Për të dytën herë brenda katër muajsh, Gjykata e Lartë vendosi t’i thotë “jo” një kërkese për liri të Erion Veliajt.
Një Kolegj Penal refuzoi rekursin e bërë prej tij, duke lënë kështu në fuqi masën e sigurisë “arrest në burg” për ish-kryebashkiakun e Tiranës, masë që e vuan prej shkurtit të këtij viti.
Në Gjykatën e Lartë, ish-zyrtari i lartë i marrë i pandehur nga SPAK për 5 vepra penale, kërkonte zëvendësimin e masës së arrestit me atë të “garancisë pasurore”.
Kërkesën për ta nxjerrë nga burgu, ish-kryebashkiaku e depozitoi javën e parë të shtatorit, por pak ditë më parë, përmes avokatëve, ai dorëzoi një material shtesë, ku përditësonte gjyqtarët e lartë me zhvillimet në Bashkinë e Tiranës.
Përmes një memoje, duke cituar vendimin e Këshillit të Ministrave, Veliaj i bënte me dije Gjykatës së Lartë se ishte shkarkuar si kryebashkiak. Ai kërkonte që ky fakt të merrej në konsideratë, pasi si i tillë, nuk mund të ndikonte mbi asnjë lloj prove dhe nuk mund të sillte asnjë pengesë për SPAK.
Mes arsyeve përse duhet të lirohej, në memo përmendej se mirëqenia emocionale e të birit të tij të mitur ishte përkeqësuar në muajt e mungesës së tij në shtëpi, se bashkëshortes i ishte bllokuar pasaporta, duke mos pasur kështu asnjë rrezik potencial largimi dhe se pasuritë e tyre, apo të pretenduara si të zotëruara prej tyre, ishin të sekuestruara.
Por, të gjithë pretendimet e ngritura duket se nuk bindën për të kundërtën Kolegjin Penal. Dosja penale ndaj Erion Veliajt dhe 29 të bashkëpandehurve të tij ndodhet në fazën e shqyrtimit paraprak në Gjykatën e Posaçme.
Në këtë dosje, ish-kryebashkiaku akuzohet për “korrupsion” në 9 episode, “pastrim të parave”, “shpërdorim të detyrës”, “fshehje e mosdeklarim të pasurisë” dhe “futje të sendeve të ndaluara në burg”.

Kolegët pra… ata ta rrasin më shumë lali fiku!
Ja, keto jane gafat e Erjoni qe ben tani. Per mendimin tim, Erjoni duhej te kishte dhene doreheqjen nga kryetar bashkie me ndershmeri dhe te vazhdonte luften me drejtesine qe çalon nga te dy kembet. Sipa shkrimit me larte, paska kerkuar lirimin duke thene se eshte i shkarkuar si kryebashkiak, ndersa nga ana tjeter nga bere rekurs ne gjykaten kushtetuese per shkarkimin ! Aha, ketu fillove ta ulesh veten , Erjon. Ke punuar si ti qe ndertove nje Tirane qe s’kishte per ta pare kurre veten ne kete menyre, te arrestuan si me hile dhe tani fillove te kerkosh gjera qe nuk i takojne ndershmerise. Distancohu nga bashkia dhe vazhdo punen. Populli qe ti punove per te , nuk duhet te vuaj vuajtjet e tua. Ky eshte nderi qe i ben vetes dhe shoqerise dhe pastaj do te keshe perkrahjen e njerzeve. Kjo do ishte ndershmeri.