Gazeta DitaGazeta DitaGazeta Dita
Njoftime Shfleto më tepër
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Duke lexuar: Bajroni, Shqipëria dhe shqiptarët
Shpërndaje
Gazeta DitaGazeta Dita
Font ResizerAa
  • Kreu
  • Opinion
  • Politikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Kronikë
  • Sport
  • Kulturë
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Investigim
  • Dita TV
  • Kopertina
  • Arkiva
  • RRETH NESH
Kerko
  • Kreu
  • Lajmi i fundit
  • Kryesore
  • Aktualitet
  • Analiza
  • Politike
  • Ekonomi
  • Kronike
  • Opinion
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Bote
  • Sport
  • Dita TV
  • Lifestyle
  • Enciklopedi
  • Europa/Analize
  • Histori
  • Kendi i Kryeredaktorit
  • Komunitet
  • Kopertina
  • Kulture
  • Kuriozitete
  • Metropol
  • Shendetesi
  • Teknologji
  • Telebingo
  • Televizion
  • RRETH NESH
Sign In
Na ndiqni
Gazeta Dita > Blog > Kulture > Bajroni, Shqipëria dhe shqiptarët
Kulture

Bajroni, Shqipëria dhe shqiptarët

Published: September 12, 2022
Shpërndaje

Prof. dr. Bardhosh Gaçe

 

Bajroni erdhi në letërsinë dhe poezinë e përbotshme në një moment të rëndësishëm të Evropës dhe shoqërisë njerëzore në përgjithësi. Erdhi në kohën kur studiuesi i madh gjerman Herder përmes rivlerësimit të kulturës popullore, kryesisht përmes epe-ve, krijimeve të hershme dhe autoktone folklorike, poezisë popullore, pra trashëgimisë së hershme të tyre, po risillte në vëmendjen e kohës, popujt pa përjashtim, të mëdhenj a të vegjël qofshin. Vepra “Ide mbi filozofinë e historisë së njerëzimit”, u shndërrua në një objekt referimi për kulturologët, studiuesit dhe mjaft njerëz të pasionuar pas çështjeve të tilla, ku lidhej fort mirë “Koncepti romantik mbi historinë”, si koncept i zhvillimit me shumë çështje në kulturës së popujve, por dhe perceptimin filozofik, pasi Herderi pati lidhje, komunikim, raporte dijesh dhe bashkëpunimi me ajkën e dijes filozofike dhe letrare të kohës. Në këtë vepër ka një “nyjë” të rëndësishme për kulturat dhe historinë e popujve, ku gjeti shprehjen dhe lëvizja letrare më e madhe e kohës, romantizmi.

- Publicitet -

Romantizmi e kishte gjetur Shqipërinë në një moment zhvillimesh ku ishin shfaqur tendencat e një zgjimi kombëtar-politik, pasi nacionalizmi ballkanik ishte gjallëruar akoma më shumë për shkakun e kundërvënies ndaj perandorisë otomane, të cilës i kërkonin të drejtat e tyre shtet- formuese.

Në kushtet e Shqipërisë ndërkohë përveç studimeve njohëse për të (udhëtarë anglez, francez dhe gjermanë kishin botuar shënimet e para për Shqipërinë dhe shqiptarët), kishin filluar dhe lëvizjet (politike), siç ishin kryengritjet e Mirditës, Himarës dhe Malësia e Sulit, (Çamëri) ndërsa zhvillimi më i rëndësishëm i kohës ishte dalja në skenë e dy pashallëqet më të mëdha, ai i Tepelenës, që udhëhiqej nga Ali Pashë Tepelena, një figurë e rëndësishme, emblematike, politike, diplomatike dhe ushtarake dhe Pashallëku i Bushatlinjve, një pashallëk i cili ishte krijuar dhe mbartte në vetvete historinë e vjetër, kulturën më të vjetër ballkanike atë të qytetit të Shkodrës, e rezonuar dhe nga dy qytetërimet e vjetra si Drishti dhe Danja.

Dalja në skenë e dy Pashallëqeve të mëdha në Veri dhe në Jug ishte ndoshta lëvizja politike më e rëndësishme e kohës në raport me organizmin dhe qeverisjen e vendit, duke kapërcyer nocionin e familjes, fshatit apo krahinës për arsyetime të mëdha, d.m.th. politike. Dy pashallëqet hynë në ingranazhet e zhvillimeve politike të kohës, ndërkohë romantizmi evropian po përhapej me shpejtësi përmes mesazhit që kultura, librat, piktura dhe lloje të tjerë të artit po zhvilloheshin mbi një perceptim tjetër estetik dhe artistik.   

