Nga DHIMITËR SHTËMBARI
Libri “Një histori e shkurtër e Azerbajxhanit” e Dr. Dorian Koçit (drejtor i Muzeut Historik Kombëtar), promovuar dje në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave në Tiranë në prani edhe të ambasadorit azerbajxhanas, është një tjetër dritare me vështrim nga bota për të njohur, qofte dhe shkurtazi, historinë e një shteti e të një populli me shumë histori.
Më parë se për këtë libër interesant, le të njihemi me autorin e saj, doktorin e shkencave, Dorian Koçi:
Dr. Dorian Koçi është drejtor i Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë. Ndërkohë, ai është profesor titullar i lëndës Historia e Qytetërimit Botëror dhe Historia e qytetërimit Shqiptar në Universitetin e New York – ut në Tiranë. Ka përfunduar studimet e larta për Filologji Angleze dhe Qytetërim Britanik në Universitetin Shtetëror të Kajros në Egjipt. Ka përfunduar doktoraturën për histori në Akademinë e Studimeve Albanologjike.
I pasionuar si kërkues shkencor, Dr. Dorian Koçi është autor i disa monografive dhe i mjaft studimeve historike me vlera shkencore.
Po libri, në vija të përgjithshme, ç’thotë?
Në vazhdim të një parathënieve, që përmban informacion me shumë interes, libri përshkohet nga tetë kapituj.
Në kapitullin e parë bëhet fjalë për Antikitetin, për banorët e hershëm të Azerbajxhanit dhe kulturën e tyre. Interesant është kundërshtimi bindës i autorit për tezën, sipas së cilës shqiptarët paskan ardhur nga Kaukazi (!) dhe, si të tillë, nuk qenkan evropian!!! Kuptohet historianë dhe politikanë të kësaj “teze” kanë kaluar edhe në “teori” të tjera, sipas të cilave shqiptarët e “ardhur” nga Kaukazi paskan zënë, sipas tyre, padrejtësisht troje në dëm të të tjerëve!!!
Informacion me shumë interes sjellë edhe kapitulli i dytë, që bën fjalë për përhapjen e krishterimit e të islamit në Azerbajxhan, si dhe për shtegtimin historik nga periudha sasanide drejt periudhës safavide. Përmes një vertikaleje historike ne dekada e shekuj, autori i dërgon lexuesit të dhëna të shumta historike. Realist në ato që shpreh, autori shkruan, se në gjysmën e dytë të shekullit XVII shkolla dhe arsimi në Azerbajxhan dominoheshin kryesisht nga klerikët.

Luftërat ruso – persiane dhe traktatet e Gulistanit dhe Turkmençait pasqyrohen në kapitullin e tretë të këtij libri njohës. Çereku i parë i shekullit XIX është periudha e ndërhyrjes së Perandorisë ruse dhe e forcimit të ndikimit rus në rajonin e Kaukazit. Autori ndalet me të dhëna historike për luftërat ruso – turke dhe, më pas, për ato ruso – persiane. Vetitë njerëzore të banorëve të Kaukazit, shkruan autori, shërbyen si frymëzim për mjaft shkrimtarë të mëdhenj, mes të cilëve edhe për Pushkinin, Lermontovin e të tjerë.
Nëntë dekada vazhdoi regjimi carist rus në Kaukaz e Azerbajxhan, shkruan autori në kapitullin IV të librit. Për interesa të ndërsjellta, nisën investimet edhe në fushën e industrisë. Mjafton të kujtojmë këtu atë çka shënon autori, se rafineria e parë e naftës në Azerbajxhan u ndërtua më në vitin 1859, ndërsa fabrika e parë e vajgurit u ndërtua në vitin 1863. Në po këtë periudhë u krijua një elitë e tërë intelektualësh, që përqafuan idetë kundër injorancës, varfërisë dhe ekstremizmit fetar.
Në kapitullin V të librit Dr. Dorian Koçi bën fjalë për një pranverë të shkurtër demokratike, që nisi nga 28 maj të vitit 1918 dhe zgjati deri më 28 prill të vitit 1920. Në fakt, 28 maj 1918 është dita e themelimit të Republikës Demokratike të Azerbajxhanit nga Këshilli Kombëtar Azerbajxhanas në Tiflis. Në disa paragrafë të njëpasnjëshme autori tregon ndryshimet historiko – politike të Azerbajxhanit. Është interesant të thuhet, se Universiteti i parë modern në këtë vend është themeluar në Baku në vitin 1919.
