin online, nuk ka dyshim se Interneti e zhvillon inteligjencën tonë—nuk na bën budallenj—dhe se ai po ndryshon e do të ndryshojë, gjithashtu, funksionet e të lexuarit e të shkruarit, duke mundësuar përdorimin e pajisjeve“smart” e të aplikacioneve që sot as që mund t’i imagjinojmë dot.
Fatkeqësisht, shumica prej nesh, brezi i të rriturve dhe mësuesit e pedagogët, vazhdojmë ta injorojmë, ose refuzojmë ta pranojmë këtë realitet të ri, sepse shumë prej nesh nuk janë në gjendje që ta përballojnë atë. Faktet, sidoqoftë, janë kokëfortë dhe jo pa pasoja. Nxënësit dhe studentët e sotëm janë rritur me Internetin dhe teknologjinë digjitale, pra në një mjedis social teknologjikisht të ndërlidhur. Ata janë një “Net Generation”(Net Gen). Mënyrat se si ata kërkojnë informacion dhe komunikojnë ndryshojnë shumë nga ato të brezit të prindërve e mësuesve të tyre.
Ata janë të lidhur me komunikimin elektronik përmes kompjuterit, telefonave “smart” dhe rrjeteve socialë virtualë. Bota e tyre, në një masë të madhe, është në “infosphere”, një botë në të cilën kufijtë mes punës, shtëpisë dhe argëtimit kanë rënë. Nëse duan të marrin informacion, ata janë praktikë dhe priren ta marrin shpejt rezultatin që kërkojnë në Web. Google,Wikipedia dhe ChatGPT janë bërë burimet e tyre kruesore të informacionit, siç janë bërë email, telefoni celular, mesazhet e atypëratyshme (instant messaging) dhe rrjetet sociale pjesë integrale të jetës së tyre. Shumica e tyre nuk kanë jetuar kurrë pa një kompjuter. Nxënësit dhe studentët e këtij brezi përbëjnë shumicën e njerëzve që përdorin bibliotekat digjitale. Ata shfrytëzojnë avantazhet që ofron teknologjia e sotme dhe kërkojnë informacion të menjëhershëm, duke preferuar të mësuarit aktiv dhe procesimin virtual të informacionit që marrin.
Një ndër sfidat pedagogjike më të mëdha për shkollat dhe universitetet në kohën tonë është, siç shprehet profesori i Harvardit Louis Menand, “të ndryshuarit e modelit linear të transmetimit të dijes—leksioni monolog, në të cilin një linjë e vetme mendimi rezulton, pas pesëdhjetë minutash, në një klimaks intelektual—për t’iu përshtatur një brezi nxënësish e studentësh që janë mësuar tashmë të marrin informacion të shpejtë nga burime të shumta”. Ne sugjerojmë se përballimi i një sfide të tillë kërkon vëmendjen tonë në dy elementë kryesorë.
Së pari, në përdorimin efektiv të metodave të mësimdhënies.Të mësuarit e të arësyetuarit mekanik thjesht përmes memorizimit të informacionit që ofrohet në klasë apo në autidor në mënyrë të përsëritur nga mësuesi apo pedagogu është krejt i pamjaftueshëm për të mësuar sa dhe si duhet, si dhe për të zhvilluar aftësitë e nevojshme praktike dhe ato për zgjidhjen e problemeve. Siç ve në dukje John Bransford, “ne u themi studentëve të njejten gjë njëqind herë. Herën e njëqind e njëjtë u kërkojmë atyre të thonë nëse e mbajnë mend çfarë u kemi thënë njëqind herët e para.
Sidoqoftë, në shekullin e 21-të, testi i vëretetë i rigorozitetit është nëse studentët janë në gjendje të shohim një material që nuk e kanë parë më parë dhe të dinë ç’të bëjnë me të”. Eksperimente të ndryshëm në psikologji dhe në neuroshkencë kanë dëshmuar se dije e qendrueshme është ajo që fitohet jo thjesht përmes memorizimit të informacionit, por kryesisht përmes angazhimit aktiv me informacionin më të fundit përmes të arsyetuarit analitik e kritik dhe eksperimentimit.
