Prof. Aurela Anastasi, akademike
Libri me titullin kuptimplotë “Themeluesi” , i shkruar me shumë dashuri nga studiuesi i ri, Evarist Beqiri, më shtyu të thërras edhe njëherë së brendshmi se Ismail Qemal Vlora është figura më e ndritur politike e Shqipërisë moderne dhe bashkëkohore. Ky është modeli i liderit që ne duam sot! Emri i tij shkëlqen ndër themeluesit e shtetit shqiptar, si hartuesi i Deklaratës së Pavarësisë së vendit dhe si Kryeministri i parë i tij. Autori e ka analizuar figurën e “Atit të Kombit” tonë nga këndvështrimi i lidershipit, një metodë e re studimi që realizohet për herë të parë në lidhje me figurën e Ismail Qemalit. Ai lartësohet si një nga figurat historike më frymëzuese të kombit tonë: “Ismail Qemal Vlora është lideri më i madh që kombi shqiptar ka njohur deri tani. Ne i detyrohemi atij më shumë se kujtdo tjetër përgjatë historisë tonë kombëtare. Nuk ekziston asnjëfarëlloj krahasimi midis tij dhe liderëve shqiptarë që e pasuan,” – thekson autori.
Në fakt, kam vënë re shpesh se autorët që shkruajnë për Ismail Qemalin e adhurojnë atë. Kjo më ka ndodhur edhe mua, kur kam marrë në analizë aktet e para të krijimit të shtetit shqiptar të miratuara nga Kuvendi i Vlorës dhe Qeveria e Përkohshme e drejtuar prej tij. Kjo ka ndodhur edhe në këtë punim dedikuar lidershipit të Ismail Qemal Vlorës. Edhe pse autori e analizon figurën e tij përmes një strukture që e nxit mendimin kritik, duke nxjerrë në pah karakteristikat e liderit, nuk ka mundur të bëjë ndryshe, veçse ta lartësojë edhe më shumë atë si udhëheqës politik për të cilin zemra e popullit të vet gufon edhe sot, një shekull plus një dekadë më pas. Autori e sheh Ismail Qemal Vlorën si një lider mjaft të përparuar, human e mendjendritur, të edukuar me vlerat iluministe të kohës, diplomat të shquar, me një kulturë komunikimi të admirueshme dhe me maturi, me një gjuhë të qartë e dashamirëse jo vetëm në diplomaci, por edhe me njerëzit e thjeshtë, të drejtat e të cilëve ai i respektonte. Përmes analizës, autori arrin ta përshkruajë Ismail Qemalin si një lider që “udhëhiqte me shembullin e vet”, që drejtonte me përunjësi e njëkohësisht i vendosur, si një lider vizionar, me karakter dhe integritet të fortë etj.

Vihet re përpjekja për të sjellë heroin e këtij punimi si një realitet, duke shmangur mitizimin që mund t’i jetë bërë figurës së tij nga autorë të tjerë. “Megjithatë,” – shkruan autori, – “veç mitit të krijuar, pak dihet dhe pak flitet për aftësitë e vërteta dhe të jashtëzakonshme të lidershipit të Ismail Qemal Vlorës. Ndoshta kjo mund të justifikohet me faktin që studimet mbi teoritë e lidershipit janë relativisht më të reja në raport me fushat e tjera të dijes.”. Metodologjia e këtij punimi i ka mundësuar autorit të thellohet në analizën e tipareve dhe arritjeve të Ismail Qemal Vlorës si lider, përmes shtjellimit të fakteve historike dhe krahasimit me liderë të tjerë në Shqipëri e në botë. Këto janë vendosur në sfondin e opinioneve dhe të vlerësimeve që këta të fundit kanë shprehur në periudha të ndryshme. Duket si një analizë më së shumti tredimensionale, e cila e ndihmon autorin ta shohë heroin e tij në një hapësirë të gjerë, duke nxjerrë në pah tiparet e tij si lidership, jo vetëm në dritën e kohës në të cilën punoi, por edhe në këndvështrimin e sotëm. Nga të gjitha këndvështrimet autori përsërit konkluzionin e tij se, lideri që ai merr në analizë, është një lider përparimtar që u prin njerëzve me kujdesin për të mirën e përgjithshme dhe të ardhmen.
