Nga Dr. Jorgji Kote
Të tillë e ka vlerësuar Koha, si gjykatësi më i mirë, Avni RUSTEMIN, djalin e Libohovës dhe të Vlorës heroike. Dhe kjo jo thjesht si atentatorin e famshëm që 105 vite më parë, më 13 Qershor 1920 shtriu përtokë në mes të Parisit me plumbat e patriotit Esat Pashë Toptanin tradhëtarin; mbi të gjitha si përfaqësues të asaj opozite brilante demokratike me Fan Nolin, Bajram Currin, Luigj Gurakuqin, etj.
Dua ta filloj këtë shkrim homazh duke iu referuar analizës së historianit të njohur, zotit Dorian Koçi të botuar para pak kohësh në gazetën DITA. Me vërtetësi, me saktësi, me guxim qytetar dhe intelektual, aty kërkohen me të drejtë korrigjimet e shtrembërimeve që i janë bërë Avniu Rustemit, sidomos pas viteve 90, si atdhetar, veprimtar dhe reformator i shquar në periudha tejet të turbullta për vendin tonë.
Këtu duhet të nënvizoj faktin që nëse për heronj të tjerë, mund dhe të jemi indoktrinuar deri në një farë mase nga ideologjia dhe propaganda e sistemit të kaluar, kjo nuk ka ndodhur në rastin e Avniut. Vërtet vështirë të gjesh ndonjë tepërim e ca më pak hiperbolizim të figurës së tij gjatë monizmit. Ndërsa populli e ka përjetësuar figurën e Avniut qysh atëhere dhe në vazhdim dhe në art e në këngë.
Kam fatin se duke qenë nip libohove nga mamaja, kam kaluar një pjesë të madhe të fëmijërisë dhe rinisë atje në Kalista, ngjitur me lagjen Marinë, ku Avniu lindi dhe u rrit; në vitin 1962 – 1964 bëra dhe dy klasë të fillores në shkollën 8 vjeçare që mban emrin e Avniut me kujtime nga më të mirat.
Propaganda për ne fëmijtë dhe të rinjtë e asaj kohe atje në Libohovë ishin fotot e tij në shkollë, busti i ngritur në qendër të qytetit, i rrethuar me lule të freskëta dhe kujtimet e gjyshit dhe bashkëkohasve të tjerë që e kishin njohur të vogël, mbasi kalonte aty para shtëpisë sonë për të shkuar në shkollë.
Prezantimin më të plotë me figurën emblematike të Avniut e bëra në muajin Prill 1964 kur në Libohovë u përkujtua me ceremoni 40 vjetori i vrasjes së tij nga dora tradhëtare. Me atë rast u inaugurua dhe Muzeu i Avniut, i pasur me shumë foto, dokumenta të shumta dhe origjinale, pamje nga rinia e tij si student jashtë vendit, atentati më 13 Qershor, gjyqi në Paris, pritja madhështore pas kthimit në Atdhe nga Parisi, veprimtarinë e tij të gjithanshme në fushat politike, ekonomike, sociale, dhe së fundi vdekjen e tij heroike, më 22 Prill 1924, dy ditë pasi u plagos rëndë.
Aty në Muze, krahas jetës së tij si një intelektual i shquar, që studioi për pedagogji në Zvicër dhe në Kalabri u mahnitëm nga reagimet e fuqishme të miliona bashkëatdhetarëve pas atentatit në Paris dhe gjatë ditëve të gjyqit. Ata të gjithë kërkonin pafajësinë dhe nderimin e tij për atë vepër patriotike, duke ofruar dhe ndihma financiare për gjyqin. Dhe nuk ishin një e dy por me qindra, me mijra, nga SHBA-të, Australia, Zvicra. Por, pa asnjë orkestrim si tani nga lart dhe me porosi.