Së dyti, në shfrytëzimin e avantazheve që ofrojnë teknologjitëmë të reja të informimit e të komunikimit. Në të shkuarën, të ishe një mësues ose një pedagog në universitet do të thoshte, veç të tjerash, të merrje njohuri kryesisht nga leximi i librave në bibliotekë, që nuk ishin të aksesueshëm për këdo. Sot, kur dija teknologjike dyfishohet në çdo dy vjet, një pjesë e kësaj esoterica gjendet, sa hap e mbyll sytë, në Wikipedia, në qindra biblioteka digjitale ose në Internet Archive. Për më tepër, informacioni i ri shkencor e teknologjik nuk është më një avantazh apo privilegj ekskluziv vetëm i mësuesve, pedagogëve apo kërkuesve shkencorë. Në fakt, një numër i madh mësuesish e pedagogësh po bëhen përherë e më shumë të pasigurt për njohuritë dhe aftësitë e tyre dhe, ipso facto, të paaftë për drejtuare ndihmuar zhvillimin intelektual e professional të nxënësve e studentëve të tyre.
Narrativa e sotme mbi mësimdhënien dhe të mësuarit në shkolla, përfshirë edhe ndërveprimet mësues-nxënës apo student-pedagog, është krejt e ndryshme nga narrativat e së shkuarës, madje edhe prej asaj të tredhjetë apo njëzet viteve më parë. Ndërsa mësuesit dhe pedagogët e ditur e të aftë janë të domosdoshëm për t’i shtuar mundësitë e nxënësve e të mësuesve për të mësuar, hendeku mes kërkesave të këtyre të fundit për njohuri të reja, nga njëra anë, dhe njohurive që janë në gjendje t’u ofrojnë mësuesit e tyre, nga ana tjetër, bëhet gjithnjë e më i thellë.
E vërteta e zhveshur është kjo: Sot, çdo student dhe shumë nxënës përdorin Inteligjencën Artificiale (AI), shumë pedagogë dhe shumica e mësuesve nuk e njohin dhe, pra, nuk e përdorin atë. Kjo nënkupton, pa hezituar ta themi, se studentët e sotëm janë më përpara se shumë nga pedagogët e tyre. Dhe ata e ndiejnë dhe e kuptojnë më mirë se ne se ç’pritet të sjellë e ardhmja. Nëse kjo situatë nuk ndryshon, ne, si mësues, do të shpërdorojmë e humbasim një mundësi unike për t’i orientuar e ndihmuar nxënësit dhe studentët e sotëm të shfrytëzojnë potencialin e madh që ofron Inteligjenca Artificiale, ndërkohë që u mësojmë atyre të mendojnë në mënyrë racionale e kritike edhe mbi kufizimet dhe pasojat e saj.
Kjo është “një sfidë që s’e kemi njohur asnjëherë më parë në historinë e njerëzimit dhe ne mund të imagjinojmë se një dekadë më vonë, Inteligjenca Artificiale do të jetë kaq shumë e integruar në jetët tona, sa debatet tona rreth saj do jenë krejtësisht ndryshe nga debatet që bëjmë sot”. E ardhmja vjen më shpejt nga sa u është dashur kohëve të shkuara dhe të sotmes.
Një çështje esenciale është kjo: Si munden mësuesit dhe pedagogët e sotëm t’i ndihmojnë nxënësit dhe studentët e tyre që të jenë të vëmendshëm e të prirur drejt përvetësimit e përdorimit të teknologjive të reja (tech-savvy) në një botë në të cilën AI është bërë pjesë integrale e saj dhe, njëherësh, t’u mësojnë atyre përdorimin etik të teknologjive të reja që vijnë e do të vijnë duke u shtuar? Kjo duhet të nisë ndoshta sapo fëmijët fillojnë të përdorin pajisje elektroike (tableta, smart phones etj.). Edhe një fëmijë që sheh video në YouTube, ose luan lojëra që i gjen në “app store”, nis të ndikohet nga algoritme, imazhe dhe tekste që i mundëson Inteligjenca Artificiale.