Meqenëse është krahasuar me liderë të mirënjohur botërorë, kisha pritshmëri të gjeja në libër kritika nga pikëpamja e lidershipit. Por kjo nuk ka ndodhur. Në të gjitha analizat e hollësishme që kryen autori, është e vështirë të gjesh kritika drejtuar Ismail Qemal Vlorës dhe lidershipit të tij. Përkundrazi, ai zbulon vlera të reja të kësaj figure nga pikëpamja e lidershipit. Madje, ka disa momente të diskutuara në veprimtarinë e Ismail Qemal Vlorës, të cilat autori i merr në analizë, por nuk gjen asnjë dobësi të heroit të tij, por vetëm të të tretëve. Ai e konsideron dorëheqjen e Ismail Qemalit nga detyra si Kryeministër dhe dorëzimin e pushtetit Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, si një akt atdhedashurie e qytetarie. Kurse, në lidhje me akuzat që disa autorë i kanë bërë Ismail Qemal Vlorës për komplotin e Beqir Grebenesë, autori shprehet se: “Pavarësisht se Ismail Qemali e kishte fort për zemër dhe luftonte me të gjitha mënyrat për bashkimin e trojeve shqiptare, të flasësh për një koordinim në terren të veprimeve midis Ismail Qemalit dhe Beqir Grebenesë është jorealiste dhe e pabazuar në fakte.”.
Sidoqoftë, unë kam disa pyetje: Sa i fortë duhet të jetë ndikimi i liderit? Të gjithë autorët kanë analizuar faktorët dhe na kanë dhënë një përgjigje bindëse për pyetjen se, përse qeverisja e Ismail Qemalit ishte e shkurtër në kohë. Pajtohem me mendimin e dhënë nga autori në vepër, se ai ishte një udhëheqës mjaft i përparuar për kohën dhe ndoshta edhe kjo ka ndikuar. Po përse historia nuk na rezervoi liderë të tjerë të ngjashëm me Ismail Qemal Vlorën?
Unë kurrsesi nuk do të kisha dashur që ai të mbetej një lider i jashtëzakonshëm dhe i rrallë për shtetin shqiptar. Përkundrazi, do të kisha dashur shumë që modeli i tij i lidershipit të përsëritej vazhdimisht. Duket sikur historia grupoi tek Ismail Qemali karakteristikat më të mira të liderit, si një domosdoshmëri për të shpënë përpara shtetin shqiptar të pavarur. Megjithatë, në këtë argument unë nuk marr përgjigje për faktin se, përse ai mbetet një lider aq i virtytshëm dhe aq frymëzues edhe sot e kësaj dite?
Përveçse ishte mjaft i ditur dhe i arsyeshëm si një “plak i urtë” i legjendave tona popullore, ai ishte edhe një lider i pakorruptuar, që e urrente dhe e luftonte korrupsionin. Përkundrazi, ai kishte qenë një kritik i ashpër kundër këtij fenomeni kalbëzues të shtetit dhe të shoqërisë edhe në Perandori. “Ai e luftoi përherë korrupsionin, pasi e shikonte si armik të përparimit dhe mirëqenies së përgjithshme. Këtë e shpalosin dëshmitë, faktet dhe dokumentet që na vijnë jo vetëm nga bashkëpunëtorët e tij, por edhe nga kundërshtarët e tij politikë si Syrja Vlora,” – shkruan autori.