“Nën hijen e totalitarizmit sovjetik” titullohet kapitulli VI i librit. Mbas hyrjes së Ushtrisë së Kuqe në Baku u shpall Republika Socialiste Sovjetike. Periudhën deri në vitin 1991 autori e ndan në dy etapa: etapa e parë nis në vitin 1920 e vazhdon deri në vitin 1956 dhe, e dyta, nga ky vit e deri në vitin 1991. Gjatë kësaj periudhe, shkruan autori, u krye një “revolucion” i drejtuar nga burokracia partiake e shtetërore, që u pasua nga vdekja e miliona njerëzve nga uria, nga vrasja e burgosja e qindramijëra të tjerëve, nga jetesa nën terror e pjesës tjetër të popullatës.
Gjatë Luftës II Botërore populli i Azerbajxhanit luftoi frontalisht dhe trimërisht kundër bishës së egër naziste. Mjafton të kujtojmë këtu, se vetëm nga ky vend 121 luftëtarë trima morën titullin Hero i Bashkimit Sovjetik.
Mbresëlënës është edhe kapitulli VII i librit, që bën fjalë për ndërtimin e shtetit nën hijen e totalitarizmit sovjetik, që përfshin periudhën nga viti 1945 e deri në vitin 1991. Gjatë kësaj periudhe shumë tregues ekonomikë, sidomos nga ato të industrisë së rëndë u bën më të larta se ato të paraluftës. Mirëpo, u la pas industria e lehtë, çka krijoi një shqetësim të madh në popull nga mungesa e sendeve ushqimore. Ndërkohë, regjimi i vendosur nisi “reforma” drastike me metodën e dhunës! Për t’u mbajtur mend është Hajdar Aliyevi, i zgjedhur sekretar i parë i Komitetit Qendror të Azerbajxhanit, i cili arriti suksese të prekshme sidomos në luftën kundër korrupsionit. Me ardhjen në pushtet të Gorbaçovit nisi të kryheshin reforma të reja, me frymë perëndimore. Tashmë kërkohej të kundërshtohej e kaluara dhe të përqafohej e reja. Kapitull mbas kapitulli mëson, se Azerbajxhani kohën e kthesës së madhe (të vitit 1990) e pagoi shtrenjtë. Përplasjet etnike shkaktuam mjaft viktima në radhët e civilëve! Rrënjët më të thella të këtij konflikti ishin në rajonin Nagorno – Karabak.
Libri mbyllet me kapitullin VIII, në të cilin bëhet fjalë për Azerbajxhanin modern. Këtu autori merret me konfliktin etnik, vazhdon me stabilitetin në këtë vend dhe përfundon me prosperitetin në Azerbajxhan. Më 30 gusht të vitit 1991, shkruhet në libër, parlamenti i Azerbajxhanit miratoi Deklaratën për Pavarësinë Shtetërore të Republikës së Azerbajxhanit. Ky akt kushtetues, vazhdon autori, është miratuar dhe nga Këshilli i Lartë më 18 tetor 1991. Më 29 dhjetor të po këtij viti pavarësia u miratua me një referendum mbarëkombëtar, kur edhe Bashkimi Sovjetik pushoi zyrtarisht së ekzistuari. Libri jep material me shumë interes për babë e bir Aliyev, të cilët natyrshëm pasuan njëri – tjetrin dhe mbetën bindës para popullit të tyre për shkak të reformave me shumë interes që kryen. Po kështu, ditën të krijonin një politikë të jashtme, që shkon përshtat interesave të këtij shteti.
Në mbyllje këtij libri autori ka një shtojcë, në të cilin bën fjalë për marrëdhëniet Shqipëri – Azerbajxhan (1993 – 2022) Këtu vlen të përmendet edhe ky fakt: për të lehtësuar mënjanimin e dëmeve nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 qeveria azerbajxhanase dhuroi 500 mijë euro, ndërsa më vonë, në një konferencë donatorësh dhuroi edhe një gjysmë milioni uro. Mbështetja e pakushtëzuar që Shqipëria i ka dhënë Azerbajxhanit për sigurimin e tërësisë së tij territoriale, por edhe mbështetja e Azerbajxhanit për ta përfshirë Shqipërinë në projektet energjetike ndërkombëtare, thuhet në libër, ka krijuar një klimë shumë të mirë bashkëpunimi politik, ekonomik e kulturor midis botës shqiptare dhe asaj azerbajxhanase.
Libri “Një histori e shkurtër e Azerbajxhanit” është dritare nga ku mund të vështrosh një popull dhe një shtet mik, si Azerbajxhani.