Në hapësirën e shekujve XVII-XIX, me romantizmin, si një lëvizje në kulturë dhe në art, në letërsi, muzikë dhe pikturë, shfaqen gjerësisht dhe mjaft aktive ndjenjat e njeriut, imagjinata nën kujdesin e një mjeshtërie të lartë artistike nga krijuesit, filloi të përfshijë metropolet e Evropës dhe më gjerë, ku u dritësuan emra të rëndësishëm të kulturës së përbotshme si Gëte, vëllezërit Jakob e Vilhelm Grim, Valter Scot, Hygo, Pushkin dhe të tjerë. Bajroni do të jetë përfaqësuesi më i rëndësishëm i romantizmit anglez, duke qenë dhe një poet, i cili trashëgonte një vend në Dhomën e Lordëve. Ardhja e Bajronit në letërsinë e kohës, përbënte dhe një tipar të rëndësishëm të kësaj lëvizjeje, pasi për Bajronin politika, morali dhe poezia ishin të lidhura pazgjidhshmërisht: për këtë vepra dhe jeta e tij përbëjnë një tërësi unike.

***

Rrugëtimi i Bajronit në këtë kohë i gjente popujt dhe vendet e Evropës në rrethana të ndryshme për shkakun e zhvillimeve politike dhe rrethanave të reja, që kishin filluar të shfaqeshin gati një shekull më parë, rreth fundit të shek. XVIII, kulturalisht në përfundim të epokës klasike, letërsia e Bajronit do të sillte një frymë të re. Letërsia artistike dhe romantizmi për shkakun e një hapësire ndryshe tematike (ku do të kishte një lidhje të fortë mes historisë dhe aktualitetit, siç kërkonte dhe Herderi në veprën më të rëndësishme të tij) shpërfaqi lidhjen e të kulturës me traditën, duke ndikuar mjaft në evidentimin e identiteteve kombëtare. Ndoshta kjo qasje përbënte dhe marrëdhënien më të qenësishme të kësaj lëvizjeje dhe për shkakun  marrëdhënieve që po krijoheshin në këndvështrimin historik dhe politik, që më së shumti e shfaqën Bajroni, Gëte dhe ndonjë tjetër.

Duke qenë i tillë, romantizmi si lëvizje gjithë- evropiane letrare përkon me zhvillime të rëndësishme të popujve në Evropë, por dhe në Ballkan. Shekulli XVIII dhe fillim- vitet 1800, madje i gjithë shekulli XIX kishin një kënd- figurim të zhvilluar në Shqipëri. Krahas një prurjeje të rëndësishme kulturore dhe shkrimore, ndër shqiptarët kishte një lëvizje interesante, lidhur me një farë organizmi politik, në vend. Prekja e këtij vendi nga Bajroni dhe reflektimet e poetit përmes poemës së njohur dhe formave të tjera, krijuar një raport të rëndësishëm për shumë çështje që i ndihmonin këta popuj për të dalë në dritë. Bajroni ishte pleksur dhe shprehte qëndrimin e një lëvizjeje përparimtare, një lëvizje që çlironte shkëputjen nga disa hallka të ngurta të letërsisë së mëparshme, pasi dhe teoria e Herderit mbi njëjtësimin midis natyrës dhe shpirtit – ku Krijuesi bëhet i vetëdijshëm për veten vetëm në Krijimin e tij, krijonte një raport tjetër pasqyrimi në subjektet e krijimtarisë letrare. Bajroni është një barometër i këtyre elementëve të romantizmit të shfaqura në një vepër letrare, siç ishte “Çajld Haroldi”.