Ky është realiteti në të cilin jetojme sot ne, prindër dhe mësuesit. Ne nuk u lindëm për këtë kohë post-digjitale; ne u ndodhëm krejt papritur në të, të çuditur e të hutuar sa i përket vendit dhe misionit tonë në këtë Brave New World, që ende është në tranzicion drejt një epoke të re, e cila ndërkohë është quajtur “Epokë e Imagjinatës” (Imagination Age). Ne sapo kemi filluar të kuptojmë se nuk i shpëtojmë dot faktit që epoka në të cilën jetojme dhe ajo në të cilën sapo kemi hyrë janë një realitet me të cilin, edhe pse kjo nuk është zgjedhja jonë e mund të mos ketë qenë as qëllimi ynë, jemi të detyruar të jetojmë. Çështja është: Si?
Edhe më parë kam vene në dukje se, nëse duam që mësuesit dhe pedagogët tanë të mund të kryejnë misionin e tyre në këtë epokë të re të dijes digjitale, ata duhet të trajnohen profesionalisht dhe pedagogjikisht ndryshe, duke mësuar e perfeksonuar përdorimin e informacionit digjital dhe të teknologjive të reja të komunikimit, pa të cilat për ta do të jetë gjithnjë e më e vështirë—dhe shumë shpejt e pamundur—t’u japin mesim nxënësve e studentëve të tyre e të ndërveprojnë me ta.
Të lindur në një botë digjitale, fëmijët dhe të rinjtë e sotëm mund të konsiderohen si “digital natives”, në dallim të thellë nga shumica e brezit të prindërve dhe mësuesve të tyre, që janë lindur në një botë paradigjitale dhe, për këtë arsye, mund t’i konsideronim si të sapoardhur (newcomers), apo si emigrantë digjitalë (digital immigrants) në botën e sotme. Ky grup i dytë, sidoqoftë, përbën ende një numër të konsiderueshëm të mësuesve të shkollave fillore e të mesme.
Paradoksi i një situate të tillë―dhe, ndoshta, një ndër problemet më të mëdha me të cilat ndeshet çdo sistem arsimor në ditët tona—është ky: Mësuesit dhe pedagogët tanë “emigrantë digjitalë”, që njohin e përdorin gjuhën e një periudhe paradigjitale, përpiqen t’i japin mësim një popullsie të re në moshë, e cila njeh e përdor gjithnjë e më shumë e më mirë një gjuhë krejtësisht të re. Nëse mësuesit dhe pedagogët “emigrantë digjitalë” vërtet duan ta ushtrojnë profesionin e tyre me nxënësit dhe studentët e sotëm “digital natives”, atyre u duhet të ndryshojnë edhe vetë. Sa më parë, aq më mirë. Siç ka vene në dukje Peter Drucker, “Rreziku më i madh në kohë turbullirash nuk është turbullia, por prirja për ta mohuar realitetin”.
Mësuesit dhe pedagogët e sotëm duhet të mësohen të komunikojnë me nxënësit dhe studentët e tye në gjuhën që përdorin vetë këta të fundit, pa hequr dorë nga detyra dhe përgjegjësia e tyre për të kultivuar tek ata të menduarit racional kritik dhe aftësitë e nevojshme praktike.