Edhe gjyqin në Paris me drejtësinë e përparuar franceze, ai e fitoi pa asnjë ndikim nga jashtë dhe nga dikush, se Partia dhe Enverinuk ekzistonin atëhere. Në fakt, ishte mbrojtja e shkëlqyer, vetë Avniu me qëndrimin e tij stoik, me fakte dhe argumenta bindëse, të cilat lanë mbresa të thella. Aq sa gjykatësit dhe francezët që ndoqën gjyqin u bindën se Avniu nuk ishte vrasës, ca më pakordiner, por një i ri 25 vjeçar i mençur, i guximshëm, atdhetar dhe hero i vërtetë!
Aty në Muzeum pashë dhe më mbeti në kujtesë pohimi i famshëmi Avniut se numri 13 për të nuk ishte ters por mbarësi. Se vërtet 13 ditë kishte pritur, 13 ishte data e atentatit, 13 ishte ora ( 13:10) 13 vetë e shoqëronin Pashain kur doli nga Hoteli ” Interkontinental” në qendër të Parisit dhe 13 gjyqtarët e trupit gjykues! Kjo e fundit m’u duk e pabesueshme, ndaj i numërova gjyqtarët dhe vërtet ata ishin 13!
Pastaj fotot frymëzuese të pritjes madhështore të Avniut pas kthimit të tij në Atdhe, nderimet nga patriotët tanë të shquar si Mihal Grameno e të tjerë, zgjedhja deputet, etj. Dhe populli i ngriti këngët, sërish pa asnjë imponim nga lart, të cilën dhe ne si fëmijë të gjithë e këndonim me shumë krenari: ”Në Paris vajte qëndrove, Esat Pashën e qëllove, të shtatat ja numërove”! Dhe kënga tjetër me të cilën krenoheshim shumë « Libohova shumë e mirë, vet e kishte bukurinë, se kishte djalë Avninë”!
U « ritakova » me Heroin 31 vite më vonë, më 20 shtator 1995,kur disa miq më ftuan dhe shkuam bashkë në Libohovë për të përkujtuar 90 vjetorin e lindjes së Avniut, kur komunizmi kishte rënë dhe kur mund të flitej mbarë e mprapsht, siç dhe nuk kanë munguar të bëjnë disa të paudhë kushdoqofshin ata, dje dhe sot. Por për Avniun asgjë nuk ndryshoi, busti i tij përherë me lule atje dhe kudo.
Sa për atentatin ndaj Toptanit, pavarësisht nga jehona e tij planetare, ai përbën vetëm një nga aspektet dhe pse të bujshme të veprimtarisë revolucionare të Avniut. Ai ishte shquar dhe më parë, por patriotizmi dhe veprimtaria e tij aktive shkëlqeu nga viti 1920 deri në fund të jetës së tij revolucionare. Bie në sy vlerësimi i tij për zgjedhjen si deputet i Kosovës, kur deklaroi se ”jam krenar që jam dhe Kosovar”.
Ka plot fakte dhe referenca origjinale se Avniu ishte nismëtar i reformimit të vendit gjysmë feudal, ai ka propozuar nisma jetike në fushën e arsimit, bujqësisë, kulturës, zhvillimin e shoqërisë, etj. Që zëri i tij të dëgjohej dhe më mirë e të mos mbetej vetëm retorikë, ai krijoi Shoqatën patriotike rinore ” Bashkimi” me djemtë rinj idealistë. Për fatin e tij të keq, Avniu jetoi vetëm 29 vjet dhe nuk arriti të jetonte e të shihte realizimin e ëndrave, planeve dhe projekteve të tij të guximshme për një një vend dhe shoqëri moderne, pa shtypje dhe diskriminim social – ekonomik.
Veç kësaj, ai jetoi në kushte dhe rrethana historike me ndikim kudo, siç ishte përfundimi i Luftës së I Botërore, fitorja e Revolucionit të Tetorit, dalja në skenë e nazi-fashizmit dhe plot trauma të tjera. Të gjitha këto ndikuan në formimin politik të Avniut, por nuk dëshmojnë se ai ishte majtist, por thjesht progresiv.