Në veprën dhe rrugëtimin e poetit “rebel” ndoshta nyja më e rëndësishme e veprës është Shqipëria, me pamjen dhe gjithë subjektin që ai sjell nga ku vend. Shqipëria ishte aty që nga kohët lashta deri në fillim- vitet 1800, kur lordi anglez do të shtegtonte në tokën e lashtë ilire dhe vendbanimet e lashta ballkanike. Natyrisht e mbushur me mister dhe që i mungonin “koordinatat” e njohjes, ndryshe nga Greqia, marrëdhënia që Bajroni do të vendoste me Shqipërinë çast pas çasti ishte një befasi që ndodh rrallë, një befasi e cila u shndërrua në një dashamirësi të pakufishme, duke krijuar gjithashtu dhe një koordinatë të rëndësishme të së shkuarës së saj, pasi këndvështrimet e Bajronit i tejkalojnë njohjet e mëparshme për këtë vend, fqinjë me qytetërimin e lashtë antik

Ashtu siç kishte ndodhur me një figurë komplekse disa qindra vjet para Bajronit, Skënderbeun, rasti i poetit dhe fisnikut të madh anglez ishte një mundësi tjetër për Shqipërinë dhe shqiptarët, po ashtu dhe kulturën, etnopsikologjinë, historinë dhe aktualitetin e tyre historik dhe politik. Nëse Shqipëria dhe shqiptarët në rastin e parë shpaloseshin përmes veprave të shumta që u shkruan gjatë gjithë periudhës së pas- vdekjes së Skënderbeut, Bajroni e solli të gjallë realitetin shqiptar, duke mos ia harruar, përkundrazi duka ia njohur të shkuarën dhe realitetin shqiptar, jo vetëm përmes figurës së njohur të Ali Pashë Tepelenës, por dhe të njerëzve, zakoneve, kultit, karaktereve, këngës dhe veshjeve të tyre. Në këtë kuptim vepra dhe letrat e Bajronit ku fliste për Shqipërinë duket se plotësojnë njëra-tjetrën.

Letrat e Bajronit drejtuar nënës së tij, të shkruara në viset shqiptare dëshmojnë vendbanimet dhe të shkuarën e hershme historike të shqiptarëve deri në Prevezë. Bajroni ishte një vëzhgues i hollë, ai donte të shtegtonte dhe të eksploronte vendet ku nuk kishin shkuar më parë njerëz të shtresës dhe poezisë së tij, prandaj gjithë udhëtimi i tij ishte në këmbë në tokën e shqiptarëve. Ai i tregoi botës se kishte dëshirë të ishte pranë natyrës dhe njerëzve të thjeshtë, dhe jo më kot, në veprën e Haroldit ka një thirrje shpirtërore, por mjaft komunikuese, ku ai shkruan: ”Shqipëri, lejomë të kthej sytë e mi/ Mbi ty, o nënë e rreptë burrash t’ egër….”, e cila dhe pse ishte e fshehur, ai arriti ta zbulojë me gjithë madhështinë e saj, me bukurinë dhe të vërtetat e saj. Dhe këtë Bajroni i madh e ka kuptuar mjaft mirë, kur ndër të tjera ai shkruan: ”Me të vërtetë që unë e kam parë Shqipërinë më shumë se kushdo anglez tjetër, sepse është vend i vizituar rrallë, ndonëse i bollshëm në stoli natyrore. “Në vendet e Ilirisë dhe të Epirit ka vende pa emër dhe lumenj të pahedhur në hartë, mundet që një ditë, kur të njihen më shumë, të jenë temat më të çmuara e të dorës së parë për penën.”

Me një ndjesi të epërme prej krijuesi gjenial, Bajroni është modeli i shkëlqyer, në shënimet dhe në veprën, e të cilit ai ka arritur të pleksë mjaft mirë shqiptarët, psikologjinë prej luftëtarësh, bujarinë, historinë e tyre, shpirtin e lirë, mprehtësinë dhe aftësinë për të luftuar, trashëgiminë  e tyre. Ai shkruan: “Kudo që shohim: rrotull, sipër, poshtë, na lë pa mend magjia ngjyrë ylberi.. të gjithë njerëzit që takuam me fustanellat e bardha përshëndetnin shqiptarçe,ushtarët nuk dallohen nga fshatarët nga veshja, të gjithë mbajnë armë të stolisura….. Kur arritëm në Epirin e qëmotshëm, afër malit të Tomorrit, u mirëpritëm nga i pari i vendit Ali Pasha.” Ali Pasha rrezaton vlera të jashtëzakonshme në vlerësimin e lordit të njohur anglez, por dhe të poetit të romantizmit, i cili është ndërkohë dhe një luftëtar i lirisë dhe ai vetë.