Unë besoj se, si mësues dhe pedagogë, në shumë raste ne duhet të heqim dorë nga instinktet tona paradigjitale dhe nga zonat tona të rehatisë, duke mbajtur parasysh se u japim mësim nxënësve e studentëve të lindur në këto dhjetë-pesëmbëdhjetë vitet e fundit, pra në shekullin e 21-të, të cilët do të jenë në tregun e punës deri njëzet apo tridhjetë vite para se ky shekull të mbyllet. Kjo do të thotë se studentët e universiteteve (pse jo edhe nxënësit e shkollave të mesme), në shumë raste, mund të angazhohen në “dizenjimin” dhe organizimin e orës së mësimit e të inkurajohen të marrin pjesë në diskutime e në marrjen e vendimeve, ndërkohë që përpiqemi të përdorim teknologjitë inovative. Ne s’duhet t’u mësojmë nxënësve e studentëve tanë vetëm ato çfarë dimë ne vetë; ne duhet t’u ofrojmë ayre ato njohuri që ata kanë nevojë të dinë.
Roli dhe përgjegjësitë e qeverisë
Dikush mund të pyesë: Cila është përgjegjësia e qeverisë në këtë mes dhe ç’rol konkretisht duhet të luajë shteti?
Përgjegjësia e shtetit është e madhe e po kështu roli që mund e duhet të luajë ai. Të zhvillohesh aftësitë konkurruese të vendit në botën e sotme dhe të promovosh një arsim modern kërkojnë jo vetëm investime të mëdha, por edhe politika të informuara që të adresojnë e zgjidhin problemet e mëdha të arsimit, si kudo, edhe në vendin tonë.
Qeveritë angazhohen në formulimin e politikave arsimore dhe luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e modernizimin e sistemit arsimor. Prej tyre kërkohet që të venë në dispozicion fondet e duhura për të përmirësuar kushtet e punës për mësuesit e pedagogët, duke i reduktuar ata faktorë që stimulojnë dukurinë “burnout” në këtë kategori punonjësish; për të përmirësuar shërbimet në mbrojtje të shëndetit e të mirëqenies së nxënësive e studentëve në shkolla, universitete dhe në komunitetet e tyre; për të mbështetur një armatë të tërë mësuesish të shkolluar e kualifikuar shumë mirë; për të rritur pagat e mësuesve në përshtatje me vlerën shoqërore që ka puna e tyre; për të investuar (fjala vjen, përmes programeve qeveritare kompetitive për grante) në dobi të zhvillimit të tyre professional, duke rritur mundësitë për mësuesit që të jenë më efektivë në punën e tyre; për të aprovuar kredencialet e mësuesve e për të validuar në vijimësi aftësitë e tyre profesionale.
Në dekadat e fundit, mësuesve të shkollave publike u është kërkuar që të marrin çertifikata rikualifikimi në ato disiplina që ata japin mesim, çka i detyron ata të studiojnë e të trajnohen përtej diplomës universitare që kanë fituar pas tre ose katër vitesh studimi. Shumë mësues sot fitojnë një gradë “Master” në pedagogji, ose në një fushë të caktuar studimi për të përmirësuar aftësitë e tyre profesionale e pedagogjike dhe për të përmbushur kërkesat e reja për punësim në profesionin e tyre, duke zhvilluar ato që quhen “njohuri dhe aftësi për shekullin e 21-të”.
Një qeveri duhet gjithashtu të mbështesë modernizimin e godinave e të infrastrukturës shkollore, çka i shërben krijimit të një mjedisi që mundëson mësim më të mirë dhe rezultate më të mira në procesin mësimor dhe edukativ. Statistikat tregojnë se në shumë vende, një përqindje e madhe e ndërtesave të shkollave publike (rreth 49 për qind në Shtetet e Bashkuara) janë ndërtuar para viteve 1970, pra më shumë se gjysmë shekullit më parë. Ligjvenësit, organet e pushtetit qendror e lokal kërkohet të luajnë një rol mbështetës për të garantuar që fëmijët mësojnë në mjedise të shëndetshme e modern, që janë në gjendje t’i neutralizojnë efektet negative të ndryshimeve të klimës.
Arritjet e sotme në AI dhe në teknologjitë e tjera kërkojnë nga qeveritë të marrin përsipër përgjegjësi të caktuara për të formuluar e zbatuar politika që vendosin standarde rigorozë për përdorim etik e të padëmshëm të AI në klasë në sistemin shkollor parauniversitar, si dhe të mbështesin trajnimin e mësuesve me synim kualifikimin e tyre në përdorimin e AI.