Duke iu rikthyer atentatit të 13 Qershorit 1920, dhe ai nuk do marrë ”bardh e zi” por në kushtet dhe rrethanat e asaj kohe. Natyrisht vrasja e kundërshtarëve politikë as dje dhe as sot nuk është e lejueshme. Mirëpo Esat Pasha i kishte kaluar me kohësinoret e politikës dhe ishte kthyer në një tradhtar të vendit. Dhe kur ndonjë ”ia bën borxh vendit” atëhere, siç thotë populli ” dhe plumbin e ka hak!”
Duke qenë diplomat në Berlin, Bruksel dhe gjetke, më janë dhënë disa raste dhe mundësi të njihem dhe me mënyrën se si Europa demokratike i gjykon dhe analizon raste dhe personalitete të këtij formati si model dhe për ne; ca më tepër kur tani jemi aspirantë për në BE. Mbi këtë bazë dhe për një vlerësim të drejtë me frymë europiane të atentatit të Avniut, le të rikujtojmë atentatin e dështuar heroik të Kolonelit gjerman Claus von Staufenberg kundër Hitlerit më 20 Korrik 1944.
I lindur në vitin 1907, në një familje aristokrate bavareze, ai iu dhame shpirt karierës ushtarake, duke ngjitur shumë shpejt shkallët e larta të karierës deri në Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë; fillimisht adhurues, si dhe shumë të tjerë ndaj Hitlerit, kundërshtari paepur i komunizmit dhe Stalinit. Por, shumë shpejt Stauffenbergu pëson zhgënjim me mjaft veprime çnjerëzore dhe barbare të Hitlerit.
Ja pse, si dhe për shumë të tjerë, edhe për atë Hitleri “ e kishte mbushur kupën” Ai pohonte se “ Fati ma dha këtë mundësi dhe unë nuk do ta refuzoj. E analizova vehten para Zotit dhe ndërgjegjes dhe vendosa se atentati duhet bërë, pasi Hitleri personifikon djallin vetë. E di se kur ta bëj do të me quajnë tradhëtar, por po të mos e bëja, do të isha tradhëtar i ndërgjegjes time »
Pas dështimit të atentatit për disa shkaqe dhe rrethana të pafat për Staufebergun, ai u ekzekutua. Bashkë me Stauffenberg dhe familjet u pushkatuan, internuan dhe torturuan dhe 5.000 bashkëpunëtorë të tij, 22 gjeneralë dhe një feldmareshall.
Por, për fat të keq profecia e tij u vërtetua. Deri nga mesi viteve 50, edhe qeveria demokratike e Adenaurit e konsideronte tradhti atentatin e tij, sepse ligjërisht Hitleri ishte Kancelar i zgjedhur me votë dhe Staufenbergu ushtarak karriere. Ai dhe familjet e tjera u detyruan të strehoheshin te miqtë në Zvicër. Vetëm në vitin 1955 qeveria gjermane e çmoi aktin e tyre heroik dhe i ngriti në piedestalin e nderit.
Qysh atëhere dhe në vazhdim, çdo vit, më 20 Korrik, vështirë se mbetet gjerman pa nderuar, pa u përulur me nderim të thellë dhe pa vënë një tufë me lule aty, në qendër të Berlinit; në Sheshin“Bendler,” ish-selia e Vermachtit, aty ku Stauffenbergu u ekzekutua dhe sot ndodhet Ministria Federale e Mbrojtjes, ku është ngritur Memoriali dhe Muzemi; dhe rruga që çon atje ka marrë emrin e heroit.
Këtij akti heroik Hollivudi në vitin 2009 i kushtoi filmin “ Valküre”( emri i operacionit të fshehtë për asgjënsimin e Hitlerit), me aktorin kryesor, Tom Cruise, dhe me shumë jehonë ndërkombëtare. Në intervistën dhënë prestigjiozes së madhe gjermane “ Bild” më 9 Janar 2009 Cruise pohon se mesazhi i kësaj ngjarjeje të madhe është se “ Stauffenbergu, ky njeri dhe qytetar imadh, shkoi drejt asaj vepre dhe vdekjes së tij me ndërgjegje të qetë dhe besim të patundur tek fitorja. Ai ndryshoi jetën time. Edhe unë po të isha në vend të tij do të doja ta vrisja Hitlerin, ndajmë vjen shumë keq që ai nuk u vra”.