Bajroni e preku realitetin shqiptar në të gjithë mundësinë që kishte një lord anglez, pasi ai çuditërisht kishte arritur të mësonte se deri ku shtriheshin krahinat shqipfolëse, si provincë e Turqisë Evropiane, por mjaft e rëndësishme për kohën dhe zhvillimet në Ballkan, duke shënuar për këto treva, koordinata të tillë si: ”Në perëndim ka gjirin e Venecias,në lindje Maqedoninë,Thesalinë dhe Greqinë.Ndërsa në jug mbërrinë deri në gjiun e Lepantos ose , gjiri i Artës”, për ta përmbushur me mjeshtëri dhe një dashuri të pakufishme  me përshkrimin e Shqipërisë së jugut, veçmas Çamërinë, ku ndrisin dhe kumbojnë vargjet për Marko Boçarin dhe suliotët e përqendruar në lindje të Paramithisë: ”Kush ia shkon në trimëri suliotit brun//Me të bardhë fustanellë e me gunë”, dhe që kishte kaq shumë vlera në kontekstin e gjerë shqiptarë, kur shkruante:“O Shqipëri, ku lindi Iskanderi, këngë e trimërisë, fanar i të urtëve./Dhe Iskanderi tjetër që i tmerroi armiqtë me kordhën e tij kreshnike.” (Isklanderi tjetër, ndryshe Aleksandri i Maqedonisë)

Një informacion i dendur për Shqipërinë dhe shqiptarët nga Bajroni vjen përmes letrave që ai i shkroi nënës dhe të njohurve të tij. Janë letra të gjata, por që marrin vlerën e dokumenteve të rëndësishme për të kuptuar se sa i qartë, korrekt, i vërtetë dhe i lidhur fort është ai me mjediset njerëzore ku shkoi dhe vizitoi. Janë letra të dërguara nënës së tij, Xhon Hansonit, Hobhausit, Henri Drurit e ndonjë tjetri. Ai thotë: “I dua shumë shqiptarët…. nuk janë të gjithë myslimanë, disa nga fiset janë të krishterë, porse feja nuk i bën të ndryshojnë zakonet dhe sjelljet e tyre dhe se janë kaq tolerantë dhe kaq të lirë në paragjykimet fetare.. Me sa kam parë vetë….Ata shëmbëllejnë me malësorët e Skocisë, në veshje, në fytyrë dhe në mënyrën e jetesës, trupi i tyre i hollë dhe i gjatë, dialekti keltik dhe zakonet e tyre te rrepta më shpien në Morven.” Shqiptarët, në botën poetike romantike të Bajronit, janë luftëtarë të pashoq, ata nuk e braktisin kurrë vendin e tyre sado të përballen më vdekjen përballë armiqve të shumtë dhe të fuqishëm. Ata kanë shembullin e luftëtarit që u prin luftëtarëve: “Tamburxhi, Tamburxhi,/ Kushtrimi yt u jep shpresë trimave në luftë, i cyt/ Ngrihen bijtë e maleve si ndonjë sqotë/ Himarjotë, Ilirë, ezmerët suljotë”, janë vargje interesante të mbushura me një informacion të  dendur, ku poeti ka parasysh luftërat që kanë bërë shqiptarët që nga kohët ilire dhe në vazhdim. Madje sipas Konicës, Bajroni është evropiani i parë që e çoi këngën labe në Evropë.

Posaçërisht Konica shkruan në gazetën “Albania:”Lord Bajroni në një ndër udhëtimet e tij në Shqipëri, mblodhi disa këngë shqipe. Jo vetëm i mblodhi, por dinte edhe t’i këndojë. Në jetë të tij mësojmë se, duke qenë një herë me disa miq në të shëtitur në një anije mbi Rhin të Gjermanisë, u tha miqve: “Daleni, t’ju këndoj një këngë shqipe”. Të gjithë pushuan, thotë shkruesi i jetës së tij, e vjershëtori ia dha një mënyre ulërimit që i çuditi të gjithë (duket do të ish ndonjë këngë vajtimtare e Toskërisë). – Nga ato këngë që kish mbledhur, Lord Bajroni shtypi vetëm dy me notat [shënimet] që ia shtoi Çajld Haroldit. Por, ato këngë janë aq liksht të përshkruara, sa s’i merr dot kush vesh, përveç ca fjalë tej e këtej. Na u duk pra punë për t’u vënë re të shtypim nga një anë këngët ashtu si i ka shtypur Bajroni, nga ana tjetër të ndërtuara e të shkoqitura ashtu si na duket që duhen.”

