Shpendi Topollaj
Diplomacia perëndimore, pasi kreu punë mesa duket, me agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, dhe i la ata në fatin e vet, e ka përqendruar gjithë vëmendjen e saj te krijimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë (AKS). Në të vërtetë, kjo teori ka vite që është hedhur në tregun e bisedimeve mes dy vendeve të dala nga lufta e përgjakshme, ku mizoritë e sllavëve të Millosheviçit, ndaj një populli paqësor, do të ruhen në kujtesë për shekuj të tërë. Por asgjë konkrete nuk po shohim në këto khuriltai që i shpiku qysh tetëqind vjet më parë pa rezultat vetë Gengis Khani (Temuxhini). Po çfarë mund të pritet nga këto takime të sforcuara e të detyruara nga ndërkombëtarët, kur së pari; Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur, pra palët nuk janë në kushte të barabarta dhe së dyti; ato që propozohen për t`u miratuar, janë kundërvënie e hapur me parimet kushtetuese të Kosovës?
Nuk ma ha mendja se diplomatët e interesuar për të arritur qëllimet e tyre, pra për ta larguar Serbinë e Vuçiçit nga influenca ruse, janë aq naivë, sa të besojnë se do e mbërrijnë këtë duke u plotësuar tekat dhe duke u krijuar favore atyre në dëm të interesave jetike të Kosovës. Por ata shtyjnë kohën mesa duket me ec e jake pa kuptim dhe gotat e shampanjës në njërën dorë e puron kubane në tjetrën. Pakica serbe në ato dhjetë komuna në Kosovë, gëzon absolutisht të gjitha të drejtat e garantuara me ligj, por djallëzia e politikanëve të atij vendi, ashtu siç sajoi incidentin me targat e makinave, do ta gjejë një arsye për të imponuar kërkesa pas kërkesash, pasi ata e kanë nuhatjen e duhur për të parë se po u bëhen lëshime pas lëshimesh. Për më tepër, tani që ndërkombëtarët, po ushtrojnë gjithë presionin e tyre për ta detyruar qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti për t`iu bindur planeve që ata formulojnë. Po vërtetë i gënjen mendja se do të gjejë zbatim rezoluta e Asamblesë së OKB – së e vitit 2010, apo marrëveshja e lëvizjes së lirë e një viti më pas, dhe ajo e 2016 – ës, apo ato në vazhdim. Nuk e kuptojnë ata se udhëheqësit e sotëm të Serbisë, ashtu si të djeshmit dhe ata të nesërmit, nuk do të reshtin së pretenduari kolonizimin e Kosovës, ku popullin e saj e urrejnë për vdekje. Serbët nuk e pushuan luftën, nga marrja me të mirë e fërkimet e krahëve, por nga gryka e pushkës së UÇK – së dhe bombardimet e 78 ditëve nga avionët e NATO – s. Serbia edhe të dojë sinqerisht, gjithë jetën nuk i lan dot duart e gjakosura nga krimet e bëra ndaj njerëzve të pafajshëm e të pambrojtur. T`u plotësosh sot kapriçiot atyre do të ishte një gabim i madh dhe me pasoja të rënda, pasi ata e dinë atë historinë e gozhdës së Nastradinit.
Pa Asociacione dhe mjaft elementë kriminalë të nxitur, sulmojnë me armë forcat e rendit në veri të Kosovës. Mendoni pastaj, sikur ato të kenë mundësinë e karshillëkut administrativ që sa herë t`u shkrepet atyre në Beograd, të krijojnë turbullira në Kosovë dhe ta vënë qeverinë e saj në pozitë të vështirë. Asgjë më pak se banorët e tjerë nuk kanë pakicat në Kosovë. Ndaj nuk ka asnjë arsye, të krijosh gjoja garancira, mundësira dhe të drejta suplementare për komunitetin serb. Mendoni pastaj sikur të tilla Asociacione të kërkonin edhe pakicat e përkatësive të tjera, se Flamurin e Kosovës e kanë bërë me disa yje. Po sikur, larg qoftë, të tilla të kërkojnë edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, ç`qëndrim do të mbanin ndërkombëtarët? A nuk krijohet kështu një preçedent i rrezikshëm i cili nuk do i shërbente kurrë stabilitetit në Ballkan. Por edhe sikur ta pranojmë se këto palo marrëveshje do të nënshkruhen nga dy drejtuesit kryesorë të të dy vendeve, a nuk do të zgjojnë pakënaqësi e mospajtime në popujt respektivë? Dhe vërtetë mendoni se kjo do e zgjidhë problemin e marrëdhënieve historikisht të ndera midis serbëve dhe shqiptarëve të Kosovës? Pse nuk u shtrua asnjëherë nga diplomacia ndërkombëtare, mundësia më oportune e qetësimit afatgjatë të situatës, duke bashkuar Kosovën me shtetin amë? Dhe pse kjo diplomaci, ua ka hequr të drejtën dhe ua ka mbyllur gojën edhe politikanëve të Shqipërisë, të cilët as që guxojnë të shprehen hapur për këtë bashkim? A nuk do të ishte kjo edhe ndreqja e një poshtërsie që i është bërë Shqipërisë kulisave hileqare të Evropës së shejtanizuar?
Mjaft me eksperimente, jo franceze, jo gjermane, jo amerikane… Nuk shtyhet më kështu. Kosova duhet të ketë së pari qeverinë e vet, me autoritet, përgjegjësi e vendosmëri që të marrë vendime të mençura në emër të popullit të vet dhe jo sipas direktivave dhe urdhrave të tutorëve. Se këtë ndrydhje të saj nga ndërkombëtarët e shfrytëzon Aleksandar Vuçiçi që spërdridhet sa nga lindja aq edhe nga perëndimi. Ai sido që të bëhet, nuk ka për të hequr dorë nga pansllavizmi dhe armiqësia ndaj shqiptarëve. Një “mik” i tillë, besnik i Putinit të Kremlinit, nuk ka se ç`u duhet as perëndimorëve që duan ta përfshijnë në alenacat e tyre, duke e mikluar me dhurata nga Kosova edhe kështu e martirizuar.