Siç e përmend shumë saktë dhe me vërtetësi Dorian Koçi në analizën e tij brilante, autoritetin dhe popullaritetin e Avniut nuk mund ta errësojnë as disa episode që tregohen për të. « Vrasës me pagesë » se shkoi te miqtë duke u kërkuar para. Po, doemos, ai nuk mund të shkonte « pa një kacidhe » në xhep në Paris e ca më tepër nuk mund ta justifikonte qëndrimin e gjatë atje, sepse nuk mund të pranonte se kishte bërë vrasje me paramendim! Ndryshe as qeveria në vitin 1921 nuk do t’i akordonte shpërblim të veçantë!.
Të tjerë e mohojnë madhështinë e Avniut me mosdhënien e një vize nga Ambasada amerikane në Tiranë. Tani dihet si janë ambasadat e sidomos si funksiononin ato atëhere, por dhe sot në jo pak raste. Dihen tashmë përvojat negative të diplomacisë amerikane, madje dhe sot në këtë fushë! Ndaj, kursesi nuk mund të hidhet as më e vogla hije dyshimi mbi një personalitet mbarëkombëtar që ka lënë gjurmë të në histori me një veprim të një burokrati të një ambasade, qoftë dhe e një vendi mik.
Tjetra, vërtet ai propozoi 5 minuta heshtje në Parlamentin shqiptar ditën e vdekjes së Leninit, por këtë e bëri sepse Lenini ishte i pari që denoncoi Traktatin e fshehtë të Londrës për coptimin e vendit.Megjithatë, me autoritetin e vet Avniu i ngriti të gjithë në këmbë, dhe vetë Kryeministrin Zog.
Në disa raste të tjera citohet Eqerem Bej Vlora dhe alergjia e tij ndaj Avniut. Mirëpo kjo është lehtësisht e kuptueshme duke ditur pozitën e tyre krejt të kundërt dhe të papajtueshme klasore. Edhe pse për intelektin e tij, Eqerem Beut nuk i lejohej të shprehej në një nivel aq të ulët dhe me pasaktësi serioze historike, thjesht për të denigruar dhe mohuar rolin, jehonën dhe simpatinë e gjerë popullore për Avniun.
Sidoqoftë, dëshmia dhe më brilante e popullaritetit të tij unikal u pa me rastin e vdekjes së tij burrërore, kur funerali i tij madhështor u kthye në kryengritje që çoi në Revolucionin e Qershorit 1924. Pra dhe i vdekur siç thonë ai e mundi Zogun dhe oligarkinë. E pra nuk ishin disa turma radikale siç thotë Eqerem bej Vlora, por pothuasje gjithë populli i irrituar nga humbja e heroit të vet që ngrit në këmbë. Se vrasja e Avniut nuk ishte thjesht për hakmarrje, por sinjali politik për asgjësimin fizik të opozitës së atëhershme. Ndryshe, mirë Avniu, po përse u vranë mizorisht as një vit më vonë Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina e të tjerë?
Ndërkohë, përgënjeshtrimin më bindës të gjithë dashakeqësve e ka bërë Im Zot At Gjergj Fishta me fjalimin e tij të zjarrtë, një homazh i mrekullueshëm në varrimin e Avniut më 30 Prill 1924. Ai fjalim ishte homazh dhe monumenti përjetshëm që Fishta me oratorinë e tij proverbiale i ngriti Avniut, si mishërim i idealit,dashurisë dhe përkushtimit të paepur të tij dhe gjithë rinisë shqiptare. Për fat të keq, për arsye që dihen kjo nuk u përmend asnjëherë gjatë monizmit. Ndaj lind pyetja e drejtë dhe asgjënsuese: po kujt duhet t’i besojmë më shumë për Avniun dhe frymën e tij moderniozuese, Beut të Vlorës apo emblematikut të Lahutës së Malsisë? Përgjigja nuk do shumë mendë për t’u kuptuar.