Një qeveri duhet gjithashtu të mbështesë financiarisht zgjerimin e konektivitetit përmes Internetit në zonat rurale për të siguruar që nxënësit e komuniteteve rurale të largëta të mund të përdorin pajisje digjitale, përfshirë tekonologjitë AI, duke e ngushtuar sa është e mundur më shumë “hendekun digjital” mes tyre dhe moshatarëve të tyre në shkollat e qyteteve (DeMio 2024).
Me pak fjalë, është një detyrë morale dhe civike e çdo qeverie që të garantojë një sistem cilësor të arsimit publik parauniversitar pa pagesë e të aksesueshëm për të gjithë. Arsimi është një e drejtë njerëzore themelore e universale dhe për ta mbrojtur këtë të drejte, lipset të mos mbetemi pas arritjeve të Revolucionit të Katërt Industrial (Fourth Industrial Revolution), që karakterizohet nga një konvergjencë e sistemeve digjitalë, fizikë e biologjikë dhe përdorimi i teknologjive të tilla, si automatizimi, shkëmbimi i të dhënave, sistemet kiber-fizikë, i ashtuquajturi “Internet of Things” (IoT), kompjutimi kognitiv dhe Inteligjenca Artificiale. Efekti i kombinimit të tyre po i jep formë së Ardhmes Sonë.
Mendime përmbyllëse
Në përfundim, dëshiroj të ritheksoj çfarë kam thënë më shumë se një dekadë më parë, si një sugjerim për qeverinë (socialiste) shqiptare, ndërsa ajo konsultohej me publikun dhe komunitetin akademik lidhur me reformimin e sistemit të arsimit universitar në vendin tonë.
Së pari, reformimi i arsimit të lartë nuk mund të kryhet me sukses nëse nuk paraprihet e nuk shoqërohet nga reformimi i tërë sistemit piramidal arsimor. Kjo kërkon të mendojmë se si dija, të mësuarit dhe edukimi në të gjitha nivelet mund e duhet të adresojnë sfidat dhe oportunitetet e së ardhmes.
Së dyti, është një përgjegjësi historike e jona, brezit të rritur, që t’i lemë brezit të ri një sistem arsimor në të cilin të rinjtë e sotëm të marrin dijen e domosdoshme dhe atësitë që do u nevojiten në dekadat e ardhshme të shekullit të 21-të. Nëse e nëvleftësojmë këtë detyrim, ose nuk e përmbushim atë, ne jo vetëm nuk do të kemi përmbushur misionin tonë intelektual ndaj shoqërisë sonë, por edhe do të gjykohemi ashpër e do të mbahemi përgjegjës nga brezat që do të vijnë. Pasi, ne jemi përgjegjës si për veprimet tona, ashtu edhe kur nuk veprojmë për të bërë atë që kërkohet. Siç shoshte Molieri i mençur, “Ne jemi përgjegjës jo vetëm për atë çfarë bëjmë, por edhe për atë që nuk bëjmë”.
Së treti—dhe paradoksalisht e lidhur me të parën—për sistemin arsimor dhe politikat që do të ndikojnë në zhvillimin arsimor e professional të brezit të ri, vendimmarrja është në duart e breave të rritur. Pavarësisht se se të mençur e të mirinformuar mund të jemi—ose mund të mendojmë se jemi, edhe ata më të shquarit nga ne—përgjegjësia jonë ndaj arsimimit të brezave të rinj mund të përmbushet deri diku me sukses vetëm nëse i njohim aftësitë, talentet dhe dëshirat e tyre dhe investojmë për zhvillimin e tyre.
—
Fjala e Prof. Tarifës mbajtur në Samitin e 4-t të Stambollit mbi Arsimin me temë “Arsim për një shoqëri të drejte e të barabartë dhe një të ardhme të qendrueshme” (6 dhjetor 2024). Referencat janë hequr për shkak të natyrës së gazetës.