Punimi ka renditur në lidershipin e Ismail Qemalit mjaft tipare që janë vite dritë larg nga personazhe të tjerë të kohës, si Esat Pashë Toptani, por edhe më pas. Edhe sot, populli shqiptar e sheh Ismail Qemal Vlorën si liderin e tij më të dashur, për të gjitha meritat dhe virtytet që ai shfaqi. Dua të veçoj se ai jo vetëm nuk u soll si diktator, por ishte një lider demokrat liberal; jo vetëm nuk u soll si autoritar, por luftoi për një atdhe të lirë nga autoritarizmi; jo vetëm ishte simbol i diturisë, por luftoi ta përhapte dritën e saj në popull. Ai është Ati themelues i shtetit të pavarur shqiptar!
Edhe pse Ismail Qemal Vlora ka qenë një nga figurat më të analizuara nga historiografia jonë, unë e sugjeroj fort leximin e këtij punimi; kjo, jo vetëm për qasjen e re analitike që ka sjellë autori dhe as vetëm për kërshëritë që ofron për lexuesin. Por e sugjeroj për karakterin frymëzues që mbart lideri kombëtar që analizohet, sepse figura si ai na mungojnë shumë.
Sot promovimi në Vlorë
Për herë të parë një botim i plotë për Ismail Qemalin si LIDERSHIP!
Ismail Qemal Vlora përgjatë gjithë jetës u shqua si një lider i shkëlqyer. Një njeri i drejtë dhe i ndershëm, i cili besonte në atë që predikonte dhe në atë që bënte.
Ai ishte i duruar, këmbëngulës dhe i qëndrueshëm. Ai kërkonte që t’i bindte dhe motivonte të tjerët dhe jo t’i detyronte ata drejt realizimit të synimeve të përbashkëta. Ai veproi në kohën e duhur dhe me stilin e tij të lidershipit arriti të themelonte një shtet.
Ismail Qemali pati përballë pengesa thuajse të pakapërcyeshme, por me gjeninë e tij ai shpalli Pavarësinë, pa një ushtri dhe pa zhvilluar luftë.
Është fati ynë që kemi pikërisht atë themeluesin e shtetit shqiptar dhe modelin par excellence ku mund të mësojmë e të frymëzohemi, për të tejkaluar sfidat e së ardhmes.
Lidershipi është një proces i ndërlikuar, por në thelb ai ka të bëjë me aftësinë e liderit për të formësuar mendimet dhe veprimet e atyre që ai udhëheq. Një lider është i aftë të realizojë ndikimin nëse arrin të kuptojë se, përse njerëzit me të cilët ai punon,
mendojnë, ndihen dhe sillen ashtu siç bëjnë. Ismail Qemali i kishte të qarta synimet që donte të arrinte. Ai ishte i aftë të kontrollonte, organizonte, mbikëqyrte dhe analizonte.
Ismail Qemal Vlora nuk ishte një lider i përsosur dhe për më tepër ai nuk udhëhiqte njerëz të përsosur. Por, ai i donte pa kushte njerëzit dhe popullin e tij. Ai ishte kurdoherë një mbrojtës i flaktë i interesit publik, si në periudhën kur shërbeu si funksionar i lartë i Perandorisë, ashtu edhe kur i shërbeu shtetit shqiptar. Këto ishin disa nga cilësitë e spikatura të lidershipit të jashtëzakonshëm të Ismail Qemalit.
Guximi për të studiuar lidershipin
Prof. Dr. Nevila Nika
Studiuesi Evarist Beqiri befason dashamirët e librit me këtë prurje tejet interesante. Autori ka zgjedhur të trajtojë një ndër figurat qendrore të historisë sonë kombëtare, atë të Ismail Qemal Vlorës, Babait të Pavarësisë, në rolin e tij si Lider ose thënë ndryshe si Prijës i Kombit. Edhe pse një zgjedhje aspak e lehtë, pasi askush më parë nuk ishte marrë me studimin në këtë aspekt të ndonjë prej figurave të njohura të historisë tonë, Evaristi guxoi dhe ia ka dalë mbanë më së miri. Me të vërtetë libri është një risi tejet e këndshme e njëkohësisht edhe e veçantë, që lexuesi ka fatin ta ketë në dorë.