Bajroni e preku të gjithë realitetin shqiptar. U bë njësh më të, e mahniti shumë mjedisi, kultura dhe kultura e tyre  jetike, madje donte t’u ngjante atyre, donte t’i imitonte, i prekur fort në madhështinë e këngës polifonike, e cila i mbeti në mendje, kujtesë dhe ndjeshmëri shpirtërore, sa u përpoq të këndonte dhe ai si labët e Jugut të Shqipërisë. Thuhet se i mësoi përmend vargjet e këngës: “Në sevda tënde u lavosa/ Vetëm u përvëlofsha,/ Ah, vajzë më përvëlofshe,/ Zemërën më lavose,/ Unë të thashë rroba s’dua/ Po sytë e vetullat e tua..”, këngë që Bajron edhe e përktheu dhe në anglisht. Shpesh këto këngë brilante polifonike ai i këndonte në shtëpi dhe në rrethe të ngushta.

Natyra shqiptare e ka magjepsur poetin, veçmas mjediset baritore. Ai shihte me ëndje dhe argëtohej me vallet e rrepta të burrave apo shkathtësinë e kërcimeve të grave, valle që këndoheshin dhe luheshin rreth zjarrit, në dasma. Në shënimet e Bajronit flitet shumë për veshjen shqiptare, për të të cilën thotë se është petku më i bukur në botë, që e përcjellin dhe vargjet poetike: ”Shih të egrin shqiptar me fustanellë/ e rrobat të qëndisura me arë,/ Armët të lara me flori, sa bukur!” Dhe kjo lidhje e fortë e tij me veshjet shqiptare shpjegohet me atë, që ai kishte marrë dhe një veshje burrash shqiptare, duke iu dëshmuar kulturës dhe salloneve mondane të kohës në Evropë dhe madhështinë e kësaj veshjeje të përbotshme, siç thotë ai “veshja më e bukur në botë”.

Në vlerësimin e Bajronit ka një dëshmi të mrekullueshme për burrat shqiptarë, kryesisht ata të Shqipërisë së Jugut dhe njerëzve të Ali Pashë Tepelenës. Është një përshkrim gati autentik i përpiktë, duke i përshkruar si “trupa shumë të mirë, nuk shquhen si kalorës, por në këmbë janë të palodhur dhe shumë të duruar. Armën kur e hedhin supit të djathtë e mbajnë pa asnjë sforcim, ndërsa vrapojnë përpjetë maleve të tyre me lehtësi e zhdërvjelltësi. Ndoshta jane raca më e bukur në botë”, përkundër të cilëve shquajnë tiparet e grave shqiptare, se “…edhe gratë janë të hijshme, vajzat arnaute janë shumë të bukura dhe kostumi i tyre është shumë piktoresk. Ata edhe hijeshinë e trupit e ruajnë më gjatë pasi rrojnë përjashta në ajër të lirë. Ato bëjnë jetë patriarkale, por kjo ndrydhje e përkohshme e personalitetit të tyre u duket e natyrshme,madje u jep krahë për të gjetur kuptimin e jetës në dashurinë dhe detyrën amtare. Janë po ato gra që në raste rreziku e nevoje shkojnë në luftë përkrah burrave dhe kurrë nuk dorëzohen për të mbrojtur nderin e tyre….. Ishin gratë e fshatit Dhoksat që ndërtuan urën e prishur nga përroi i rrëmbyer, kur morën vesh se do të kalonim ne në udhën e bllokuar nga gurët”,  shënon në shënimet e tij romantiku Xhorxh Bajroni.

Kultura dhe mjediset shqiptare të kohës, kurrë nuk kanë pasur një tablo kaq të gjerësishme në letërsinë e kohës. Bajroni e ka madhështuar gjithashtu Ali Pashë Tepelenën, jo vetëm në takimin me të për të cilin ai shkruan: “Të nesërmen më shpunë tek Ali Pasha. Isha veshur me uniformë të plotë shtabi, me shpatë madhështore… Më priti në këmbë, shenjë e një nderimi të madh nga një mysliman dhe më vuri të rri në shesh në krah të djathtë të tij… E para pyetje që më bëri ishte, se përse jam larguar prej atdheut në një moshë ka të re, pastaj, tha se ministri anglez, kapiteni Lake, i kishte treguar se qeshë nga derë e madhe… Më tha, se qe i bindur se isha prej oxhaku, se kisha veshë të vegjël, flokë kaçurrela dhe duar të vogla të bardha, dhe u duk shumë-shumë i kënaqur nga pamja ime…”, ndërsa pashain gjemimadh të Tepelenës e përshkruan: ”Naltësia e tij është gjashtëdhjetë vjeç, shumë i ngjallur dhe jo shtatmadh, por ka një fytyrë të hijshme, sy të larmë, dhe mjekër të bardhë, shumë i pritshëm dhe sillet me atë farë sedër që më ngjall, se është veti e të gjithë turqve. Por karakterin e vërtetë e ka fare të ndryshëm nga ç’duket në fytyrë. Është tiran pa shpirt, i ngarkuar me mizoritë më të tmerrshme, shumë trim dhe aq gjeneral i mirë, sa e quajnë Bonoparti muhamedan…”, por ndërkohë Ali Pashë Tepelena mbeti miku i tij më i madh dhe më i afërt.

Bajroni vinte nga shtresa e lartë angleze, familja  e të cilit trashëgonte favore dhe reputacion. Ai ishte një nga poetët më të talentuar të kohës, i cili arriti të krijonte një rrymë të thirrur “bajronizëm” madje. “Çajld Haroldi’ është njëra nga veprat më të rëndësishme të tij, për shkakun e thjeshtë, ajo përçon aktin, mesazhin dhe marrëdhënien që heroi romantik kishte me veten, kohën dhe aventurat e tij. Bajroni ka një përmasë universale në mesazhet që i ka lënë letërsisë dhe njerëzimit, duke qenë dhe mishëruesi gati- ideal i romantizmit.

Bajroni e njohu nga afër Shqipërinë, njerëzit, mënyrën e jetesës, prijësit, luftëtarët, kulturën e tyre dhe karakteret njerëzore. Është një njohje e rëndësishme, të cilën ai nuk e ka përcjellë vetëm përmes Haroldit, por dhe mundësive të tjera, veçmas përmes letërkëmbimit me nënën dhe të tjerët. Krijimtaria e tij dhe letrat mbeten një burim i rëndësishëm jo vetëm për jetën dhe aktivitetin e Bajronit, por dhe për kulturën shqiptare në përgjithësi. Bajroni u përkthye për shqiptarët më së pari në Itali nga arbëreshët dhe më pas në Shqipëri, ndërsa ndikimi i tij ka qenë i madh në letërsinë shqipe, që nga De Rada, Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Mjeda dhe të tjerë.

Gjatë periudhës së romantizmit, mjaft rëndësi kishte njohja e kulturës popullore, trashëgimia dhe historia. Në historinë e kulturës shqiptare, por dhe të letërsisë shqiptare, romantizmi gjeti shprehjen e vet gjatë rilindjes kombëtare, jo vetëm në kultin e natyrës dhe shpirtit, që e përçonte jo pak dhe imagjinata e poetëve dhe shkrimtarëve, por, historia dhe trashëgimia që kishin shqiptarët nga e kaluara. Në thelb romantizmi shqiptar u shkri në kultin e natyrës, të bukurës dhe parabolës së historisë përmes kultin të Motit të Madh.

Bajroni mbetet një zë i madh evropian për Shqipërinë dhe shqiptarët që në momentet e para kur në Ballkan ishte shfaqur nacionalizmi dhe ata rrezikoheshin nga asimilimet dhe armiqtë e tyre të njohur. Po ashtu, ai është dhe njëri nga zërat e rëndësishëm që pas Shekspirit pati një marrëdhënie dhe nderim të rëndësishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët. Në veprën “Çajld Harold” pjesa mbi Shqipërinë dhe pashain e Tepelenës është pjesa më e bukur dhe më bashkëkohore.