Të mësuar prej dekadash tashmë që punimet rreth personaliteteve e ngjarjeve të ndryshme të trajtoheshin të rrumbullakosura sipas linjës partiake e shtetërore deri në vitin 1991 e më pas në kushtet e reja të krijuara mbas ndërrimit të sistemit kur liria i dha mundësi gjithkujt të na jepte në dorë punime me shumë vlera e të tjera për t’u hedhur tutje, punimi i Evaristit zë pa dyshim një vend me të vërtetë të merituar.
Të shkruash sot rreth figurës së Ismail Qemal Vlorës gjithkush prej nesh do të mendonte se, “autori po humb kohën kot”, apo, “nuk ka çfarë të re të sjellë”, apo “të gjitha i kanë thënë të tjerët më parë” etj. etj. Por kur lexon punimin e Evaristit kupton që në faqet e para se je nxituar në gjykim.
Falë një pune të mundimshme ai ja ka dalë të mbledhë të dhëna të shumta, të rralla e shumë të vyera për këtë figurë të ndritur të historisë tonë kombëtare. Ka qëmtuar arkiva e biblioteka, autorë të huaj e shqiptarë duke zbuluar të dhëna të njohura pak ose aspak nga publiku shqiptar, por edhe ai i huaj. Mbledhja e të dhënave ka qenë faza e parë e punës së tij dhe sigurisht e kushtëzuar fort nga qëllimi që autori i kishte vënë vetes, analizimin e personazhit të jashtëzakonshëm Ismail Qemal Vlora në rolin e të qenët Lider, Prijës i kombit të vet drejt Lirisë e Shtetformimit.
Familja, fëmijëria e vendlindja janë për autorin pikënisja e gjithçkaje që kjo figurë e ndritur e kombit tonë do të dëshmojë gjatë gjithë jetës së tij. Lindja në një mjedis si ai i familjes zëmadhe Vlora, për autorin Beqiri është një fakt më shumë se domethënës.
Sipas tij ky mjedis familjar sa aristokratik aq edhe patriotik do të ndikonte fuqishëm në formimin e mbrujtjen e karakterit të djaloshit Ismail Vlora si Lideri, Prijësi ardhshëm i Kombit Shqiptar. Nuk ka dyshim se familjet e mëdha të pajisura me një mbiemër e pasuri ju kalonin pasardhësve për shekuj me radhë pushtetin e prestigjin për ruajtjen e transmetimin e kujtesës historike të familjes, vendlindjes e mbarë kombit. Ismaili i ri nuk mund të bënte përjashtim. I pajisur me inteligjencë të rrallë ai kur largohet nga gjiri familjar, kishte mundur të merrte më vete gjithçka nga historia e familjes Vlora, pra e të parëve të tij, por dhe gjithë krahinës. E kjo pasi ishin kohët kur e kaluara e familjes, por edhe më gjerë se ajo, nuk hidhej poshtë me të shpejtë si diçka e pavlerë. Ekzistonte një dialog midis brezave brenda mureve të sarajeve të kësaj familjeje. Për Ismailin e ri ishte vendi ideal për përpunimin e kujtimeve të të parëve të tij, bëmave të tyre. E kaluara ishte gjithnjë për “darkë”, duke kultivuar tek pjesëtarët më të rinj të familjes dashuri për tokën e të parëve, por mbi të gjitha dëshirën për të shpëtuar nga zgjedha e pushtimit e ngritjen e flamurit të Gjergj Kastriotit, flamurin e Pavarësisë.
Mendoj se Evaristi ia ka dalë të na përcjellë me shumë vërtetësi ndikimin që historia familjare ka pasur në formimin e karakterit të tij si Prijës i ardhshëm i Kombit. Gjithsesi në punimin e tij autori nuk ka lënë mënjanë të analizojë edhe rrugëtimin e Ismail Qemalit si nëpunës i lartë në administratën e Perandorisë Osmane, gjatë të cilit ai kishte dëshmuar se zotëronte tipare e aftësi prej Lideri.