Bajroni ishte një londinez nga një familje aristokrate dhe pas vdekjes së xhaxhait të tij trashëgoi titullin e lartë Lord, bashkë me përfitimet  tjera. Kishte vendin e tij në Shtëpinë e Lordëve. Kishte pasion letërsinë dhe kulturën dhe u shkollua për gjuhë greke dhe latine, njohu mirë historinë dhe letërsinë angleze. Përçonte një karakter të veçantë prej serioziteti, depërtues në ngjarjet e caktuara dhe inteligjent (mendohej shumë), por i pëlqente gëzimi, kishte temperament të zjarrtë, një temperament që do ta bënte dhe pasionant për të eksploruar (aventura). Filloi të botonte krijimet e para poetike në revistat e kohës.

Vepra më  e njohur e tij është “Shtegëtimi i Çajld Haroldit”, e cila përçon idealin dhe aventurën e heroit të romantizmit. Është një nga njerëzit e njohur të kohës, poeti më i rëndësishëm i romantizmit që pati dhe ruajti një lidhje të veçantë me Shqipërinë dhe shqiptarët. Udhëtimi i tij për të eksploruar vendet me rrezikshmëri të lartë përbëjnë një lloj ideali romantik të rëndësishëm, duke u dhënë peshë të gjitha ato vende dhe histori që përshkruan në poemën e përbotshme. Kurajoz, i guximshëm dhe eksplorues, romantiku anglez kërkonte të njihte gjithçka.

Bajroni ishte udhëtari i parë që njohu nga afër Shqipërinë dhe që krijoi një lidhje shpirtërore me shqiptarët. Ali Pashë Tepelena është një model i rëndësishëm i një njeriu të madh të kohës, jo vetëm për Shqipërinë, por dhe Evropën Perëndimore. I dashuruar me shqiptarët, ai mori një kostum tradicional shqiptar, ndërsa ka kënduar dhe këngë shqiptare, pasi ishte mjaft i pasionuar me këngën polifonike të Labërisë.

Bajroni e njohu Shqipërinë në botë në një dimension dhe nderim të epërm. Duke qenë dhe poeti më i lexuar i kohës, shtegtimi në Shqipëri shpalos në gati 350 vargje të poemës, vlerat njohëse për shqiptarët, të cilët i vlerësonte për shpirtin e veçantë, ata i dukeshin se ngjanin me Hajalanderët e Skocisë në veshje, pamje dhe mënyrë jetese. Kjo përbënte një shërbim të madh për Shqipërinë po të kemi parasysh kohën kur ai ia tregoi Evropës këtë vlerësim prej lordi dhe aristokrati anglez.

Shpërndaje këtë artikull
Facebook Email Printo
Posto një koment

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Lajmi i Fundit

  • VIDEO: Shqipëria e bukur është në shesh
  • Rama: Kush më quan tradhtar është pa din e iman
  • Detaje nga dita e nëntë e protestës, mijëra qytetarë në shesh, përplasje me të rinjtë e PD; Reuters jep live protestën
  • Rama i përgjigjet Iranit: Ju nuk mund ta falni Shqipërinë për atë që bëmë
  • Kush është ambasadorja re e BE-së që pritet të emërohet në Tiranë

Komentet e Fundit

  1. Bujar Kanapari on Ky mund të jetë një sinjal shprese për Europën
  2. Bujar Kanapari on Ky mund të jetë një sinjal shprese për Europën
  3. 1 on FOTO – SHËNIM: Po këtë kush na i bëri? Grekët, serbët, apo iranianët?
  4. capi on Protestat për Zvërnecin, reagon delegacioni i BE: Mbro natyrën, sa je në kohë!
  5. capi on Rama zbulon armikun e ri të popullit: Flamingot imagjinare po i vjedhin ‘likes’ në Instagram

Kategori

Rreth nesh

E përditshme e Analizës dhe e Informacionit. Numri i parë, 1 nëntor 2012. Botohet nga "Publikime Shqiptare". Kryeredaktor Adrian Thano. Zyra e Botuesit: Rogner Hotel, Bulevardi "Dëshmorët e Kombit", Tiranë

Merr te rejat më të fundit

Ndiqni Gazeta Dita duke vendosur emailin tuaj më poshtë dhe do të njoftoheni për të rejat më të fundit

[mc4wp_form]

Gazeta DitaGazeta Dita
© Copyright Gazeta Dita 2012. Të gjitha të drejtat e rezervuara



Welcome Back!

Sign in to your account

Username or Email Address
Password

Lost your password?