Do t’i mbyll këto pak rreshta me një pasazh të shkëputur nga një artikull i shkruar 91 vite më parë nga biografi i parë i Mustafa Qemal Ataturkut, gazetari Ismet Toto:
“Njerëz të mëdhenj ka patur e do të ketë në çdo kohë, sa herë që do të ketë qejf e Madhja Natyrë. Këta janë Drita të botës….Mbrenda në thellësin e shpirtit të këtyre njerzve origjinalë qëndron një fuqi hyjnore. Ideali dhe vullneti i tyre është arsyeja e qënies për ata. Ata e kanë dedikuar vehten realizimit të një ideali. Ata s’mendojnë gjë tjetër në jetë. S’mund të mendojnë! Ata qëndrojnë për çështjen e tyre në çdo kusht e me çdo sakrificë. S’ka gjë në botë që mund të zërë vendin e qëllimit për të cilin ata rrojnë në jetë….
Në këtë kuptim duam të marrim dhe ne këtë Ismail Benë tonë, jo vetëm se pse me veprën e 28 Nëntorit ndezi një zjarr që s’u shua dhe s’do shuhet kurrë, por se pse e gjithë jeta e tij ka një frymë madhështie. Një madhështi mendore të habitshme për të cilën Shqiptarët e gjithë kohëve kanë të drejtë të rrinë kryelartë.
Është pikërisht kjo madhështi e Mendjes dhe e Shpirtit që e bën të mundur që një Ismail Qemal të sundojë Shqiptarët duke qenë vetë i vdekur. Kjo lloj madhështie është e pa zhdukur; përkundrazi bashkë me kalimin e kohës rritet e shkëlqen më fort dhe gjithnjë më fort…
Neve besojmë me të gjitha fuqitë e ekzistencës tonë se shkëlqimi i veprës së Ismail Qemal Vlorës do të vazhdojë e do të zmadhohet sa dhe vetë Shqipëria. Neve besojmë në sinqeritetin e këtij Burri të Madh që ka trashëguar gjitha ç’është më e bukur, e lartë dhe fisnike në palcën e shpirtit Arbnor.”
Ismail Kadare për librin
“Ismail Qemali është quajtur vetvetiu THEMELUESI nga populli shqiptar. Figura e tij tregon se kombi shqiptar ka themele, ka bazë ku të rritet. Libri “Themeluesi”, i shkruar nga studiuesi Evarist Beqiri, vjen si një nevojë dhe si një domosdoshmëri për të riafirmuar Ismail Qemalin dhe kombin shqiptar. Një komb ka nevojë për riafirmime të herëpashershme dhe ky libër për Ismail Qemalin tregon se ai është një popull që do të riafirmohet si komb dhe do ta arrij këtë gjë padyshim.”

Kush është autori
Evarist Beqiri u lind më 25 shtator 1982, në Vlorë. Në vitin 2007 diplomohet “Jurist” në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë. Po aty në vitin 2011, kreu studimet Master i Nivelit të Dytë. Në vitin 2017, fiton gradën shkencore “Doktor” në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë.
Prej 14 vitesh shërben në administratën publike shqiptare në fushën e sigurisë kombëtare. Ka kontribuar si lektor në një sërë trajnimesh për sigurinë kombëtare, organizuar nga institucione kombëtare dhe ndërkombëtare.
Njëkohësisht prej vitesh Evarist Beqiri është lektor i jashtëm në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Drejtësisë, në lëndën: E Drejta Kushtetuese; dhe në Universitetin “Luarasi”, Fakulteti i Ekonomisë, në lëndën: Lidershipi. Ka botuar gjithashtu një parathënie origjinale në librin e përkthyer po prej tij “Lidershipi i John F. Kennedy” (2013).

Ata qe e perdoren, e vran.
Ata qe perdoren edhe Ibrahim Rugoven me pas e vra. Te njejtat FORCA SATANIKE.